Ballina IA Zhvillohet inteligjencë artificiale që parashikon jetëgjatësinë e pacientëve me kancer nga një...

Zhvillohet inteligjencë artificiale që parashikon jetëgjatësinë e pacientëve me kancer nga një fotografi e vetme

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Ekspertët kanë zhvilluar një mjet të ri të inteligjencës artificiale që mund të llogarisë moshën biologjike duke analizuar fotografinë e fytyrës së pacientit dhe të parashikojë gjasat e mbijetesës gjatë trajtimit të kancerit. Studimi, i publikuar në revistën „Lancet Digital Health“, tregon se kjo teknologji mund të ndihmojë në orientimin e proceseve të trajtimit të personalizuar.

Sistemi, i zhvilluar nga ekspertët e Mass General Brigham, një sistem shëndetësor me seli në Massachusetts, është trajnuar duke përdorur më shumë se 40 milionë fotografi fytyrash të personave të moshave dhe prejardhjeve të ndryshme etnike.

Dy mjete të ndryshme, të krijuara mbi bazën e modelit të zhvilluar, analizojnë hollësitë e tipareve të fytyrës për të vlerësuar si moshën biologjike, ashtu edhe drejtpërdrejt gjasat e mbijetesës.

Analizohen zona të ndryshme të fytyrës

Në kuadër të studimit u konstatua se mjetet e zhvilluara përqendrohen në zona të ndryshme të fytyrës. Sistemi që vlerëson moshën biologjike analizon ballin, tëmthat dhe vijat që shtrihen nga anët e hundës deri te cepat e gojës, ndërsa mjeti tjetër, që parashikon drejtpërdrejt gjasat e mbijetesës, vlerëson zonat poshtë syve dhe përreth urës së hundës.

Nga analizat u konstatua se pacientët me kancer, mosha biologjike e të cilëve rezultonte pesë ose më shumë vjet më e madhe se mosha e tyre kronologjike, kishin një rrezik 21 për qind më të lartë për të vdekur gjatë një periudhe mesatare ndjekjeje prej katër vjetësh.

Në të kundërt, te pacientët që dukeshin pesë vjet më të rinj se mosha e tyre reale, ky rrezik rezultoi 17 për qind më i ulët. Ekspertët theksojnë gjithashtu se zakone të stilit të jetesës, si konsumimi i tepërt i alkoolit, pirja e duhanit dhe përdorimi i drogës, ndikojnë drejtpërdrejt në shenjat e plakjes së fytyrës.

Mund të ndihmojë në orientimin e trajtimit

Mjekët, duke theksuar rëndësinë e vlerësimit të saktë të qëndrueshmërisë fizike dhe brishtësisë së pacientëve përpara trajtimeve intensive me rrezatim, ndërhyrjeve kirurgjikale ose terapive sistemike, bëjnë të ditur se kjo teknologji nuk do të zëvendësojë vendimet e mjekëve, por mund të luajë një rol mbështetës në planifikimin e trajtimit të personalizuar.

Ndërsa sistemi nuk ndikohet nga faktorë të jashtëm si ndriçimi, grimi apo shprehjet e ndryshme të fytyrës, nevojiten kërkime të mëtejshme përpara se ai të mund të përdoret gjerësisht./TRT Haber