Ballina Bota Mbreti Charles III pret Sulltanin e Omanit në vizitën e parë shtetërore...

Mbreti Charles III pret Sulltanin e Omanit në vizitën e parë shtetërore pas 44 vjetësh

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Sulltani Haitham nisi një vizitë triditore në Mbretërinë e Bashkuar. Ceremonia zyrtare në Windsor u shoqërua me të shtëna nderi, interpretimin e himneve kombëtare dhe një procesion me karroca mbretërore.

Nga Paul Carey dhe Lemma Shehadi

Mbreti Charles III priti të martën Sulltanin Haitham të Omanit në Windsor, pranë Londrës, në fillim të një vizite shtetërore triditore. Kjo është vizita e parë shtetërore e një kreu shteti të Omanit në Mbretërinë e Bashkuar pas 44 vjetësh.

Sulltani Haitham u shoqërua nga rezidenca e tij në Londër drejt Windsor-it nga Princi William, Princi i Uellsit. Atje, kreu i shtetit të Omanit u prit me një ceremoni zyrtare, gjatë së cilës njësia e artilerisë me kuaj e Gardës Mbretërore (King’s Troop Royal Horse Artillery) qëlloi të shtëna nderi me topa. U interpretuan gjithashtu himnet kombëtare të Omanit dhe Mbretërisë së Bashkuar. Të shtëna nderi me topa u qëlluan edhe në Kullën e Londrës.

Më pas, Sulltani Haitham dhe Mbreti Charles III udhëtuan së bashku në karrocën ceremoniale Irish State Coach, të tërhequr nga kuajt. Procesioni kaloi nëpër rrugët e Windsor-it, nën shi, drejt Kështjellës Windsor, ndërsa pjesëtarë të forcave të armatosura ishin rreshtuar përgjatë itinerarit.

Mbretëresha Camilla udhëtoi në karrocën ceremoniale Scottish State Coach së bashku me Shihab bin Tariq, zëvendëskryeministrin e Omanit për Çështjet e Mbrojtjes.

Princi William dhe bashkëshortja e tij, Catherine, Princesha e Uellsit, udhëtuan në karrocën Australian State Coach së bashku me Princin e Kurorës së Omanit, Theyazin bin Haitham, i cili mban edhe postin e zëvendëskryeministrit për Çështjet Ekonomike, si dhe me Loay bin Ghalib, sekretar i përgjithshëm i Divanit të Oborrit Mbretëror të Omanit. Në procesion morën pjesë edhe ministra të tjerë.

Pas mbërritjes në Kështjellën Windsor, Sulltani Haitham, i shoqëruar nga Mbreti Charles III, inspektoi gardën e nderit. Gjatë ceremonisë, ata nuk përdorën çadra, pavarësisht shiut.

Vizita e mëparshme shtetërore e një sundimtari oman në Mbretërinë e Bashkuar ishte zhvilluar në vitin 1982, kur Sulltani Qaboos ishte pritur nga Mbretëresha Elizabeth II.

Gjatë ditës, Sulltani Haitham qëndroi në shoqërinë e mbretit dhe mbretëreshës. Ai vizitoi edhe një ekspozitë të posaçme me objekte historike që lidhen me Omanin, të përzgjedhura nga Koleksioni Mbretëror britanik.

Mes objekteve të ekspozuara ishte edhe dekorata Urdhri i Al Said, të cilën Sulltani Qaboos ia kishte dhuruar Mbretëreshës Elizabeth II gjatë vizitës së vitit 1982, si dhe fotografi nga vizita shtetërore që mbretëresha britanike kishte zhvilluar në Oman në vitin 1979.

Të martën në mbrëmje ishte parashikuar një banket shtetëror në Kështjellën Windsor, ndërsa të mërkurën Sulltani Haitham do të zhvillojë bisedime me kryeministrin britanik Andy Burnham në Downing Street.

Sulltani dhe kryeministri britanik kishin biseduar edhe në korrik, pak pasi Burnham kishte marrë detyrën. Gjatë asaj bisede, ata kishin diskutuar përpjekjet për të garantuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

Në fillim të të njëjtit muaj, Sulltani Haitham ishte takuar në Downing Street edhe me Keir Starmer, i cili në atë kohë ishte kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas programit të vizitës, sulltani do të marrë pjesë të mërkurën në mbrëmje në një banket në City of London, qendrën historike financiare të kryeqytetit britanik.

Të enjten ai do të vizitojë Parkun Olimpik Mbretëresha Elizabeth (Queen Elizabeth Olympic Park), në lindje të Londrës, për t’u njohur me shndërrimin e ish-kompleksit olimpik në një qendër të zhvillimit ekonomik.

Mundësitë për investime

Përfaqësues të kompanive omane që promovojnë zonat e lira ekonomike të vendit u mblodhën të martën në Guildhall të Londrës, së bashku me drejtues biznesesh, investitorë dhe përfaqësues të institucioneve që hartojnë politikat ekonomike.

Takimi u përqendrua në mundësitë e bashkëpunimit ekonomik pas marrëveshjes tregtare ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC), të nënshkruar më herët gjatë këtij viti.

Haitham Al Salmi, drejtor ekzekutiv i Bursës së Muskatit, tha për The National se një nga objektivat kryesore të vizitës së Sulltanit Haitham është nxitja e investimeve ndërmjet Omanit dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“Ka shumë çështje biznesi për t’u diskutuar në këtë periudhë”, tha ai.

Sipas Al Salmit, Bursa e Muskatit po forcon marrëdhëniet me Bursën e Londrës, ndërsa synon të kalojë nga kategoria e tregjeve kufitare (frontier markets) në kategorinë e tregjeve dytësore në zhvillim (secondary emerging markets).

Në shtator, FTSE Russell, një nga ofruesit kryesorë ndërkombëtarë të indekseve financiare, e përfshiu tregun e Omanit në listën e vëzhgimit për një riklasifikim të mundshëm në një kategori më të lartë.

“Investitorë të ndryshëm, me shkallë të ndryshme gatishmërie për të marrë përsipër rrezik, mund të investojnë njëkohësisht si në tregjet e zhvilluara, ashtu edhe në tregjet në zhvillim”, tha Al Salmi.

Gjatë takimit u shpreh optimizëm edhe për mundësitë e bashkëpunimit në sektorin e shëndetësisë.

Pjesëmarrësit vlerësuan se ekspertiza britanike në shkencat e jetës dhe gjenomikë mund të ndihmojë në zhvillimin e institucioneve të shëndetit publik në vendet e Gjirit. Nga ana tjetër, vendet e Gjirit kanë përparuar më shumë në digjitalizimin e sistemeve të tyre të shëndetit publik.

Jonathan Symonds, kryetar i bordit të drejtorëve të kompanisë farmaceutike britanike GSK, theksoi dallimet demografike ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe vendeve të Gjirit.

“Mbretëria e Bashkuar është shembull i një sistemi që po përballet qartazi me barrën e plakjes së popullsisë dhe të sëmundjeve kronike. Ndërsa vendet e GCC-së kanë popullsi shumë më të re”, tha ai.

Sipas Symonds, vendet e Gjirit kanë mundësi të zhvillojnë modele të reja të kujdesit shëndetësor, pa u përballur me të njëjtin presion që rëndon mbi sistemet shëndetësore të vendeve me popullsi më të moshuar.

“Vendet e GCC-së na japin një ide se si do të duket sistemi shëndetësor i së ardhmes. Kjo sepse nuk jeni të mbingarkuar nga kërkesa tepër e madhe për shërbime. Mund ta ndërtoni sistemin nga themelet”, tha ai.

Marrëdhënie të mbështetura në respektin e ndërsjellë

Richard Stanford, oficer ushtarak britanik në pension dhe aktualisht kryetar i Shoqatës Britaniko-Omane (British Omani Society), tha se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kanë një histori disa shekullore.

Stanford, i cili ka shërbyer për një kohë të gjatë në Oman, i përshkroi këto marrëdhënie si “unike, të veçanta dhe të mbështetura në respektin e ndërsjellë”.

Ai theksoi se vizita shtetërore e Sulltanit Haitham është dëshmi e rëndësisë së marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe dy familjeve mbretërore.

Sipas tij, Britania dhe Omani, si dy vende me traditë të gjatë detare, kanë një qasje të veçantë ndaj zhvillimeve politike në rajonin e Gjirit dhe në arenën ndërkombëtare.

Kjo qasje, siç shpjegoi ai, mbështetet në lidhjet historike, marrëdhëniet tregtare dhe diplomacinë e zhvilluar ndër shekuj.

(The National)