Nga Thomas Gutschker, Bruksel, dhe Majid Sattar, Uashington
Trump ka sinjalizuar gatishmërinë për të marrë pjesë në një samit me Putinin dhe Xi Jinpingun në Kinë. Në takim do të diskutohej edhe për Ukrainën. Kievi reagon i tronditur.
Për Volodymyr Zelenskyn lajmet e këqija nuk kanë të sosur. Pas marrëveshjes për naftën dizel mes Uashingtonit dhe Moskës, si pasojë e së cilës Donald Trump pezulloi sanksionet kundër Rusisë, presidenti amerikan tani po flet për një samit të fuqive të mëdha, nga i cili do të përjashtohej presidenti ukrainas. A do të vendoset tani për të ardhmen e Ukrainës në qytetin kinez të Shenzhenit?
Trump po shqyrton prej kohësh mundësinë e një takimi të nivelit të lartë me Vladimir Putinin. Në shtator, ai e kishte ftuar udhëheqësin rus në samitin e G20-s, që do të mbahet në dhjetor në Miami. Ftesa befasoi shumëkënd në Evropë. Megjithatë, Zelensky e mbështeti idenë. Prej kohësh ai ishte shprehur në favor të negociatave “serioze”. Natyrisht, jo në Moskë, në kryeqytetin e agresorit, siç dëshironte Putini. Por, sipas tij, nuk kishte asnjë pengesë për organizimin e një samiti mes Trumpit, Putinit dhe Zelenskyt në Miami.
Në Berlin, kryeqytetin e partnerit më të rëndësishëm evropian të Kievit, mbizotëroi skepticizmi. Dukej pothuajse e paimagjinueshme që Putini të shkonte në Florida. Edhe Moska reagoi fillimisht me rezervë. Megjithatë, në prapaskenë duket se janë zhvilluar bisedime. Të hënën, gazeta “The Wall Street Journal” raportoi se Putini kishte propozuar të takohej muajin e ardhshëm me Trumpin dhe presidentin kinez Xi Jinping, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Shenzhen, për të diskutuar luftën në Ukrainë.
“Rusia është sjellë mirë sa i përket Ukrainës”
Trump reagoi pak më vonë. “Do ta bëja”, tha ai të hënën në Uashington, teksa po nisej për tubimin e radhës elektoral. Ai nuk do të merrte pjesë në një takim të tillë kryesisht për shkak të Ukrainës, “sepse Rusia, sinqerisht, është sjellë mirë sa i përket Ukrainës. Nuk kanë bërë shumë”, deklaroi ai, duke shpërfillur numrin e madh të viktimave civile dhe sulmet e vazhdueshme ajrore ruse kundër vendit.
Trump tha se në një samit trepalësh do të dëshironte të diskutonte para së gjithash për armët bërthamore dhe çarmatimin bërthamor. Sipas tij, kjo do të ishte shumë pozitive për botën. Megjithatë, takimi ende nuk ishte dakorduar. Pekini, për shkak të dallimeve të mëdha mes arsenaleve bërthamore të tri vendeve, deri tani ka kundërshtuar pjesëmarrjen në negociata trepalëshe për çarmatimin.
Për Putinin, sidoqoftë, një samit i tillë nuk do të kishte të bënte aq shumë me çarmatimin, sa me rritjen e prestigjit të tij ndërkombëtar: deri dje i izoluar, ndërsa sot nismëtar i një samiti të fuqive të mëdha. Është vështirë të përfytyrohet që në një takim të tillë të mos diskutohej edhe për Ukrainën. Në fakt, i pyetur nëse do të bisedonte me Putinin dhe Xi Jinpingun për Ukrainën, Trump konfirmoi se do të bënte gjithçka që ishte në fuqinë e tij për t’i dhënë fund luftës.
Ukraina nuk është anëtare e APEC-ut dhe, ndryshe nga samiti i G20-s, ku Zelensky pritet të marrë pjesë si i ftuar, presidenti ukrainas nuk do të jetë i pranishëm në Shenzhen në mesin e nëntorit.
Reagimi i Kievit ishte i menjëhershëm. Një takim i tillë do ta inkurajonte Putinin të vazhdonte luftën, deklaroi ministri i Jashtëm ukrainas, Andrij Sybiha. Sipas tij, Putini as nuk mund ta fitojë luftën dhe as nuk dëshiron t’i japë fund asaj.
Takim me Witkoffin në Oslo
Edhe për evropianët, një samit i fuqive të mëdha, në të cilin do të negociohej për kufijtë territorialë të një vendi kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, do të përbënte një fyerje të rëndë politike. Qëndrimi i tyre ka qenë gjithmonë i qartë: asnjë negociatë për Ukrainën pa pjesëmarrjen e Ukrainës.
Shenzheni do të shndërrohej kështu në simbol të rikthimit të politikës perandorake. Si mund të përfytyrohej një skenar i tillë? A do të uleshin Trump, Xi dhe Putin përpara hartës së Evropës dhe të rivizatonin kufijtë, ashtu siç bënë dikur monarkët e Rusisë, Monarkisë së Habsburgëve dhe Prusisë gjatë ndarjeve të Polonisë?
Ndryshimi i radhës i qëndrimit të Trumpit motivohet para së gjithash nga politika e brendshme amerikane. Kur njoftoi marrëveshjen me Putinin javën e kaluar, presidenti nuk e fshehu objektivin e tij kryesor: uljen e çmimeve të karburanteve pak para zgjedhjeve për Kongresin amerikan. Megjithatë, ky objektiv nuk do të arrihet përmes lejimit të furnizimeve me naftë dizel ruse.
Trump është i gatshëm ta braktisë sërish Zelenskyn, edhe pse kohët e fundit të dyja palët kishin arritur t’i afronin qëndrimet. Në Uashington kishte mbizotëruar bindja se Rusia, ndonëse nuk do ta humbiste luftën në aspektin ushtarak, do ta humbiste atë ekonomikisht.
Tani Trump po i siguron sërish të ardhura arkës së luftës së Putinit. Njëkohësisht, ai po e sulmon ashpër Zelenskyn. Presidenti ukrainas nuk dëshiron t’i japë fund luftës dhe ndoshta nuk e ka dashur kurrë këtë, shkroi Trump në rrjetin e tij social Truth Social.
Më pas ai kërkoi sërish zëvendësimin e Zelenskyt në procesin e negociatave, duke deklaruar se kishte ardhur koha që dikush tjetër të negocionte në emër të Ukrainës.
Megjithatë, për të martën ishte parashikuar një takim në Oslo mes të dërguarit të posaçëm të Trumpit, Steve Witkoff, dhe Zelenskyt. Në takim ishte lejuar pjesëmarrja edhe e përfaqësuesve evropianë.
Zelensky ankohet për vonesat në furnizimin me raketa interceptuese Patriot
Ndërkohë, të hënën në mbrëmje, Zelensky u ankua para senatorëve dhe anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së për bashkëpunimin e pamjaftueshëm ushtarak me Uashingtonin.
Gjatë një videokonference, ai deklaroi se sistemi ushtarak i komunikimit Starshield, që Ukraina e përdor për drejtimin e dronëve, vazhdonte të kishte një kufizim që lidhej me shpejtësinë prej 160 kilometrash në orë, pa marrë asnjë shpjegim për këtë masë.
Përveç kësaj, gjatë natës mes së dielës dhe së hënës, Rusia e kishte sulmuar Ukrainën me 16 raketa balistike dhe pesë raketa lundruese, ndërsa Shtetet e Bashkuara përsëri nuk kishin dhënë paralajmërime për sulmet. Sipas presidentit ukrainas, kjo kishte ndodhur tashmë për herë të tretë.
Më pas Zelensky ngriti edhe një shqetësim tjetër: “Pentagoni po vonon dorëzimin e raketave që partnerët tanë i kanë paguar tashmë në kuadër të programit PURL”.
Përmes këtij programi, të njohur si Lista e Kërkesave Prioritare të Ukrainës (Prioritised Ukraine Requirements List), vendet partnere të NATO-s financojnë blerjen e armëve amerikane për Ukrainën. Deri në qershor, ato kishin ndarë gjashtë miliardë dollarë për këtë qëllim.
Sipas Zelenskyt, një paketë e re me raketa të drejtuara për sistemin e mbrojtjes ajrore Patriot ishte në pritje të nënshkrimit të sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Partnerët evropianë po prisnin gjithashtu autorizimin e nevojshëm nga Uashingtoni përpara se t’i dorëzonin Kievit raketa interceptuese nga rezervat e tyre. Kjo po ndodhte në një kohë kur Ukrainës “pothuajse nuk i kanë mbetur më raketa interceptuese”.
NATO-ja e hodhi poshtë të martën versionin e paraqitur nga Zelensky.
“Mbështetja për Ukrainën në kuadër të PURL-it vazhdon pa ndërprerje”, deklaroi një zëdhënës i Aleancës për F.A.Z.
“Ne mirëpresim dhe inkurajojmë kontribute të mëtejshme nga aleatët, të cilat janë thelbësore për të siguruar që Ukraina të ketë mjetet e nevojshme për t’u vetëmbrojtur dhe për të ndihmuar në përfundimin e luftës së Rusisë”, shtoi ai.
Sipas informacioneve të siguruara nga F.A.Z., NATO-ja aktualisht nuk sheh arsye për të vënë në dyshim besueshmërinë e furnizimeve amerikane.
Partnerët nuk po arrijnë t’i përmbushin nevojat e Kievit
Në fakt, dërgesat amerikane të armëve i nënshtrohen një procedure miratimi, e cila përfundon me nënshkrimin e sekretarit të Mbrojtjes. Megjithatë, nuk ka tregues të qartë se vonesat janë pasojë e një bllokimi politik.
Gjithashtu, kundërshtohet pretendimi se vendet evropiane i kanë paguar tashmë raketat. Në të vërtetë, pagesat kryhen vetëm pas dorëzimit të tyre. Sipas informacioneve të disponueshme, në praktikë janë pikërisht vendet evropiane ato që po vonohen në përmbushjen e angazhimeve.
Aktualisht bëhet fjalë për dy paketa të programit PURL dhe për disa dhjetëra raketa interceptuese të tipit modern PAC-3.
Zelensky kishte deklaruar së fundmi se Ukraina tani merr nga Shtetet e Bashkuara vetëm 12 raketa në muaj, ndërsa gjatë administratës së paraardhësit të Trumpit, Joe Biden, furnizimet mujore ishin katër herë më të mëdha.
Ai e kishte përcaktuar nevojën minimale të vendit në 100 raketa në muaj.
Disa partnerë evropianë po furnizojnë Ukrainën me raketa të modeleve më të vjetra PAC-2. Mes tyre, me sa duket, tani janë edhe Greqia dhe Spanja.
Megjithatë, për të gjithë periudhën e dimrit, deri tani janë premtuar gjithsej vetëm rreth 100 raketa interceptuese.
Gjatë bisedës me ligjvënësit amerikanë, Zelensky përsëriti ofertën e tij për të pezulluar për 30 ditë sulmet kundër rafinerive ruse të naftës, nëse Shtetet e Bashkuara do t’i siguronin Ukrainës raketa të mjaftueshme interceptuese për mbrojtjen e hapësirës së saj ajrore.
Megjithatë, deri tani kjo ofertë nuk kishte marrë miratimin e Shtëpisë së Bardhë.
Sipas Zelenskyt, vendimet e administratës amerikane ishin të vështira për t’u shpjeguar. Përmes ankesave të tij, presidenti ukrainas shpresonte që anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe senatorët të ushtronin, me nismën e tyre, presion politik mbi Trumpin.(F.A.Z.)















