Qeveria gjermane synon të lejojë sërish gjuetinë e ujkut. Mbrojtësit e kafshëve e shohin këtë si një “precedent të rrezikshëm”
Gjermania po debaton ashpër për ujkun. Ky grabitqar është përhapur sërish në vend gjatë 25 viteve të fundit, ndërsa fermerët vuajnë nga sulmet ndaj bagëtive. Mbrojtësit e kafshëve kërkojnë vendosjen e gardheve, jo vrasje.
Ai është një figurë pothuajse mitike: prej shekujsh ujku ka qenë pjesë e përrallave dhe legjendave gjermane. Dhe që nga viti 2000, kjo kafshë, e cila për një kohë të gjatë konsiderohej e zhdukur, është rikthyer në Gjermani. Për mbrojtësit e kafshëve kjo është arsye për gëzim, për blegtorët një problem: sipas të dhënave të qeverisë gjermane, në vitin 2024 ujqit sulmuan rreth 1100 herë kafshë shtëpiake dhe vranë afërsisht 4300 krerë, kryesisht dele dhe dhi.
Për këtë arsye, ujku ka hyrë tashmë në parlamentin gjerman – përmes një projektligji. Bundestagu po e shqyrton këtë të mërkurë në lexim të parë, nëse grabitqari duhet të lejohet sërish të gjuhet.
Qeveria dëshiron ta përfshijë ujkun në Ligjin Federal të Gjuetisë, pasi Komisioni Evropian ia ka ulur statusin e mbrojtjes nga “rreptësisht i mbrojtur” në “i mbrojtur”. Kjo ka hapur debatin mes mbrojtësve të kafshëve, ambientalistëve dhe fermerëve.
Ngarkesë psikologjike për blegtorët
Qeveria federale e arsyeton kursin më të ashpër, nga njëra anë, me kostot e larta që u shkaktohen blegtorëve. Vetëm në vitin 2024, shpenzimet për mbrojtjen e tufave në Gjermani – kryesisht përmes përdorimit të qenve mbrojtës dhe gardheve elektrike – arritën rreth 23.4 milionë euro.
Por kjo nuk është e gjitha, thuhet në projektligj. “Sulmet e ujqive çojnë në ngarkesa të mëdha dhe potencialisht kërcënuese për ekzistencën e blegtorëve”, shkruan qeveria. Dhe këto nuk janë “vetëm të natyrës ekonomike”.
Sulmet ndaj bagëtive, ku kafshët plagosen rëndë ose vriten, mund të jenë “shumë të rënda psikologjikisht” për pronarët, veçanërisht kur bëhet fjalë për largimin e kufomave. Shumë blegtorë heqin dorë nga aktiviteti i tyre, “edhe pse puna e tyre për kujdesin e peizazhit, biodiversitetin dhe ruajtjen e racave të rralla të kafshëve është e pazëvendësueshme”.
Ujku po përhapet gjithnjë e më shumë në Gjermani si pasojë e mbrojtjes së fortë. Sipas një raporti qeveritar drejtuar Komisionit Evropian, në mesin e vitit 2025 në Gjermani jetonin rreth 1600 ujq në mbi 200 tufa. Që nga rikthimi i grabitqarit nga Polonia, ai është përqendruar kryesisht në lindje dhe veri të vendit. Për disa rajone, qeveria gjermane raportoi vitin e kaluar në Bruksel një “gjendje të favorshme ruajtjeje”. Ky vlerësim lejon për herë të parë rregullimin e popullatës.
Pas sulmit, lejohet vrasja
Projektligji parashikon shkallëzim të masave: në rajonet me shumë ujq, landet përgjegjëse për gjuetinë mund të kontrollojnë popullatën nga korriku deri në fund të tetorit. Nëse ujqit kanë vrarë kafshë shtëpiake, ata mund të qëllohen – pavarësisht nga numri i ujqive në rajon. Në Alpe ose në digat bregdetare, ku barinjtë nuk mund t’i rrethojnë tufat me gardhe, kafshët mund të vriten edhe në mënyrë parandaluese. Ministri i Bujqësisë me prirje kristiano-sociale, Alois Rainer, u premton blegtorëve “rregulla të qarta dhe praktike”.
Shoqata Gjermane e Gjuetisë (DJV), e cila përfaqëson rreth 260 mijë gjuetarë, i konsideron planet të pamjaftueshme. Rritja e shpejtë e popullatës së ujqive duhet frenuar në mënyrë efektive, thotë presidenti i DJV-së, Helmut Dammann-Tamke, për NZZ – përmes gjuetisë së synuar të ujqive të rinj. “Ne kërkojmë që në Gjermani, çdo vit të hiqen përmes gjuetisë 40 për qind e pasardhësve”, deklaron ai. Franca, sipas tij, e zbaton këtë me sukses prej rreth 15 vitesh.
Tek mbrojtësit e kafshëve, këto ide ndezin alarmet. Shoqata për Mbrojtjen e Natyrës në Gjermani (Nabu) paralajmëron për një “çarje politikisht të rrezikshme”. “Ky rishikim ligjor është simbolikë politike në kurriz të mbrojtjes së specieve”, thotë ekspertja e ujkut pranë Nabu-së, Marie Neuwald, për NZZ. Studimet shkencore tregojnë se gjuetia nuk e ul numrin e deleve të vrara; përkundrazi: kur qëllohen udhëheqësit me përvojë të tufave, ujqit e rinj dhe të papërvojë sulmojnë më shpesh bagëtitë.
Sipas Neuwald, edhe sot ujq të veçantë problematikë mund të vriten ligjërisht. Në vend të vrasjes së ujqive, barinjtë duhet të marrin më shumë fonde për gardhe elektrike dhe qen mbrojtës – si dhe kompensim më të shpejtë kur megjithatë ndodhin sulme.
Diku mes këtyre qëndrimeve qëndron ministri socialdemokrat i Mjedisit, Carsten Schneider. Ai thekson: “Ujku duhet të mbetet. Nuk bëhet fjalë për ta dëbuar sërish ujkun.” Brenda koalicionit qeveritar bardhë-kuq, projektligji pritet të mos shkaktojë më përplasje të mëdha dhe kështu mund të miratohet edhe gjatë këtij viti./TetovaNews















