Një automjet i tipit “Volkswagen Golf” është vjedhur mbrëmjen e së enjtes në fshatin Strimnicë të Tetovës, ndërsa më pas është përfshirë në një aksident trafiku në fshatin Pallaticë, ku mbeti e lënduar një 23-vjeçare.
Sipas informacioneve nga SPB Tetovë, më 26 shkurt 2026, rreth orës 22:40, personi me inicialet Q.I. (78 vjeç) nga fshati Strimnicë i Komunës së Zhelinës ka raportuar se automjeti me targa të Tetovës, i cili ishte në pronësi të një personi tjetër por përdorej prej tij, ishte vjedhur pasi ishte lënë i parkuar me çelësin në bravë.
Sipas denoncimit, personi që e kishte marrë automjetin kishte lëvizur në drejtim të fshatit Pallaticë, ku ka humbur kontrollin dhe është përplasur në objektin e një marketi lokal. Pas aksidentit, autori është larguar nga vendi i ngjarjes.
Si pasojë e përplasjes, lëndime trupore ka pësuar punëtorja e marketit, L.K. (23) nga Pallatica, të cilat janë konstatuar në Qendrën Klinike të Tetovës. Nga aksidenti janë shkaktuar edhe dëme materiale në objekt.
Me urdhër të prokurorit publik, automjeti është sekuestruar dhe dërguar në ambientet e SPB Tetovë, ndërsa policia po ndërmerr masa për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të rastit.















