Ballina Kultura Agim Vinca për Rexhep Qosjen: Ai ka qenë udhërrëfyesi ynë, i brezit...

Agim Vinca për Rexhep Qosjen: Ai ka qenë udhërrëfyesi ynë, i brezit tim, në fushën e artit, të dijes dhe të shkencës

M. Kurti: E përmendët Profesor Rexhep Qosjen. Kur e keni njohur dhe si filloi miqësia juaj me të? Kur ishit student apo më vonë? Si e vlerësoni personalitetin e tij krijues, shkencor dhe kombëtar?

A. Vinca: Profesor Rexhep Qosja mua nuk më ka dhënë mësim në fakultet. Nuk e kam pasur këtë fat. Brezit pas meje, që ishte në vit të tretë kur unë isha absolvent (brezit të I. Rugovës dhe R. Ismajlit), po, kurse mua jo. Atyre do t’u ligjëronte lëndën Histori e letërsisë shqipe III, që ishte lënda e Enver Gjerqekut, i cili kishte marrë një vit pushim. Vinte nga Instituti (Albanologjik), ku ishte në marrëdhënie të rregullt pune, me një çantë në dorë, i saktë si sahati, hynte në sallë tek e prisnin studentët dhe nuk dilte pa i bërë dy orë të plota mësim.

Mjekrën ende nuk e kishte, kurse syze mbante qysh atëherë. Të mëdha, të trasha e me kornizë të gjerë. Vishej me tesha kat, me kostum e kravatë, si gjithmonë, por jo aq shik si më vonë. (Shija dhe kujdesi i tij në të veshur erdhi duke u stërholluar me kalimin e kohës).

Në pushimin që bënte në mes të ligjëratës, dilte në korridor dhe pinte duhan: KENT, cigare që ishin në modë në atë kohë, ndër më të shtrenjtat. “Kent” i bardhë, i gjatë, elitor. Ende nuk ishte bërë puri-tan antiduhan e antialkool, siç do të bëhet më vonë.

Një herë a dy i kam shkuar në ligjëratë, për qejf (e kisha dhënë provimin nga kjo lëndë). Fliste për Asdrenin si njeri dhe poet. Ishte në fazën e hartimit të doktoratës për të: Asdreni, jeta dhe vepra e tij, që do ta mbronte një vit a dy më vonë. (Kam qenë në sallë, në publik, kur e mbrojti, në Amfiteatrin e Madh të Fakultetit të Filologjisë, ku salla ishte plot). Edhe sot më kujtohet një detaj nga ajo ligjëratë e para dyzet viteve: ai për koprracinë e Asdrenit. Asdreni ishte koprrac ndaj vetes, bënte jetë modeste, jetonte në varfëri, thoshte profesori dhe studiuesi i tij i ri, duke e shpjeguar këtë si rrjedhojë e përkushtimit të poetit mërgimtar, që mbeti edhe një beqar i përjetshëm, ndaj dy dashurive të tij të mëdha: Atdheut dhe Poezisë. Ndryshe nga kritikët e mëparshëm (Koço Bihiku me shokë), e vlerësonte posaçërisht përmbledhjen e tretë të Asdrenit, Psallme Murgu (1937), që i kishte sjellë poezisë shqipe tipare të reja, moderne, në planin tematik dhe stilistik.

Një vit pasi fillova punën si asistent në Fakultet, në shtator të vitit 1973, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, që është bërthama e Universitetit të Prishtinës, u nda në dy degë: në atë të Gjuhës dhe të Letërsisë. Shef i kësaj të dytës, të resë, me propozimin e profesor Idriz Ajetit, i cili nga ana e tij vazhdoi ta kryesonte Degën e Gjuhës, u zgjodh Rexhep Qosja. Ishte i vetmi doktor i letërsisë në atë kohë. Në fushën e gjuhësisë ishin dy (Idrizi dhe Mulaku), ndërsa në fushën e letërsisë nuk kishte tjetër, pos Qosjes. Përveç kësaj, marrëdhëniet e tij me profesor Ajetin, që e kishte pasur profesor dhe, më duket, edhe mentor, ishin shumë të mira. Flas për atë kohë. Më vonë, me sa di, me batica e zbatica. Atëherë njësitë themelore të fakultetit, degët, i udhëhiqnin dy vetë: shefi dhe sekretari. Pas emërimit shef të Prof. Qosjes, njëzëri, unë u zgjodha, me propozimin e tij, sekretar i Degës së Letërsisë, duke u skuqur pak në fytyrë, sepse në kabinetin ku mbahej mbledhja pothuajse të gjithë të pranishmit ishin ish-profesorë të mi. Ndonjërit mbase edhe mund të mos i ketë pëlqyer kjo punë (“nga na doli tash menjëherë ky riosh?”), por për të folur nuk foli kush. Profesor Qosja, ndërkohë, pasi doktoroi, qe zgjedhur drejtor i Institutit Albanologjik, i cili atëherë nuk ishte këtu ku është sot, por në një ndërtesë të vogël, ish-kazermë e kohës së Italisë, në afërsi të mensës së studentëve (pranë Bibliotekës së sotme Kombëtare dhe Universitare të Kosovës). Si sekretar dege, i ri dhe i papërvojë, shkoja shpesh tek ai në zyrë. E konsultoja për çdo gjë. Lidhur me punën e Degës, sigurisht, por pastaj flisnim edhe për letërsinë dhe gjëra të tjera. Këtu zë fill bashkëpunimi ynë dhe, ndoshta, edhe miqësia jonë. Unë bashkëpunoja edhe me “Jetën e re”, ku ai ishte kryeredaktor, shkruaja recensione për librat e rinj, kurse ai jo vetëm që m’i botonte pa asnjë problem, por edhe më inkurajonte që të vazhdoja. Në një rast, madje, sapo qe kthyer nga Tirana, ku kishte qenë me punë, më tha se unë isha ndoshta njeriu që e shkruante më së miri kritikën letrare në Kosovë. Ishte një kompliment i madh, që më dha krah. Sapo kishte dalë numri i ri i “Jetës së re”, ku unë kisha tre recensione.

Po ju kërkoni që unë të bëj një vlerësim të personalitetit të tij krijues, shkencor dhe kombëtar?

Duhen vëllime të tëra për të bërë një vlerësim të plotë të njërës nga figurat më të mëdha e më komplekse që ka njohur letërsia dhe kultura shqiptare e, madje, edhe kombi shqiptar në përgjithësi.

Profesor Rexhep Qosja është njeri me kulturë të madhe letrare, me potencë të madhe krijuese, me një disiplinë të rrallë në jetë dhe me përkushtim të madh në punë, por edhe me inat të madh. Malësor i vërtetë. Si heroi i vjershës Kërcënimi të Kadaresë, Muji i ciklit të kreshnikëve, i cili i kanoset kundërshtarit të vet me fjalët: “Shtatëqind vjet do t’i djeg kullat/ Shtatëqind vjet do t’i vras qentë…”. Si ta kishte shkruar për të zi të vet këtë poezi autori i veprës Ftesë në studio! Pas asaj që ndodhi në vitin 2006 (e kam fjalën për polemikën për identitetin, që e nisi Kadareja, por e la në gjysmë, në të vërtetë në fillim, për ta çuar deri në fund e përtej Qosja), ky i fundit s’do t’ia ndajë dajakun të parit sa të jetë gjallë! (Kadaresë dhe Sali Berishës bashkë, që, tok me ndonjë qyqar tonin këndej, janë personazhe të shpeshta të publicistikës së Qosjes dhe të Ditarëve të tij, mbase me tepri).

Mendoj se e njoh mirë veprën e Qosjes dhe atë si njeri. Por disa gjëra nuk mund t’i them që tani. Më vonë ndoshta, nëse më premton koha. Por nisur nga përvoja ime dhe, besoj, edhe e kolegëve të mi, një gjë mund të thuhet me siguri: Profesor Qosja nuk e ka penguar askënd që të përparonte në karrierën e tij profesionale. As në Institutin Albanologjik, ku një kohë ka qenë drejtor, e as në Fakultetin Filozofik/Filologjik, ku drejtonte studimet pasuniversitare. Përkundrazi. Ai na inkurajonte dhe mbështeste, duke na vlerësuar mbase edhe më shumë se ç’meritonim në kohën kur nuk ishim ende plotësisht të formuar. Ndihmë konkrete mbase nuk të ofronte (në kuptimin e redaktimit të tekstit), por as pengesa formale nuk nxirrte si disa të tjerë.

M. Kurti: Çfarë është përvoja juaj personale me të?

A. Vinca: E kam pasur mentor në magjistraturë dhe në doktoratë. Edhe njërën, edhe tjetrën i kam mbrojtur para tij. (Për të dyja ka shkruar referat, për lejim dhe për mbrojtje, ashtu siç ka shkruar edhe për avancimin tim më vonë, nga ligjërues e docent deri te profesor ordinar). Po përpiqem ta rrëfej shkurtimisht këtë histori. Unë pata magjistruar me temën Mendimi kritik i Mitrush Kutelit, andaj ishte e natyrshme që për temë doktorate të merrja veprën letrare të këtij autori në përgjithësi, siç kishin bërë plot të tjerë para meje. Fillova të mendoja rreth kësaj teme dhe të mblidhja materiale. Edhe sot e kësaj dite i kam skedat dhe fletoret përplot shënime për jetën dhe veprën e Kutelit. Kam edhe tregime të tij të viteve ’20-’30 të deshifruara nga mikrofilmat në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë.

Në vitin 1978 u zgjodha ligjërues i lëndës Poezi e sotme shqipe. Meqë konsideroja se profesori i universitetit duhet të specializohet për lëndën të cilën e ligjëron, hoqa dorë nga Kuteli dhe u orientova nga poezia bashkëkohore, një fushë shumë e gjerë dhe komplekse. Vetë zgjedhja e temës: *Struktura e poezisë së sotme shqipe (1945-1980)* më mori mjaft kohë. Në fillim nuk isha plotësisht i vetëdijshëm për vështirësitë që më prisnin. I kisha hyrë një pune, që, po qe se bëjmë një krahasim, ishte si ta kalosh detin më not. Sepse poezia e sotme shqipe (në tërë arealin e saj) është një det i tërë. I ri dhe i papërvojë, por edhe ambicioz, siç isha atëherë, e kisha pranuar sfidën që këtij “deti” t’i dilja në skaj. Profesor Qosja, i cili nuk ishte kujdesur sa duhet të më udhëzonte në zgjedhjen dhe formulimin e temës, të më propozonte një temë tjetër, pak më të ngushtë, ndoshta ngaqë kishte besim në forcat e mia, më thoshte: “Bëji dyqind faqe dhe dorëzoje!”. Mirëpo, sa më shumë që ai më shfaqte besim, tek unë rritej ndjenja e përgjegjësisë. Nuk duhet t’i zhgënjejmë njerëzit që kanë besim tek ne. Kështu, i bëra pesëqind faqe, por e vonova nja dy-tre vjet, në mos më shumë, marrjen e titullit “dr”.

M. Kurti: Si do ta karakterizonit me dy fjalë profilin e tij si studiues i letërsisë?

A. Vinca: Profesor Rexhep Qosja është themelues dhe drejtues shumëvjeçar i Studimeve Pasuniversitare të Letërsisë në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë, nga kanë dalë pothuajse të gjithë studiuesit e letërsisë në Kosovë dhe më gjerë. Mund të thuhet lirisht se është themelues i një shkolle të studimit të letërsisë ndër ne. Si drejtues i studimeve të magjistraturës dhe doktoratës, por edhe me veprën e tij (sidomos), ka qenë shkollë për ne. Ai ka qenë udhërrëfyesi ynë, i brezit tim, në fushën e artit, të dijes dhe të shkencës. Na ka orientuar kah ana artistike e veprës, edhe për të kompensuar mungesën e këtij aspekti në kritikën që krijohej në Shqipëri, e cila ishte tejet e ideologjizuar. Ishte kundër ndarjes së shkrimtarëve në “përparimtarë” e “reaksionarë” me kritere ideologjike, por nuk ngurronte të fliste as për gabimet politike të tyre, pa u reflektuar kjo në vlerësimin e veprës. Vepra letrare, sipas tij, është vepër gjuhësore artistike, kurse kritika letrare ka për detyrë të tregojë si ekziston estetikisht vepra letrare dhe ç’ndikim ka ajo në jetën e njerëzve, pra të merret me strukturën e veprës, në kuptimin që këtij nocioni i jep Rene Uelleku – si sintezë e formës dhe përmbajtjes tradicionale, por edhe me jehonën e veprës, përkatësisht me receptimin e saj konform teorive moderne. Nga prof. Qosja kemi mësuar se kritika letrare, shkenca e letërsisë në përgjithësi, jo vetëm duhet të ketë koncept të qartë teorik e metodologjik dhe kritere e terminologji stabile, por edhe duhet të shkruhet bukur, me gjuhë të pasur e të rrjedhshme, herë-herë edhe të figurshme, në mënyrë që të tërheqë vëmendjen e lexuesve dhe të mos jetë e mërzitshme. Sepse, tekefundit, në mendimin kritik, siç tregon historia e kritikës letrare nga Sent-Bëvi e këndej, idetë vjetrohen, kurse stili mbetet.

M. Kurti: Po për profilin e tij krijues në përgjithësi?

A. Vinca: Falë punës së tij të madhe, por edhe dhuntisë krijuese me të cilën e ka pajisur natyra, ai ka arritur të shkruajë mijëra e mijëra faqe shkrimesh kritike, letrare (fiksionale), publicistike, eseistike, shkencore, polemike etj., që janë përmbledhur e sistemuar në 29 (njëzet e nëntë) vëllimet e Veprave të tij të plota, të botuara në Prishtinë në vitin 2010. Njeriu i duket gati e pabesueshme se si është e mundur të bëhet e gjithë ajo punë gjatë një jete njerëzore! Përveç disiplinës së hekurt dhe punës titanike, deri edhe 18 orë në ditë, si thotë vetë, ai i është përmbajtur parimit të shkencëtarit anglez të shekullit XIX, Majkëll Faradej, që përmblidhet në fjalët: «To work, to finish, to publish» (Të punosh, të përfundosh, të botosh).

M. Kurti: Në ditarin e tij Dëshmitar në kohë historike, Akademik Rexhep Qosja ju përmend disa herë (madje që në momentin kur ju mbroni punimin e magjistraturës). Ju përmend dhe ju vlerëson (me të drejtë) aq shumë. Ju i keni dalë krah atëherë kur e sulmonin nga të gjitha anët, atëherë kur të gjithë ia kthyen shpinën. Cili është opinioni juaj për Ditarin e tij voluminoz, për shumëçka të veçantë dhe të munguar deri sot në botën shqiptare?

A. Vinca: Ditarët e Profesor Rexhep Qosjes janë një vepër e madhe e letërsisë dhe kulturës shqiptare, e tillë çfarë është edhe vepra e tij në përgjithësi. I kam lexuar të shtatë vëllimet e këtij ditari dhe kam mbajtur edhe shënime. Nuk përjashtohet mundësia që një ditë të shkruaj për këtë vepër, ndoshta pasi të dalin edhe dy vëllimet e fundit. Ditari i Qosjes është një dëshmi e madhe, e jashtëzakonshme, si për nga kohëzgjatja, ashtu edhe për nga të dhënat që ofron. (Vetëm edhe shkrimtari frëng Andre Zhid dhe ai polak Vitold Gombroviç me sa di kanë mbajtur ditar një kohë kaq të gjatë).

Parakalojnë në faqet e këtij ditari shumëvëllimësh, që përfshin një periudhë të gjatë kohore – nga viti 1966 e deri më sot – shumë ngjarje, situata, personazhe, fate njerëzish, rrëfime, përsiatje, libra, shkrimtarë, lexime… Bie në sy obsesioni i autorit me historinë, madje që në titull: Dëshmitar në kohë historike. Autori i këtij ditari dëshiron të lërë “dëshmi për historinë”: për ngjarjet nëpër të cilat kanë kaluar Kosova dhe shqiptarët në një periudhë më se gjysmëshekullore, por ky ditar është njëkohësisht edhe një histori e punës krijuese të këtij autori: në faqet e këtij ditari gjejmë shumë të dhëna për ngjizjen, krijimin, botimin dhe receptimin e veprave letrare e shkencore të shkrimtarit dhe studiuesit Rexhep Qosja.

Sa i përket vendit që zë unë në këtë ditar, që të ka bërë shumë përshtypje ty, i dashur Miftar, nuk ka arsye të jem i pakënaqur, por në vëllimin VII të këtij ditari, fjala vjen, të fundit tani për tani, që flet për periudhën 1990-1998, një kohë vërtet dramatike në historinë e Kosovës, që profesor Qosja e quan: Koha e mospajtimeve mes politikës nënshtruese dhe politikës çlirimtare, roli im del shumë më modest se ç’ka qenë në të vërtetë. Vërtet unë nuk u angazhova politikisht në kuptimin partiak, nuk u bëra kryetar i ndonjë partie politike, madje as anëtar aktiv jo, por kam qenë vazhdimisht i pranishëm me shkrime, intervista, libra, pjesëmarrje në tribuna (brenda e jashtë) etj. etj.

Marrë nga libri: 

MIFTAR KURTI
MAGJIA E LIGJËRIMIT
(Intervistë me Poetin dhe Profesorin Agim Vinca)

Prishtinë
2019