Gjatë luftës, sipas Nadis Jurzac, ish-zyrtare e Kryqit të Kuq, është thënë se “jeta në Prishtinë ishte e qetë dhe kafenetë ishin plot”.
Nuk pajtohem aspak me këtë deklaratë.
Lufta në Kosovë ishte e rëndë për të gjithë. Edhe nëse në Prishtinë pasojat u ndien më vonë se në disa zona të tjera, dhimbja, frika dhe tmerri u përjetuan nga i gjithë populli i Kosovës. Në lagjen ku jam rritur unë, në Kodrën e Trimave, lufta është ndier shumë.
Është e kuptueshme që fshatrat dhe disa qytete kanë përjetuar ofensiva më të mëdha, por kjo nuk e bën më të vogël përjetimin e luftës në vende të tjera. Vuajtjet ishin të mëdha dhe të dhimbshme për të gjithë.
Këto lloj deklaratash, për mua, nuk qëndrojnë.
Kafenetë në Prishtinë kanë qenë të mbushura kryesisht me serbë. Ata për një kohë të gjatë kanë qenë të privilegjuar në Prishtinë, ndërsa shqiptarët kanë jetuar vazhdimisht nën presionin shtypës të okupimit.
Mund të ketë pasur aty-këtu edhe ndonjë shqiptar që ka gëzuar privilegje të barabarta me serbët; kjo mundësi nuk përjashtohet. Por shumica prej nesh ishim thellësisht të prekur nga jeta nën luftë.
Sot, si në Prishtinë ashtu edhe në qytetet e tjera, ekzistojnë lloj-lloj realitetesh. Prandaj, nuk është e drejtë që të gjithë njerëzit të përfshihen në një përshkrim të vetëm.
Deklarata të tilla mund të nxisin urrejtje dhe përçarje rajonale, gjë që nuk i shërben askujt dhe nuk është aspak e mirë.
Saranda R.Shala
20.04.2026, Prishtinë
















