Ballina Aktualitet Kosova shpall organizatë terroriste Gardën Revolucionare Islamike të Iranit

Kosova shpall organizatë terroriste Gardën Revolucionare Islamike të Iranit

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Qeveria e Kosovës e ka shpallur si organizatë terroriste Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), gjatë një mbledhjeje të hënën në Prishtinë.

Kryeministri Albin Kurti tha gjatë një mbledhjeje të kabinetit të tij se “përmes këtij vendimi, Kosova e forcon qëndrimin e saj në mbrojtjen e sigurisë ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut”.

“Ky është rreshtim i qartë i Kosovës përkrah aleatëve të vet strategjikë në luftën e përbashkët kundër terrorizmit”, theksoi Kurti.

Ai e përshkroi IRGC-në si “strukturë që e përdor terrorizmin dhe dhunën e organizuar si instrument të politikës së jashtme, duke kontribuuar në destabilizimin rajonal dhe global”.

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit është krahu ideologjik i ushtrisë së Teheranit dhe u krijua pas revolucionit të vitit 1979 për ta mbrojtur udhëheqjen klerikale.

Garda kontrollon ose zotëron kompani në gjithë ekonominë iraniane, përfshirë sektorë strategjikë kryesorë.

Disa vende tashmë e kanë shpallur organizatë terroriste IRGC-në, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rishtazi, Bashkimi Evropian e shpalli atë si terroriste pasi Teherani i shtypi në mënyrë brutale protestat antiqeveritare në fillim të këtij viti.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë thënë se mbi 6.000 njerëz u vranë gjatë protestave në Iran.

Sipas tyre, protestuesit u vranë nga forcat e sigurisë, përfshirë Gardën Revolucionare, të cilat qëlluan drejtpërdrejt mbi protestues.

Irani, me një popullsi prej mbi 91 milionë banorësh, nuk e njeh Kosovën si shtet dhe nuk ka marrëdhënie diplomatike zyrtare me vendin.

Futja e një organizate apo grupi në listën e zezë nënkupton zakonisht ngrirje asetesh së saj në atë vend dhe regjim vizash për udhëheqësit dhe zyrtarët e saj./ REL