Në sulmin në shkollën e Kahramanmarashit të Turqisë, nxënësi i klasës së tetë İsa Aras Mersinli vrau 9 persona me armët që i përkisnin babait të tij dhe më pas kreu vetëvrasje. Pas masakrës, doli në dritë dëshmia e babait të arrestuar, Uğur Mersinli. Në deklaratën e tij, Mersinli pranoi se psikologu e kishte paralajmëruar më herët për të birin, ndërsa tha se të hënën kishte shkuar me të në poligon dhe kishin bërë qitje.
İsa Aras Mersinli shkoi në shkollën ku mësonte në Kahramanmaraş, nxori pistoletat që kishte sjellë në çantën e shpinës dhe fillimisht qëlloi personat që i dolën përpara në korridor, pastaj hyri në dy klasa dhe hapi zjarr në mënyrë të rastësishme.
Vrau 9 persona me armët e babait
Në ngjarjen ku humbën jetën 9 persona, İsa Aras Mersinli përdori armët e babait të tij dhe më pas i dha fund jetës. U zbulua se Mersinli kishte ardhur me 5 pistoleta dhe kishte ndërruar 7 karikatorë.
Babai u arrestua
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë njoftoi se Uğur Mersinli, babai i İsa Aras Mersinlit, i cili kreu sulmin e armatosur në një shkollë në Kahramanmaraş, është arrestuar.
Sipas lajmit të publikuar nga Burak Doğan, është zbuluar dëshmia e babait të arrestuar, Uğur Mersinli.
“Armët ishin brenda një arkë të kyçur”
“E mora vesh se kishte fëmijë të vrarë dhe se djali im kishte ndërruar jetë. Më pas, me urdhër të prokurorit, u kryen procedurat e ndalimit. Armët dhe plumbat që djali im İsa Aras përdori në këtë ngjarje më përkasin mua. Unë kam 7 armë personale me leje mbajtjeje dhe dy pushkë gjuetie. Këto janë armë që, sipas rregullave, janë të regjistruara në emrin tim.
Djali im İsa Aras mori 5 nga armët e mia dhe i çoi në vendngjarje. Armët e mia ruhen në dhomën e gjumit. Të gjitha armët dhe fishekët janë brenda një arke të kyçur. Karikatorët nuk qëndrojnë të vendosur në armë. Kur dua t’i marr armët me vete, i nxjerr armët dhe karikatorët nga arka të ndryshme. Arkat në fjalë janë arka me sistem kyçjeje.
İsa Aras kishte mësuar si hapeshin arkat, por nuk mbaj mend t’i kem hapur arkat në praninë e tij. Arkat janë gjithmonë të kyçura. Nuk e di si i hapi djali im İsa Aras arkat ditën e ngjarjes. Djali im mund ta ketë mësuar nga interneti si hapen ato arka. Aras ishte përdorues shumë i mirë i internetit, madje paska pasur edhe VIP-et e veta. Flet anglisht si gjuhë amtare. Është fëmijë shumë i zgjuar.”
Prej dy muajsh shkonte te psikologu; kohët e fundit nuk donte të shkonte
“Djali im kishte probleme tipike të adoleshencës, stres dhe probleme lidhur me provimet. Për këtë arsye e çova te psikologët kolegë në polici, por ata thanë se nuk kishte ndonjë gjendje negative dhe se djali im ishte shumë i zgjuar. Prej rreth dy muajsh e çoja İsa Arasin edhe te një psikolog privat specialist pranë shtëpisë sonë.”
“Thanë se mund të nevojitej trajtim psikiatrik”
“Psikologu në fjalë tha se djali im mund të kishte probleme në përshtatjen me shoqërinë, se duhej ndjekur pak dhe se në të ardhmen mund të nevojitej trajtim psikiatrik. Hera e fundit që shkoi te psikologu ishte para 3 javësh, por kohët e fundit shmangej nga shkuarja te psikologu.”
“Shpesh luante lojëra lufte”
“Djali im përdorte kompjuterin dhe telefonin në gjuhën angleze. Për shkak se unë nuk di anglisht, nuk mund ta ndiqja se me çfarë merrej në telefon dhe kompjuter. Nuk ia di emrin, por shpesh e shihja që luante lojëra lufte. Kur e pyesja çfarë po bënte, më kalonte me përgjigje të tipit ‘of, mo’ dhe nuk merrja përgjigje të shëndoshë.”
“Më parë kishte dashur ta merrte armën time në dorë”
“Djali im İsa më parë nuk kishte interes për armët, por rreth një muaj më parë më tha se shokët e tij kishin qëlluar me armë dhe më pyeti kur do ta lija edhe atë të qëllonte. Po rreth një muaj më parë, kur erdha nga puna, e lashë për pak kohë armën në dhomën e gjumit mbi komodinë. Pashë se djali im po tentonte ta merrte armën në dorë dhe e qortova. Kur vura re se kishte interes për armët, i fola për kulturën tonë të armëve, i thashë se arma konsiderohet nder. Gjithashtu i thashë se kur të dal në pension, do t’i lë njërën nga armët. Qëllimi im me këtë ishte ta shtyja dëshirën e tij për armë për më vonë. I thashë: ‘Në të ardhmen, nëse e ke dosjen të pastër dhe shkollohesh mirë, mund të të marrim edhe ty armë’, duke i dhënë shpresë. Pas kësaj djali im më tha: ‘Në Amerikë të gjithë mund të blejnë armë.’
Unë i shpjegova se kush mund të blejë dhe të mbajë armë në vendin tonë. Djali im tha se shokët e tij kishin qëlluar me armë dhe se edhe unë do ta lija të qëllonte me armë. Kjo bisedë mund të ketë ndodhur të enjten ose të premten e kaluar. Unë i thashë se javën tjetër, në një ditë me diell, do të shkoja në poligon për të qëlluar dhe se mund ta merrja edhe atë me vete.”
Të hënën kishin bërë qitje në poligonin e policisë
“Më pas, këtë të hënë shkuam në poligonin e policisë dhe unë qëllova me armën time. Edhe djalin e lashë të qëllonte disa herë. I tregova objektivin përballë, i thashë se arma nuk përdoret rastësisht dhe se duhet qëlluar duke marrë shënjestër. Ndërsa djali im po qëllonte, i bëra disa foto dhe video. Qëllimi im ishte të mbetej kujtim dhe t’ia shuaja dëshirën. Më pas ia dërgova fotot në WhatsApp djalit tim İsa. Sipas asaj që mësova nga policia, djali im ua kishte treguar këto foto shokëve dhe ata ishin habitur.”
“Nuk më dha fjalëkalimin e kompjuterit dhe telefonit”
“Armët, fishekët dhe karikatorët në shtëpinë time nuk qëndrojnë bashkë dhe të mbushura. Djali im nuk harron asgjë që sheh. Arkat ku ruhen armët dhe fishekët kanë tre butona; kur preken këta tre butona, arkat hapen.
Meqenëse fëmija im ishte vazhdimisht i angazhuar me kompjuter dhe telefon, u bëra kurioz dhe desha ta kontrolloja, por djali im nuk m’i dha fjalëkalimet. Desha ta kontrolloja sepse mendoja se mund të ndikohej nga përmbajtje të dëmshme. Kur luante në telefon dhe kompjuter, fliste njëkohësisht anglisht, por unë nuk e kuptoja çfarë thoshte. Djali im luante lojëra interaktive, me komunikim online. Kur hyja në dhomën e tij, i mbyllte të gjitha dhe nuk donte të na tregonte asgjë. Për këtë arsye, deri tani nuk kemi arritur të konstatojmë ndonjë gjendje negative.”
“Gjendja emocionale i ndryshonte nga minuta në minutë”
“Ditën e ngjarjes dhe para ngjarjes nuk patëm ndonjë debat. Gjendja e djalit tim ndryshonte nga minuta në minutë; gjendja e tij emocionale ishte vazhdimisht e luhatshme. Më parë kishim folur edhe me mësuesin këshillues të djalit tim. Kur merrte nota të ulëta në provime, djali im shfaqte sjellje agresive, por nuk kisha vënë re që ai të kishte ndonjë ndjenjë negative ndaj mësuesve ose nxënësve. Madje herë pas here e pyesja nëse në shkollë kishte shokë apo mësues që e ngacmonin ose e nënçmonin, por ai më thoshte: ‘Jo, nuk ka diçka të tillë.’ Rrethi shoqëror i djalit tim ishte gjithsesi shumë i kufizuar. Djali im İsa, gjatë gjithsej 8 viteve, arriti të shkonte në shkollë vetëm 3 vjet, sepse një pjesë e periudhës së arsimit përkoi me pandeminë dhe një pjesë tjetër me periudhën e tërmetit.”/NTV/TetovaNews















