Ballina Bota Detaj tronditës nga sulmi në Kahramanmaraş: Mësuesja Ayla u bë mburojë për...

Detaj tronditës nga sulmi në Kahramanmaraş: Mësuesja Ayla u bë mburojë për të mbrojtur nxënësit

Në sulmin në shkollën e Kahramanmaraş-it është zbuluar një detaj prekës: mësuesja e matematikës Ayla Kara humbi jetën teksa po përpiqej të mbronte nxënësit e saj, duke u bërë mburojë për ta kur sulmuesi hapi zjarr.

Në Kahramanmaraş, 14-vjeçari İsa Aras Mersinli, nxënës i klasës së tetë, kreu sulm në shkollën ku mësonte.

Mersinli, i cili kishte ardhur me 5 pistoleta dhe 7 karikatorë në çantë, qëlloi shumë persona në klasën ku ndodheshin nxënës të klasës së pestë dhe më pas i dha fund jetës së tij.

U identifikuan viktimat

Janë identifikuar 9 personat që humbën jetën në sulm dhe autopsitë e të cilëve po vazhdojnë në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Kahramanmaraş.

Tetova News në YouTube:

Emrat e viktimave janë:

“Mësuesja Ayla Kara, 56 vjeçe; nxënësit Mustafa Aslan, Şuranur Sevgi Kazıcı, Zeynep Kılınç, Furkan Sancak Balal, 11 vjeç; Bayram Nabi Şişik, 10 vjeç; Belinay Nur Poyraz, 10 vjeçe; Adnan Göktürk Yeşil, 11 vjeç; dhe Kerem Erdem Güngör.”

Në sulm u plagosën rëndë Z.Ç., S.B., O.T.B., Z.S.T., A.A. dhe A.G., ndërsa u plagosën edhe M.B.E., İ.E.K., G.G., F.İ.Ç., C.E.K., Z.D.A.K., S.Ş.Ç., M.A. dhe M.B. I plagosuri M.N.T. përfundoi trajtimin dhe u lirua nga spitali.

Trupi i sulmuesit Mersinli u nxor nga shkolla me një automjet të blinduar të policisë.

Në atë moment, turma që priste para shkollës u përpoq ta ndalte automjetin. Automjeti i policisë u largua me vështirësi nga zona mes turmës.

Detaj i dhimbshëm

Pas sulmit doli në pah edhe një detaj i dhimbshëm.

Mësuesja e matematikës Ayla Kara, e cila humbi jetën, njihej në shkollë për komunikimin e saj të fortë me nxënësit.

56-vjeçarja Ayla Kara ndodhej në korridor kur sulmuesi hapi zjarr. U konstatua se mësuesja vrapoi drejt klasës, u hodh mbi nxënësit e saj për t’i mbrojtur dhe u bë mburojë për ta, duke u goditur nga plumbat.

Vdekja e Karas, një mësuese shumë e dashur nga kolegët dhe nxënësit, shkaktoi trishtim të madh në komunitetin arsimor.

Për viktimat do të mbahet sot ceremonia mortore.

Trupi i Ayla Karas iu dorëzua familjarëve pas procedurave në spital. Gjatë marrjes së trupit, disa të afërm të mësueses u ndien keq, ndërsa arkivoli i saj u vendos në automjetin funeral mes lotësh.

Babai u arrestua, nëna në ndalim

U përcaktua se sulmuesi gjatë ngjarjes përdori armët që i përkisnin babait të tij, i cili mësohet se ishte pjesëtar i policisë.

Babai Uğur Mersinli dhe nëna Peyman Pınar Mersinli, mësuese letërsie, u ndaluan.

Më pas, babai Uğur Mersinli u arrestua nga gjykata ku u dërgua.

Pritja para shkollës vazhdon

Edhe gjatë orëve të natës qytetarët vazhduan të prisnin para shkollës, ndërsa njësitë e policisë së rendit morën masa të shtuara sigurie në zonë.

Punime pastrimi

Ndërkohë, në shkollën ku ndodhi sulmi, punonjësit nisën pastrimin. U filmuan momente kur punonjësit lanin me ujë ambientet e brendshme të shkollës.

Shkollat pushim

Ndërsa hetimi për ngjarjen po vazhdon, në qytet mësimi është ndërprerë për dy ditë.

Gjithashtu u theksua se të gjitha pamjet e kamerave dhe provat lidhur me sulmin po shqyrtohen me kujdes, ndërsa u nënvizua se sulmi nuk ka lidhje terroriste, por ishte një sulm individual.