“Në izolim po kaloj vitin e gjashtë, pa vendim gjyqësor”
Zoti Thaçi, kanë kaluar pesë vite nga ndalimi dhe transferimi juaj në Hagë. Si po shkon procesi?
Në izolim po kaloj vitin e gjashtë, pa vendim gjyqësor. Siç theksoi së fundmi eksperti politik amerikan Daniel Serwer, ky proces ka devijuar nga misioni: duhet të ofrohet drejtësi, e jo hakmarrje bazuar në mashtrim. Nga ana ime, nuk kam çka t’i shtoj këtij konstatimi.
Cilat janë vërejtjet që keni në lidhje me zhvillimet e procesit?
Të ishte transparent, llogaridhënës, me mekanizëm kujdestarie; të respektohej barazia e palëve, të drejtat e njeriut e, mbi të gjitha, legjislacioni i Kosovës, mbi bazën e të cilit është themeluar kjo gjykatë.
Ndjekja penale të respektonte parimet themelore të kodit të etikës, që të ndiqej e vërteta kudo që të çon ajo, duke përfshirë edhe dëshmitë shfajësuese.
A besoni në pafajësinë tuaj, sidomos pasi u njohët me paraqitjen e dëshmitarëve të akuzës?
Plotësisht. Historia e lirisë së Kosovës, prej fillimeve të viteve 1980 deri sot, është thelbi i këtij procesi. Unë jam vetëm instrument në këtë eksperiment juridik.
Nxjerrja e aktgjykimit është në duart e gjykatësve, por unë kam besim që, pas dëgjimit të dëshmitarëve të Prokurorisë e, në veçanti, atyre të Mbrojtjes, të profilit dhe kredibilitetit më të lartë ndërkombëtar, ata do të nxjerrin vendim të drejtë dhe meritor.
Shumëçka lidhur me legjitimitetin e së drejtës penale ndërkombëtare varet nga rezultati i këtij procesi.
Si është dita juaj në izolim prej gjashtë vitesh?
Aktualisht më është mbyllur goja për të folur dhe më janë lidhur duart për të shkruar atë që ma do zemra e ma thotë plotësisht mendja. Në këtë vështrim, Blendi, do të mundohem të bëj më të mirën për rrethanat ku gjendem.
Serbia u mor e merret kohë të gjatë me mua. Më dënoi në mungesë me shumë vite burg. Në mënyrë të vazhdueshme, 1993–1997, bastisi shtëpinë, keqtrajtoi dhe arrestoi babanë, nënën, motrën dhe vëllezërit. Në shenjë hakmarrjeje, ekzekutoi edhe vëllanë e Lumes, Hakiun, në masakrën e fshatit Studime të Vushtrrisë, në maj të vitit 1999.
Në qershor 1999 lufta përfundoi. Takova botën e shqiptarëve të mbijetuar. Sot, faji im i vetëm është pse jam gjallë.
Nuk i takoj kategorisë së njerëzve që thonë se burgu është për burra; kjo shprehje më duket bezdisëse. Nuk jam altruist as asket. E kam bërë jetën, nuk jam fshehur prej saj, e kam ndjekur ritmin e maratonës.
Rruga ime nuk ishte as fat e as rastësi. Është qëllim që buron nga thellësia e botës sime; është e prekshme dhe transparente. Qysh herët e kisha vendosur gjithë qenien time në funksion të idesë së lirisë.
Vetmia natyrshëm më jep zbrazëti dhe më ofron kotësi. Mundohem t’i jap shpirt ambientit në qeli. Njëzet e katër orët e ditës dhe 365 ditët e vitit janë të njëjta; humb kuptimi kalendarik i jetës. Ditënetët sikur kalojnë pa data.
Kam reflektuar për Kosovën, për Shqipërinë dhe shqiptarët; për sjelljen e botës në fillim dhe në fund të shekullit XX në raport me ne. Jo rrallë harrojmë sa të plandosur dhe të nëpërkëmbur kemi qenë; jo rrallë të trajtuar edhe si mbetje otomane, ndërsa sot sa lart jemi në ngritje dhe në proces konsolidimi si komb me mendim dhe status perëndimor.
Liria dhe burgu nuk ngjiten kurrë. Nuk i ndan vetëm muri fizik, por emocioni, të menduarit dhe mënyra se si e sheh, ndjen dhe jeton botën.
Izolimi është zgafellë, me mungesë horizontesh dhe ashensori. Të kalamend fizikisht e, besa, edhe mund të verbojë; jo për nga niveli i dioptrisë, por i ngatërrimit apo mënyrës se si i sheh gjërat. Koha dhe distanca e bëjnë të vetën te çdo njeri, sado rezistues që të jetë.
Por, falë Zotit dhe vetëkujdesit, ende jam mirë. Për gati gjashtë vite nuk kam pasur grip, ethe, temperaturë e as ftohjen më të vogël, përjashto COVID-19.
Ndjehem i bekuar që kam ecur luginave e shpateve, kam shkelur lartësitë dhe të poshtëzat e bjeshkëve tona. Në etapat më të mira të jetës, i kam përjetuar fizikisht dhe emocionalisht shkëlqimin e rrezeve të diellit, acarin me erë e borë, rrebeshet e shiut në shtigje dhe rrugicat me llucë.
Këto hapa një kohë i kam bërë si sakrificë për liri, e më vonë nga pasioni për natyrën. I njoh thuajse pëllëmbë për pëllëmbë. Ende më mban ajri, fryma dhe energjia e atdheut. Kjo ka bërë që ta ndiej edhe më thellësisht dhe gjerësisht jetën, vendlindjen.
Ende shoh thjelltë, përjetoj në horizont të plotë. Për mua është shëndet, dashuri, besim dhe krenari. Por jetës së shëndetshme i duhet përmbajtja. Kjo tani më mungon.
Në izolim sulmohem nga mijëra e mijëra drithërima mendimesh që sillen vërdallë; nuk dinë nga të vijnë, si t’i frenosh e në ç’drejtim t’i orientosh. Mundohem që idetë dhe botën reale t’i përputh me njëra-tjetrën.
E kam të kultivuar përvojën individuale të lirisë psikologjike edhe në rrethana të shtrëngimit fizik. Çdo ndjenje të keqe i përgjigjem me emocion, me mendje alternative; përpiqem t’u jap substancë, formë dhe drejtim të mbarë. Ruaj busullën duke menaxhuar sa më qetësisht kohën dhe situatat.
Zhytem në mendime që më kthjellojnë, por në momente edhe mund të më turbullojnë apo të më ndryshojnë pikëvështrimin. Me vetëdisiplinë e evitoj nxjerrjen e vrerit, shkundjen e karakterit, madje edhe zvetënimin.
Vetminë nuk e trajtoj si skëterrë, ankth, mallkim apo fundin tim. Përballem me vështirësi jo të lehta, por koncentrohem më tepër te mundësitë minimale që ekzistojnë në këtë realitet ngulfatës.
Vizualizoj kujtesën e përjetuar të gjërave të mira; paralelisht zhvilloj imagjinatën për të ardhmen më të mirë. Shumëllojshmëria e përvojës jetësore më ka regjur duke dëgjuar e besuar me respekt, por edhe duke u gënjyer dhe duruar në heshtje.
Shpresa në izolim është Zoti, gruaja dhe fëmija, nëna dhe babai, motra dhe vëllai, fqinji dhe miku; është vetë jeta. Nuk arratisem nga vetvetja e as nuk zhvendosem apo tjetërsohem në botën ku të tjerët u përpoqën të më hedhin.
Megjithëse edhe takimet dhe bisedat me familjen nuk kanë përjetimin apo ngrohtësinë emocionale normale. Këtu buzëqeshja nuk buron nga thellësia e shpirtit, zemrës dhe arsyes. Ushqimi që ha, kafeja apo çaji që pi nuk e kanë shijen origjinale.
Çdo gjë duket e përkohshme, artificiale, sipërfaqësore, por në realitet ka vite të tëra thellësisht të shkëputura nga jeta e lirë. Bëj gjumë të rehatshëm, por nuk më sjell mjaftueshëm sensin e rigjenerimit mendor e as fizik.
Me ndjenjën e vërtetë njerëzore i kam përjetuar dhimbjet, lotët dhe ofshamat, deri te përcjellja i vetëm në TV e varrimit të babait. Çdo grusht dheu që hidhej në varrin e tij peshonte me ton mbi kokën time në qeli.
Sjellja serioze apo heshtja në këtë mjedis nga të tjerët interpretohet si mërzi; nga ana tjetër, moskokëçarja si arrogancë apo edhe budallallëk. Në realitet, pothuajse shumëçka është e rrejshme dhe mashtruese. Edhe ndryshimet atmosferike kalojnë pa lënë gjurmë.
Shëtitja dhe ajrimi në poligonin sportiv, ku çdo ditë sillemi dhe risillemi, sikur ma heq saçin nga koka, ku çdo pore e trupit të thahet. Përjetoj frymëmarrje të thellë.
Me të hapur sytë në mëngjes dëgjoj muzikë pa tekst. Ëndrrat eventuale të natës i zëvendësoj me leximin e ndonjë rrëfimi, libri apo gazete nga bota e filmit, artit, turizmit, historisë dhe kulturës, sportit e të tjera.
Çdo agim mëngjesi e trajtoj si mundësi të re. Pema e vendosur në hapësirat e paraburgimit për festat e fundvitit më jep ngrohtësi të brendshme. E përcjell edhe ecurinë e botimeve të librave të rinj, disa prej të cilëve i porosis përmes familjarëve.
Vazhdoj me pirjen e kafes, e cila më tepër më ka mbetur si gjest nga takimet gjatë punës në Prishtinë sesa si nevojë kafeine.
Gatimi i mëngjesit më jep kënaqësi dhe më relakson. Mundohem të përgatis gjëra sa më të shëndetshme. Tashmë më është bërë ritual.
Një nga qëllimet e atyre që më sollën këtu është të bëjnë shkëputjen time nga jeta normale familjare, çrrënjosjen e kujtesës së mjedisit qytetar dhe pamundësinë e jetës aktive institucionale. Thënë troç, kujtesën e mëhershme ta zëvendësojnë me kujtesë të re.
Njerëzit nuk thonë kot: “Larg syve, larg zemrës” — një privim ky i ngadaltë dhe i butë. Sidoqoftë, Kosova është subjekti i këtij procesi dhe unë jam vetëm objekti. Bërthama e subjektit është duke u goditur ditë për ditë, rëndë e më rëndë. Por diçka harrohet.
Rezistenca kosovare është pika më e lartë e identitetit kombëtar dhe shtetëror. Rezistenca është ndalja e rrjedhjes së mëtejshme të robërisë.
Legjitimiteti i saj buron nga vullneti dhe qëllimi i drejtë i qytetarëve për liri. Është rrjedhojë e historisë me shkaqe e rrethana socio-ekonomike, kulturore, politiko-ushtarake, kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka substancë, ka imazhin dhe kujtimin e gjallë lokal, kosovar dhe ndërkombëtar.
Në pamundësi për teknikë moderne, për përballje të barabartë me Serbinë, e diplomatizuam lëvizjen e rezistencës dhe fituam.
Historia e shtetbërjes së Kosovës nuk është dogmë apo diçka mekanike; as slogan, parullë, zë muri apo shkaravinë në dërrasë, e cila mund të gërvishtet apo shlyhet lehtë. Nuk është shkronja të shkruara në rërë, të cilat mbulohen nga dallgët e radhës së detit apo i shkrumbojnë rrezet e diellit. Nuk ka mot që e ngrin apo që e than.
Në pamundësi për ta shlyer historinë dhe kujtesën kolektive për rezistencën, lexoj gjëra dhe dëgjoj zëra në synimin e tyre për ta ndryshuar, për ta bërë mishmash apo, së paku, për ta zbehur, në mënyrë që më lehtë të çorientojnë njerëzit, të baraspeshojnë vlerën dhe antivlerën, të mirën dhe të keqen, të dobishmen dhe të dëmshmen.
Të pretendosh për të bërë paralele mes rezistencës për liri dhe frymës së nënshtrimit është sikur të barazosh dritën me errësirën.
Dëshmitë e përjetuara qytetare janë testamenti i heroizmit, dhimbjes dhe shpirtit të lirisë. Procesi që po kalojmë nuk e glorifikon dhe as nuk e minimizon rolin personal të aktorëve udhëheqës të shtetbërjes.
Vetëm dëshmon se nuk ishte ulërimë e disa njerëzve të paudhë apo të dëshpëruar; përkundrazi, kauzës së tyre i jep një dimension edhe më të lartë, edhe më të gjerë historik, politik dhe diplomatik, profil të suksesshëm, të papërjetuar dhe të papërsëritshëm në historinë e kombit tonë.
Luftëtarët e lirisë nuk kanë nevojë ta mjegullojnë apo të fshihen nga e vërteta e rezistencës, e as të kenë dilema për të ardhmen. Ata kanë çimentuar rrëfimin e suksesit; ai i ndjek pas.
Nuk vuajnë nga sindroma e kompleksit të mungesës apo inferioritetit. Nuk kanë brerje apo krisje ndërgjegjeje me veten e tyre përballë fëmijëve dhe familjes, thjesht trashëgimisë biologjike dhe kombëtare.
Vlera e rezistencës është mishëruar dhe integruar brenda gjithë shoqërisë sonë. Janë vlera të vazhdimësisë kombëtare dhe demokratike.
Kujtesa e rezistencës për liri dhe shtet është pergamenë në vetëdijen shqiptare, pastaj në arkivat e Washingtonit, NATO-s e disa vendeve të tjera perëndimore. Për të keq, me të ndyra dhe të rrejshme janë mbushur me dosje edhe arkivat në Beograd, Moskë e gjetiu, nëpër hapësirat tona.
Rezistenca i përket historisë. Sot e jetojmë realitetin e krijuar prej saj. Ka fillimin dhe mbarimin e qartë si kristali; e ka kontekstin, rrethanat dhe personazhet e veta.
Për të kuptuar pa asnjë evazivitet rrugën e lirisë dhe shtetit të Kosovës, shih rrëfimin e gjeneralit Wesley Clark gjatë dëshmisë së tij në Hagë. Aty kushdo e gjen prezantimin e drejtë të kauzës sonë, vlerat që përfaqëson sot, mesazhin dhe porosinë e rezistencës sonë për të ardhmen më të gjerë të botës së lirë.
Në qeli nuk jam dhimbje apo gjynah i gjallë kombëtar; jam dëshmi e gjallë. Ani pse po paguaj me shpirt dhe në lëkurën time, nuk jam për t’u ngushëlluar. Lirinë kurrë nuk e kam marrë si të mirëqenë.
Udhëtimit tim i kam dhënë timonin vetë. Realitetet e krijuara më kanë konfirmuar zgjedhjen e duhur që kam bërë. Gjatë jetës kam sfiduar nëpër sprova; i kam të kultivuara, disa të shpejta si vetëtima e disa të gjata, rraskapitëse.
Kohë të gjata isha bërë urë; kam toleruar që të kalojnë shumë përmes trupit tim pa u lagur dhe pa therë në këmbë. Me të kaluar lumin, pastaj dihet: kam mbyllur veshët të mos dëgjoj, sytë të mos shoh, gojën për të mos folur.
Thirrja e atdheut për liri dhe shtet justifikonte të gjitha.















