Ballina Bota Plani sekret B i Evropës për mbrojtje pa NATO

Plani sekret B i Evropës për mbrojtje pa NATO

Një plan B evropian kërkon diçka më shumë sesa blerjen e armëve – kërkon krijimin e një strukture të re, nën të cilën vendet evropiane do të mund të luftonin. Alternativa e Forcës së Përbashkët Ekspeditare dhe dobësitë e saj.

Në fillim të majit, ushtarët e brigadës Black Jack e palosën dhe e vendosën me gjithë ceremoninë flamurin e njësisë së tyre në Fort Hood të Teksasit, ndërsa 4.000 pjesëtarët e kësaj njësie tankesh përgatiteshin të dislokoheshin në Poloni. Misioni i tyre ishte të ndihmonin në mbrojtjen e NATO-s përballë kërcënimit rus. “Kur një brigadë e blinduar luftarake dislokohet në vijën e parë, ajo dërgon një mesazh të qartë dhe të padiskutueshëm”, deklaroi gjatë ceremonisë komandanti i divizionit, gjenerali Thomas Feltey.

Megjithatë, pas vetëm dy javësh, SHBA-ja dërgoi mesazhin krejt të kundërt: misioni u anulua. Ishte hera e dytë brenda të njëjtit muaj që Donald Trump njoftonte shkurtime në praninë ushtarake amerikane në Evropë. Më herët kishte deklaruar se do të tërhiqte 5.000 ushtarë nga Gjermania dhe edhe më shumë nga zona të tjera, në një lëvizje që tregonte zemërimin e tij për mbështetjen e kufizuar evropiane në luftën e SHBA-së me Iranin.

Që nga fillimi i mandatit të tij të dytë, Trump ka vënë në pikëpyetje angazhimin e SHBA-së ndaj NATO-s dhe, në veçanti, ndaj klauzolës së mbrojtjes kolektive që parashikon neni 5. Kjo çoi në një rritje të ndjeshme të shpenzimeve evropiane për mbrojtjen. Megjithatë, gjatë muajve të fundit, presidenti amerikan vazhdoi me lëvizje të papritura, duke anuluar dislokimin e një njësie raketash kruiz në Gjermani, e cila ishte parashikuar të mbulonte një boshllëk kritik në mbrojtjen evropiane.

Ulja e papritur e trupave e rrëzoi bindjen e evropianëve se do të kishin kohë të forconin forcat e tyre për të zëvendësuar infrastrukturat amerikane, si sistemet e inteligjencës dhe mbikëqyrjes. Ndërkohë, shpenzimet e mëdha të SHBA-së për raketa në Iran po vonojnë dërgesat për aleatët evropianë dhe Ukrainën, teksa ata po rimbushin rezervat e tyre.

Burime në NATO, të cilat ishin tronditur nga kërcënimi i Trumpit në janar për të marrë Groenlandën, tani shqetësohen jo vetëm se SHBA-ja mund të qëndrojë mënjanë në një konflikt me Rusinë, por edhe se mund ta pengojë aktivisht reagimin e aleatëve të tjerë. Ky skenar nuk konsiderohet i mundshëm, megjithatë bisedat me oficerë të lartë dhe zyrtarë të mbrojtjes nga shumë vende të NATO-s tregojnë për herë të parë se sa seriozisht po merret një rrezik i tillë.

Forcat e Armatosura të vendeve evropiane po hartojnë tashmë në fshehtësi plane për luftë pa ndihmën amerikane, por edhe pa një pjesë të madhe të infrastrukturës komanduese dhe operacionale të NATO-s. “Kriza e Groenlandës shërbeu si kambanë alarmi”, thotë një zyrtar suedez i mbrojtjes. “E kuptuam se na duhet një plan B.”

Asnjë nga zyrtarët që foli nuk pranoi të identifikohej, nga frika se një diskutim publik mund të përshpejtonte tërheqjen amerikane. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, “në thelb ka ndaluar çdo diskutim për këtë çështje, sepse mendon se mund t’i hedhë benzinë zjarrit”, thotë një burim i njohur me proceset.

Kur Matti Pesu, nga Instituti Finlandez i Çështjeve Ndërkombëtare, bashkënënshkroi vitin e kaluar një studim që argumentonte nevojën për një plan B, autoritetet finlandeze nxituan ta zbusnin mundësinë e një skenari të tillë. Megjithatë, disa vende tani po shqyrtojnë se si – dhe nën çfarë komande – Evropa mund të mbetet e gatshme për luftë, nëse NATO “do të pushonte së funksionuari siç duhet”, siç u shpreh një zyrtar. “Cila strukturë hierarkike mund të përdoret nëse SHBA-ja bllokon NATO-n?”, pyet një tjetër.

Siç shkruan The Economist, pyetja prek vetë thelbin e suksesit të Aleancës. Shumica e aleancave ushtarake funksionojnë si një bandë shkollore: çdo vend paraqitet, i bie daulles së vet afërsisht në të njëjtin ritëm me të tjerët dhe më pas largohet. NATO, përkundrazi, u organizua si një orkestër simfonike nën drejtimin e një dirigjenti të vetëm: komandantit suprem aleat për Evropën, SACEUR, një gjeneral amerikan që njëkohësisht komandon edhe forcat amerikane në Evropë.

Për ta drejtuar këtë “orkestër”, SACEUR ka linja të sigurta komunikimi me një rrjet shtabesh të përhershme, të pajisura me mijëra njerëz të gatshëm të reagojnë që në momentet e para të një lufte. “Udhëheqja amerikane është ngjitësi që e mban të bashkuar Aleancën”, thotë Luis Simón, drejtor i Qendrës për Siguri, Diplomaci dhe Strategji në Universitetin e Lirë të Brukselit. “Pa të, me shumë gjasa do të shihnim fragmentimin e gjithë sistemit të parandalimit.”

“Blloku i veriut”

Prandaj, një plan B evropian kërkon më shumë se blerjen e armëve; kërkon krijimin e një strukture të re nën të cilën vendet evropiane do të mund të luftonin. Në veri, bërthama e një arkitekture të tillë me gjasë do të përbëhej nga vendet baltike dhe skandinave, së bashku me Poloninë. Këto vende ndajnë në masë të madhe vlera të përbashkëta, si dhe një frikë të përbashkët ndaj Rusisë.

Disa nga shtetet më të mëdha evropiane anëtare të NATO-s – si Britania, Franca dhe Gjermania – tashmë mbajnë forca “parandaluese” në vendet baltike dhe, për këtë arsye, ka shumë gjasa të përfshihen në çdo konflikt. Rreth një e treta e anëtarëve të NATO-s do të luftonte “që nga dita e parë”, pavarësisht aktivizimit ose jo të nenit 5, vlerëson Edward Arnold nga instituti britanik RUSI. “Askush nuk do të priste që portugezët të mbërrinin në Këshillin e Atlantikut të Veriut që të fillonte diskutimi”, thotë ai me ironi.

Një strukturë alternative

Një strukturë alternative komanduese që përmendet shpesh është Forca e Përbashkët Ekspeditare, JEF, koalicioni i udhëhequr nga Britania, i përbërë nga dhjetë vende baltike dhe skandinave, me një shtab të përhershëm pranë Londrës. JEF u themelua në vitin 2014 nga Britania dhe gjashtë anëtarë të tjerë të NATO-s dhe fillimisht u pa si mekanizëm plotësues i reagimit të shpejtë për kriza që nuk plotësonin kushtet e nenit 5.

Kompetencat e saj u zgjeruan kur Suedia dhe Finlanda iu bashkuan koalicionit në vitin 2017, disa vite para se të aplikonin për anëtarësim në NATO. Sot shihet si një mënyrë për të anashkaluar një nga dobësitë kryesore të Aleancës: faktin se çdo anëtar mund të pengojë aktivizimin e nenit 5, i cili kërkon vendim unanim. JEF, siç kishte deklaruar në vitin 2023 komandanti i saj i atëhershëm, gjeneralmajori britanik Jim Morris, “mund të reagojë në situata pa pasur nevojë për unanimitet”. Ajo tashmë është aktivizuar disa herë për stërvitje dhe patrullime detare.

“JEF është më e pjekura nga alternativat”, vlerëson Edward Arnold. Shtabi i saj tashmë ofron “shërbime inteligjence” dhe aftësi planifikimi e organizimi, ndërsa ka edhe rrjete të veta të sigurta komunikimi, të cilat, edhe pse të kufizuara, nuk varen nga NATO. Për më tepër, pjesëmarrja e Britanisë përbën, deri në një masë, faktor parandalimi bërthamor.

Megjithatë, JEF vazhdon të fokusohet kryesisht në Skandinavi dhe Baltik. Ajo nuk përfshin fuqi të mëdha si Franca, Gjermania dhe Polonia. Njëkohësisht, disa aleatë shprehin shqetësim për gatishmërinë operacionale të Britanisë: nënfinancimi kronik ka lënë një numër të kufizuar anijesh, nëndetësesh dhe njësish tokësore të gatshme për dislokim të menjëhershëm.

“Anglia është xhaxhai i dashur i të gjithëve”, komenton me ironi një zyrtar. “Por vuan nga sindroma e ‘Downton Abbey’. E ruan pamjen, por nuk i ka paratë.”

Faktori Gjermani

Disa nga këto probleme mund të zgjidheshin nëse në këtë formacion do të përfshihej edhe Gjermania, e cila po e rrit ndjeshëm buxhetin e saj të mbrojtjes. Pavarësisht dobësive të saj, JEF sot duket si zgjidhja më e mundshme në rast se evropianët nuk janë në gjendje të zëvendësojnë dinamikën ekzistuese të NATO-s.

E sigurt, megjithatë, është se Evropa do të kërkojë një formë strukture të përbashkët mbrojtëse për të zëvendësuar praninë amerikane. Sepse një parandalim që mbështetet te dikush që mund të mos shfaqet kurrë nuk është faktor parandalues.

The Economist