Ballina Bota Putin takohet me Xi në Pekin/Si një diell rreth të cilit rrotullohen...

Putin takohet me Xi në Pekin/Si një diell rreth të cilit rrotullohen të gjitha planetet

Te Xi Jinping i Kinës, këto ditë, po shkojnë njëri pas tjetrit të fuqishmit e botës. Vladimir Putin shpresonte të arrinte një marrëveshje për gazsjellësin gjatë takimit me “mikun e tij të dashur”. Por ai nuk mori atë që donte.

Wladimir Putin, në njëfarë mënyre, ishte i pranishëm në Pekin edhe javën e kaluar, ndonëse i padukshëm. Atëherë te Xi Jinping ishte mysafir një tjetër udhëheqës i etur për pushtet dhe i goditur nga lufta: presidenti amerikan Donald Trump.

Të premten, Xi dhe Trump po shëtisnin nëpër kopshtet e Zhongnanhai-t, selisë së Partisë Komuniste në Pekin. Trump ndaloi dhe e pyeti Xi-në nëse edhe mysafirë të tjerë shtetërorë i çonte në atë vend të bukur.

“Shumë rrallë”, tha Xi, pastaj shtoi: “Putin, për shembull, ka qenë këtu më parë”.

Një skenë që bëri të qarta dy gjëra: Xi e di cilat butona duhet të shtypë për ta goditur Trumpin në sedër dhe, njëkohësisht, si ta tregojë se miku i tij i vërtetë ndodhet në Moskë.

As një javë më vonë, ky mik i vërtetë mbërriti në Pekin. Të mërkurën, Putin i tha Xi-së: “Miku im i dashur, ekziston një fjalë e urtë kineze e përshtatshme: një ditë larg njëri-tjetrit duket sikur kanë kaluar tre vjeshta”.

Putin kishte mbërritur të martën në mbrëmje në kryeqytetin kinez. Shfaqja ishte pothuajse identike me atë për Trumpin: sërish u shtrua qilimi i gjatë i kuq, sërish kinezë e kineze, me të njëjtat kostume të bardha e blu, valëvitnin flamuj; këtë herë, krahas flamurit kinez, edhe atë rus. Sërish fëmijë që brohorisnin me entuziazëm. Trumpin e kishte pritur zëvendëspresidenti Han Zheng, ndërsa Putinin ministri i Jashtëm Wang Yi.

Të mërkurën pastaj erdhën bisedimet, banketi shtetëror dhe çaji. Përparime të mëdha? Asnjë. Pati deklarata për bashkëpunim ekonomik dhe energjetik. Pati edhe thumbime ndaj SHBA-së: “Vala e hegjemonisë së njëanshme po përhapet pandalshëm”, i tha Xi Putinit. Lufta në Lindjen e Mesme është “e papranueshme”, ndërsa Ngushtica e Hormuzit duhet të hapet.

Fakti që takimet e Xi-së me Trumpin dhe Putinin ndodhën kaq pranë njëra-tjetrës është rastësi: Trump e kishte shtyrë takimin e tij për më vonë, ndërsa vizita e Putinit ishte planifikuar prej kohësh.

Megjithatë, të tria palët e kuptojnë mirë simbolikën: simpatitë rrezatojnë mes Pekinit dhe Moskës, jo mes Pekinit dhe Uashingtonit. Të mërkurën u takuan dy liderë që duan ta bindin botën se ata përfaqësojnë stabilitetin, ndërsa SHBA-ja është faktori që krijon trazira.

Por pikërisht në fillim të javës doli një raport i gazetës “Die Welt”, i bazuar në dokumente të shërbimeve evropiane të inteligjencës, sipas të cilit në fund të vitit 2025 qindra ushtarë rusë kishin marrë pjesë në një program trajnimi në Kinë. Mes tyre thuhet se kishte edhe pjesëtarë të njësisë elitare ruse të dronëve “Rubicon”. Në këmbim, qindra ushtarë kinezë thuhet se kanë qenë në Rusi për të mësuar nga përvoja e Moskës në Ukrainë. Dhjetëra pjesëmarrës rusë të këtij bashkëpunimi trajnues më pas dyshohet se kanë luftuar në Ukrainë, në luftën agresore të Rusisë, të cilën Pekini e ka mbështetur prej katër vitesh.

Zyrtarisht, Xi dhe Putin shënuan në samitin e tyre 30 vjet të “partneritetit strategjik kinezo-rus”. Sundimtarët afatgjatë, Putin dhe Xi, gjatë kohës së tyre në pushtet janë takuar më shumë se 40 herë. Ata kanë pirë vodka së bashku, kanë pjekur petulla dhe kanë parë hokej mbi akull.

Për Rusinë, Kina është jetike. Për Kinën, Rusia është e dobishme

Ngjashëm me Trumpin, i cili nuk po gjen dot rrugëdalje nga lufta e tij kaotike në Iran, edhe Putin erdhi në Pekin në një gjendje nevoje: lufta agresore ruse në Ukrainë nuk po fitohet prej tij prej katër vitesh. Kievi po e vë gjithnjë e më shumë nën presion udhëheqësin rus me sulme me dronë në territorin rus. Industria ruse e armatimit vazhdon të jetë e varur nga komponentët kinezë, megjithëse kjo vlen edhe për industrinë ukrainase të armatimit.

Ekonomia ruse u tkurr në tremujorin e parë. Edhe për këtë arsye Putin erdhi me shpresën që më në fund të mbyllte marrëveshjen për gazsjellësin “Power of Siberia 2”, si zëvendësim për eksportet e gazit drejt Evropës që po bien. Por deri tani nuk ka asnjë përparim. Xi i përgatiti Putinit një pritje të ngrohtë, por e la pa përgjigje në çështjen e tij kryesore.

Për Rusinë, Kina është jetike. Për Kinën, Rusia është e dobishme. Sado shpesh që Putin dhe Xi theksojnë miqësinë e tyre të thellë, dy vendet janë partnerë me një kufi të përbashkët prej 4.200 kilometrash. “Miq me përfitime”. Jo aleatë. Dhe as në nivel të barabartë. Rusia është partneri i vogël.

Sipas Institutit Gaidar për Politikë Ekonomike në Rusi, Kina vitin e kaluar ishte blerësi më i madh i eksporteve ruse, me 27 për qind, dhe njëkohësisht furnizonte 36 për qind të importeve ruse. Nga ana tjetër, Kina importonte gjithsej vetëm katër për qind nga Rusia. Për herë të parë, vëllimi tregtar mes dy vendeve ra në vitin 2025, gjë që thuhet se e shqetëson Kremlinin.

“Rusia dhe Kina po e thellojnë marrëdhënien e tyre asimetrike”

Moska, thotë Alexander Gabuev, drejtor i Carnegie Russia Eurasia Center në Berlin dhe një nga njohësit më të mirë të të dy vendeve, po hyn gjithnjë e më shumë në varësi nga Pekini.

“Rusia dhe Kina po e thellojnë marrëdhënien e tyre asimetrike”, thotë Gabuev. Se si Kina do ta përdorë në të ardhmen ndikimin e saj në rritje, ende nuk mund të parashikohet. Por për Putinin, miqësia me një partner shumë më të fuqishëm është gjithashtu rrezik.

Sanksionet perëndimore kundër Moskës janë të dobishme për Pekinin. Kina blen lirë naftë, dru dhe produkte bujqësore ruse dhe njëkohësisht vërshon tregun rus me produktet e veta. Kështu, gjiganti kinez i teknologjisë Huawei u bë pothuajse pa konkurrencë furnizues i telekomunikacionit rus; në vitin 2024, 60 për qind e makinave të reja të regjistruara në Rusi ishin automjete kineze.

Sa i përket përmasave të bashkëpunimit ushtarak me Rusinë, kinezët nuk duan t’i hapin letrat. Pekini dëshiron të perceptohet si neutral në raport me luftën e Moskës kundër Ukrainës. Në deklaratën e përbashkët të dy krerëve të shtetit të mërkurën thuhej, në mënyrë të thatë diplomatike, se synohet të forcohet më tej “miqësia tradicionale mes forcave të armatosura”, të thellohet besimi, të përmirësohen mekanizmat e bashkëpunimit dhe të zgjerohen stërvitjet e përbashkëta, si dhe patrullimet ajrore dhe detare.

Në realitet, bashkëpunimi mund të jetë tashmë më konkret dhe i dobishëm për të dyja palët, sidomos duke pasur parasysh sjelljen gjithnjë e më agresive të Pekinit ndaj Tajvanit.

“Rusët me gjasë ndajnë shumë informacione dhe përvoja nga fusha e betejës në Ukrainë me kinezët”, thotë Gabuev. Kina përfiton nga përvojat ruse në luftën moderne dhe fiton qasje në teknologjinë më të fundit të dronëve dhe mbrojtjes kundërajrore.

Xi i tha Trumpit javën e kaluar se ringjallja e popullit kinez përshtatet mirë me lëvizjen “Make America Great Again” të Trumpit.

Putinit i tha se synimi i tij është mirëqenia e Rusisë dhe Kinës.

Të gjitha këto janë fjalë të një kreu shteti që aktualisht ndihet si një diell rreth të cilit rrotullohen të gjithë planetët./Der Spiegel