Shkrimtarja polake Olga Tokarczuk, fituese e Çmimit Nobel për Letërsi, ka pranuar se përdor inteligjencën artificiale si ndihmë në punën e saj letrare. Gjatë një diskutimi publik në Poloni, ajo foli për përparësitë e inteligjencës artificiale si mjet ndihmës në procesin krijues.
“Jam vazhdimisht e impresionuar se si inteligjenca artificiale ma zgjeron horizontin dhe ma thellon mendimin krijues”, tha Tokarczuk.
Deklarata e saj shkaktoi reagime të shumta ndërkombëtare. Shumë shpejt, shkrimtarja u detyrua të sqaronte qëndrimin e saj për faqen amerikane “Literary Hub”. Ajo theksoi se përdor inteligjencën artificiale si mjet kërkimi, por se asnjë nga tekstet e saj nuk është shkruar me ndihmën e AI-së.
Debati, megjithatë, nuk lidhet vetëm me faktin nëse një autor përdor teknologjinë për kërkime. Çështja prek një temë shumë më të thellë: çfarë është krijimtaria njerëzore dhe ku qëndron kufiri mes ndihmës teknologjike dhe autorësisë artistike.
Në histori, artistët shpesh janë parë si “gjeni”, si figura që krijojnë diçka të re falë talentit dhe imagjinatës së tyre. Por në epokën moderne, sidomos në atë digjitale, ky kuptim i gjeniut është vënë gjithnjë e më shumë në pikëpyetje.
Pyetja kryesore është: çfarë mund të bëjë ende njeriu që makinat nuk mund ta bëjnë?
Në muzikë, për shembull, përdorimi i “sampling”-ut është bërë prej kohësh diçka normale. Por në çdo rast, mjetet e përdorura duhet të bëhen të ditura. Përndryshe lind dyshimi për plagjiaturë, mashtrim apo pretendim të rremë artistik.
Në letërsi, përdorimi i inteligjencës artificiale është ende në fillim. Në Britani të Madhe, së fundmi u bë i njohur rasti i një autori, teksti i të cilit, i vlerësuar me çmimin prestigjioz Commonwealth Prize, dyshohet se ishte krijuar me ndihmën e AI-së.
Megjithatë, edhe kur letërsia shkruhet tërësisht nga njeriu, jo çdo roman është domosdoshmërisht vepër e madhe krijuese. Shkrimtari gjerman Peter Rühmkorf e ka shprehur këtë me ironi, duke thënë se askush nuk krijon vetëm nga vetja, sepse të gjithë mbështetemi në mendjet dhe veprat e të tjerëve.
Inteligjenca artificiale, e cila përmbledh dhe bën të qasshme sasi të mëdha njohurish, vetëm sa e përshpejton këtë proces. Për më tepër, disa bestsellerë të promovuar në rrjete si BookTok janë shkruar në mënyrë aq formulare, sa duken sikur janë krijuar nga AI-ja, edhe kur nuk janë.
Në parim, përdorimi i inteligjencës artificiale në art nuk është domosdoshmërisht i gabuar. Artistët e mëdhenj mbahen mend sepse kanë krijuar diçka të re dhe sepse kanë qenë në lartësinë e kohës së tyre.
Ndoshta një ditë do të ketë një fituese të Çmimit Nobel që veprat e saj të shpërblyera i ka shkruar me ndihmën e inteligjencës artificiale. Skandal kjo do të ishte vetëm nëse ajo nuk do ta kishte bërë të ditur më parë.















