Sipas një hetimi të “New York Times”, të publikuar më 19 maj, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli dyshohet se kishin përgatitur fshehurazi një plan për ta sjellë në pushtet ish-presidentin ultrakonservator iranian, Mahmoud Ahmadinejad, që në ditët e para të luftës kundër Iranit.
Sipas zyrtarëve amerikanë të cituar nga gazeta, ky projekt për ndryshim regjimi ishte pjesë e një strategjie të përgatitur gjatë nga Izraeli dhe të mbështetur nga administrata amerikane. Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu thuhet se shpresonin të instalonin në Teheran një figurë që e konsideronin të aftë për të kontrolluar tranzicionin politik pas eliminimit të udhëheqësve iranianë.
Pak ditë pas sulmeve të para izraelite, Trump kishte deklaruar publikisht se do të ishte më mirë që “dikush nga brenda” të merrte pushtetin në Teheran. Sipas “New York Times”, ky “dikush” ishte pikërisht Ahmadinejad.
Zgjedhja e ish-presidentit iranian duket paradoksale. Ahmadinejad, i cili udhëhoqi Iranin nga viti 2005 deri më 2013, njihet për qëndrimet e tij ashpër antiizraelite, mbështetjen për programin bërthamor iranian dhe shtypjen brutale të opozitës.
Megjithatë, sipas NYT, në momentin e shpërthimit të konfliktit me Iranin, shërbimet izraelite e konsideronin atë si një figurë që vitet e fundit ishte larguar gradualisht nga regjimi i ajatollahëve. I përjashtuar nga disa zgjedhje, i vendosur nën mbikëqyrje dhe kritik ndaj disa drejtuesve iranianë, Ahmadinejad shihej si një alternativë e mundshme dhe e kontrollueshme.
Zhgënjimi” i Ahmadinejadit
Ende mbeten shumë pyetje pa përgjigje se si Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara planifikonin ta sillnin Mahmoud Ahmadinejadin në pushtet.
Pak pasi një sulm izraelit vrau ajatollah Ali Khamenein, udhëheqësin suprem të Iranit, brenda kompleksit të tij që në ditën e parë të luftës, një tjetër sulm goditi banesën e Ahmadinejadit në Teheran.
Sipas burimeve të NYT, ky sulm izraelit nuk kishte për qëllim eliminimin e tij, por lirimin e tij nga rezidenca, duke vrarë anëtarët e Gardës Revolucionare që e mbanin nën mbikëqyrje. Disa prej tyre u vranë, por edhe Ahmadinejad mbeti i plagosur.
Sipas të njëjtit burim, Izraeli kishte menduar një strategji në disa faza: eliminimin e udhëheqësve kryesorë iranianë, sulme masive ndaj infrastrukturës, fushata ndikimi dhe një kryengritje të brendshme të mbështetur nga forca kurde.
Por, përveç sulmeve të para ajrore, operacioni nuk dha rezultatet e pritura.
Plani, sipas gazetës amerikane, dështoi shumë shpejt. Ahmadinejad thuhet se “humbi iluzionet për projektin e ndryshimit të regjimit”, pasi i shpëtoi për pak vdekjes gjatë sulmit.
Edhe disa zyrtarë amerikanë të cituar nga NYT kishin dyshime mbi besueshmërinë e një rikthimi të Ahmadinejadit në pushtet. Gazeta vlerëson se basti izraelito-amerikan e kishte nënvlerësuar thellësisht qëndrueshmërinë e Iranit dhe, njëkohësisht, kishte mbivlerësuar aftësinë e SHBA-së dhe Izraelit për të imponuar vullnetin e tyre.
Mahmoud Ahmadinejad nuk është parë më publikisht që nga fillimi i konfliktit, ndërsa vendndodhja e tij aktuale mbetet e panjohur.















