Ballina Lajme SI JETUAN DIKUR UDHËHEQËSIT E LARTË DHE SI JETOJNË KËTA SOT

SI JETUAN DIKUR UDHËHEQËSIT E LARTË DHE SI JETOJNË KËTA SOT

Nga Daim Ilazi

Shumë politikanë të kohës sonë, tashmë të njohur për opinionin e gjerë, gjatë dekadave të karrierës së tyre politike kanë ngritur pallate mbi djersën e popullit dhe kanë mbushur arkat e kontot me miliona euro.

Disa prej tyre kanë krijuar pasuri që kapin shifra marramendëse: 3, 5 apo 7 milionë euro, sikur të donin ta blinin vetë përjetësinë, apo sikur do të jetonin 200 vjet. Këta pseudopatriotë, të mbështjellë me flamurin e rremë të atdhedashurisë, sillen si kalorës të verbër të lakmisë, duke harruar se njeriu nuk merr me vete as tokë, as vila, as ar. Në fund, vetëm dy metra vend dhe një qivur.

Për më shumë se tridhjetë vjet demokraci, ata kanë gërryer themelet e shtetit si krimba të heshtur nën trungun e kombit. Janë bërë barrë e rëndë mbi shpinën e lodhur të këtij populli dhe mjegull që ia zë frymën zhvillimit normal të vendit. Kanë shtrirë rrënjët e kapitalit në çdo cep të atdheut e mëmëdheut, aq sa sot mezi i njohin pronat e tyre, e lëre më t’i menaxhojnë. Pasuritë e tyre janë ngritur si kështjella të dyshimta mbi hijet e korrupsionit dhe privilegjeve.

Kur e krahasojmë këtë kastë politike me udhëheqësit e ish-sistemit komunist-socialist, duhet të flasim me sinqeritet. Ish-udhëheqësit e Kosovës së para luftës, me të gjitha të metat e sistemit të asaj kohe, kishin një raport tjetër me jetën dhe popullin.

Në vitin 1993, siç e mbaj mend nga rrëfimi i një gazetari, ai kishte vizituar në shtëpinë e tij në Tasligje të ndjerin Fadil Hoxha. Gazetari tregonte se kishte hyrë me bindjen se do të shihte luksin e një njeriu që për më shumë se gjysmë shekulli ishte një nga figurat kryesore politike të Kosovës dhe Jugosllavisë. Por aty e kishte pritur thjeshtësia. Në sallonin e tij kishte parë vetëm disa kauçë druri, të mbuluar me qilima të thjeshtë prizrenas. Asnjë shkëlqim artificial, asnjë luks që të verbonte syrin. Vetëm një banesë e thjeshtë me tri dhoma.

Ky ishte njeriu që kishte komanduar aradhat partizane të Sharrit në Luftën e Dytë Botërore dhe që jetonte pothuajse njësoj si populli i tij. Ai nuk ndërtoi perandori ekonomike; ndërtoi kujtesë politike dhe një model modestie.

Një vit më vonë, në vitin 1994, një gazetar dhe drejtor i “Fjala Jonë” kishte intervistuar edhe Mahmut Bakallin, ish-kryetar i Kosovës, në banesën e tij afër restorantit “Rugova”. Edhe aty ishte parë i njëjti standard jetese: pa luks, pa arrogancë, pa etje të pangopur për pasuri. Për atë klasë politike nuk u dëgjua kurrë se vraponte pas milionave apo pas pasurimit personal; ata jetonin dhe frymonin me ritmin e popullit.

Po ashtu, edhe sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, jeton në mënyrë modeste, në një banesë tridhomëshe.

Në Tetovë kam pasur rastin të vizitoj shpesh shtëpinë e Xhemail Vejselit, funksionar i lartë i Maqedonisë, sepse isha shok me djalin e tij, Rexhepin, në gjimnaz. Ai, pas 30 vitesh punë, u la tre djemve dhe dy vajzave një shtëpi katërkatëshe, secili kat me nga tri dhoma. Edhe fëmijët e tij ishin modestë, të gjithë me fakultet, dhe shpesh i shihnim duke ecur në këmbë ose me biçikletë në qytet.

Të njëjtin qëndrim idealist e kishte edhe lideri historik i shqiptarëve të Maqedonisë, kolegu dhe miku im i ngushtë, Nevzat Halili, i cili për 40 vjet jetoi në shtëpinë e babait të tij në fshatin Poroj, bashkë me vëllanë e tij, profesor Mahiun, dhe familjet e tyre.

Të njëjtës rrugë i qëndroi besnik edhe Ibrahim Rugova, presidenti historik i Kosovës. Ai mbeti simbol i urtësisë dhe i përkushtimit kombëtar, pa u përfolur ndonjëherë për pasuri apo kapital të dyshimtë. Rugova ishte si ai guri i bardhë i malit, që nuk e lëkundin stuhitë e lakmisë.

E bëjmë këtë krahasim për t’i treguar opinionit se sot, kur Kosova është e lirë dhe e pavarur, kur ka mundësi të ndërtojë shtetin dhe ekonominë e saj, dhe kur Maqedonia është në demokraci, shumë nga politikanët që morën në dorë fatin e vendit nuk po luftojnë për ideale, por për pushtet dhe pasuri.

Në vend që të mbjellin shpresë, po korrin përçarje. Në vend që të ndërtojnë ura, po hapin hendeqe mes njerëzve dhe institucioneve. Nuk kuptoj me çfarë ndërgjegjeje paraqiten në tubime partiake dhe kërkojnë përsëri votën e popullit. Apo mendojnë se ky popull është kope delesh dhe mund ta kullosin kur të duan ata?

Kjo plejadë e politikës në kohën e demokracisë duket sikur e ka kthyer shtetin në një sofër ku secili përpiqet të marrë pjesën më të madhe. Krizat, përçarjet dhe destabilizimi janë bërë hija që ecën pas tyre. Dhe sa më shumë zgjatet hija e korrupsionit, aq më shumë zbehet besimi i qytetarëve. Vendet tona po boshatisen; rinia po ikën në vendet evropiane për punë dhe për një ardhmëri më të sigurt.

Koha ka dëshmuar një të vërtetë të thjeshtë: shtetin mund ta udhëheqin vetëm njerëzit me dinjitet, integritet dhe ideal. Sepse atdheu nuk mbahet me duar të pangopura, por me ndërgjegje të pastër. Vetëm ata që e duan vendin më shumë se veten mund ta nxjerrin kombin nga errësira dhe ta çojnë drejt dritës.