Shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe ato që s’e kanë njohur
Shkruan: Xhelal Zejneli
SHPALLJA E PAVARËSISË DHE REAGIMI I SERBISË
Më 17 shkurt 2008, në një seancë të jashtëzakonshme ceremoniale të Parlamentit, Kosova e shpalli pavarësinë e saj. Për deklaratën e pavarësisë votuan të 109 përfaqësuesit e pranishëm. Po atë mbrëmje, qeveria e Serbisë mori vendim për anulimin e asaj deklarate si një „akt i paligjshëm i institucioneve të përkohshme në Prishtinë“. Më pas thirri një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Serbisë, e cila u mbajt më 18 shkurt. Për ta konfirmuar vendimin e Qeverisë për anulimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës votuan 225 deputetë. Abstenime ose vota kundër nuk pati. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike Liberale, të Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës dhe të Partisë së Hungarezëve të Vojvodinës nuk votuan.
Pjesa më e madhe e vendeve perëndimore e mbështeti pavarësinë. Rusia dhe Kina e dënuan shpalljen e saj. Vendi i parë që e njohu pavarësinë e Kosovës ishte Kosta-Rika. Pasuan njohjet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Shqipëria, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe Afganistani.
BILANCI I NJOHJEVE
Sipas listës zyrtare të MPJD-së, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 121 shtete dhe entitete, prej tyre 119 shtete anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (nga gjithsej 193), si dhe dy entitete joanëtare të OKB-së – Ishujt Kuk dhe Niue. Me fjalë të tjera, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 61.7% e shteteve anëtare të OKB-së. Njohjet më të reja në listën zyrtare janë: Kenia (26 mars 2025), Sudani (13 prill 2025), Siria (29 tetor 2025) dhe Bahamasi (19 dhjetor 2025).
Prej 27 shteteve anëtare të BE-së, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 22, që përbën 81.5% të vendeve anëtare. Prej 32 shteteve anëtare të NATO-s, Kosovën e kanë njohur 28, ose 87.5% e anëtarëve. Nga dhjetë anëtarët e ASEAN-it, Kosovën e kanë njohur katër shtete (Malajzia, Bruneji, Tajlanda dhe Singapori), ose 40%. Nga 57 anëtarët e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI), me njohjet e Sudanit dhe të Sirisë, në listën e MPJD-së figurojnë 38 shtete, ose rreth dy të tretat e anëtarëve.
Megjithatë, numri i saktë i njohjeve mbetet çështje politike e kontestuar, sepse Prishtina dhe Beogradi japin shifra të ndryshme. Lista zyrtare e MPJD-së i numëron njohjet pa i pranuar pretendimet serbe për „çnjohje“, ndërsa Beogradi pretendon se një numër shtetesh e kanë tërhequr njohjen. Askush nuk e di saktë se sa vende e kanë „çnjohur“ pavarësinë e Kosovës: sipas Beogradit bëhet fjalë për 15 shtete, ka burime në Serbi që flasin për 27 apo 28 shtete, ndërsa ka edhe burime që thonë se Kosovën e kanë „çnjohur“ jo më shumë se tetë shtete. Asnjëri prej këtyre pretendimeve nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Prishtina.
KOSOVA DHE VENDET E G-20-S
Ndër shtetet anëtare të G-20-s, 11 prej tyre – Australia, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Koreja e Jugut, Arabia Saudite, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja – e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, ndërsa 8 prej tyre – Argjentina, Brazili, Kina, India, Indonezia, Meksika, Rusia dhe Afrika e Jugut – nuk e kanë njohur. Spanja, e cila gjithashtu nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk është anëtare formale e G-20-s, por merr pjesë në samitet e grupit si e ftuar e përhershme. Përveç 19 shteteve, anëtarë të G-20-s janë edhe Bashkimi Evropian dhe Bashkimi Afrikan.
LISTA E NJOHJEVE SIPAS MPJD-SË
Tabela e mëposhtme është harmonizuar një për një me listën zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës (mfa-ks.net/lista-e-njohjeve). Rendi dhe datat e njohjeve janë ato të listës zyrtare.
| Nr. | Shteti | Data e njohjes |
| 1 | Kosta-Rika | 17.02.2008 |
| 2 | Shtetet e Bashkuara të Amerikës | 18.02.2008 |
| 3 | Franca | 18.02.2008 |
| 4 | Shqipëria | 18.02.2008 |
| 5 | Turqia | 18.02.2008 |
| 6 | Mbretëria e Bashkuar | 18.02.2008 |
| 7 | Afganistani | 18.02.2008 |
| 8 | Australia | 19.02.2008 |
| 9 | Senegali | 19.02.2008 |
| 10 | Gjermania | 20.02.2008 |
| 11 | Letonia | 20.02.2008 |
| 12 | Danimarka | 21.02.2008 |
| 13 | Estonia | 21.02.2008 |
| 14 | Italia | 21.02.2008 |
| 15 | Luksemburgu | 21.02.2008 |
| 16 | Peruja | 22.02.2008 |
| 17 | Belgjika | 24.02.2008 |
| 18 | Polonia | 26.02.2008 |
| 19 | Zvicra | 27.02.2008 |
| 20 | Austria | 28.02.2008 |
| 21 | Irlanda | 29.02.2008 |
| 22 | Suedia | 04.03.2008 |
| 23 | Holanda | 04.03.2008 |
| 24 | Islanda | 05.03.2008 |
| 25 | Sllovenia | 05.03.2008 |
| 26 | Finlanda | 07.03.2008 |
| 27 | Japonia | 18.03.2008 |
| 28 | Kanadaja | 18.03.2008 |
| 29 | Monako | 19.03.2008 |
| 30 | Hungaria | 19.03.2008 |
| 31 | Kroacia | 19.03.2008 |
| 32 | Bullgaria | 20.03.2008 |
| 33 | Lihtenshtajni | 25.03.2008 |
| 34 | Koreja e Jugut | 28.03.2008 |
| 35 | Norvegjia | 28.03.2008 |
| 36 | Ishujt Marshall | 17.04.2008 |
| 37 | Burkina-Faso | 23.04.2008 |
| 38 | Nauru * | 23.04.2008 |
| 39 | Lituania | 06.05.2008 |
| 40 | San-Marino | 12.05.2008 |
| 41 | Republika Çeke (Çekia) | 21.05.2008 |
| 42 | Liberia | 30.05.2008 |
| 43 | Sierra-Leone * | 11.06.2008 |
| 44 | Kolumbia | 04.08.2008 |
| 45 | Belize | 07.08.2008 |
| 46 | Malta | 22.08.2008 |
| 47 | Samoa | 15.09.2008 |
| 48 | Portugalia | 07.10.2008 |
| 49 | Mali i Zi | 09.10.2008 |
| 50 | Maqedonia e Veriut | 09.10.2008 |
| 51 | Emiratet e Bashkuara Arabe | 14.10.2008 |
| 52 | Malajzia | 30.10.2008 |
| 53 | Mikronezia | 05.12.2008 |
| 54 | Panamaja | 16.01.2009 |
| 55 | Maldivet | 19.02.2009 |
| 56 | Palau * | 06.03.2009 |
| 57 | Gambia | 07.04.2009 |
| 58 | Arabia Saudite | 20.04.2009 |
| 59 | Komoret * | 14.05.2009 |
| 60 | Bahrejni | 19.05.2009 |
| 61 | Jordania | 17.07.2009 |
| 62 | Republika Dominikane | 10.07.2009 |
| 63 | Zelanda e Re | 09.11.2009 |
| 64 | Malavi | 14.12.2009 |
| 65 | Mauritania | 14.09.2010 |
| 66 | Esvatini | 12.04.2010 |
| 67 | Vanuatu | 28.04.2010 |
| 68 | Xhibuti | 08.05.2010 |
| 69 | Somalia | 19.05.2010 |
| 70 | Hondurasi | 03.09.2010 |
| 71 | Kiribati | 29.10.2010 |
| 72 | Tuvalu | 18.11.2010 |
| 73 | Katari | 07.01.2011 |
| 74 | Guineja-Bisao | 10.01.2011 |
| 75 | Omani | 04.02.2011 |
| 76 | Andorra | 08.06.2011 |
| 77 | Republika e Afrikës Qendrore * | 22.07.2011 |
| 78 | Guineja | 12.08.2011 |
| 79 | Nigeri | 15.08.2011 |
| 80 | Benini | 18.08.2011 |
| 81 | Shën-Lucia | 19.08.2011 |
| 82 | Gaboni | 15.09.2011 |
| 83 | Bregu i Fildishtë | 16.09.2011 |
| 84 | Kuvajti | 11.10.2011 |
| 85 | Gana * | 23.01.2012 |
| 86 | Haiti | 10.02.2012 |
| 87 | Sao-Tomé-e-Principe | 13.03.2012 |
| 88 | Bruneji | 25.04.2012 |
| 89 | Çadi | 01.06.2012 |
| 90 | Timori Lindor | 20.09.2012 |
| 91 | Papua-Guineja e Re * | 03.10.2012 |
| 92 | Burundi * | 16.10.2012 |
| 93 | Fixhi | 19.11.2012 |
| 94 | Shën-Kitts dhe Nevisi | 28.10.2012 |
| 95 | Dominika (të mos ngatërrohet me Republikën Dominikane) * | 11.12.2012 |
| 96 | Pakistani | 25.12.2012 |
| 97 | Guajana | 16.03.2013 |
| 98 | Tanzania | 29.05.2013 |
| 99 | Jemeni | 11.06.2013 |
| 100 | Egjipti | 26.06.2013 |
| 101 | El-Salvadori | 29.06.2013 |
| 102 | Tajlanda | 24.09.2013 |
| 103 | Grenada * | 25.09.2013 |
| 104 | Libia | 25.09.2013 |
| 105 | Tonga | 15.05.2014 |
| 106 | Lesoto * | 11.02.2014 |
| 107 | Togoja * | 02.07.2014 |
| 108 | Ishujt Solomon * | 05.08.2014 |
| 109 | Ishujt Kuk (Cook) ** | 18.05.2015 |
| 110 | Antigua dhe Barbuda | 19.05.2015 |
| 111 | Niue ** | 23.06.2015 |
| 112 | Surinami * | 08.07.2016 |
| 113 | Singapori | 01.12.2016 |
| 114 | Bangladeshi | 27.02.2017 |
| 115 | Madagaskari * | 24.11.2017 |
| 116 | Barbadosi | 15.02.2018 |
| 117 | Izraeli | 01.02.2021 |
| 118 | Kenia | 26.03.2025 |
| 119 | Sudani | 13.04.2025 |
| 120 | Siria | 29.10.2025 |
| 121 | Bahamasi (Commonwealth of The Bahamas) | 19.12.2025 |
Shtete që, sipas pretendimeve serbe, e kanë tërhequr njohjen. Këto pretendime nuk janë konfirmuar nga Prishtina dhe shtetet përkatëse vazhdojnë të figurojnë në listën zyrtare të MPJD-së.
Entitete që nuk janë anëtare të OKB-së.
Shënim: Më 8 dhjetor 2018, kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ironizoi deklaratën e ambasadorit amerikan në Prishtinë, i cili kishte deklaruar: „Amerika është edhe nënë edhe baba i Kosovës“.
NJOHJE NGA SHTETE DHE ENTITETE JOANËTARE TË OKB-SË
Pavarësinë e Kosovës e kanë njohur edhe shtete apo entitete që nuk janë anëtare të OKB-së:
| Nr. | Shteti/Entiteti | Data e njohjes |
| 1 | Tajvani (nuk figuron në listën zyrtare të MPJD-së) | 19.02.2008 |
| 2 | Ishujt Kuk (Cook) | 18.05.2015 |
| 3 | Niue | 23.06.2015 |
Shënim: Ishujt Kuk dhe Niue përfshihen në listën zyrtare të MPJD-së, ndërsa Tajvani jo, për shkak të statusit të tij ndërkombëtar. Niue është vend ishullor vetëqeverisës, në union të lirë me Zelandën e Re; ndodhet në Oqeanin Paqësor Jugor dhe është pjesë e Polinezisë.
PRETENDIMET SERBE PËR TËRHEQJE TË NJOHJEVE
Sipas propagandës serbe, shtetet e poshtëshënuara e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Këto pretendime, të promovuara nga diplomacia serbe sidomos në periudhën 2017–2020, nuk janë konfirmuar nga autoritetet e Kosovës dhe shtetet përkatëse vazhdojnë të figurojnë në listën zyrtare të njohjeve të MPJD-së:
| Nr. | Shteti | Data e njohjes | Data e „tërheqjes“ |
| 1 | Surinami | 08.07.2016 | 27.10.2017 |
| 2 | Burundi | 16.10.2012 | 15.02.2018 |
| 3 | Papua-Guineja e Re | 03.10.2012 | 05.07.2018 |
| 4 | Lesoto | 11.02.2014 | 16.10.2018 |
| 5 | Komoret | 14.05.2009 | 01.11.2018 |
| 6 | Dominika (të mos ngatërrohet me Republikën Dominikane) | 11.12.2012 | 02.11.2018 |
| 7 | Grenada | 25.09.2013 | 04.11.2018 |
| 8 | Ishujt Solomon | 05.08.2014 | 28.11.2018 |
| 9 | Madagaskari | 24.11.2017 | 07.12.2018 |
| 10 | Palau | 06.03.2009 | 17.01.2019 |
| 11 | Togoja | 02.07.2014 | 28.06.2019 |
| 12 | Republika e Afrikës Qendrore | 22.07.2011 | 24.07.2019 |
| 13 | Gana | 23.01.2012 | 07.11.2019 |
| 14 | Nauru | 23.04.2008 | 13.11.2019 |
| 15 | Sierra-Leone | 11.06.2008 | 02.03.2020 |
ANËTARËSIMET NDËRKOMBËTARE TË KOSOVËS
Kosova është anëtare me të drejta të plota e shumë institucioneve të rëndësishme rajonale, financiare dhe sportive. Që nga qershori i vitit 2009 është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe e Bankës Botërore. Është anëtare vepruese e Marrëveshjes së Evropës Qendrore për Tregti të Lirë (CEFTA) dhe e Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (RCC), si dhe vepron si partnere në shumë projekte dhe misione evropiane.
Në lëmin e sportit, Kosova është anëtare me të drejta të plota e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON/IOC) që nga dhjetori i vitit 2014 dhe e Federatës Ndërkombëtare të Basketbollit (FIBA). Në maj të vitit 2016, Kosova u bë anëtare me të drejta të plota e UEFA-s dhe e FIFA-s.
Kosova nuk është anëtare e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH/WHO) dhe as e UNESCO-s.
VENDET ANËTARE TË OKB-SË QË NUK E KANË NJOHUR PAVARËSINË E KOSOVËS
Algjeria, Angola, Argjentina, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Butani, Bolivia, Bosnja dhe Hercegovina, Bocuana, Brazili, Kamboxhia, Kameruni, Kepi i Gjelbër, Kili, Kina, RD e Kongos, Republika e Kongos, Kuba, Qiproja, Ekuadori, Guineja Ekuatoriale, Eritreja, Etiopia, Gjeorgjia, Greqia, Guatemala, India, Indonezia, Irani, Iraku, Xhamajka, Kazakistani, Koreja e Veriut, Kirgizia, Laosi, Libani, Mali, Mauriciusi, Meksika, Moldavia, Mongolia, Maroku, Mozambiku, Mianmari, Namibia, Nepali, Nikaragua, Nigeria, Paraguai, Filipinet, Rumania, Rusia, Ruanda, Shën-Vincenti dhe Grenadinet, Serbia, Sejshelet, Sllovakia, Afrika e Jugut, Sudani i Jugut, Spanja, Sri-Lanka, Taxhikistani, Trinidad-e-Tobago, Tunizia, Turkmenia, Uganda, Ukraina, Uruguai, Uzbekistani, Venezuela, Vietnami, Zambia, Zimbabve (74 shtete).
Vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës janë: Spanja, Greqia, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania. Këto vende, me përjashtim të Qipros, janë njëherazi edhe anëtare të NATO-s.
VENDET QË I NJOHIN PASAPORTAT E KOSOVËS PA E NJOHUR SHTETIN
Disa shtete e kanë njohur zyrtarisht pasaportën e Republikës së Kosovës si dokument të vlefshëm udhëtimi për hyrje në vend, megjithëse nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur: Greqia (shtator 2008), Rumania (tetor 2008), Sllovakia (tetor 2008), Bosnja dhe Hercegovina (mars 2012), Kina (2012) dhe Brazili (gusht 2015).
Nga 1 janari 2024, me hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për zonën Schengen, edhe Spanja i pranon pasaportat e zakonshme të Kosovës. Sipas njoftimit zyrtar të Komisionit Evropian, ky ndryshim „nuk përbën në asnjë formë njohje zyrtare të Kosovës si shtet i pavarur“. Kështu, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa vizë në të gjithë zonën Schengen për qëndrime deri në 90 ditë brenda çdo periudhe 180-ditore.
Për Rusinë kanë qarkulluar në të kaluarën raportime se e pranon pasaportën e Kosovës, por këto nuk janë konfirmuar zyrtarisht dhe burimet e përditësuara e trajtojnë Rusinë si shtet që nuk e njeh pasaportën e Kosovës për hyrje të rregullt.
MBËSHTETJE NGA RAJONE AUTONOME DHE LËVIZJE TË TJERA
Pavarësinë e Kosovës e kanë mbështetur edhe faktorë të rajoneve autonome dhe lëvizje separatiste: Beluçistani, Qeveria Baske, Katalonja dhe Administrata Qendrore e Tibetit (qeveria në mërgim). Në qershor të vitit 2008, në faqen e internetit të Administratës Qendrore të Tibetit u botua një artikull ku thuhej: „Po qe se Kosova ka të drejtë për pavarësi, atëherë edhe Tibeti ka shumë të drejtë të bëhet shtet i pavarur, kurse tibetanët kanë të drejtë të plotë për vetëvendosje“.
Në prill të vitit 2010, udhëheqësi shpirtëror i budizmit tibetan, Dalaj Lama i 14-të, me emrin e vërtetë Tenzin Gyatso (lindi në Taktser, Tibet, 1934), atëherë autoritet i përbashkët ekzekutiv i qeverisë në mërgim, i dërgoi telegram urimi kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit (1968), ku e shprehte kënaqësinë e tij për pavarësinë e Kosovës dhe lutjet që shteti demokratik i Kosovës të bëhet model për t’u ndjekur nga të tjerët. Pavarësinë e Kosovës e kanë mbështetur edhe Republika Çeçene e Içkerisë (qeveria në mërgim), Turkestani Lindor (qeveria në mërgim) dhe Mexhlisi i Popullit Tatar të Krimesë.
SHTETE DHE ENTITETE QË NUK E KANË NJOHUR PAVARËSINË E KOSOVËS
Pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur: Abhazia, Selia e Shenjtë, Qiproja Veriore dhe Palestina.
Qëndrimi palestinez lidhur me pavarësinë e Kosovës: Në shkurt të vitit 2008, dy zyrtarë të lartë palestinezë, të cilët e përfaqësonin qeverinë e Mahmud Abazit (Mahmoud Abbas, 1935) në Bregun Perëndimor dhe kanë qenë edhe pjesë e ekipit që zhvillonte bisedime me Izraelin, nuk u pajtuan që ngjarjet e Kosovës të barazoheshin me Palestinën. Jaser Abed Rabo (Yasser Abed Rabbo; Jafa, 1945) tha: „Nëse gjërat nuk po shkojnë në drejtim të negociatave të vazhdueshme dhe serioze, atëherë duhet të bëjmë hapin dhe të shpallim pavarësinë tonë në mënyrë të njëanshme. Kosova nuk është më e mirë se ne. Ne e meritojmë pavarësinë edhe para Kosovës dhe e kërkojmë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian për pavarësinë tonë“.
Saeb Erekat (lindi në Jerusalemin Lindor, 1955) deklaroi se Organizata për Çlirimin e Palestinës (OÇP) e kishte shpallur pavarësinë qysh në vitin 1988: „Tani na duhet pavarësi e vërtetë dhe jo një deklaratë. Na duhet pavarësi e vërtetë për t’i dhënë fund pushtimit. Ne nuk jemi Kosovë. Ne jemi nën pushtimin izraelit, ndaj na duhet që ta fitojmë pavarësinë“.
Në shtator të vitit 2011, gjatë konferencës së ministrave të Punëve të Jashtme të Lëvizjes së Vendeve të Paangazhuara në Beograd, ambasadori palestinez në OKB, Rijad Mansur (Riyad Mansour; Ramallah, 1947), deklaroi: „Palestina është pushtim tipik i huaj që nuk mund të krahasohet me çështjen e Kosovës, siç vërtetohet nga drejtësia ndërkombëtare dhe nga OKB-ja“. Ambasadori palestinez në Beograd ka deklaruar vazhdimisht se Palestina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, se e respekton Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe se „çështja e Kosovës është çështje e brendshme e Serbisë“, e cila „nuk mund të barazohet me çështjen palestineze“.
Pavarësinë e Kosovës nuk e kanë njohur as entitete si Republika Sahravi (SADR), Somalilandi, Osetia Jugore dhe Transnistria. Republika Sahravi nuk e ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, ndonëse vetë ka marrë njohje si shtet prej rreth 40 vendeve anëtare të OKB-së. Somalilandi nuk e njeh Kosovën; në arenën ndërkombëtare kjo zonë njihet si rajon autonom brenda Somalisë. Pavarësinë e Kosovës s’e njeh as Osetia Jugore, e cila shpesh e përmend Kosovën si precedent dhe njihet si shtet vetëm nga një numër i vogël vendesh. Kosovën s’e njeh as Transnistria, entitet i vetëshpallur që mbështetet nga Rusia dhe që nuk ka ndërmarrë ndonjë akt zyrtar për njohjen e saj.
POPULLSIA E KOSOVËS
Sipas regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave (ReKos 2024), të kryer prej 5 prillit deri më 24 maj 2024, rezultatet paraprake të publikuara në korrik 2024 treguan se Kosova ka 1,586,659 banorë rezidentë. Sipas rezultateve të para përfundimtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), të publikuara në dhjetor 2024, popullsia rezidente e regjistruar është 1,585,566 banorë. Për shkak të bojkotit masiv të regjistrimit në katër komunat veriore me shumicë serbe (Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani), ASK-ja ka bërë edhe një vlerësim të veçantë, sipas të cilit popullsia e përgjithshme rezidente e Kosovës vlerësohet të jetë 1,602,515 banorë. Shifrat e publikuara përfshijnë vetëm banorët rezidentë, jo edhe diasporën.
Sipas rezultateve përfundimtare të ReKos 2024, përbërja etnike e popullsisë së regjistruar është: shqiptarë 91.76% (1,454,963 banorë), serbë 2.31% (36,652), boshnjakë 1.69% (26,841), turq 1.22% (19,419), ashkalinj 1.02% (16,207), egjiptianë 0.67% (10,581), romë 0.55% (8,730) dhe goranë 0.58% (9,351). Mosha mesatare e popullsisë është 34.8 vjeç, nga 29.9 vjeç sa ishte në vitin 2011, që e bën Kosovën ende një nga vendet me popullsinë më të re në Evropë.
Për krahasim, sipas regjistrimit të pranverës së vitit 2011, Kosova kishte 1,739,825 banorë rezidentë, pa i përfshirë serbët që jetonin në komunat Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq dhe në pjesën veriore të Mitrovicës, të cilët e bojkotuan regjistrimin. Nga popullsia e përgjithshme e atëhershme, 92.93% ishin shqiptarë, 1.58% boshnjakë, 1.47% serbë (pa i përfshirë serbët e katër komunave të sipërthëna) dhe 1.08% turq. Regjistrimi i vitit 2011 nuk e përfshiu as rreth një të tretën e qytetarëve të Kosovës që vlerësohej se jetonin dhe punonin jashtë vendit. Sipas një vlerësimi të autoriteteve të Kosovës, në katër komunat veriore që e refuzuan regjistrimin jetonin rreth 40 mijë serbë.
Përpos shqiptarëve, banorë të Kosovës janë edhe serbët, boshnjakët, goranët, romët, turqit, ashkalinjtë dhe egjiptianët. Serbët, përveç në komunat veriore, jetojnë edhe në komunat Graçanicë, Novobërdë, Partesh, Shtërpcë, Kllokot-Vërbovc, Ranilug dhe në fshatin Gorazhdevc pranë Pejës. Në fshatin Janjevë kanë mbetur vetëm rreth dyqind kroatë, kryesisht të moshuar; sipas regjistrimit të vitit 1991, 59.6% e popullsisë së Janjevës kanë qenë kroatë, por shumica u shpërngulën në Kroaci. Në komunën e Dragashit, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë janë goranë, ndërsa në Prizren jeton një komunitet i madh boshnjak.
Historia demografike e Kosovës përfshin periudhën e historisë së njohur të saj që nga lashtësia deri në ditët tona. Në antikitet, në Kosovë kanë jetuar ilirët, keltët dhe trakët. Në mesjetë vijnë në Kosovë serbët. Popull shumicë në Kosovë janë shqiptarët.
Burimet: Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës (mfa-ks.net/lista-e-njohjeve); Agjencia e Statistikave të Kosovës (ReKos 2024, rezultatet paraprake korrik 2024 dhe rezultatet e para përfundimtare dhjetor 2024); Banka Botërore; Komisioni Evropian (DG HOME); Reuters. Materiali është përditësuar dhe harmonizuar nga redaksia e Tetova News në korrik 2026.















