Ballina Bota Shtet i mbikëqyrjes totale: Vështrim ekskluziv në mënyrën se si funksionon aparati...

Shtet i mbikëqyrjes totale: Vështrim ekskluziv në mënyrën se si funksionon aparati i sigurisë së Pekinit

BEIJING, CHINA - MAY 20: Chinese People's Liberation Army (PLA) honour guards march during a welcome ceremony for Russian President Vladimir Putin at the Great Hall of the People on May 20, 2026 in Beijing, China. The two leaders are expected to reaffirm strategic ties between Russia and China amid ongoing Western pressure over the war in Ukraine. (Photo by Maxim Shemetov - China Pool/Getty Images)

Kina është një shembull tipik i mbikëqyrjes shtetërore. Epoch Times ka përmbledhur dokumente të Partisë, të dhëna buxhetore të rrjedhura, dosje gjyqësore dhe analiza në kuadër të një hetimi ekskluziv, për të zbërthyer mënyrën se si funksionon aparati i sigurisë së Pekinit.

Sean Tseng

Në prag të Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, pastori Ezra Jin Mingri mbërriti në Los Anxhelos – më në fund i lirë, pas rreth nëntë muajsh në një burg kinez.

Gjatë burgimit, Jin kishte pyetur veten nëse do të ishte ndonjëherë përsëri i lirë. Lirimi i tij ndodhi vetëm pasi presidenti amerikan Donald Trump e ngriti çështjen e tij drejtpërdrejt me udhëheqësin kinez Xi Jinping në maj. Të paktën tetë anëtarë të kongregacionit të Jinit vazhdojnë të jenë pas hekurave.

Megjithëse Jin është pastor i krishterë, ndaj tij nuk u ngrit ndonjë akuzë për një vepër penale me natyrë fetare. Në vend të kësaj, regjimi kinez e akuzoi për përdorim të paligjshëm të rrjeteve të informacionit dhe për drejtimin e një biznesi të paligjshëm, pra për shkelje të lidhura me internetin dhe ekonominë.

Në të vërtetë, ai kishte refuzuar të instalonte një kamerë. Në vitin 2018, autoritetet i kërkuan të vendoste pajisje mbikëqyrjeje në sallën e shërbesave të Kishës Zion në Pekin. Në atë kohë, pastori e kishte zgjeruar tashmë kongregacionin e tij në më shumë se 1.500 anëtarë. Ai refuzoi. Si pasojë, autoritetet e mbyllën kishën dhe konfiskuan pronën e saj.

Kongregacioni i zhvendosi veprimtaritë në internet dhe vazhdoi të mbante shërbesa fetare atje për shtatë vjet të tjera. Më 10 tetor 2025, policia më në fund e mori Jinin nga shtëpia e tij në qytetin jugor Beihai dhe e arrestoi së bashku me pothuajse 30 drejtues të tjerë të kishës në mbarë vendin. Sipas grupeve për të drejtat e njeriut, bëhej fjalë për goditjen më të madhe të koordinuar kundër një kishe urbane shtëpiake në Kinë në më shumë se katër dekada.

Publicitet

I depërtuar thellë në jetën civile

Asgjë nga këto nuk kërkoi ndonjë operacion spiunazhi apo bastisje spektakolare. Një kishë u trajtua si problem sigurie dhe u ndoq penalisht sipas ligjeve ekonomike dhe atyre për internetin. Më pas, çështja u trajtua nga policë të zakonshëm në një qytet provincial, larg kryeqytetit.

Rasti i Jinit tregon se sa thellë ndërhyn Partia Komuniste e Kinës (PKK) në jetën private të 1,4 miliardë njerëzve në Kinë.

Së shpejti do të publikohet një raport ekskluziv i Epoch Times me titullin “Struktura e organeve të sigurisë të PKK-së: Nga drejtoritë qendrore te njësitë operative në vijën e parë”. Ai përshkruan aparatin e sigurisë së PKK-së, duke nisur nga ministritë qendrore e deri te njësitë e vijës së parë.

Raporti mbështetet në punime akademike perëndimore dhe kineze, si dhe në të dhëna buxhetore të rrjedhura, dosje gjyqësore dhe dokumente të brendshme të Partisë. Përfundimi kryesor është se Partia nuk mbështetet te një agjenci e vetme, e frikshme, për mbikëqyrjen. Përkundrazi, ajo ua delegon këtë detyrë të gjithëve të tjerëve: policisë lokale, rojeve të lagjeve, punëdhënësve, universiteteve dhe pronarëve të banesave. Të përfshirë janë gjithashtu 10 deri në 15 milionë qytetarë të zakonshëm, të cilët janë rekrutuar për të raportuar vëzhgimet e tyre.

Ky rrjet gjigant mbikëqyrjeje funksionon nën një forcë policore prej pothuajse 2 milionë vetash. Ai i mundëson Partisë të depërtojë në vende ku policia nuk mund të arrijë.

Nuk ka një “CIA kineze”

Kur amerikanët dëgjojnë për Ministrinë kineze të Sigurisë së Shtetit (MSS), mund ta krahasojnë atë me Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA) të Shteteve të Bashkuara. Por, ndërsa CIA-s i ndalohet me ligj të mbikëqyrë amerikanët brenda vendit, MSS në Kinë fillimisht u krijua si shërbim i sigurisë së brendshme dhe vetëm më pas e zgjeroi veprimtarinë jashtë vendit.

“Në vitet e para, MSS përqendrohej kryesisht te siguria e brendshme, ndërsa shërbimi i inteligjencës [i Ushtrisë Çlirimtare Popullore] ishte forca më e fuqishme jashtë vendit”, tha eksperti i sigurisë Matthew Brazil. Brazil ka qenë më parë oficer i ushtrisë amerikane, diplomat dhe hetues i sigurisë së korporatave. Ai është bashkautor i librit “Chinese Communist Espionage: An Intelligence Primer” (“Spiunazhi komunist kinez: Një hyrje në inteligjencë”).

Vetëm kohët e fundit kjo ka ndryshuar. “Që prej rreth vitit 2017, inteligjenca e jashtme është zgjeruar ndjeshëm dhe MSS tani duket se është përgjegjëse për inteligjencën politike dhe teknologjike”, tha ai.

Megjithatë, ndjekja e “armiqve” të Partisë brenda vendit vazhdon të jetë ndër detyrat e ministrisë.

MSS bashkëpunon me Ministrinë e Sigurisë Publike (MPS), e cila kryen kontrollet e trafikut, administron regjistrimin e popullsisë dhe patrullimet e lagjeve. Ajo gjithashtu operon rrjetin e kamerave, bazat e të dhënave të policisë dhe sistemet e identifikimit me emër të vërtetë, të cilat lidhin një numër telefoni ose një kartë bankare me një person të caktuar.

Njësia e MPS-së e njohur në gjuhën kineze si “Guobao” merret me disidentët, personat që paraqesin peticione dhe grupet fetare. Kjo polici sekrete politike mund të përdorë të gjitha mjetet e mbikëqyrjes.

Në Kinë, veprimtaria e policisë politike rrallë shfaqet hapur si e tillë. Në vend të kësaj, ajo paraqitet nën emërtime si rend publik, luftë kundër mashtrimit, siguri kibernetike dhe regjistrim i popullsisë.

Ndarja e punës në nivele të ndryshme

Feng Chongyi, profesor i asociuar i studimeve kineze në University of Technology Sydney, e përjetoi nga afër mënyrën se si autoritetet kineze i ndajnë këto detyra mes tyre.

Në fillim të vitit 2017, ai udhëtoi drejt Kinës për të hetuar se çfarë kishte ndodhur me avokatët e të drejtave të njeriut në vend pas arrestimeve masive të vitit 2015.

Në Kunming, zyrtarët e sigurisë e morën në pyetje për ditë me radhë. Më pas, ai u ndalua në aeroportin e Guangzhou. I thanë se nuk lejohej të largohej nga vendi. Megjithatë, nuk pati as arrestim dhe as akuzë formale.

Feng i tha Epoch Times se autoritetet e kishin përgatitur operacionin shumë kohë përpara mbërritjes së tij. “Nëse planifikojnë të arrestojnë dikë, kjo nuk është një vendimmarrje spontane”, tha ai. “Fillimisht bëjnë kërkime të gjera dhe vetëm pastaj hartojnë listën dhe e vënë operacionin në lëvizje.”

Ai u befasua nga numri dhe lloji i strukturave që u përfshinë. Pekini e kishte nisur procedurën, por zyrtarët që e morën në pyetje në Kunming vinin nga Zyra e Sigurisë së Shtetit e provincës Yunnan, ashtu si edhe ata që e prisnin në aeroportin e Guangzhou, i cili ndodhet në një provincë krejt tjetër.

“Në rastin tim ishte Ministria e Sigurisisë së Shtetit – ishte MSS-ja ajo që e nisi procedurën”, tha Feng, duke shtuar:

“Vetë ministria ka shumë pak personel. Puna e vërtetë shpërndahet te zyrat e sigurisë së shtetit në provinca dhe qytete të ndryshme, të cilat e kryejnë së bashku.”

Kështu funksionon kjo ndarje e punës. Ministria në Pekin vendos se kush përbën problem, ndërsa provincat dhe qarqet kryejnë punën duke përdorur strukturat tashmë ekzistuese – komisariatin e policisë, komitetin e lagjes, universitetin ose punëdhënësin.

Brazil tha se përshkrimi i Fengut përputhet me rezultatet e kërkimeve të jashtme. “Është e qartë se një pjesë e madhe, ndoshta edhe pjesa më e madhe, e operacioneve kineze të sigurisë së shtetit jashtë vendit kryhen në këto nivele më të ulëta”, tha ai.

Kush vëzhgon?

Ajo që në shumicën e rasteve ekziston tashmë janë njerëzit, dhe PKK-ja i rekruton ata haptazi.

Vlerësimet më të mira për përmasat e këtij sistemi vijnë nga Minxin Pei, politolog dhe profesor i shkencave politike në Claremont McKenna College në Kaliforni. Në librin e tij të vitit 2024, “The Sentinel State” (“Shteti rojtar”), Pei rindërtoi sistemin e Kinës duke u mbështetur në buxhete të rrjedhura, raporte zyrtare të policisë dhe vjetarë lokalë.

Sipas vlerësimeve të Peit, numri i zyrtarëve që trajtojnë çështje politike në të gjithë vendin arrin në 60.000 deri në 100.000, që përbën tre deri në pesë për qind të policisë kineze. Kjo do të thotë një zyrtar për çdo 14.000 deri në 23.000 banorë. Për krahasim, Stasi në Gjermaninë Lindore kishte një punonjës me kohë të plotë për rreth çdo 180 banorë.

Pei tha se kjo nuk do të thotë se regjimi kinez i mbikëqyr qytetarët e vet më pak rreptësisht sesa Gjermania Lindore. Përkundrazi, Partia ka gjetur një mënyrë më pak të kushtueshme për të mbikëqyrur shumë më tepër njerëz.

Ministria e Sigurisë së Shtetit drejton një program publik që e quan “vija mbrojtëse e popullit”. Ai bazohet në edukimin për sigurinë kombëtare në shkolla dhe vende pune, si dhe në një linjë telefonike për raportimin e “spiunëve” të dyshuar. Disa qytete ofrojnë edhe shpërblime në para.

Sipas vlerësimeve të Peit, numri i informatorëve me kohë të pjesshme arrin në 10 deri në 15 milionë dhe çdo vit rekrutohen dukshëm më shumë se 100.000 informatorë të rinj politikë.

Krah tyre punojnë “Grid-Managers”, një lloj administratorësh të sektorëve në rrjet, punonjës komunalë, secilit prej të cilëve i caktohen disa qindra familje. Detyrat e tyre duken si punë thjesht administrative, dhe pikërisht kjo i bën kaq efektivë: regjistrojnë kush hyn e kush largohet nga një zonë, shënojnë se cilat familje janë në konflikt, evidentojnë banorët që nuk dalin më nga shtëpia ose që kanë filluar të organizojnë takime aty dhe ia përcjellin çdo gjë të pazakontë zyrës së distriktit ose policisë.

Sipas Peit, vetëm rreth një e katërta e informacionit të mbledhur përcillet ndonjëherë në nivelet më të larta. Por saktësia nuk ka qenë kurrë qëllimi. Synimi është më tepër të krijohet ndjenja e një mbikëqyrjeje të përhershme në jetën e përditshme. Në çdo klasë, çdo tempull dhe çdo bllok banimi, dikush mund të jetë duke mbajtur shënime – dhe askush nuk mund të thotë me siguri se kush është ai.

Brazil, i cili në doktoraturën e tij u mor me historinë e hershme të organeve të inteligjencës së PKK-së, sheh një qëllim të vetëm që përshkon gjithë sistemin.

“Forcat e inteligjencës dhe sigurisë së PKK-së përqendrohen te mbijetesa e Partisë në pushtet”, tha ai. “Nga ditët e dëshpëruara të viteve 1920 dhe 1930, deri te paranoja e sotme, ku çdo ide që sapo ka nisur të mbijë duhet të mbytet menjëherë përpara se të rritet – kjo është detyra e tyre kryesore.”

Nuk nevojitet akuzë

Chen Pokong, komentator politik dhe autor që sot jeton në Nju Jork, e përjetoi këtë metodë kur ishte pedagog i ri i ekonomisë në Universitetin Sun Yat-sen në Guangzhou. Shërbimet e sigurisë e kishin shënuar emrin e tij që disa javë përpara protestave të vitit 1989, të cilat kulmuan në sheshin Tian’anmen.

“Në mars të vitit 1989 – madje përpara se lëvizja të shpërthente në përmasat e saj të plota – ata tashmë kishin një dokument drejtuar kundër meje, ku thuhej se unë do të nisja një lëvizje studentore në Guangzhou, dhe aty përmendesha me emër”, i tha ai Epoch Times.

Pas shtypjes së protestave, ai u arrestua dhe kaloi tre vjet në një qendër paraburgimi dhe në kampe pune – një dënim që policia mund ta vendoste pa proces gjyqësor. Rreth një vit pas lirimit të tij, ai u dërgua përsëri në burg.

Atje, mbikëqyrja u krye nga të burgosur të tjerë, të burgosur “model” që “shtirnin sikur miqësoheshin me mua, por në të vërtetë më hetonin, përpiqeshin të zbulonin mendimet e mia dhe vëzhgonin çdo lëvizje timen”, tha ai.

Situata u përkeqësua kur ai filloi të zbulonte eksportet kineze të mallrave të prodhuara me punë të të burgosurve. “Atëherë vendosën një numër të madh njerëzish rreth meje”, tha ai. Megjithatë, në vitin 1994 ai arriti të nxirrte prova jashtë. Për këtë përdori si mbulesë pikërisht informatorët që kishte rreth vetes. Ai i ushqente me një përzierje informacioni të vërtetë dhe të rremë, derisa informacioni real arriti të kalonte.

Lirimi i tij e ndryshoi rutinën, por nuk i dha fund asaj. Një grup pune që vepronte në emër të sigurisë publike e thërriste çdo muaj për një bisedë dhe e ndiqte gjatë pjesës tjetër të kohës. Pak përpara datave veçanërisht të ndjeshme të vitit, mbikëqyrja bëhej edhe më intensive. Ajo shtrihej te të gjithë personat e rrethit të tij.

“Brenda vendit ke të afërm, pjesëtarë të familjes, të gjitha llojet e lidhjeve shoqërore – ata i mbikëqyrin të gjithë, madje edhe shokët e klasës”, tha ai. Në vitin 1996, ai u dërgua në mërgim në Shtetet e Bashkuara.

Për të gjitha këto nuk nevojitej një akuzë formale. Dhe raporti i ardhshëm i Epoch Times e thekson pikërisht këtë si karakteristikën vendimtare të sistemit: masa ndërmerren kundër kujtdo që shteti vendos të mbikëqyrë, pavarësisht nëse ndaj tij hapet ndonjëherë ndonjë procedurë.

Çdo gjë mund të shpallet kërcënim

Nëse një person vihet apo jo në shënjestër, varet kryesisht nga mënyra se si klasifikohet. Nën Xi Jinpingun, kategoritë janë zgjeruar.

Në vitin 2014, udhëheqësi kinez prezantoi konceptin gjithëpërfshirës të sigurisë kombëtare dhe e shtriu termin “siguri” në më shumë se një duzinë fushash – nga ekonomia deri te mjedisi. Pothuajse çdo problem tani mund të klasifikohet si çështje sigurie, duke u dhënë shërbimeve të sigurisë mandat për të vepruar.

Një ligj i miratuar në vitin 2017 e zgjeroi më tej këtë shtrirje, duke i detyruar qytetarët dhe organizatat kineze të mbështesnin punën shtetërore të inteligjencës dhe të ruanin fshehtësinë për çdo gjë që mësonin rreth saj.

Në fushën e fesë, ky ripërkufizim shihet më qartë.

Nina Shea është drejtoreshë e Qendrës për Lirinë Fetare në Hudson Institute. Ajo ka shërbyer për shtatë mandate si anëtare e Komisionit të Shteteve të Bashkuara për Lirinë Fetare Ndërkombëtare. Ajo shpjegon se Pekini i ka goditur objektivat njëri pas tjetrit. “Fillimisht u morën me Falun Gong-un, më pas me myslimanët ujgurë dhe tani po shohim shenja se kanë vënë në shënjestër të krishterët – të krishterët e nëndheshëm”, tha Shea për Epoch Times. Ajo shtoi se budistët tibetianë ishin goditur menjëherë përpara ujgurëve.

Persekutimi u intensifikua pas vitit 2018, tha ajo, kur autoritetet filluan të zbatonin rregulla që kërkonin “sinizimin” e fesë. Metoda konsiston në goditjen e drejtuesve.

“Strategjia e tyre, ose taktika e tyre, është të ushtrojnë presion mbi udhëheqjen e grupeve të krishtera – dhe të fillojnë t’i burgosin, siç pamë vitin e kaluar me anëtarët e Kishës Zion”, tha ajo.

Sapo një aktivitet klasifikohet si rrezik sigurie, sipas një raporti të Epoch Times, prokurorët përdorin ligjin që u përshtatet më së miri. Kështu ndodhi që një pastor, i cili refuzoi të instalonte një kamerë, u akuzua për shkelje në fushën e internetit dhe ekonomisë.

E testuar në rajonet kufitare, e zgjeruar përmes teknologjisë

Shumë prej metodave që sot përdoren në të gjithë Kinën u testuan fillimisht në rajonet ku PKK-ja i besonte më pak popullsisë.

“Teknikat e mbikëqyrjes dhe kontrollit në Xinjiang dhe Tibet ishin menduar si eksperimente që mund të përmirësoheshin dhe më pas të zgjeroheshin në të gjithë Kinën”, tha June Teufel Dreyer, profesoreshë e shkencave politike në Universitetin e Miami. Dreyer merret me politikën kineze prej më shumë se pesë dekadash.

Vetëm një pjesë e kësaj qasjeje mund të zbatohej në pjesën tjetër të vendit, tha Dreyer, sepse problemet janë të ndryshme. “Shqetësimi për terrorizmin islamist nuk luan rol në Kinën Han, dhe kinezët Han nuk vetëdigjen.”

Raporti i përmendur arrin në përfundimin se një metodë e veçantë është përhapur: një qytet ndahet në njësi të vogla dhe për secilën njësi caktohet me emër një zyrtar përgjegjës. Mbledhja e informacionit mbi jetën e përditshme integrohet në ngarkesën rutinore të punës së atij zyrtari.

“Unë e shoh këtë si një kthim mbrapsht dhe një ashpërsim të politikës së kontrollit të epokës së Maos, e cila dukej se ishte zbutur nën Jiangun dhe më pas edhe më shumë nën Hu-në”, tha Dreyer, duke iu referuar dy paraardhësve të Xi-së.

Ajo shtoi se ashpërsimi “u favorizua nga zhvillimi i teknologjive të reja, si Big Data dhe njohja e fytyrës, gjë që në epokën e Maos do të kishte qenë e paimagjinueshme”.

Por pajisjet më të avancuara nuk e kanë ndryshuar faktin se kush e kryen punën reale, argumenton raporti.

Një kamerë mund të konstatojë se një person ka qenë në një vend të caktuar, por jo arsyen pse. Po kështu, një program mund të raportojë një grumbullim njerëzish, por nuk mund ta dallojë organizatorin nga një spektator. Dikush duhet ende ta lexojë raportin dhe dikush duhet ende të trokasë në derë – një polic lagjeje, një “Grid-Manager” ose një administrator shkolle.

I sigurt apo i brishtë?

Sipas përfundimit të raportit të Epoch Times, sistemi nuk u krijua kurrë për të mbushur burgjet dhe, në shumicën e rasteve, as nuk e bën këtë. Ndëshkimi është përjashtim.

Ajo që prodhon sistemi është një lloj i veçantë frike: një popullsi që ka mësuar të supozojë se një koment, një takim lutjesh, një miqësi me një të huaj ose një natë e kaluar në një qytet tjetër mund të regjistrohet nga kushdo që ndodhet mjaftueshëm pranë për të dëgjuar ose mësuar diçka për të.

Kur u pyet nëse represioni jep rezultat, Shea bëri një dallim. Në rastin e Kishës Katolike, tha ajo, kjo është krejtësisht e dukshme. “Ata po kalojnë nën kontrollin e plotë të PKK-së. Shumica e peshkopëve të rinj janë miratuar nga PKK-ja”, tha ajo.

Kishat protestante janë më të vështira për t’u vlerësuar, tha ajo, sepse janë shtyrë aq thellë në ilegalitet, saqë edhe një regjistrim i anëtarëve do t’i vinte në rrezik. “Është e rrezikshme për udhëheqjen e tyre të japë shifra dhe emra të atyre që vijnë në kishë. Është e rrezikshme për besimtarët, për anëtarët e kongregacionit”, tha Shea. “Thjesht nuk e dimë.”

Minxin Pei vuri në dukje një kufizim. Nëse një ekonomi më e dobët do të çonte në më shumë protesta dhe në një rritje të fortë të numrit të personave që PKK-ja dëshiron të mbajë nën vëzhgim, shkroi ai, përmasat relativisht të vogla të forcës Guobao mund të bëheshin “shkak për shqetësim” për Pekinin. Sepse atëherë do të nevojiteshin edhe më shumë zyrtarë për këtë punë.

Deri tani, kjo nuk ka ndodhur. Kur u pyet nëse ky aparat, në fund të fundit, e bën regjimin më të sigurt apo më të cenueshëm, Dreyer nuk shfaqi shumë dyshime.

“Për momentin, regjimi duket jashtëzakonisht i sigurt”, tha ajo, duke shtuar: “Një kolaps do të kërkonte aftësi për rezistencë masive dhe të organizuar kundër shtetit-parti, dhe unë nuk shoh asnjë shenjë të kësaj.”

Pakënaqësia që ekziston ka gjasa të mos rritet përtej këtij niveli, tha profesoresha e shkencave politike, duke iu referuar “një inercie të madhe në sistem”:

“Megjithëse shumë njerëz e konsiderojnë sistemin aktual të korruptuar, ata kanë frikë nga kaosi që mund të sillnin përpjekjet për ta rrëzuar.”

“Siç kemi parë në Iran dhe Kubë, qeveritë autoritare janë më rezistente nga sa u atribuohet prej mediave tona”, tha Dreyer.

Raporti i plotë i Epoch Times mbi strukturën e organeve të sigurisë të PKK-së do të publikohet gjatë këtij viti.