I fuqizuar nga rezistenca ndaj Adolf Hitlerit, të cilën e mishëroi në orët më të errëta të Luftës së Dytë Botërore, Winston Churchill u propozoi evropianëve, tetëdhjetë vjet më parë, një udhërrëfyes për ta shndërruar kontinentin e tyre të shkatërruar në një hapësirë të gjerë dhe të begatë: ndërtimin e “Shteteve të Bashkuara të Evropës”. Në një kohë kur kaosi gjeopolitik po përhapet sërish, parimet e tij meritojnë të nxirren nga harresa.
Kur mbajti fjalimin e tij më 19 shtator 1946 në Cyrih, burrështetasi britanik nuk ishte më kryeministër i Madhërisë së Saj; ai e kishte humbur pushtetin një vit më parë. Fjalët e tij mbështeteshin vetëm në autoritetin e tij moral. Duke reflektuar mbi paradoksin e një kontinenti, trashëgimtar të një qytetërimi të shkëlqyer, i cili sapo ishte bërë skena e krimeve më të tmerrshme të kryera ndonjëherë kundër njerëzimit, ai e paraqiti bashkimin evropian si të vetmen mënyrë për ta rindërtuar atë qytetërim dhe, njëkohësisht, për të parandaluar përsëritjen e këtyre krimeve.
Churchill i bëri thirrje Gjermanisë së mundur dhe Francës, e cila kishte zënë vend në tryezën e fituesve, të hidhnin hapin e parë dhe të pajtoheshin. Në sytë e tij, lulëzimi i “familjes evropiane” ishte i pamundur pa një Francë dhe një Gjermani “shpirtërisht të mëdha”. Ai rekomandoi krijimin e një “strukture rajonale”, të cilën sugjeroi ta quante Këshilli Evropian. Dhe parashikoi se, nëse Evropa do të arrinte të merrej vesh, “nuk do të kishte kufi për lumturinë, begatinë dhe lavdinë e saj”.
Pas përfundimit të luftës, si nga këndvështrimi britanik, ashtu edhe nga ai amerikan, ndërtimi evropian mundësonte arritjen e dy objektivave njëherësh: integrimin e Gjermanisë në një tërësi mbikombëtare dhe pengimin e Rusisë sovjetike që të dominonte Evropën. Diplomati amerikan George Kennan do ta shpjegonte këtë në vitin 1948:
“Pa një federatë të vërtetë evropiane, ekzistojnë vetëm dy mundësi: ose Gjermania bëhet përsëri e fortë dhe e pavarur, dhe atëherë duhet të presim një përpjekje të re të saj për dominim; ose ajo nuk bëhet e tillë, dhe atëherë do të ishte Rusia ajo që ne do ta ftonim të dominonte kontinentin.”
“Evropa të ngrihet!”
Mrekullia që dëshironte Churchill, në një masë të madhe, u realizua. Katër vjet pas fjalimit të Cyrihut, Franca i propozoi Gjermanisë të bashkonin prodhimin e tyre të qymyrit dhe çelikut. Kështu u vendos guri i parë i asaj që më vonë do të bëhej Bashkimi Evropian.
Epoka e paqes që po hapej, më e gjata që kishte njohur Kontinenti i Vjetër, u shoqërua me përparime të shumta panevropiane. Ndërsa Evropa bashkohej gjithnjë e më shumë, ajo mësoi të mbështetej te “fuqia e butë” (soft power), në vend të armëve, për të ushtruar ndikim në botë.
Por tani që “fuqia e fortë” (hard power) po rikthehet në plan të parë dhe autoritarizmi po fiton terren kudo, ambicia për një fuqi normative dhe demokratike evropiane po zbehet. Ajo përplaset me vullnetin e Rusisë së Putinit për të rimarrë kontrollin mbi ish-hapësirën sovjetike, me afirmimin gjithnjë e më të pakufizuar të fuqisë së Kinës komuniste dhe me armiqësinë e Amerikës së Trumpit, e cila refuzon të vazhdojë të mbajë mbi vete rolin e mbrojtëses.
Vetë ekzistenca e Bashkimit Evropian është e kërcënuar, aq më tepër që ai po gërryhet nga brenda prej rritjes së një populizmi euroskeptik, i cili ushqehet nga transformime të thella ekonomike, teknologjike dhe shoqërore.
Përballë këtyre sfidave, udhëheqësit evropianë do të bënin mirë të përvetësonin dy ide të Churchillit.
E para është se shtetet evropiane kanë interesa të përbashkëta, të cilat në masë të madhe përkojnë me interesat e tyre kombëtare; pra, promovimi i interesave të përbashkëta nënkupton edhe mbrojtjen e interesave kombëtare.
E dyta është se një Evropë e dobët dhe e përçarë është një Evropë në rrezik; ajo duhet të bashkohet për të ekzistuar.
“Ne duhet të veprojmë gjithnjë e më shumë sikur të ishim një shtet i vetëm”, përmblidhte vitin e kaluar italiani Mario Draghi, autor i një raporti që la gjurmë mbi mangësitë e Evropës.
Ëndrra federale po rilind dhe, bashkë me të, edhe thirrja me të cilën përfundonte fjalimi i Cyrihut:
“Evropa të ngrihet!”
Mbetet vetëm të gjendet burri ose gruaja e shtetit që do të jetë në gjendje të mishërojë Churchillin e shekullit XXI.
Nga Luc de Barochez
L’Express – 26 gusht 2026















