INTERVISTË. Që prej rikthimit të tyre në pushtet në Kabul, më 15 gusht 2021, talibanët i kanë imponuar Afganistanit rendin e tyre. Por a është vërtet i qëndrueshëm pushteti i tyre? Përgjigjet Ahmad Fahim Abdullatif, studiues në Qendrën për Kërkime Ndërkombëtare (CERI) të Sciences Po.
Intervistoi: Marie Guermeur
Më 15 gusht 2021, Afganistani pësoi një kthesë rrënjësore. Jo drejt kaosit, por drejt një rendi të akullt dhe total. Pesë vjet më vonë, vendi nuk është më në luftë. Ai është nën kontroll. Armët kanë heshtur, gratë janë zhdukur nga hapësira publike dhe heshtja ka rënë si një pllakë plumbi mbi shoqërinë. Nuk është më lufta ajo që ngjall frikë. Është paqja e talibanëve.
Një paqe që ka një çmim: një vend i shkëputur nga bota, një shoqëri nën mbikëqyrje dhe liri të reduktuara në hiç. Talibanët po qëndrojnë në pushtet. Por a do të qëndrojnë përgjithmonë? Këtë pyetje ia drejtuam Ahmad Fahim Abdullatifit, studiues në Qendrën për Kërkime Ndërkombëtare (CERI) të Sciences Po.
Le Point: Pesë vjet pas rikthimit të tyre në pushtet, talibanët vazhdojnë ta kontrollojnë Afganistanin. Por a gëzojnë ata një legjitimitet të vërtetë në sytë e popullsisë?
Ahmad Fahim Abdullatif: Ata nuk gëzojnë një legjitimitet të vërtetë në Afganistan. Konsolidimi i pushtetit të tyre lidhet në një masë shumë të madhe me largimin e Shteteve të Bashkuara dhe me korrupsionin e aparatit shtetëror që amerikanët kishin mbështetur që nga viti 2001. Fakti që ata kontrollojnë instrumentet e shtetit dhe se nuk ekziston ndonjë mbështetje e rëndësishme e huaj për organizatat që i kundërshtojnë, u jep sot një monopol të dhunës në shkallë të gjerë.
Nga ana tjetër, ata nuk kanë organizuar as zgjedhje, as referendume, madje as ndonjë zgjerim, qoftë edhe thjesht ceremonial, të elitës vendimmarrëse përtej rrethit të tyre shumë të ngushtë drejtues. Në të njëjtën kohë, kanë shtypur në mënyrë të dhunshme dhe çnjerëzore çdo formë mospajtimi dhe opozite. Në këtë kontekst, mund të flasim për monopol të dhunës dhe të detyrimit, por jo për një legjitimitet të vërtetë.
Në vitin 2021, shumë njerëz parashikonin një regjim të brishtë, të destinuar të shembej shpejt. Megjithatë, pesë vjet më vonë, ata vazhdojnë të jenë aty dhe e kontrollojnë vendin. A është reale kjo stabilitet?
Ka një pjesë realiteti në këtë stabilizim, për aq sa talibanët kanë konsoliduar kontrollin e tyre të brendshëm mbi vendin – natyrisht, përmes një dhune dhe represioni ekstrem – dhe për aq sa nuk ekziston ndonjë opozitë e rëndësishme që gëzon besueshmëri të mjaftueshme, qoftë në nivel kombëtar, qoftë ndërkombëtar.
Por represioni i tyre i dhunshëm gjithashtu fsheh dobësinë e aparatit të tyre shtetëror kur bëhet fjalë për të qeverisur në mënyrë efikase dhe njerëzore, për të përmirësuar kushtet ekonomike dhe për të fituar një legjitimitet të vërtetë popullor.
Luftimet kanë pushuar në pjesën më të madhe. Por a mund të flasim megjithatë për paqe në Afganistan?
Dhuna e lidhur me luftën ka pushuar sepse vetë talibanët ishin aktori kryesor i saj. Gjatë konfliktit, ata nuk ngurruan të kryenin në mënyrë sistematike krime lufte, veçanërisht duke sulmuar popullsinë civile.
Prandaj, do të ishte disi tautologjike t’u atribuohej atyre merita për përfundimin e luftimeve. Ndërkohë, represioni, frika dhe kontrolli shoqëror janë intensifikuar. Zhdukja e luftës së hapur nuk do të thotë pra zhdukjen e dhunës: ajo thjesht ka ndryshuar formë.
Alternativa të organizuara dhe të besueshme do të shfaqen gjatë dekadave të ardhshme, por kjo do të kërkojë kohë.
Përballë talibanëve, opozita e armatosur duket sot thuajse inekzistente. Pse?
Ka dy faktorë kryesorë. I pari është se niveli politik i organizatave kryesore që drejtojnë opozitën përbëhet nga rigrupime dhe riformatime të elitave të Republikës së mëparshme. Këto elita e kanë humbur ndjeshëm besueshmërinë dhe legjitimitetin e tyre popullor për shkak të rolit qendror që luajtën në regjimin e mëparshëm.
Faktori i dytë është mungesa e mbështetjes ndërkombëtare për opozitën e armatosur. Kjo mbështetje kishte qenë, për shembull, një faktor vendimtar dhe thelbësor për aftësitë luftarake dhe suksesin e muxhahedinëve në luftën e tyre kundër Bashkimit Sovjetik dhe regjimit që ai mbështeste.
Ju thoni se opozita vuan nga mungesa e besueshmërisë. Pse, që prej vitit 2021, nuk është shfaqur realisht asnjë alternativë e mirëfilltë politike ndaj talibanëve?
Është ende shumë herët për të parë shfaqjen e alternativave të besueshme. Një alternativë e tillë duhet të lindë në mënyrë organike nga një shoqëri thellësisht e traumatizuar, e çrrënjosur dhe e privuar nga gjithçka.
Alternativa të organizuara dhe të besueshme do të shfaqen gjatë dekadave të ardhshme, por kjo do të kërkojë kohë.
Në skenën ndërkombëtare, Perëndimi vazhdon të mbajë distancë, ndërsa Rusia, Kina, India dhe disa vende fqinje po shtojnë kontaktet. Si e shpjegoni këtë normalizim gradual dhe selektiv?
Një nga elementet që bie në kontrast me izolimin thuajse të plotë të regjimit të parë taliban, mes viteve 1996 dhe 2001, është niveli më i lartë i njohjes de facto që ata gëzojnë nga fuqitë rajonale dhe nga fuqitë e mëdha jashtë bllokut perëndimor.
Këto fuqi veprojnë përmes marrëdhënieve dypalëshe dhe përqendrohen në çështje që mund t’u sjellin përfitime strategjike.
Me Kinën, për shembull, bëhet fjalë për çështjen e burimeve minerare dhe sigurinë e kufirit të saj perëndimor. Me Iranin, Pakistanin dhe Indinë, bëhet fjalë kryesisht për çështje të stabilitetit rajonal dhe migracionit. Me Rusinë, bëhet fjalë për frenimin e grupeve islamiste dhe sfidimin e rendit perëndimor. Së fundi, me Bashkimin Evropian, një rol luajnë çështja migratore dhe, potencialisht, trafiku i narkotikëve.
Konsideratat morale dhe humanitare, siç është gjendja e grave, lihen plotësisht mënjanë në këto diskutime, përfshirë edhe kur bëhet fjalë për Bashkimin Evropian, dhe kjo luan në favor të talibanëve.
Të drejtat e grave vazhdojnë të jenë pengesa kryesore për njohjen nga Perëndimi. A mund të zgjasë gjatë ky qëndrim?
Premisa e kësaj pyetjeje e redukton aparteidin gjinor të vendosur nga talibanët në një çështje realpolitike, ndërkohë që bëhet fjalë për një problem moral shumë më të thellë, që hyn në kategorinë e krimeve kundër njerëzimit.
Është e vërtetë, siç e shpjegova më parë, se bashkëbiseduesit e tyre duket qartë se deri tani nuk e konsiderojnë këtë çështje prioritet. Por kjo nuk do të thotë se vendet perëndimore duhet ta pranojnë këtë situatë si një pasojë të pashmangshme të realpolitikës dhe të heqin dorë nga përdorimi i instrumenteve të konsiderueshme të presionit që kanë në dispozicion në diskutimet me talibanët.
Për shembull, në bisedimet që lidhen me migracionin, nuk është vendosur asnjë kusht që lidhet me gjendjen dhe të drejtat e grave.
Nëse projektohemi dhjetë vjet në të ardhmen, a duhet të presim më tepër një konsolidim afatgjatë të Emiratit… apo fragmentimin e tij, madje edhe rikthimin e konfliktit?
Është e vetëkuptueshme se shkencat shoqërore nuk na lejojnë të bëjmë parashikime; prandaj, këto duhet të trajtohen me kujdes.
Por, në dritën e përgjigjeve të mia të mëparshme, mendoj se është shumë më e mundshme që gjatë dekadave të ardhshme të shohim njërën nga dy mundësitë e fundit, madje ndoshta të dyja njëkohësisht: një fragmentim të brendshëm dhe rikthimin e një konflikti të brendshëm, që mund të shkojë madje deri në një luftë të re civile.















