Nga Thomas Mahler, L’Express
Kërcënime për demokracinë, dezinformim, “apokalips i vendeve të punës”, fundi i leximit, shëndeti mendor i të rinjve… Tashmë nuk numërohen dot librat që paralajmërojnë për rreziqet e revolucionit digjital, mes rrjeteve sociale, telefonave inteligjentë dhe, tani, inteligjencës artificiale. Origjinaliteti i plotë i esesë së re të Antoine Buéno-s qëndron në faktin se ajo përqendrohet te revolucioni që po vjen: IA-ja agjentike.
Që nga lançimi i ChatGPT-së më 30 nëntor 2022, inteligjenca artificiale gjenerative ka përfaqësuar tashmë një tronditje të madhe, por brezi i ardhshëm, sipas eseistit, mund të shënojë një kthesë shumë më të rëndësishme se gjithçka që kemi njohur deri më sot.
Ndërsa IA-ja gjenerative vetëm u përgjigjet kërkesave, agjentët e IA-së janë të aftë të kryejnë detyra në mënyrë autonome dhe të marrin vetë iniciativën. Që tani, ata ndjekin projekte, seleksionojnë CV, menaxhojnë një dyqan online ose caktojnë takime. Së shpejti, një agjent i IA-së mund të organizojë tërë ekzistencën e secilit prej nesh.
“Nesër, Agjenti ynë do të jetë alfa dhe omega e jetës sonë. Ai do të na shoqërojë vazhdimisht. Do ta kalojmë kohën duke iu drejtuar, duke u këshilluar me të dhe duke iu përgjigjur. Ai do të jetë njëkohësisht dadoja jonë, maxhordomi ynë, sekretari ynë, këshilltari ynë, mjeku ynë personal, një asistent jete me kohë të plotë, që plotëson formularët tanë administrativë, menaxhon axhendën tonë, organizon përditshmërinë dhe udhëtimet tona”, thekson Antoine Buéno.
Agjenti i IA-së do të jetë, për më tepër, edhe personi ynë i besuar, shoqëruesi dhe madje edhe ai mbi të cilin do të shkarkojmë frustrimet tona. Dhe së shpejti, mësuesi privat i fëmijëve tanë, madje edhe dashuria e jetës sonë, ashtu si në filmin Her të Spike Jonze-s. Një zhvillim i tillë do të shënonte një ndryshim të vërtetë paradigme.
Fetë dhe diktaturat do të fuqizohen
Këshilltar në Senat, ku është specialist për zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe autor, ndër të tjera, i librave Futur Notre Avenir de A à Z dhe L’Effondrement (du monde) n’aura (probablement) pas lieu (Flammarion), Antoine Buéno është një nga prospektivistët tanë më stimulues.
Në librin Guidance (Tallandier), ai përpiqet të parashikojë pasojat shoqërore të një engjëlli mbrojtës digjital, i cili do të dijë gjithçka për jetën tonë, do ta organizojë atë dhe, njëkohësisht, do të ndikojë mbi të.
Së pari, individualizimi pritet të forcohet edhe më shumë, me pakësimin e shkëmbimeve ndërpersonale, ndërkohë që IA-të do të komunikojnë mes tyre për t’u koordinuar.
Më pas, larg idesë se do t’i zëvendësojë fetë ekzistuese – siç druhet Papa Leoni XIV – IA-ja, përkundrazi, mund t’i forcojë ato, duke udhëzuar çdo besimtar në respektimin e saktë të rregullave fetare. Një kontroll i çdo çasti, për të cilin as fetë më inkuizitore nuk kishin guxuar të ëndërronin.
Por teknologjia mund të transformojë të gjitha sistemet politike.
Antoine Buéno imagjinon kështu krijimin e asaj që ai e quan “téocratIAs”, një lojë fjalësh që bashkon teokracinë me inteligjencën artificiale:
“Në Iran, secili do të kishte vazhdimisht mbi supe një ajatollah të vogël Khomeini, që do t’i pëshpëriste në vesh se çfarë duhet të bëjë.”
Një regjim ateist si Kina, nga ana tjetër, do ta forconte kontrollin e tij përmes “Big Brothers” të decentralizuar, që do ta merrnin për dore çdo qytetar dhe do ta orientonin në shtigjet e përcaktuara nga regjimi.
Në këtë “totalitarIA”, sistemi nuk do të kishte më nevojë ta përdorte represionin veçse në raste margjinale.
Një mundësi tjetër që parashikon futurologu është “ploutocratIA”, domethënë një shoqëri e pabarabartë, në të cilën njerëzit do të dispononin trajnerë ose këshilltarë digjitalë me nivele të ndryshme performance, në varësi të kastës së cilës do t’i përkisnin.
Edhe demokracitë do të transformoheshin rrënjësisht, me një sistem drejtësie që mund t’i delegohej IA-së, por edhe me agjentë që do të luanin rolin e mentorëve politikë.
“Më e mira e botëve”?
Sipas Antoine Buéno-s, distopia Brave New World – Më e mira e botëve – e Aldous Huxley-t, e botuar në vitin 1932, është një busull shumë më e përshtatshme sesa vepra, sipas tij e mbivlerësuar, 1984 e George Orwell-it, e botuar më 1949, për të kuptuar të ardhmen drejt së cilës mund të shkojmë.
Në vend të një totalitarizmi të bazuar te frika, paranoja, denoncimet dhe luftërat, siç ka njohur shekulli XX, Huxley kishte parashikuar një totalitarizëm të mirëqenies, në të cilin individët e shkëmbejnë lirinë e tyre me shpërblime të vazhdueshme.
Që kjo “më e mira e botëve” të bëhej e plotë, Antoine Buéno imagjinon se revolucioni i IA-së mund të shoqërohej, njësoj si në roman, me zhvillimin e eugjenikës, zgjerimin e fekondimit in vitro dhe madje edhe me zhdukjen e pleqërisë.
Si një prej shtyllave të sistemit të tij distopik, Huxley kishte imagjinuar një drogë fiktive, soma, e cila u mundësonte njerëzve të zhyteshin në një gjumë parajsor.
Në botën e së ardhmes, kjo drogë mund të zëvendësohet nga botët virtuale, arratisje nga realiteti që sot gjenden ende vetëm në fazat e tyre fillestare.
Megjithatë, Aldous Huxley, një nga pararendësit intelektualë të revolucionit hipi, sipas Antoine Buéno-s, ishte gabuar në një pikë thelbësore: Më e mira e botëve parashikonte një liri seksuale të shfrenuar.
Sipas Buéno-s, IA-ja, përkundrazi, vetëm sa do ta thellojë recesionin seksual që tashmë po vërehet te brezi i mijëvjeçarit – millennials – dhe te Gjenerata Z.















