(Fjalë e mbajtur në promovimin e librit të Hafezat Osmanit “Epika popullore shqiptare 2”, në Tetovë, më 9.9.2026)
Nga Dr.Vjollcë Berisha
Ekspeditat e organizuara hulumtuese në terren, projektet kërkimore, mjetet e regjistrimit, arkivat, fondet për botime, bashkëpunëtorët shkencorë, zyrat komode… të gjitha këto që e përbëjnë botën e zakonshme të një mbledhësi profesionist e të një hulumtuesi shkencor, kanë qenë të panjohura për punën e Hafëzat Osmanit. Ai nuk qe pjesë e kësaj bote. Nuk kishte pas vetes një institut, një ekip apo një program të organizuar kërkimor. Ishte vetëm intelektuali i vetëdijshëm për vlerën e trashëgimisë gojore, që me qindra peripeci shkonte te bartësit e këngës, i regjistronte, i ruante dhe i botonte. Bënte, me mundin dhe përkushtimin e vet, atë që duhej ta bënin institucionet, madje në një kohë kur shqiptarët e Maqedonisë nuk kishin as universitetin e tyre.
E kam njohur përmes ligjeratave të jashtëzakonshme të profesorit tim të Folklorit, Dr. Zymer Nezirit, emrit të pakapërcyshëm në studimin e eposit tonë legjendar, i cili ka bërë dhjetëra studentë ta dashurojnë trashëgiminë tonë gojore dhe i cili, sa herë që radhiste kontributin e mbledhësve të folklorit, te emrat e mëdhenj të kohës sonë, sidomos kur përmendeshin viset e Pollogut e të Kërçovës, përmendte me respekt e admirim çiftin Edibe dhe Hafëzat Osmani nga Tetova. Profesor Hafëzati shpesh merrte pjesë në orët e ushtrimeve jo vetëm për të ndarë me ne përvojën e vet si mbledhës folklori, por për të na folur e për të na bindur se sa e vlefshme, sa e jashtëzakonshme është kjo punë. Aty kam parë dashurinë që e ka shpënë në këto shtigje të vështira dhe bashkë me dashurinë kam parë vetëdijen e lartë kombëtare për të ruajtur shpirtin e popullit, ëndrrat, dëshirat, që janë isoja e historisë së secilit komb.
Vepra që po e prezantojmë sot, mjerisht, në mungesën fizike të autorit, është gjurma më e mirë e asaj vetëdije, e atij përkushtimi. Ajo që më ngazëllen nuk është titulli Epikë popullore shqiptare, por saktësimi që jepet në kllapa, ku thuhet Mbledhur në Tetovë e Gostivar. Në këto hapësira ku mbledhja dhe shënimi krijimtarisë popullore nuk është vetëm regjistrim i visarave të kombit, por është edhe akt rezistence, është dëshmi pronësie mbi token, që shpie në premisën: e kujt është kënga, i atij territori, pasi në një hapësirë ku përkatësia e tokës është bërë vazhdimisht objekt ballafaqimi, ruajtja e këngës merr përmasa të tjera. Ajo nuk dëshmon vetëm çfarë ka kënduar një popull, por edhe ku ka jetuar, ku ka krijuar dhe ku i ka rrënjët. Nga ana tjetër, ky folklor i mbledhur nga autori dhe i botuar jo vetëm në këtë vëllim, por edhe në botime të tjera të çiftit Osmani, është një dëshmi më shumë se bëhet fjalë për një pasuri që është pjesë integrale e folklorit tonë kombëtar.
Është pothuajse e pavlerësueshme tërësisht nëse format e etnodallimit dhe të etnotipizimit kanë kaluar prej historisë në këngë apo anasjelltas, por ajo që është e dukshme, ajo që mbetet, ka të bëjë me faktin se kënga popullore i ka në barkun e saj këto forma përgjithmonë. Sidomos epika.
Janë tri pika që më bëjnë veçanërisht mirënjohëse dhe krenare për ekzistimin e këtij libri:
Treva ku është mbledhur, epika si gjini (sidomos ajo legjendarja) dhe konteksti ku është ruajtur kjo pasuri.
Sa i përket trevës, përveç asaj që sapo theksuam, duhet përmendur edhe faktin se në mungesë të institucioneve adekuate, ka mbetur e paregjistruar pjesa më e madhe e pasurisë popullore, veçanërisht epika, e cila e ka mbyllur procesin e vet të krijimit që në shekullin e kaluar. Në një projekt për nivelin e ruajtjes së eposit në pesë shtetet e Ballkanit, ku kam pasur fatin të marr pjesë bashkë me autorin e këtij libri, u konstatua që, mjerisht, kënga epike në viset tona ruhej më shumë si një histori që rrëfehej në formë gojëdhëne, por edhe si tekst poezie i recituar; më rrallë me vijën e saj melodike pa shoqërim instrumenti, e edhe më rrallë e kënduar me përcjellje sharkie a çiftelie. Prandaj, mbledhja, shenjimi dhe botimi i këtij vëllimi, 27 vjet pas botimit të pjesës së parë, është tepër i mirëpritur për folkloristikën tonë. Ky vëllim është shtesa që i bëhet atyre mbi 18 000 vargjeve të regjistruara në librin e parë nga dora e Hafëzat Osmanit, e që paraqesin skedën më të rëndësishme të mbledhjes së folklorit.
Pika e dytë, sikurse përmendëm, është epika. Sidomos ajo legjendarja, tepër e rrallë dhe pothuajse në grahmat e fundit të ruajtjes së vet në këto anë, por që gjithsesi është pjesë integrale e eposit tonë kombëtar, kësaj pasurie që meriton të promovohet në programet elitare të trashëgimisë kulturore të njerëzimit.
Tradita gojore vendase vete paralel me procesin historik të formimit të popullit shqiptar, prandaj konsiderohemi nga kombet e fundit në Evropë që ende prodhojmë epikë për shkak të fatit tonë historik, për shkak të luftrave tona të fundit.
Ndonëse eposi përfaqëson një prej trashëgimive folklorike shqiptare më të hershme, studimi i tij ka filluar në fund të shekullit XIX, kur krijimi i tij thuajse është rrumbullakuar tërësisht, prandaj roli i regjistruesve të tij të herëshëm e atyre të sotëm është i pakrahasueshëm në përpjekjen për të rindërtuar mekanizmin e kodifikimit të trashëgimisë së madhe gojore.

Na lejohet të themi se në një pikëpamje koleksioni i homerologëve Perry-Lordi të gjysmës së parë të shekullit XX ka diçka të përbashkët me koleksionin e sapobotuar të Hafëzat Osmanit. Jo vetëm ngaqë edhe në to janë shënuar, regjistruar, në formë të përzier këngë epike legjendare, epikë historike, balada të ndryshme dhe një tufë këngësh lirike, por edhe për shkak se kanë shkelur në terrene të pashkelura mirë më parë. Dy mbledhësit homerikë në një shekull tjetër, në gjurmë të Evropës mesjetare, ndërsa mbledhësit tanë (Hafezati e Edibja) në luftë me harresën, me shuarjen, me atë që është dashur ta bëjnë institucionet e që për arsyet që dihen, për mungesë të tyre, nuk e kanë bërë. Sot shumë këngë të mbledhura nga Hafëzat Osmani janë variante të këngëve të kënduara në vise të tjera, përkatësisht janë hija e këngës së krijuar në një zonë tjetër, gjë për të cilat flasin edhe gjurmët gjuhësore të Veriut tonë, që s’janë tipike për zonën e Pollogut e për të cilat ka mjaft material për ndonjë gjuhëtar të zellshëm (po ilustroj vetëm me një shembull, meqë fokusi ynë sot nuk është ky. Bie fjala, te kënga “Mujo beg i Dubojt”, në faqen 55 të librit, gjendet folja kshyre, në vend të: shajfe, shejfe, çëlloje, që janë trajta të indeksit dialektor të të folmes së Pollogut). Veç kësaj shumë këngë janë shenjuar vetëm si dromca, aq sa ka mundur të kujtojë këngëtari, sidomos kur kemi të bëjmë me epikën legjendare që e konsideroj pjesën më të vlefshme të kësaj përmbledhjeje, të cilën fatkeqësisht e gjejmë shumë rrallë në fondin e Pollogut, jo vetëm për shkak të mos ruajtjes, por edhe për shkak se kënga legjendare, siç kanë kontatuar studiuesit Qemal Haxhihasani dhe Zihni Sako, lindi dhe jetoi në ambientin epik të malësisë, që kish të gjitha kushtet për lavrimin e një tradite të tillë. Ato, nuk u përhapën ndër qytete, nuk u kënduan nëpër oborre feudalësh, sikurse ka ndodhur me këngët epike legjendare të ndonjë populli tjetër.
Por ndryshe ndodh me pjesën tjetër të epikës, atë historiken, si dhe me baladat, të cilat janë krijuar dhe kanë jetuar dendur në viset e Pollogut bashkë me të gjitha llojet e lirikës.
Nga ky thesar, Hafëzat Osmani, bashkë me të shoqen, kanë regjistruar një pjesë të jashtëzakonshme që në vëllimin e parë të vitit 1999, për të vazhduar edhe më tej, me librin që po e prezantojmë sot, ku ndonëse nën titullin epikë, janë regjistruar edhe dhjetëra këngë lirike të të gjitha llojeve e që shtrihen në gjashtëdhjetë faqet e fundit të librit.

Sa i përket epikës, që zë pjesën më të madhe të librit, është shumë me interes për folkloristikën tonë. Jo vetëm për regjistrimin e saj dhe mbrojtjen nga vdirja, por edhe për zgjerimin e studimeve mbi të, për shtimin e nuancave të reja në tiparet dalluese të saj në zonën e Tetovës dhe Gostivarit.
Bie fjala, nëse nisemi nga premisa që eposi shqiptar, për dallim nga ai sllav, ishte një vepër e mbyllur në kohën e mbërritjes së faktorit Osman dhe se në të krejt konfliktet janë paraosmane, te këngët legjendare të Pollogut, shënuar në këtë vëllim ka mjaft elemente osmane, madje elemente të ndërkallura fetare muslimane, që herë-herë tingëllojnë paradoksalë, duke e llogaritur eposin shqiptar si një kategori parakombëtare, që vjen prej kohësh shumë të lashta, tek i cili mitet që përmban janë kryesisht në frymë të krishtere (Kujto këngën e faqes 68 “Në këtë Bosnë”, ku “kanë zanë qafirët Mujo begin me e rrethu” e ku lufta shndërrohet në një luftë fetare, në presionin për ndërrimin e fesë, tejet atipike për konfliktin e këngës sonë legjendare.
Kjo dukuri është mjaft e shprehur në pjesën tjetër të epikës që zë vend në këtë vëllim, sidomos te baladat e këngët e ushtrisë, e që janë dukuri të ndërkallura më vonë në këtë këngë.
Një regjistër i madh fjalësh vjen nga gjuhët orientale, madje ka një sërë shenjuesish që i veshin personazhet me përkatësi fetare myslimane, që flet për një sendërtim të mëvonshëm të kësaj pjese të epikës sonë:
Për shembull, te kënga: “Ura e shejt” thotë: Me bismilahi punën kanë fillue / Frymë e madhe ishte çue ( f.19);
Apo:
Elvihaj çka u ka thanë
Najhret nana ka shku (“Ura Shehut”, f.21)
Apo: T’kam vlla për dynja, t’kam për ajret (“Çika e vet babën e ka pa t’u ka” f.119); Dinin imanin sot me ia shpëtu, f.63; Kush o burrë, xhi fal sabahin, f.88; Se niqai im me ato, n’këtë dinjo e n’atë dinjo o lidh”… E një sërë fjalësh me: bajram, xhami, ezan, minare e përshëndetje Selam aqim, të dhëna në variantin historik të këtyre fjalëve, ashtu si kanë qenë të përhapura në popull. Dukuri këto që janë një material i jashtëzakonshëm për studime më të thella, gjuhësore, etnogrfike, folkloristike e letrare.
Kjo është edhe vlera e shtuar e vëllimeve të këtilla si Epika populloire shqiptare 2, pasi studimet mbi të kanë dëshmuar se vlera e saj nuk qëndron vetëm te tekstet që na kanë mbërritur, por edhe te mënyra se si ato janë krijuar, kënduar dhe bartur nga një brez te tjetri. Këngëtari popullor nuk është thjesht përsëritës i një teksti të trashëguar; ai është bartës dhe njëkohësisht krijues brenda traditës. Prandaj, çdo regjistrim ruan jo vetëm një këngë, por edhe një variant të saj, një zë dhe një çast të jetës së kësaj trashëgimie. Në këtë kuptim, puna e mbledhësit merr vlerë të veçantë: ajo e kthen atë që jeton në kujtesën e njerëzve në një dëshmi që mund të ruhet, të studiohet dhe t’u përcillet brezave të ardhshëm.

Por kjo trashëgimi ka jetuar për shekuj në kujtesën e njerëzve, jo në faqet e librave. Ajo është bartur nga një këngëtar te tjetri, nga një brez te tjetri, duke ndryshuar, duke marrë variante të reja, por edhe duke rrezikuar të humbasë bashkë me bartësit e saj. Prandaj, regjistrimi i një kënge nuk është thjesht ruajtje e një teksti. Është ruajtje e një zëri, e një mënyre të të kënduarit, e një varianti dhe e një dëshmie të gjallë të kulturës sonë. Pikërisht këtu merr përmasa të veçanta puna e mbledhësit: ai e nxjerr këngën nga rreziku i harresës dhe ia jep mundësinë të vazhdojë jetën edhe përtej çastit kur është kënduar.
Jeta e rëndomtë e një kënge epike është e këtillë. Rapsodët, sikurse kanë konstatuar Perry dhe Lord, varësisht prej audiencës, diçka ruajnë e diçka ndryshojnë. Shtojnë vargje ose bëjnë gabime dhe harrojnë. Dy rapsodë nuk mund të këndojnë njësoj të njëjtën këngë që e kanë dëgjuar prej një rapsodi të tretë, e as si ai vetë. Pikërisht ky tjetërsin ka mundësuar krijimin e motërzimeve të këngëve që më së shpeshti i atribuohen harresës si proces tepër i rëndësishëm në krijimin e këngës epike, me të cilën merret thellësisht edhe teoria.

Përtej të gjitha analizave, thelbi mbetet teksti i regjistruar. Një të tillë sot lexuesi ynë e ka në dorë dhe jam e bindur që do ta zërë një vend tepër të rëndësishëm në katalogun e botimeve të kësaj fushe. Ka në të këngë antologjike që do ta lakmonte çdo vëllim i përzgjedhur, siç është për shembull kënga “Ti çka kije Millosh që po qan” regjistruar në Falisht të Tetovës, në vitin 2004, e cila këngë zë vend te kalimi i ngushtë midis këngës legjendare dhe asaj historike.
Ajo që lehtësisht dallohet është mënyra se si shoqërimi i këngës me sharki e çifteli në këto treva e shthur dhjetërrokëshin tipik të këngës epike në tetërrokësh dhe kjo strukturë ruhet në të gjitha variantet e regjistruara në këtë libër, por edhe në vëllimin e parë të tij.

Libri është i pajisur me aparatin shkencor të të dhënave mbi ata që kanë kënduar, vendin nga vijnë, moshën e profesionin. Gjithashtu, me interes është fjalorthi i përpiluar në fund të librit, ku janë përfshirë dialektizma, barbarizma e fjalë të rralla të Pollogut, si dhe hartat e zonës ku janë mbledhur e shënuar materialet. Të gjitha këto ndihmesa e vendosin autorin në grupin e mbledhësve seriozë të folklorit dhe këtë libër te vlerat e mëdha të trashëgimisë sonë kulturore.
Parë në llupë studiuesi, do të sugjeroja që në një ribotim të ardhshëm, mbase në fondin e institucioneve tona relevante të hulumtimit a mësimdhënies, të angazhohet një redaksi kompetente, që teksti të rishikohet nga një dialektolog profesionist për shënimin e fjalëve me të tëra tiparet fonetike që janë shumë karakteristike për zonën e Tetovës dhe Gostivarit, si dhe një redaktor shkencor që do të shmangte ndonjë lëshim që vihet re në kategorizimin e këngëve, në përfshirjen e tyre në cikle, por që në asnjë mënyrë nuk e cënon tërësinë dhe kontributin që sjell kjo përmbledhje. Se fundja, me rëndësi është kënga e regjistruar, e shpëtuar nga harrimi, e cila paraqet lëndë të parë si për studimet multidisiplinare të mëtejshme, ashtu edhe për ndonjë vepër letrare intertekstuale, tepër të mirëpritur në fondin tonë të letrave.
Ky përurim dhe kjo fjalë imja modeste le të jetë një përshpirtje për profesorin e nderuar Hafëzat Osmanin, i cili duke qenë profesor i edukatës fizike, ka treguar me shembullin e vet jetësor se entuziazmi dhe dashuria për të mirën e përgjithshme nuk kushtëzohen nga profesioni. Atdhedashuria dhe respekti për rrënjët kultivohet gjatë tërë jetës dhe të bën t’i shërbesh përjetë.
Në këtë kuptim, vëllimi Epika popullore shqiptare 2 nuk është vetëm një përmbledhje tekstesh, por edhe një dëshmi e punës së gjatë për ta ruajtur këtë pasuri.
Profesor Hafëzati nuk e kishte institucionin pas vetes. Ai kishte diçka më shumë: vetëdijen se kjo trashëgimi duhet shpëtuar.
















