Nga Lirim Alija
Zgjodha dy kryevepra të shkruara në shekullin XIX. E para “Letra e vjedhur” e shkrimtarit amerikan Edgar Aalan Poe; dhe e dyta “Një letër e humbur” nga dramaturgu rumun Caragiale.
Dy letra, dy botë.
Një letër që del nga duart e zotëruesit të vet mjafton për të tronditur pushtetin.
Në “Letra e vjedhur” (1844) të Edgar Allan Poe-s dhe në “Një letër e humbur” (1884) të Ion Luca Caragiale, objekti është pothuajse i njëjtë, por përfundimet janë të kundërta. Poe e kthen letrën në një provë të mendjes. Caragiale e kthen në një pasqyrë të shoqërisë.
Te Poe, letra është një problem logjik. Një ministër e ka vjedhur dhe e përdor për të shantazhuar një zonjë të lartë. Policia e kërkon me mikroskop, por dështon, sepse mendon si një keqbërës i zakonshëm dhe kërkon vetëm vende të fshehta. Dypeni fiton sepse e vë veten në mendjen e kundërshtarit dhe kupton se ministri, që është poet dhe matematikan, do ta fshehë letrën duke e lënë të dukshme. Në këtë botë, inteligjenca e individit vendos çdo gjë. Mjafton një mendje më e mprehtë dhe rendi rivendoset.
Te Caragiale, letra nuk e nxit mendimin, por zbulon turpin. Nae Cațavencu, avokat dhe gazetar opozitar, gjen letrën e dashurisë që prefekti Tipătescu i ka shkruar Zoes, gruas së një politikani të respektuar, dhe e përdor për të kërkuar kandidaturën në zgjedhje. Në qytetin e vogël të komedisë nuk ka hetues dhe nuk ka nevojë për zgjuarsi. Të gjithë janë të ngatërruar në intriga, rivalitete dhe ambicie. Letra rimerret nga rastësia: humbet përsëri gjatë tubimit dhe e gjen një qytetar i dehur, që ia kthen Zoes pa e kuptuar rëndësinë.
Poe e mbyll me triumf. Ministri mposhtet, zonja çlirohet dhe logjika del fituese. Dypeni madje i lë ministrit një varg nga një tragjedi, si një hakmarrje të vogël intelektuale.
Caragiale e mbyll me ironi. Pas gjithë trazirës, të gjithë pajtohen dhe festojnë, sepse asgjë nuk ka ndryshuar. Kandidati që fiton zgjedhjet, Dandanache, e ka siguruar vendin me një shantazh të ngjashëm, me një letër tjetër. Sistemi nuk ndëshkon shantazhin, e shpërblen.
Çfarë na mëson krahasimi?
Poe beson te mendja, Caragiale te zakoni. Poe sjell një botë ku e vërteta zbulohet nga një individ i shkëlqyer. Caragiale shfaq një botë ku e vërteta nuk ka rëndësi, sepse askush nuk është mjaftueshëm i pafajshëm për ta kërkuar. Njëri na jep kënaqësinë e zgjidhjes, tjetri të qeshurën e hidhur të njohjes. Dhe të dyja e kanë të vështirë të ikin nga mendja e lexuesit, secila për arsyen e vet.















