“Iranianët mund të jenë vetëm një javë larg marrjes së materialeve industriale të përshtatshme për prodhimin e bombave, dhe kjo është vërtet e rrezikshme, dhe ne nuk mund ta lejojmë këtë.”
Kjo ishte ndër deklaratat më të spikatura të të dërguarit amerikan Steve Witkoff në një intervistë me Fox News të shtunën mbrëma, gjë që hapi sërish një sërë pyetjesh që në fakt nuk janë ndalur gjatë javëve të fundit.
I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump nuk shtoi më shumë në këtë pikë, dhe ndoshta paqartësia ishte e qëllimshme, duke mos dalë shumë jashtë kornizës së deklaratave amerikane ndaj Iranit në një klimë paralajmërimesh për luftë që po përshkallëzohen mes dy palëve.
Por Witkoff shtoi se presidenti i tij është kurioz pse Teherani nuk i thotë Uashingtonit se nuk dëshiron të prodhojë armë bërthamore? Kjo pavarësisht gjithë presionit dhe forcës detare amerikane që është grumbulluar në rajon.
I dërguari amerikan akuzoi gjithashtu Teheranin për ashpërsi në negociata, duke thënë se bindja e iranianëve mbetet e vështirë, pasi ata theksojnë natyrën paqësore të programit të tyre bërthamor, por megjithatë kanë pasuruar uraniumin më shumë sesa kërkon një program paqësor.
Disa vëzhgues e konsideruan deklaratën e Witkoff si një përforcim të preteksteve amerikane për të nisur luftë kundër Iranit, veçanërisht pasi shumë besojnë se SHBA-ja nuk do të kishte dërguar gjithë këto forca në Lindjen e Mesme nëse nuk do të kishte ndërmend ta godiste Iranin.
Përzierje kërcënimi dhe negociate
Në çdo rast, deklarata është në përputhje me qëndrimin e përgjithshëm të Uashingtonit, i cili ndërthur bisedat për negociata dhe përparim pozitiv me paralajmërime dhe kërcënime të shumta.
Paralajmërimi më i fundit erdhi nga ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, i cili të dielën tha se lufta mund të jetë gjuha e vetme që e kupton Irani.
Por Huckabee mbeti në të njëjtën linjë: kërcënim paralelisht me përpjekjen për ta shtyrë Iranin të kuptojë se ajo që Uashingtoni i ofron përmes negociatave mund të imponohet përmes forcës ushtarake.
Ambasadori amerikan në Izrael – dhe kjo ka ndoshta një domethënie të rëndësishme – tha se Irani duhet ta marrë seriozisht presidentin Trump, qoftë në kuadër të negociatave apo në kontekstin e përdorimit të forcës, duke specifikuar se Trump kërkon heqjen dorë nga ambiciet bërthamore, ndalimin e pasurimit të uraniumit dhe ndalimin e ndërtimit të arsenalit të madh të raketave balistike jo-mbrojtëse.
Huckabee përfundoi duke thënë se kjo përfaqëson një dalje diplomatike: “Nëse iranianët bëjnë atë që u kërkohet, ndoshta atëherë mund të arrijmë një marrëveshje. Por nëse Irani refuzon këto kërkesa, gjithçka është në tryezë.”
Ai theksoi gjithashtu: “Shikoni numrin e aseteve ushtarake që janë transferuar në rajon, numri më i madh në një vend që nga viti 2003.”
Trump tha të enjten e kaluar se Irani ka maksimumi 15 ditë për të arritur një marrëveshje mbi shqetësimet lidhur me programin e tij bërthamor.
Ndërkohë, përgatitjet vazhdojnë për një raund të tretë bisedimesh mes Iranit dhe SHBA-së në Gjenevë, sipas ministrit të Jashtëm të Omanit, Badr al-Busaidi, vendi i të cilit ndërmjetëson mes palëve.
Si reagoi Irani?
Nga ana e tij, Irani ka mbetur besnik ndaj qasjes së tij që kombinon theksimin e opsionit të negociatave dhe gatishmërinë për përparim, me përgjigje ndaj kërcënimeve amerikane duke treguar moskokëçarje dhe gatishmëri për reagim.
Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi tha se vendi i tij ka të drejtën të mbrojë veten dhe shtoi: “Nëse SHBA na sulmon, kjo do të jetë një akt agresioni, dhe ajo që ne do të bëjmë si përgjigje do të jetë vetëmbrojtje.”
Ai theksoi se çdo përgjigje do të jetë “e justifikuar dhe legjitime. Raketat tona nuk arrijnë territorin amerikan, kështu që natyrisht duhet të bëjmë diçka tjetër. Duhet të godasim – siç e dini – bazën amerikane në rajon.”
Araghchi foli gjithashtu për negociatat, duke thënë se një marrëveshje me Uashingtonin është e mundur dhe disa aspekte mund të jenë më të mira se marrëveshja e vitit 2015.
Ai tha për CBS se bisedimet aktuale trajtojnë vetëm çështjen bërthamore dhe se Irani ka të drejtë të pasurojë uraniumin. Sipas tij, diplomacia është zgjidhja e vetme dhe grumbullimi ushtarak amerikan nuk e frikëson Teheranin.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian përdori gjuhë të ngjashme, duke thënë se negociatat e fundit prodhuan propozime praktike dhe sinjale inkurajuese, por shtoi se vendi ka marrë të gjitha përgatitjet për çdo skenar të mundshëm.
Çfarë synon Trump nga një goditje e mundshme?
Sipas Agjencisë Franceze të Lajmeve (AFP), Trump nuk ka sqaruar qartë objektivin afatgjatë të një operacioni të tillë.
Në mungesë të një debati serioz brenda institucioneve amerikane, mbeten pikëpyetje për natyrën dhe qëllimin e ndërhyrjes: goditje ndaj Gardës Revolucionare? ndaj arsenalit raketor siç dëshiron Izraeli? apo rrëzimi i regjimit dhe kthimi para revolucionit të vitit 1979?
Sipas Axios, disa plane ushtarake i janë paraqitur Trumpit, përfshirë mundësinë e shënjestrimit të liderit suprem Ali Khamenei.
Ekspertët sugjerojnë se Trump mund të synojë një “konflikt të kufizuar që riformëson balancën e forcave pa e zhytur Uashingtonin në një moçal”, përmes një fushate të shkurtër me ndikim të lartë që do të paralizonte infrastrukturën balistike iraniane dhe do të dobësonte kapacitetin e saj të parandalimit.
Mjetet dhe qëllimet
AFP thotë se ushtria amerikane aktualisht ka 13 anije luftarake në rajon, përfshirë aeroplanmbajtësen “USS Abraham Lincoln”, së bashku me nëntë shkatërrues dhe tre fregata. Drejt rajonit po shkon edhe aeroplanmbajtësja më e madhe në botë “USS Gerald Ford”.
SHBA ka dërguar gjithashtu flotë ajrore me avionë luftarakë, transportues dhe cisterna furnizimi, si dhe ka dhjetëra mijëra trupa në baza në rajon – objektiva të mundshëm për Iranin në rast kundërpërgjigjeje.
Sa për qëllimet, ekspertët theksojnë se askush nuk e di se çfarë ndikimi do të kishte një konflikt mbi mbijetesën e regjimit iranian; lufta mund ta dobësojë, por edhe ta forcojë atë.
Vendet e rajonit kanë paralajmëruar se një ndërhyrje ushtarake kundër Iranit mund të destabilizojë rajonin, ndërsa ekspertët thonë se një goditje që synon “prerjen e kokës së regjimit” mund të përfundojë me kaos dhe humbje kontrolli.
Kërcënimet vazhdojnë, negociatat po ashtu, dhe bota duket se mbetet në një gjendje tensioni të vazhdueshëm, duke ndjekur paralelisht bisedimet dhe grumbullimin ushtarak, pa arritur në siguri se çfarë mund të ndodhë më pas. Burimi: Al Jazeera/Përshtati në shqip Tetova News















