Arsimi fetar si pararendës i arsimit laik në Derven
dhe figura emblematike e Mehmet E. Grupçinit
Kur e kemi parasysh tkurrjen e temës në periudhën (1931-2000/01), nuk do të thotë se edhe para kësaj periudhe, në Zonën e Dervenit nuk ka pasur përpjekje me primesa arsimore e edukative. Kjo nuk e përjashton mundësinë e ekzistimit të këtyre përpjekjeve që i përmendëm.
Në këtë procesuim, patjetër të përmendim një personalitet mjaft indikativ dhe të shquar të edukimit në këtë anë, sidomos të arsimit fetar e që do të mbajë në vazhdimësi hallkën e zhvillimeve të mëtutjeshme arsimore, gjithnjë të ndërlidhur me zhvillimet historiko – shoqërore.
Është ky Mehmet Efendi Grupçini – pararendës i arsimit të mëvonshëm laik në Derven.
“Një figurë tepër të rëndësishme për arsimin fetar në Grupçin e në Derven në përgjithësi, konsiderohet Mehmet Efendi Grupçini.
Është themelues i Teqesë së radhës së dervishëve të sektit rifai (rufai), i themeluar nga Sejid Ahmed al Rufai (lindur më 1117 dhe vdes më 1183 në Um Abida- Basra, Irak), ku shndërrohet edhe në qendër pelegrinazhi për rifaitë. Këtu nuk do të pretendojmë të shpjegojmë mësimet filozofike dhe mistike të sektit në fjalë, por duam të flasim për ndikimin e këtij rendi në viset shqiptare të Maqedonisë. Nga shumë dokumente të ndryshme konstatohet se një Teqe për praktikimin e këtij rendi dervishësh (që nga evropianët quheshin assasin-vrasës), themelohet edhe në Shkup më 1818 (që ka qenë afër xhamisë Jahja Pasha). Ndjekës të këtij sekti apo rendi, kanë qenë kryesisht zanatçinjtë dhe shtresa e varfër e qytetit, kurse numër më të vogël kishte edhe nga zanatçinjtë që kalonin në islam. Themelues i Teqesë në Shkup ka qenë MEHMET EFENDI GRUPÇINI – TETOVALIA, i cili, që si i vogël ka treguar përkushtim ndaj dijes dhe mësimit dhe për këtë qëllim, babai i tij e mori në medrese për ta mësuar. Pas mbarimit të studimeve në Stamboll, kthehet në Shkup për të filluar veprimtarinë si nëpunës financiar me ç’rast mori titullin “hazinedar”. Në këtë kohë, vjen në Shkup arabi Sejd Haxhi Hatifi, i cili ishte rifai dhe Mehmedi u njoftua me të, por edhe me doktrinën e tij filozofike, e me këtë u bë edhe dervish.
Kur mori diplomën e shehut ose “sheh”, e braktis shërbimin ku punonte, bleu një shtëpi dhe e shndërroi në Teqe, kurse më 1818 e fali tërë pasurinë e tij (dy dyqane lëkure dhe kovacane) në shërbim të Teqesë dhe shkoi në “haxhillëk” në Basra, përkatësisht tek varri i Sejd Ahmed al Rufai (ut) në fshatin Um Abida (për të cilin përmendëm më lartë). Pak kohë pasi kthehet nga pelegrinazhi, vdes më 1822 dhe pas vdekjes për sheh të Teqesë Rifai, në vend të tij emërohet Haxhi Baba, i cili në të njëjtën kohë ishte edhe “qeha” i pasur nga esnafet e çarshisë së Shkupit.”
Marrë nga libri: ARSIMI DHE EDUKIMI NË GRUPÇIN E RRETHINË NË PERIUDHËN 1931-2000 nga Mr. Sc. Mehdi Memedi
















