Ballina Bota “Gënjen siç merr frymë”: Alice Weidel, “princesha e akullit” e AfD-së, e...

“Gënjen siç merr frymë”: Alice Weidel, “princesha e akullit” e AfD-së, e zënë në kurthin e radikalizimit të saj

“Princesha e akullit”. Alice Weidel e di se e quajnë kështu për shkak të karakterit të saj. E ftohtë, e prerë, autoritare, madje dominuese, udhëheqësja e ekstremit të djathtë gjerman ka mirësjelljen e një gardianeje burgu.

“Retorika e saj po bëhet gjithnjë e më agresive, por u pëlqen zgjedhësve”, vëren Wolfgang Muno, politolog në Universitetin e Rostockut.

Nuk është rastësi që kjo “princeshë e akullit” u shfaq, tri ditë pas triumfit të partisë së saj në Saksoni-Anhalt, më 6 shtator, e veshur me xhaketë dhe këmishë të bardhë, në ambientet e Bundestagut, parlamentit federal gjerman.

E dehur nga suksesi, me sy të zemëruar dhe me gishtin e ngritur si një mësuese përballë nxënësve të saj, ajo shijoi secilin prej sulmeve kundër objektivit të saj kryesor: Friedrich Merzit.

Fjalitë i shqiptonte me një ngadalësi të kalkuluar, sikur të donte ta torturonte edhe më shumë kancelarin e dëshpëruar në bankën e qeverisë:

“Zoti Merz, qytetarët nuk ju kanë ndëshkuar vetëm ju, ata e kanë bërë copë-copë partinë tuaj! CDU-ja nuk do të fitojë më kurrë zgjedhje!”, bërtiti ajo, përpara se të shtonte:

“Zgjedhësit do të na japin çelësat e pushtetit. Dhe ne do t’i marrim!”

Publicitet

Më pas ajo u kthye drejt bankave të Partisë Socialdemokrate, SPD, ku disa deputetë po protestonin me forcë kundër sulmeve të saj të ashpra islamofobe.

“Mund të talleni. Por zgjedhësit tuaj, zonja dhe zotërinj të Partisë së vjetër Socialdemokrate, tashmë janë zgjedhësit TANË!”

Në moshën 47-vjeçare, bashkëkryetarja e Alternativës për Gjermaninë, AfD, nuk është ndier kurrë kaq e fuqishme, e bindur për fitoret e ardhshme të partisë së saj në Berlin dhe në Mecklenburg, më 20 shtator.

“Ajo e ka qartazi synimin të bëhet kancelare”, këmbëngul Wolfgang Muno.

Pesë vjet më parë, “ekspertët” e përcaktonin potencialin elektoral të AfD-së nën 20 për qind. Sondazhet më të fundit e vendosin partinë pranë 30 për qind, pra pothuajse dhjetë pikë përpara CDU-së.

Alice Weidel tashmë është në pozitë që të synojë Kancelarinë. Nëse jo në vitin 2029, atëherë në vitin 2033… një shekull pas ardhjes së nazistëve në pushtet.

Divorci me RN-në

Fushata e Ulrich Siegmundit, kandidatit kryesor në Saksoni-Anhalt, e ka bindur edhe më shumë Weidelin për strategjinë e radikalizimit.

E djathta ekstreme gjermane e ka braktisur idenë e “çdemonizimit”, një strategji e ndjekur nga homologët e saj francezë ose italianë.

“Profesionalizimi i AfD-së nuk do të thotë në asnjë mënyrë deradikalizim”, konfirmon Oliver Kirchner, nënkryetar i grupit parlamentar në Saksoni-Anhalt.

Kjo kthesë radikale e kishte shtyrë Tubimin Kombëtar francez, RN, të distancohej nga AfD-ja, pasi një kandidat i kësaj partie për zgjedhjet evropiane deklaroi se anëtarët e SS-së “nuk ishin të gjithë kriminelë”.

E pyetur nga L’Express më 4 korrik, kur po merrte pjesë në kongresin e madh të partisë në Erfurt të Turingisë, ndërsa 30.000 demonstrues brohorisnin “Alerta antifascista” në rrugë, Alice Weidel, e kënaqur që po i jepte një gazetari francez versionin e saj për divorcin RN-AfD, nuk i kurseu fjalët:

“RN-ja e instrumentalizoi këtë prishje për të përfituar nga ndjenja antigjermane që po rishfaqet në shoqërinë franceze”, tha ajo me ton të prerë dhe me vështrim të ashpër, përpara se të largohej mes truprojave të saj.

Megjithatë, Alice Weidel kishte profilin që mund ta afronte me RN-në. A nuk kishte qenë ajo fillimisht në favor të “çdemonizimit” të AfD-së, me qëllim tërheqjen e votave nga qendra e spektrit politik?

Kur AfD-ja, e themeluar në vitin 2013 nga disa profesorë universitarë euroskeptikë, u dominua nga radikalët, Weidel nisi madje në vitin 2017 një procedurë për përjashtimin e figurës me prirje fashiste të partisë, Björn Höcke, me synimin për t’i dhënë fund “Flügel”-it të tij, krahut radikal ku kishin depërtuar ish-neonazistë.

Por procedura dështoi, si edhe të gjitha përpjekjet e tjera për ta zhvendosur partinë drejt qendrës, të organizuara nga paraardhësit e Weidelit.

“Ajo atëherë e kuptoi se nuk mund të qëndronte në pushtet pa ta. Prandaj, në fund, ajo arriti një pakt mossulmimi me Björn Höcken, duke ngritur një rrjet të fuqishëm mes elementëve më radikalë të partisë. Pa këtë, sot nuk do të ishte aty ku është”, shpjegon Wolfgang Muno, politologu nga Rostocku.

Profil shumë autoritar

Në vitin 2018, ajo u bë e njohur për publikun e gjerë me një fjalim që skandalizoi Bundestagun, por që njëkohësisht e bëri atë popullore.

“Këta burra me thika dhe këto vajza me shami nuk do të jenë në gjendje të garantojnë mirëqenien tonë”, deklaroi ajo, duke denoncuar “politikën e mikpritjes” së Angela Merkelit, përpara një Bundestagu të tronditur.

Në kongresin e Halle-s, në janar 2025, ajo kaloi përfundimisht në kampin e etnonacionalistëve, duke përdorur një term që deri atëherë kishte qenë tabu:

“Nëse dëbimet duhet t’i quajmë ‘remigrim’, atëherë le t’i quajmë remigrim!”, deklaroi ajo mes brohoritjeve të sallës.

Megjithatë, fitorja në Saksoni-Anhalt mund të jetë një armë me dy tehe.

Nga njëra anë, ajo forcon autoritetin e Weidelit brenda partisë. Nga ana tjetër, nxjerr edhe më shumë në pah profilin e saj tepër autoritar.

Kjo është krejtësisht e kundërta e fituesit të Saksoni-Anhaltit, Ulrich Siegmundit, një i ri i ngrohtë, i cili zhvilloi një fushatë në terren, pranë njerëzve, duke e bërë buzëqeshjen thuajse programin e tij elektoral.

“Weidel është e ftohtë, arrogante dhe i mungon autenticiteti”, vlerëson Hans Vorländer, politolog në Universitetin e Dresdenit.

“Ajo nuk heziton të godasë dhe të përballet. Njerëzit përpiqen të mos përplasen me të”, shpjegon Wolfgang Schröder, politolog në Universitetin e Kasselit dhe vëzhgues i AfD-së prej shumë vitesh.

Shokët e saj të studimeve dhe ish-kolegët e punës e përshkruajnë si një “vrasëse”, të gatshme të shkelë mbi të tjerët për të arritur qëllimet e veta.

“Dhe ajo gënjen siç merr frymë”, shton Wolfgang Schröder.

Ndryshe nga Siegmundi, i cili u rrit në një familje gjermano-lindore, Weidel është një produkt i pastër i Gjermanisë Perëndimore.

E lindur në vitin 1979 në Gütersloh, ajo u rrit në një shoqëri konsumi dhe në një mjedis borgjez, të simbolizuar nga gjerdani me perla që mban vazhdimisht rreth qafës.

Familja e babait të saj, i lindur në vitin 1939, ishte me origjinë nga Silezia e Epërme, sot pjesë e Polonisë, prej nga u dëbua pas humbjes së Gjermanisë në vitin 1945.

Gjyshi i saj nga babai ishte anëtar i Partisë Naziste dhe i SS-së. Ajo thotë se nuk e ka njohur kurrë.

Një jetë plot kundërthënie

Weidel është paraqitur gjithmonë si një grua biznesi liberale, me një prirje ideologjike thatcheriste.

Por përvoja e saj në botën e financave ndërkombëtare është e shkurtër dhe biografia e saj mbetet e paqartë.

Dihet se doktoratura e saj kishte të bënte me sistemin e pensioneve në Kinë, ku ajo kaloi pesë vjet, pasi kishte qëndruar një vit në Japoni.

Ajo ka punuar si analiste në bankën e investimeve Goldman Sachs, në menaxhimin e pasurive te Allianz dhe për startup-in berlinoz Rocket Internet, që ishte edhe stacioni i fundit i karrierës së saj profesionale.

“Si grua biznesi, ajo nuk ka lënë asnjë gjurmë. Nuk ka mbajtur kurrë poste të rëndësishme”, përmbledh Wolfgang Schröder.

Jeta e saj personale bie në kundërshtim me botëkuptimin që mbron partia e saj.

Grua – diçka relativisht e rrallë në AfD –, kozmopolite dhe homoseksuale, ajo jeton në Zvicër me partneren e saj me origjinë nga Sri Lanka, nënë e dy djemve të tyre.

Pavarësisht kësaj, ajo mbron modelin tradicional të familjes të promovuar nga AfD-ja, një parti që kundërshton martesën mes personave të së njëjtës gjini.

“Unë nuk jam queer”, përgjigjet ajo, për të justifikuar qëndrimet homofobe të partisë së saj.

“Ajo është zënë në kurthin e radikalizimit të vet”, vëren Hans Vorländer.

“Ka aq shumë kundërthënie në personalitetin e saj, saqë diskursi i saj nuk duket autentik. Profili i saj nuk përputhet me imazhin që militantët dhe drejtuesit e partisë kanë për një presidente.”

“Ajo ka një anë Dr. Jekyll dhe Mr. Hyde”, shton Wolfgang Schröder, i cili kujton se Weidel nuk tërhiqet përpara asnjë absurditeti për të arritur qëllimet e saj.

“Unë nuk tërhiqem nga kjo: Hitleri ishte i majtë”, kishte deklaruar ajo në një intervistë në janar 2025 me amerikanin Elon Musk, i cili e mbështet atë.

Zgjedhësit po e ndjekin në kthesën e saj trumpiste:

“Alice für Deutschland” – “Alice për Gjermaninë” – brohorasin ata, duke iu referuar sloganit të vjetër nacionalist “Alles für Deutschland” – “Gjithçka për Gjermaninë” –, i cili një shekull më parë ishte gjithashtu motoja e SA-së, organizatës paramilitare naziste./L’Express.fr