Numri i njerëzve me sëmundje mendore pothuajse është dyfishuar gjatë 30 viteve të fundit, sipas një studimi të ri. Gratë dhe të rinjtë janë veçanërisht të prekur, ndërsa dy diagnoza dallohen dukshëm.
Në mbarë botën, gati 1,2 miliardë njerëz jetojnë me një sëmundje mendore – pothuajse dy herë më shumë krahasuar me vitin 1990. Kjo tregohet në një studim të ri të publikuar në revistën shkencore “Lancet”. Sipas studimit, për shkak të rritjes drastike, sëmundjet mendore janë bërë tashmë shkaku më i zakonshëm i dëmtimeve shëndetësore, duke tejkaluar sëmundjet kardiovaskulare, kancerin dhe sëmundjet e sistemit muskuloskeletor.
Shkencëtarë nga Instituti për Matjen dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME) dhe Universiteti i Queensland analizuan sa shpesh shfaqen sëmundjet mendore dhe sa e rëndë është barra që ato shkaktojnë. Të dhënat u analizuan sipas gjinisë, në 25 grupe moshash, 21 rajone dhe 204 vende e territore për periudhën 1990–2023 – analiza më e gjerë e këtij lloji deri më sot, sipas studiuesve.
Rezultati: gratë janë të prekura në mënyrë disproporcionale, po ashtu edhe të rinjtë e moshës 15 deri në 19 vjeç. Rritja më e fundit e rasteve lidhet veçanërisht me shtimin e çrregullimeve të ankthit dhe depresionit të rëndë.
Pavarësisht moshës, që nga viti 2019 është regjistruar një rritje prej 24 për qind e depresionit, ndërsa çrregullimet e ankthit janë rritur me 47 për qind. Sipas studimit, pas pandemisë së Covid-19, të dyja këto sëmundje kanë arritur nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë.
Në të gjithë botën, barra e sëmundjeve mendore është rritur, por mënyra se si shfaqet ndryshon ndjeshëm sipas rajonit dhe nivelit të zhvillimit. Rajonet me të ardhura të larta, si Australia dhe Evropa Perëndimore, regjistrojnë disa nga normat më të larta të barrës psikologjike. Megjithatë, shumë vende me të ardhura të ulëta nuk janë përfshirë në mënyrë të barabartë në studim.
Jo as trajtim minimal i mjaftueshëm
Edhe niveli i trajtimit ndryshon shumë nga një vend në tjetrin. Analizat tregojnë se globalisht vetëm rreth 9 për qind e njerëzve me depresion të rëndë marrin një trajtim minimalisht të përshtatshëm. Në 90 vende, kjo shifër është më pak se 5 për qind.
Vetëm disa vende me të ardhura të larta, përfshirë Australinë, Kanadanë dhe Holandën, kanë mbulim trajtimi mbi 30 për qind.
Psikologia Elisabet Domínguez, e cila nuk ishte pjesë e studimit, tha se asnjë sëmundje tjetër nuk kufizon jetën e përditshme të kaq shumë njerëzve në botë.
“Të dhënat janë një alarm i qartë për qeveritë që të reagojnë me masa të hershme parandaluese, me kujdes të përshtatur për të rinjtë dhe gratë, si dhe me investime reale dhe të koordinuara në shëndetin mendor”, deklaroi ajo.
Edhe psikologu Jorge Aguado theksoi rëndësinë e studimit, por paralajmëroi për kufizimet e tij. Sipas tij, rritja e vërejtur mund të lidhet me faktorë të ndryshëm, si ndryshimet demografike, përmirësimi i diagnostikimit apo efektet e pandemisë.
“Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se ka pasur rritje reale të numrit të rasteve”, tha ai.















