Ballina Aktualitet INTERVISTA E PLOTË/Hashim Thaçi nga Haga: Unë mund të tretem në burg,...

INTERVISTA E PLOTË/Hashim Thaçi nga Haga: Unë mund të tretem në burg, por Kosova do të ketë progres

Emisioni “Opinion” në Tv Klan këtë të hënë solli një intervistë ekskluzive me ish-kreun e UÇK-së, Hashim Thaçi, një nga figurat më të njohura politike të Kosovës. Thaçi ka qenë një ndër drejtuesit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998–1999 dhe më pas ka mbajtur poste të rëndësishme shtetërore, përfshirë atë të kryeministrit dhe presidentit të Kosovës. Aktualisht, ai ndodhet në paraburgim në Hagë, ku po përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të ngritura nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Akuzat lidhen me ngjarje të supozuara gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Thaçi i ka mohuar vazhdimisht këto akuza dhe është deklaruar i pafajshëm. Intervista pritet të trajtojë zhvillimet më të fundit rreth çështjes së tij, si dhe të hedhë dritë mbi qëndrimet dhe perspektivën e tij përballë procesit gjyqësor.

Transkripti i plotë i intervistës

Mirëmbrëma të nderuar teleshikues, ju flas nga studio e emisionit Opinion, si çdo të hënë, të martë, të mërkurë në orën 22:00 dhe të enjten në orën 21:00, ashtu siç ju njoftova ditën e enjte, ashtu siç ju kam njoftuar edhe përmes rrjeteve sociale, pak ditë më parë, rreth pesë ditë më parë, në adresën e emisionit Opinion mbriti ky zarf i dërguar nga Gjykata e Speciale, nga Dhomat Speciale të Kosovës. Është një intervistë me Hashim Thaçin, ish-kryeministrin e Kosovës, ish-presidentin e Kosovës, ish-lexuesin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, ish-firmëtarin e marrëveshjes së Rambujesë dhe ish-kryesuesin e delegacionit shqiptar në Rambuje.

Hashim Thaçi ndodhet në izolim që prej vitit 2020, që prej vjeshtës së vitit 2020, fillimit të nëntorit të vitit 2020 në Hagë, duke u gjykuar së bashku me tre bashkëluftëtarë dhe drejtues të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin – për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera të kryera nga UÇK-ja. Asnjëri prej të katër protagonistëve nuk akuzohet për krime personale, ata akuzohen vetëm për linjën e komandimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Disa muaj më parë, rreth gjashtë muaj më parë, i kemi dërguar Hashim Thaçit pyetjet për një intervistë që u pranua nga ai, por deshën më shumë se sa gjashtë muaj që pyetjet të merrnin përgjigje, mbasi shumë, shumë vështirësish me strukturat që mbajnë në izolim Hashim Thaçin. Ndoshta çdo intervistë me çdo njeri në glob, përfshirë dhe njerëzit më të kërkuar të globit, do kishte qenë më e lehtë se kjo intervistë me njeriun i cili ka lënë shenjë të fortë në historinë e Kosovës.

Intervista mbërriti, ajo është me shkrim, është një intervistë e gjatë që në respekt të impenjimit të Hashim Thaçit ne vendosëm të mos e prekim fare. Janë larguar vetëm dy pyetje të cilat për arsye të kohës kur është dërguar intervista – pra ne kemi çuar pyetje diku rreth muajit nëntor të vitit të kaluar, janë dashur gjashtë muaj që intervista të vijë, kanë dalë nga konteksti – pyetja që lidhet me zgjedhjet e shkurtit të vitit të kaluar dhe ajo me zgjedhjen e presidentit në Kosovë, vetëm këto dy pyetje janë hequr. Gjithçka tjetër është ashtu si Hashim Thaçi ka shkruajtur. Intervista është me shkrim, nuk është lejuar që intervista të jetë as me telefon, pra që ai të flasë me zërin e tij, padyshim me kamera, jo, jo.

Hashim Thaçi është një prej njerëzve më të rëndësishëm të historisë politike të Kosovës, është njëri prej atyre njerëzve që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e Kosovës. Unë e njoh që prej vitit 1999, ai doli në qendër të vëmendjes në fund të vitit 1998 kur u identifikua si drejtues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në janar të vitit 1999 ai erdhi në qendër të vëmendjes të gjithë mediave botërore, por edhe të mediave të Kosovës që deri atëherë kishin njohje të përcipët të tij, kur u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Rambuje në bisedimet me Serbinë. Më pas ai u bë një prej drejtuesve të rëndësishëm politik të Kosovës, u rikthye si firmëtar i marrëveshjes së Rambujesë së bashku me Ibrahim Rugovën, Rexhep Qosen dhe Veton Surohin dhe së bashku me delegacionet, po këta të katër firmëtarë, dhe më pas mori pjesë në luftën e Kosovës në vitin 1999. Në atë kohë u zgjodh kryeministër i qeverisë së përkohshme të Kosovës, një qeveri në fakt që nuk e ushtroi funksionin e saj pothuajse asnjë moment, ndërsa u bë partner dhe takoi personalitetet më të rëndësishme të globit në 80 ca ditët e luftës së Kosovës.

Menjëherë mbasi lufta ai krijoi Partinë Demokratike të Kosovës, duke u zgjedhur kryetar i saj dhe këtë parti e drejtoi për një kohë të gjatë në opozitë dhe më pas si kryeministër për thuajse tetë vite, si president për pesë vite (më pak se pesë vite) dhe si zëvendëskryeministër. Hashim Thaçi, përveç firmës së Rambujesë, është njëkohësisht njeriu që thirri, pra kërkoi thirrjen e mbledhjes së Kuvendit të Kosovës për Pavarësinë e Kosovës dhe lexoi deklaratën e pavarësisë së Kosovës. Ai ka skalitur emrin e tij në historinë e vendit të tij, ka skalitur emrin e tij dhe në historinë e të gjithë shqiptarëve.

Unë jam dëshmitar i historisë së Kosovës në këto 35-40 vite, duke përfshirë dhe periudhën e studimeve, izolimin e madh deri tek një Kosovë e lirë, një Kosovë ku secili është zot i vetes së tij. Por Kosova e sotme nuk ka qenë kjo vite më parë, atëherë kur një grup të rinjsh që nuk donin të kishin fatin e prindërve të tyre vendosën të kontestojnë regjimin e Milosheviçit, duke rrezikuar jetën e tyre për një Kosovë të lirë. Ata vendosën më mirë të binin dëshmorë sesa të jetonin në një shoqëri represive, raciste dhe me krime kundër, pra me spastrim etnik.

Në vitin 2020, Hashim Thaçi u dërgua në Hagë. Ai ndoqi një proces të gjatë pa pasur madje asnjë akuzë. Së fundmi gjyqi i tij është mbyllur dhe brenda pak ditësh pritet që të jetë vendimi përfundimtar për të. Unë uroj me gjithë shpirt që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të jenë, të kthehen të lirë në Kosovë. UÇK-ja është ndoshta një prej strukturave më krenare për shqiptarët dhe lufta e saj është një prej luftërave më mbresëlënëse, më heroike dhe më të drejta jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të historisë së globit. Ndaj unë do t’ja dedikoj Hashim Thaçit me urimin që ai të jetë i lirë këtë mbrëmje, duke nisur që këtë moment me pyetjet e tij.

Pyetjet i janë hartuar, pra janë bërë prej meje, ndërsa përgjigjet i ka lexuar Reis Cicho. Reis Çiço, të cilin e pyeta pak minuta më parë, më tha që ishte i impresionuar edhe i përlodhur nga intervista e Hashim Thaçit. Nuk i kam prekur pyetjet, i kam lënë aq të gjata sa ka shkruajtur. Shumë prej tyre janë reflektime të një njeriu që prej gjashtë vitesh mbahet i izoluar për një krim që nuk e ka kryer kurrë.

Po e filloj me të. Nuk kam asnjë mundësi t’i drejtohem ballë për ballë, pra duke parë në sy, por po i drejtohem nga fotoja e gjykatës.

Zoti Thaçi, kanë kaluar pesë vite nga ndalimi dhe transferimi juaj në Hagë, si po shkon procesi?

Në izolim po kaloj vitin e gjashtë, pa vendim gjyqësor. Siç theksoi së fundmi eksperti politik amerikan Daniel Server, ky proces ka devijuar nga misioni. Duhet të ofrohet drejtësi e jo hakmarrje bazuar në mashtrim. Nga ana ime, nuk kam çka t’i shtoj këtij konstatimi.

Cilat janë vërejtjet që keni në lidhje me zhvillimet e procesit?

Të ishte transparent, llogaridhënës me mekanizëm kujdestarie, të respektohej barazia e palëve, të drejtat e njeriut e mbi të gjitha legjislacioni i Kosovës, mbi bazën e së cilit është themeluar kjo gjykatë. Ndjekja penale të respektonte parimet themelore të kodit të etikës, që të ndiqej e vërteta kudo që të çon ajo, duke përfshirë edhe dëshmitë shfajësuese.

A besoni në pafajësinë tuaj, sidomos pasi u njohet me paraqitjen e dëshmitarëve të akuzës?

Plotësisht. Historia e lirisë së Kosovës prej fillimeve 1980 deri sot është thelbi i këtij procesi. Unë jam vetëm instrument në këtë eksperiment juridik. Nxjerrja e aktgjykimit është në duart e gjykatësve, por unë kam besim që pas dëgjimit të dëshmitarëve të prokurorisë e në veçanti atyre të mbrojtjes, të profilit dhe kredibilitetit më të lartë ndërkombëtar, ata do të nxjerrin vendim të drejtë dhe meritor. Shumëçka lidhur me legjitimitetin e së drejtës penale ndërkombëtare varet nga rezultati i këtij procesi.

Si është dita juaj në izolim prej gjashtë vitesh?

Aktualisht më është mbyllur goja për të folur dhe më janë lidhur duart për të shkruar atë që më do zemra, e thotë plotësisht mendja. Në këtë vështrim, Blendi, do të mundohem të bëj më të mirën për rrethanat ku gjendem.

Serbia u mor e merret kohë të gjatë me mua, më dënoi në mungesë me shumë vite burg. Në mënyrë të vazhdueshme 1993-1997, bastisi shtëpinë, keqtrajtoi dhe arrestoi babanë, nënën, motrën dhe vëllezërit në shenjë hakmarrje, ekzekutoi dhe vëllanë e Lumes Hakiun në masakrën e fshatit Studime të Vushtrisë, maj 1999.

Në qershor 1999, lufta përfundoi, takova botën e shqiptarëve të mbijetuar. Sot faji im i vetëm është pse jam gjallë. Nuk i takoj kategorisë së njerëzve që thonë se burgu është për burra – kjo shprehje më duket bezdisëse. Nuk jam altruist as asket. E kam bërë jetën, nuk jam fshehur prej saj, e kam ndjekur ritmin e maratonës. Rruga ime nuk ishte as fat e as rastësi. Është qëllim që buron nga thellësia e botës sime, është e prekshme dhe transparente. Qysh herët e kisha vendosur gjithë qenien time në funksion të idesë së lirisë.

Vetmia natyrshëm më jep zbrazëti dhe më ofron kotësi. Mundohem t’i jap shpirt ambientit në qeli. 24 orët e ditës dhe 365 ditët e vitit janë të njëjta, humb kuptimi kalendarik i jetës. Ditënetët sikur kalojnë pa data.

Kam reflektuar për Kosovën, për Shqipërinë dhe shqiptarët, për sjelljen e botës në fillim dhe në fund të shekullit të 20-të në raport me ne. Jo rrallë harrojmë sa të plandosur dhe të nëpërkëmbur kemi qenë, jo rrallë të trajtuar edhe si mbetje otomane, ndërsa sot sa lart jemi në ngritje dhe proces konsolidimi si komb me mendim dhe status perëndimor.

Liria dhe burgu nuk ngjiten kurrë. Nuk i ndan vetëm muri fizik, por emocioni, të menduarit dhe mënyra se si e sheh, ndjen dhe jeton botën. Izolimi është zgavër, me mungesë horizontesh dhe ashensori. Të kalon mendtë fizikisht e besa edhe mund të verbojë – jo për nga niveli i dioptrisë, por i ngatërrimit apo mënyrës se si i sheh gjërat. Koha dhe distanca e bëjnë të vetën te çdo njeri, sado rezistent që të jetë.

Por falë Zotit edhe vetë kujdesit, ende jam mirë. Për gati gjashtë vite nuk kam pasur grip, ethe, temperaturë e as ftohjen më të vogël – përjashto COVID-19. Ndjehem i bekuar që kam ecur luginave e shpateve, kam shkelur lartësitë dhe të poshtëzat e bjeshkëve tona. Në etapat më të mira të jetës i kam përjetuar fizikisht dhe emocionalisht shkëlqimin e rrezeve të diellit, acarin me erë e borë, rrebeshet e shiut në përshtigje dhe rrugicat me lym. Këto hapa një kohë i kam bërë si sakrificë për liri e më vonë nga pasioni për natyrën. I njoh thuajse pëllëmbë pëllëmbë. Ende më mban ajri, fryma dhe energjia e atdheut. Kjo ka bërë që ta ndjej edhe më thellësisht dhe gjerësisht jetën, vendlindjen. Ende shoh thjelltë, përjetoj në horizont të plotë. Për mua është shëndet, dashuri, besim dhe krenari.

Por jetës së shëndetshme i duhet përmbajtja. Kjo tani më mungon. Në izolim sulmohem nga mijëra e mijëra dridhje mendimesh që sillen vërdallë, nuk dinë nga të vijnë, si t’i frenosh e në ç’drejtim t’i orientosh. Mundohem që idetë dhe botën reale t’i përputh me njëra-tjetrën. E kam të kultivuar përvojën individuale të lirisë psikologjike edhe në rrethana të shtrëngimit fizik. Çdo ndjenjë të keqe i përgjigjem me emocion, me mendje alternative, përpiqem t’u jap substancë, formë dhe drejtim të mbarë. Ruaj busullën duke menaxhuar sa më qetësisht kohën dhe situatat. Zhytem në mendime që më kthjellojnë, por në momente edhe mund të më turbullojnë apo ndryshojnë pikëvështrimin. Me vetëdisiplinë e shmang nxjerrjen e vrerit, shkundjen e karakterit, madje edhe zvetnimin.

Vetminë nuk e trajtoj si skëterrë, ankth, mallkim apo fundin tim. Përballem me vështirësi jo të lehta, por përqendrohem më tepër tek mundësitë minimale që ekzistojnë në këtë realitet ngulfatës. Vizualizoj kujtesën e përjetuar të gjërave të mira, paralelisht zhvilloj imagjinatën për të ardhmen më të mirë. Shumëllojshmëria e përvojës jetësore më ka regjur duke dëgjuar e besuar me respekt, por edhe duke u gënjyer dhe duruar në heshtje.

Shpresa në izolim është Zoti, gruaja dhe fëmija, nëna dhe babai, motra dhe vëllai, fqinji dhe miku – është vetë jeta. Nuk arratidhem nga vetvetja e as nuk zhvendosem apo tjetërsohem në botën që të tjerët u përpoqën të më hedhin.

Megjithëse edhe takimet dhe bisedat me familjen nuk kanë përjetimin apo ngrohtësinë emocionale normale. Këtu buzëqeshja nuk buron nga thellësia e shpirtit, zemrës dhe arsyes. Ushqimi që ha, kafeja apo çaji që pi, nuk e kanë shijen origjinale. Çdo gjë duket e përkohshme, artificiale, sipërfaqësore – por në realitet ka vite të tëra thellësisht të shkëputura nga jeta e lirë. Bëj gjumë të rehatshëm, por nuk më sjell mjaftueshëm sensin e rigjenerimit mendor e as fizik. Me ndjenjën e vërtetë njerëzore i kam përjetuar dhimbjet, lotët dhe ofshamat. Deri i vetëm përcjellja në TV e varrimit të babait – çdo grusht dheu që hidhej në varrin e tij peshonte me tonë mbi kokën time në qeli.

Sjellja serioze apo heshtja në këtë mjedis nga të tjerët interpretohet si mërzi, nga ana tjetër moskokëçarja si arrogancë apo dhe budallallëk. Në realitet pothuajse shumëçka është e rrejshme dhe mashtruese, edhe ndryshimet atmosferike kalojnë pa lënë gjurmë.

Shëtitja dhe ajrimi në poligonin sportiv, ku çdo ditë sillemi dhe risillemi, sikur më heq saçin nga koka, ku çdo pore e trupit të thahet. Përjetoj frymëmarrje të thellë. Me të hapur sytë në mëngjes dëgjoj muzikë pa tekst. Ëndërrat eventuale të natës i zëvendësoj me leximin e ndonjë rrëfimi, libri apo gazete nga bota e filmit, artit, turizmit, historisë dhe kulturës, sportit e të tjerash. Çdo agim mëngjesi e trajtoj si mundësi të re. Pema e vendosur në hapësirat e paraburgimit për festat e fundvitit më jep ngrohtësi të brendshme. E përcjell edhe ecurinë e botimeve të librave të rinj, disa prej të cilëve i porosis përmes familjarëve.

Vazhdoj me pirjen e kafes, e cila më tepër më ka mbetur si gjest nga takimet gjatë punës në Prishtinë sesa nevojë kafeine. Gatimi i mëngjesit më jep kënaqësi dhe më relakson. Mundohem të përgatis gjëra sa më të shëndetshme. Tashmë më është bërë ritual.

Një nga qëllimet e atyre që më sollën këtu është të bëjnë shkëputjen time nga jeta normale familjare, çrrënjosjen e kujtesës së mjedisit qytetar dhe pamundësinë e jetës aktive institucionale. Thënë troç, kujtesën e mëhershme ta zëvendësojnë me kujtesë të re. Njerëzit nuk thonë kot “larg syve, larg zemrës” – një privim ky i ngadaltë dhe i butë.

Sidoqoftë, Kosova është subjekti i këtij procesi dhe unë jam vetëm objekti. Bërthama e subjektit është duke u goditur ditë për ditë rëndë e më rëndë. Por diçka harrohet.

Rezistenca kosovare është pika më e lartë e identitetit kombëtar dhe shtetëror. Rezistenca, ndalja e rrjedhjes së mëtejshme të robërisë. Legjitimiteti i saj buron nga vullneti dhe qëllimi i drejtë i qytetarëve për liri. Është rrjedhojë e historisë me shkaqe e rrethana socio-ekonomike, kulturore, politiko-ushtarake, kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka substancë, ka imazhin dhe kujtimin e gjallë lokal e ndërkombëtar. Në pamundësi për teknikë moderne, për përballje të barabartë me Serbinë, e diplomatizuam lëvizjen e rezistencës dhe fituam.

Historia e shtetbërjes së Kosovës nuk është dogmë apo diçka mekanike, as sllogan, parullë, gazetë muri apo shkaravinë në dërrasë që mund të gërvishtet apo shlyhet lehtë. Nuk është shkronja të shkruara në rërë të cilat mbulohen nga dallgët e radhës së detit apo i shkrumbojnë rrezet e diellit. Nuk ka mot që e ngrin apo që e thajnë.

Në pamundësi për ta shlyer historinë, kujtesën kolektive për rezistencën, lexoj gjëra dhe dëgjoj zëra në synimin e tyre për ta ndryshuar, për ta bërë mish-mash apo së paku ta zbehin, në mënyrë që më lehtë të çorientojnë njerëzit, të barazpeshojnë vlerën dhe antivlerën, të mirën dhe të keqen, të dobishmen dhe të dëmshmen. Të pretendosh për të bërë paralele mes rezistencës për liri dhe frymës së nënshtrimit është sikur të barazosh dritën me errësirën.

Dëshmitë e përjetuara qytetare janë testamenti i heroizmit, dhimbjes dhe shpirtit të lirisë. Procesi që po kalojmë nuk e glorifikon dhe as nuk e minimizon rolin personal të aktorëve udhëheqës të shtetbërjes. Vetëm dëshmon se nuk ishte ultim i disa njerëzve të paullë apo të dëshpëruar – përkundrazi, kauzës së tyre i jep një dimension edhe më të lartë, edhe më të gjerë historik, politik dhe diplomatik, profil të suksesshëm, të papërjetuar dhe të papërsëritshëm në historinë e kombit tonë.

Luftëtarët e lirisë nuk kanë nevojë ta mjegullojnë apo të fshihen nga e vërteta e rezistencës e as të kenë dilema për të ardhmen. Ata e kanë çimentuar rrahmin e suksesit, e ndjekin pas. Nuk vuajnë nga sindromi i kompleksit të mungesës apo inferioritetit. Nuk kanë brengë apo krizë ndërgjegjeje me veten e tyre përballë fëmijëve dhe familjes, thjesht trashëgimisë biologjike dhe kombëtare.

Vlera e rezistencës është mishëruar dhe integruar brenda gjithë shoqërisë sonë. Janë vlera të vazhdimësisë kombëtare dhe demokratike. Kujtesa e rezistencës për liri dhe shtet është pergamenë në vetëdijen shqiptare, pastaj në arkivat e Uashingtonit, NATO-s e disa vendeve të tjera perëndimore. Për të keq, të ndyra dhe të rrejshme janë mbushur me dosje edhe arkivat në Beograd, Moskë e gjetiu, nëpër hapësirat tona.

Rezistenca i përket historisë. Sot e jetojmë realitetin e krijuar prej saj. Ka fillimin dhe mbarimin e qartë si kristali, ka kohën, rrethanat dhe personazhet e veta. Për të kuptuar pa asnjë evazivitet rrugën e lirisë dhe shtetit të Kosovës, shih rrëfimin e gjeneralit Wesley Clark gjatë dëshmisë së tij në Hagë. Aty kushdo e gjen prezantimin e drejtë të kauzës sonë, vlerat që përfaqëson sot, mesazhin dhe porosinë e rezistencës sonë për të ardhmen më të gjerë të botës së lirë.

Në qeli nuk jam dhimbje apo gjynah i gjallë kombëtar, jam dëshmi e gjallë. Ani pse po paguaj me shpirt dhe në lëkurën time, nuk jam për t’u ngushëlluar. Lirinë kurrë nuk e kam marrë si të mirëqenë. Udhëtimit tim i kam dhënë drejtimin vetë. Realitetet e krijuara më kanë konfirmuar zgjedhjen e duhur që kam bërë. Gjatë jetës kam sfiduar nëpër sprova – i kam të kultivuara, disa të shpejta si vetëtimë e disa të gjata rraskapitëse. Kohë të gjata isha bërë urë, kam toleruar që të kalojnë shumë përmes trupit tim pa lagur dhe pa u thyer në këmbë. Me të kaluar lumin, pastaj dihet – kam mbyllur veshët të mos dëgjoj, sytë të mos shoh, gojën për të mos folur. Thirrja e atdheut për liri dhe shtet justifikonte të gjitha.

Sot edhe pse me dhimbje mesi mezi qëndroj, eci drejtë, shikoj secilin në sy. Kam mësuar shumë tepër shumë përgjatë rrugëtimit për liri dhe shtet të Kosovës. Kur kauza dukej pa shpresë, kam besuar në liri të plotë, kam ëndërruar për pavarësi. E di, nuk ka qenë e lehtë për të punuar me mua, gjithmonë kam kërkuar që të bëhet më shumë, më shpejt, më mirë dhe ndryshe nga të tjerët, paralelisht kam dëgjuar dhe jam këshilluar. Përkushtimin tim jetësor nuk e kam kuptuar si normë, nuk kam hulumtuar të gjej orar punë shtesë, të dytë apo të tretë, nuk jam ndalur. Besimi për qëllimin ma ndriçonte rrugëtimin. Gjithmonë kam besuar dhe besoj në rezultate, jo në lutje apo fat, por edhe Zoti bekon dhe fati e përcjell atë që punon.

Po, kam qenë lojal në raport me partnerët e vërtetë perëndimorë, dhe sot këtë relacion e vlerësoj si virtyt e jo dobësi të shqiptarëve dhe të miat. Në fund të fundit ka fituar Kosova dhe populli i saj. Për kauzën tonë, që të na mirëkuptojnë partnerët, madje edhe jam lutur, por edhe do të përulesha pa asnjë ngurim. Është e dëshmuar se kam ruajtur pozicionin tim përballë çdo rrethane për liri të plotë të Kosovës. Pastaj, jo pak, edhe jam shpifur e ofenduar, jam sulmuar me arsenal të lehtë e të rëndë, majtas e djathtas, përballë e më shumë pa shpinë. Jam përballur me shumë goditje, i kam kaluar jo pa dhimbje, por qetësisht. Më kanë diferencuar, izoluar politikisht. Verë 2014, e kam tejkaluar me sportivitet. Ndoshta edhe unë kisha tepruar me fitore elektorale, ky ishte vullneti qytetar, duhet ta respektoja. Dihet, më symbyll nuk i kam pritur dhe vetëm me soditje. Më kanë nxjerrë shumë shpirtra, ende më mban gjallë shpirti origjinal. Nuk kanë mundur të më hedhin me shpinë për tokë, jo. Pak beteja dhe i kam humbur, e në raste edhe kam gabuar. Nuk i merrja domosdoshmërisht gabimet si fajë apo mëkat, i kam vuajtur, por nuk i kam vajtuar. Në ndonjë rast edhe jam përshtatur situatave e rrethanave të rënduara. Nuk kam lejuar që të më cenohet dinjiteti moral, kombëtar dhe shtetëror. Nuk e kam ngritur flamurin e bardhë, por edhe kurrë nuk kam festuar para kohe. Kauza e drejtë më rilindte, merrja frymë thellë dhe bindja veten: okej, gjërat që ndodhin të kaluara, jam fokusuar në hapat e ardhshëm, në pamjen e gjerë për qëllimin madhor. Kështu fituam luftën dhe paqen, lirinë qershor 1999, pavarësinë shkurt 2008. Prandaj ja ka vlejtur.

Këto rreshta nuk janë rrëfime të orëve të liga, janë ngjarje të përjetuara dhe reale. Nuk janë shënime nga zyrat e shtetit, kabinete, katedra, sallone komode shtëpiake, as produkt i zhurmës apo ndikimit nga rrjetet sociale, por ulur qetësisht mbi dërrasa me laps në fletore, në qeli vetëm përballë hekurave të dritares, përderisa jashtë mureve vijon rreshja e shiut, ambient mjegullt e i errët, përcjell me erë të fortë. Tash në minutat e fundit u zëvendësua me rreshje edhe të borës. Është mesnatë ndërmjet gjashtë dhe shtatë janarit. Bora, diçka e rrallë në Hagë.

Fakti që jam këtu nuk më bën të mallkoj askënd e as nuk i lutem askujt. Borxh nuk i kam askujt në këtë botë. Vetmia nuk më ka ngrysur apo mbyllur brenda lëkurës sime. Jam arratisur e thyej vetminë në lexim dhe shkrim. Nuk jam i zemëruar me askënd, përkundrazi, në ndërdije, në çdo çast në qeli, e kam qëndresë dhe shpresë. Padrejtësisë po i përgjigjem me ndërgjegje të revoltuar, por me optimizëm. Besimi në drejtësi më ndihmon më së shumti, por edhe pse po kaloj vitin e gjashtë në izolim, kam vendosur ndoshta të mbetem naivi i fundit në vendin tim, të besoj në vlera, humanizëm dhe drejtësi. Jam i pakompromis, ndjek ndërgjegjen, besimin në kushtetutë dhe ligjet e Kosovës dhe në konventën evropiane për të drejtat e njeriut.

Qenia ime gjithmonë ka anuar kah paqja. U bëra pjesë e rezistencës, sepse doja që populli i Kosovës të jetojë i lirë e në paqe. Në Kosovë u ndesh ndërgjegjja njerëzore përballë mizorisë çnjerëzore; fitoi humanizmi dhe civilizimi në ballafaqim me politikën e spastrimit etnik dhe gjenocidit. Gjatë jetës nuk kam respektuar vetëm ligjet e Slobodan Millosheviçit. Ligje në letër kanë pasur edhe Hitleri, Musolini, Stalini, Franko. Kushtetutë dhe ligje sot ka edhe Putini. Drejtësia është jeta ime. Mund ta imagjinoj se dikush edhe mund të qeshë, ose mund të bëhem objekt humori apo batutash nëpër korridore, studio televizive apo dhe rrjete sociale. Fare lehtë mund të thonë: Hashimi u kalb në burg e nuk po e kupton se bota ka ndryshuar, vlerat e lirisë dhe drejtësisë ndërkombëtare janë cënuar e rrënuar rëndë. Ndoshta edhe mund të kenë të drejtë, ose lehtësisht mund të thonë se sot fuqia, arroganca dhe interesi e përcakton çka është vlerë e ndërgjegjshme, humane, apo çka është e drejtë e çka padrejtë. E përcjell çka po ndodh në Ukrainë, Lindje të Mesme apo ngjarje të tjera botërore. E kam përjetuar edhe sjelljen për dikë nënë e për dikë njerkë.

Nuk ka forcë fizike apo fortune politike e cila mund të më lëkundë besimin për qytetarët e Kosovës. E di, sot ndonjë zyrtar apo jozyrtar nëpër botë edhe mund të jetë penduar krejt padrejtësisht për pavarësinë e Kosovës, por pa Thaçin në Kosovë. Ky proces i meritueshëm tashmë ka marrë fund. Okej, Thaçi vazhdon të tretet në burg, por për Republikën e Kosovës jam i bindur, do të ketë progres. Serbia luftoi shumë të pengojë lirinë dhe pavarësinë, ka dështuar ta arrijë këtë përmbi tre dekada. Tani përpjekja është si ta kriminalizojnë filozofinë e shtetbërjes. A do të arrijë përmes një gjykate? Nuk dua as ta mendoj. Shpresoj ende, ka njerëz me vlerë, morale dhe integritet profesional. Gjyqtarët gjatë procesit kanë parë të vërtetën, të vërtetën e ka parë edhe bota. Vendimi është në dorë të tyre.

Po raportet me personat e tjerë që ndodhen të akuzuar së bashku me ju në Hagë?

Kultivojmë mirëkuptimin dhe solidaritetin. Bashkë kalojmë shumicën e kohës.

Zoti Thaçi, cilat kanë qenë momentet më të vështira të këtyre pesë viteve e ca në izolim?

Janë momente dhe ngjarje të paimagjinueshme për realitetin e sotëm evropian. Do të flisja me endje, më konkretisht, por rrethanat kufizuese nuk më lejojnë.

Më 4 nëntor 2020, me të mbërritur në Presidencë, protokolli i zyrës më informoi se autoritetet ndërkombëtare po kërkonin takim me mua atë pasdite. Arrestimet nga DSK-ja kishin filluar. Koha e drekës kaloi shpejt, aksioni ende vazhdonte. Më informuan më datë 26 tetor është konfirmuar aktakuzë kundër jush. Filluan të lexonin të drejtat e mia. I ndërpreva, i pyeta: kur duhet të nisem? Më thanë: nesër në ora 11:00. Me kërkesën time u shty për pak kohë, që fitoja pak minuta. Iku, kishin kryer misionin e tyre, tani ishte radha ime. Prej atij momenti jeta ime ndryshoi. Vendosa ta kursej familjen dhe opinionin të paktën edhe për atë mbrëmje.

Kisha caktuar termin tek dentisti. Protokolli mjekësor kërkonte që të qëndroja për trajtim mbi një orë. U lidha në telefon me prindërit, i informova se në mbrëmje do t’i vizitoja. Gjatë rrugës u zhyt në mendime, dëgjoja muzikë të lehtë. Pak minuta para se të mbërrija në vendlindje, më zuri një gjumë i shkurtër; anestezioni kishte bërë të vetën. Prindërit u gëzuan kur më panë. Ishte koha e darkës. U tregova se kisha qenë tek doktori dhe nuk mund të haja asgjë, por do të pija çaj të ngrohtë. Biseduan për gjëra familjare. Po përcillnin në televizor me shqetësim bastisjet dhe arrestimet që kishin ndodhur atë ditë. Dukeshin të mllefosur. Nuk kisha përgjigje, por kishin mbetur edhe pak orë kur do të dëgjonin lajmin e akuzës kundër meje. Jeta ime për ta ishte dashuri, ankth dhe krenari. Prindërit më herët mund të ishin frikësuar ndonjë arrestimi tim nga Serbia, mund të kishin imagjinuar gjatë luftës që fare le të dëgjonin ndonjë lajm të kobshëm, siç u ndodhte prindërve të tjerë të cilët vajzat e djemtë e tyre i kishin luftëtarë lirie, por se do të ndodhte diçka e tillë gati 25 vite pas luftës, nuk besoj t’ju ketë shkuar në mendje ndonjëherë. E dija si do të ndiheshin kur nga nesërmja do t’ju mungonte biseda jonë telefonike e mëngjesit, që për prindërit dhe mua ishte një lloj terapie ditore.

Me tu kthyer në Prishtinë shkova tek flokëtari Dreni. I thashë: kësaj radhe qethi flokët më shkurt se zakonisht, sepse do të qëndroj pak më gjatë jashtë vendit. U duk i befasuar nga kërkesa ime, pasi unë kurrë nuk i përzihesha në zanatin e tij. U ktheva në shtëpi, u përpoqa të dukesha dhe sillesha sa më i rregullt dhe i zakonshëm. Ja arrita. Fjeta mirë. Nata kaloi shpejt.

Më 5 nëntor 2020, në mëngjes i tregova Lumës dhe Endritit. I thashë edhe prindërit: po thonë që edhe unë duhet të shkoj në Hagë. U mërzitën shumë, më porositën: ruaje shëndetin, çka të vjen prej njeriut, mos u mërzit, qysh ka shkruar Zoti.

Rreth orës 10 kisha ftuar në takim të përbashkët ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Anglisë, Gjermanisë, Italisë, Francës dhe përfaqësuesin e BE-së. Edhe pse piku i COVID-it, erdhën të gjithë. Ndjeja përgjegjësi t’i informoja edhe zyrtarisht për dorëheqjen nga Presidenca. Takimi zgjati rreth 20 minuta. Shprehën keqardhjet për çka kishte ndodhur, vlerësuan gatishmërinë time për shkuarje vullnetare në Hagë, për përgjegjësinë dhe shembullin që po tregonin për t’u përballur me drejtësinë. Kur po largoheshin, njëri prej tyre, më kryesori, u nda nga grupi për pak sekonda dhe më tha: “Qëndro fort, mund të kthehesh edhe më i fortë.” Iu ktheva me humor: “Më duhet të qëndroj, por më shumë do të preferoja të qëndroj kështu si jam me këtë shëndet dhe fuqi, sesa të shkoj në Hagë për të marrë energji të reja.”

Ora 11:00, mbajta konferencë me gazetarët. Mesazhi im kryesor ishte: jo “lamtumirë”, por “mirupafshim, rikthehem në zyrë”. Bashkëpunëtorët dhe stafi i administratës dukeshin të mërzitur. Bëmë disa fotografi, më përcollën me duartrokitje dhe lot në sy. Endriti më ishte ngjitur pas trupit. Ishte i fundit me të cilin u ndava përqafueshëm. Si president i votuar nga të zgjedhurit e popullit, me 2/3 e deputetëve, më duhej të braktisja Presidencën, të shkoja në qeli. Tani posedoja fletëarrestimin, por jo aktakuzën. Kishin mbetur ende tre muaj për të përfunduar mandatin e plotë. Pothuajse isha i sigurt se do të rizgjidhesha edhe në mandatin e dytë, për këtë po ndërtohej konsensus mjaftueshëm politik. Tek sovrani isha fitues. Ky fakt më bën të ndihem mirë.

Ora 11:45, nisem me makinë pa eskortën presidenciale drejt Fushë Kosovës. Trafiku ishte i rënduar. Vështroja qytetarët krejt të zakonshëm, secili i fokusuar në punën dhe rutinën e vet ditore. Pavarësisht momenteve jonormale që po jetoja personalisht, ndihesha mirë që të paktën po e lija Kosovën shtet normal, me qytetarë që tanimë i takonin botës së lirë, me mundësi të mëdha.

Me Prishtinën kisha ndërtuar lidhje organike me përjetimet e çdo etape të jetës. Në mendjen time po bëja një rikapitullim që nga hera ime e parë – fillimi i viteve ’80, kur ende isha nxënës i shkollës së mesme në Skënderaj. Njëri nga vëllezërit duhej të operohej pas një lëndimi në këmbë. Qëndrova tre-katër ditë pranë vëllait. Kohën që nuk lejohej të qëndroja në spital, e kalova tek disa vendas studentë në Qendrën e Studentëve. Gjithmonë e kujtoj me respekt kujdesin njerëzor dhe profesional të doktor Shaban Hasit për vëllanë. Kjo ishte hera e parë që përjetova dhe shijoja jetën studentore: ushqimin dhe kompotin në mensë, letrat që luanim dhe çajin që pinim, muzikën që dëgjonin, librat që lexonin, gjallërinë dhe optimizmin e jetës së tyre. Me gazetën studentore “Bota e Re” veç isha familjarizuar. Më bëri përshtypje fokusimi i studentëve për leximin kujdesshëm të artikujve të gazetës kulturore “Fjala”, e cila po u përgjigjej guximshëm sulmeve që i bëheshin kulturës, intelektualëve dhe historisë shqiptare – gjithçka që ishte shqiptare, prej Akademisë së Shkencave të Serbisë dhe mediumeve nga Beogradi dhe adresave të tjera antishqiptare në ish-Jugosllavi.

Interesante, dëgjova shumë pak të flitej për politikë, edhe pse kishin kaluar vetëm pesë vite nga demonstratat popullore, jo revolucioni për republikë, i vitit 1981. Ndoshta edhe unë nuk u mbushej syri të flisnin në praninë time. Sikur të kishte ndodhur incidente, jo demonstrata masive, veç heshtje. Tani askush – asnjë ankesë për pritjet e gjata për ushqim në mensë, për dritat që iknin herët e vinin vonë, për banjot e përbashkëta, të papastra, në xhamat e thyer, dhomat e ftohta, një herë në javë uji i ngrohtë për dush, papastërtinë e korridoreve të gjata dhe të errëta. Në pamje, gjithçka dukej se ishte normalizuar. Kishte ndodhur çka kishte ndodhur, e kaluar e harruar. Askush asnjë fjalë për Kosovën në republikë. Ende nuk isha pjesë e një organizmi politik, megjithëse kisha dëgjuar për të dënuar deri në 15 vjet burg, pikërisht për organizimin dhe nisjen e atyre demonstratave, Gani Koci me shokët e tij studentë, me disa prej tyre kisha njohje familjare.

Tre vjet më vonë si student, Prishtina fillimisht, si shumë të tjerë, edhe mua më përpiu rrëmuja dhe zhurma e saj. Por sa më shumë që e njihja dhe e kuptoja Prishtinën, e doja dhe punoja edhe më shumë për Kosovën. Sa më shumë përfshihesha në studime dhe integrohesha në jetën sociale, aq më shumë synoja të kapërceja kufijtë mendorë dhe hapësirën fizike të këtij qyteti. Se si trajtohej Kosova nga bota, e kuptova edhe më shumë pas takimeve me zyrtarë diplomatikë të ardhur nga Beogradi prej ambasadave të Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Francës, në pranverën e vitit 1992 në Rektoratin e Universitetit, tek “Kuarti kinez” në Prishtinë. Diplomatët folën me rektorin për mundësinë eventuale të rikthimit të studentëve në objekte dhe për të drejtat e njeriut. Kur në emër të studentëve pyeta për pozicionin e tyre për pavarësinë, diplomatët u përgjigjën drejtpërdrejt: “Ju mund të flisni, por kjo çështje nuk është në agjendën e shteteve tona.” Rektori Ejup Statovci u dëshpërua shumë nga kjo përgjigje.

Fillova të rezonoj më ndryshe nga mjedisi. Bëra diferencimin mjaftueshëm në mënyrë që pikërisht nga Prishtina të fillonte ndryshimi i dinamikës dhe drejtimi politik për çlirimin e Kosovës. Prishtina deri në fillim të viteve 1990 paraqiste adresën politike, ekonomike, kulturore, intelektuale të gjithë shqiptarëve brenda sistemit të ish-Jugosllavisë. Ishte qendra e bashkimit të provincializmave, të vajzave e djemve që shkolloheshin, punësoheshin, krijonin familje e pastaj vendosnin të jetonin në Prishtinë – një vend që zbuste kontrastet e mentaliteteve periferike në mënyrë harmonike, në një identitet unik kombëtar, por ende jo me qartësi politike. Universiteti i Prishtinës gradualisht i dejugosllavizoi shqiptarët në rrafshin mendor, social, kulturor dhe politik, formësoi lëvizjen politike kombëtare për shtet të Kosovës. Ndikim kritik në vitet ’80-ta kishin pasur ardhjet e pedagogëve nga Tirana në Prishtinë dhe vizitat e ndërsjella.

Popullsia po rritej, Prishtina vit pas viti po zgjerohej, por nga mesi i viteve ’80 kaloi në një moratorium infrastrukturor të padeklaruar. Deri në ditët e para të lirisë, gjithçka ishte e ngrirë. Atë ditë, duke shikuar pamjet panoramike të Prishtinës, mu fiksua se qendra definitivisht po i mbetej të kaluarës – fenomen i kryeqendrave – ndërsa periferia shpejt po takonte të ardhmen. Përballë Fakultetit Filologjik, në udhëkryq prita dy-tri minuta. Çuditërisht, edhe semaforët më dukej sikur punonin më ngadalë se zakonisht. Thirrjet telefonike dhe mesazhet solidarizuese vazhdonin. Nga brenda makinës vështroja platonë e fakultetit. Nuk mund të mos kujtoja një takim në qershor të vitit 1991 me Adem Jasharin. Pikërisht në atë hapësirë kishte ardhur i shoqëruar me një shok bashkëvendës. Asnjëri nga ne ende nuk ishim të përndjekur nga Serbia. Qëndruam aty një kohë, ulur në shkallë. Ishte kohë e bukur me diell. Bëmë edhe një fotografi. Sapo kisha mbushur 23 vjet. Kjo mbresë paraqet një nga evenimentet më të çmuara të jetës time. Pastaj kemi shëtitur nga tre sheshet e atëhershme, përgjatë hapësirës para hotel “Grandit”, shëtitores “Nënë Tereza”, nën hijen e bliye, deri tek Teatri Kombëtar. U kthyem në të njëjtën rrugë. Jugosllavia kishte filluar të shkatërrohej. Qeshëm jo pak duke lexuar parullën “pas Titos – Tito”, e cila ende mbahej e vendosur në ballë të njërës prej objekteve në qendër të kryeqytetit. Ademi me pamje magjepëse, entuziaste dhe tunduese, njeri unik. Drekuam në restorantin “Grill”, në Kodrën e Diellit. Ademi interesohej për jetën e studentëve. Pyeste: “Çka nëse Serbia do ta mbyllë universitetin? Si do të reagojnë profesorët dhe studentët?” Vazhdimisht insistonte se këto punë nuk ndreqen veç me llafe. Gjatë gjithë kohës – rreth tre orë – ishte i qetë, gazmor. Biseda u përcoll me ngrohtësi të thellë humori. Folëm jo pak edhe për politikë. Shprehte respekt dhe besim për Adem Demaçin. Pasi që rehatuam gjërat për çka edhe ishim takuar, ata u kthyen për Drenicë, unë mbeta në Prishtinë. Ishte afati i provimeve. Duhet të rrëfej më tepër kur të kem më shumë hapësirë.

Gjatë javëve të para të verës, nganjëherë më pëlqente të bëja notë në pishinën e Gërmisë. Në fundjavë frekuentoja edhe kafe-barët e kohës. Studentët banonin në konvikte, kryesisht mësonim në Bibliotekën Kombëtare dhe në Pallatin e Rinisë, derisa autoritetet serbe na përzunë edhe nga aty. Tutje vazhdoja tre muaj pushime sezon vere në vendlindje. Këtë kohë e prisja me padurim, e pëlqeja shumë garën me kuaj, kalërimin në fshat me moshatarët e mi gjatë mbrëmjeve. Jo rrallë edhe jam rrokullisur. Gara me kuaj përsëritej çdo verë, ishte bërë një lloj tradite dhe kulture lokale ndër ne. Kujdesesha edhe për kafshët shtëpiake, kam ndihmuar prindërit kur më jepej mundësia, në vjeljen e pemëve e perimeve, në mbjelljen, mijen dhe korrjen e misrit, apo në orët e mëngjesit në nxjerrjen e fasules – punë e mërzitshme për mua. Si i ri, kam kryer çdo punë fshati, por kujtoj me endje jo të mirë një sezon kur babai kishte vendosur të mbjellë në një parcelë toke afër shtëpisë mijëra fije duhani. Diçka të tillë kishin bërë edhe disa fqinj. Ndoshta kjo edhe ishte arsyeja pse babai kishte bërë, sipas meje, një mëkat të tillë. Ishte hera e parë që praktikonim duhanin në arat tona. U angazhua e gjithë familja, madh e vogël. Duhej të respektonim saktësisht kohën që i përshtatej kultivimit të kësaj bime. Thanie disa herë – punë veç me mot fresku, ngritje e hershme, i përgjumur, apo në prag të muzgut në mbrëmje, kur dhe humbismin lojën e futbollit. Parcela nuk kishte vaditje, as ujësjellës. Atë kohë nuk ishim në fshat, vaditja e fijeve nga puset tona ishte pothuajse mision i pamundur. Gjithë lagjes filloi t’i vinte era duhan. Vjelmë rezultatet që mundëm. Në vjeshtë kishte dakordësi unike brenda familjes: kurrë më rrënjë duhani në arat tona. Ajo kohë fillon edhe refuzimi im ndaj cigares. Edhe pas luftës, nganjëherë gjatë fundjavave kam qëndruar afër babait duke u kujdesur për kosheret e bletëve. Sot kur kujtoj të gjitha këto, më bëjnë të ndihem shumë mirë, por nuk e pëlqeja të ngasja traktorin. Nuk kam qenë entuziast apo i magjepsur as për të bërë xhiro me makinat që sillnin vëllezërit nga perëndimi. Leje për vozitje nuk mora kurrë në Kosovë, nuk kisha interesim. Në Tiranë e mora një leje sa për të thënë në vitin 1993, nuk e përdora asnjëherë. Kohën që jetova në Zvicër, më pëlqente të udhëtoja me tren. As gjatë luftës në Kosovë nuk përdorja makinë. E pëlqeja lëvizjen nga një hapësirë në tjetrën duke ecur në këmbë – ishte më e shëndetshme dhe më e sigurt. Mjaftonte të kisha një radio tranzistor në dorë. Natyrisht, në raste të veçanta kam lëvizur edhe me makinat e bashkëluftëtarëve. Pas luftës u futa në jetën rutinë protokollare. Edhe sot me dëshirë e përcjell në televizion horse racing sesa Formula 1, megjithëse më intrigojnë me inteligjencë dhe shkathtësi Verstapeni dhe Hamiltoni dhe garues të tjerë të spikatur.

Në Prishtinë kam jetuar dhe shijuar përjetimet sociale, etike, profesionale, vlerat dhe antivlerat, harmoninë dhe kontradiktat e shoqërisë kosovare. E kam jetuar kohën në okupim, historinë e lirisë e pavarësisë dhe ndërtimin e realitetit demokratik. Si student kam banuar gati në të gjitha lagjet e saj: në bodrume të errëta e të ftohta, lagështi me myk e plot minj; në Qendrën e Studentëve, edhe pse e zhurmshme, jeta ishte e rehatshme; kam banuar edhe në katet e larta të rrokaqiejve pa ashensor, më shumë pa ujë se me ujë. Pamja infrastrukturore nuk më ka pëlqyer, në raste të dhëna edhe ndjenjën e qytetit bajat, monoton me tipare të mbetura infrastrukturore komuniste. Prishtina metropolitane, me histori të vlerësuar, por sot më shumë risi dhe plot befasi, edhe pse më e ndoturi në Evropë, është vështirë të gjesh qytet më të gjallë në rajon. Ekziston një harmoni mbresëlënëse mes vendasve dhe të ardhurve pas Luftës së Dytë Botërore dhe atyre të dekadave të fundit. Janë ballafaquar me situata e rrethana psikologjike interesante dhe dramatike. Jo rrallë i përshtatet përshkrimi i Nolit për shqiptarët e kohës së vet, për ndjenjën, sjelljen dhe paraqitjen fizike: “Një fshatar është më shumë bej sesa një bej, edhe një bej është më shumë fshatar sesa një fshatar.” Prishtinës jo rrallë i përgjigjet realiteti: një qytetar është më shumë fshatar sesa një fshatar, dhe një fshatar e ndjen veten dhe paraqitet më shumë qytetar sesa një qytetar.

Vetëm pak muaj pas përfundimit të studimeve nga Prishtina, në korrik të vitit 1993 isha arratisur fshehurazi, kujdesshëm dhe shumë heshtur. Falë kujdesit të disa shokëve, evitimi nga përballja me sigurimin serb ishte një mënyrë dhe dhuratë e fatit. Pas gjashtë vitesh, qershori 1999, u ktheva zhurmshëm në qytetin e lirë. Atë pasdite, 5 nëntori 2020, po më largonin me spektakël me djalin tim – ishte skenar dhe mesazh ogurzi. Rreth orës 16 fluturuam drejt Holandës. Pas përfundimit të procedurave fillestare në Qendrën e Paraburgimit, pak para orës 21 përfundova në qeli. Me tu mbyllur, përgatita një çaj vetes, u shtriva dhe shikoja televizor. Rreth mesnatës më zuri gjumi. Pas kaq vitesh, besoj rikthimi në Prishtinë do të jetë më normal dhe më i qetë.

Moment tjetër, të cilin nuk do ta harroj kurrë, ka qenë viti 2025, kur vizitova babanë në spital nën ruajtjen e DSK-së. Autoritetet gjyqësore më kishin refuzuar disa herë vizitën; në fund, për arsye humanitare, më lejuan të udhëtoj disi. Babai tani po lëngonte në shtrat, po kalonte orët e fundit të jetës, derisa po çmaleshim. Përjetova çastet më të shpejta, më të rënda të jetës. Ato momente kisha veç një dëshirë: të ndalja tiktakun e akrepave të orës. E dija se ishte hera e fundit që po e shihja gjallë. Nuk mund ta imagjinoja atë që përjetova. Mbetet dramë në jetën time. Derisa po largohesha, zemra po më rrinte fort, sikur po ma çante gjoksin; truri më gjëmonte; shikimi mu mjegullua; trupi më ishte këputur. Duke u larguar, me të dalë në korridor takova dy motrat. Ishin në distancë 3-4 metra. U përshëndetëm sikurse me lëvizje koke robotike. Kishim të ndaluar të ndërronim fjalë, të shtrëngonim duart, e lërë të përqafoheshim. Por nuk ka ndalesë ligjore, urdhër apo fuqi tjetër që të mund të ndalojë përjetimet. Shikimi i fliste shikimit. Në sytë e motrave pashë rrëke lotësh, të dy zemrave të pastra, dhëmshuri, shpirt për babanë që po linte, si dhe për vëllanë me të cilin nuk mund të ndanin dhimbjen dhe ngushëllimin. Atë ditë m’u mohua e drejta të takoja Endritin; qëndronte para hyrjes së spitalit, u përshëndetëm në distancë. Babai kishte punuar dhe luftuar gjithë jetën për lirinë time. Paradoksalisht, m’u privua liria dhe e drejta të qëndroj afër tij në çastet e fundit të jetës. Gjatë ceremonisë së varrimit, në mungesë time, Endriti hodhi edhe një grusht dheu edhe për mua mbi varr.

Unë nuk jam rritur në kopsht fëmijësh. Mënyrën si jam edukuar gjatë fëmijërisë e kam nga prindërit dhe mjedisi social. Megjithatë, edukatën familjare nuk ka çerdhe apo akademi që e zëvendëson apo e plotëson.

Zoti Thaçi, çfarë ju ka mësuar kjo betejë juridike që nuk e dinit më parë, nga betejat luftarake me UÇK-në apo nga betejat politike si kryetar i PDK-së, kryeministër dhe president i Kosovës?

Ka mësuar sesi ka rënë në lajthitje Këshilli i Evropës nga Rusia në rastin e raportit të Dik Martit rreth akuzave për trafik organesh. Sesi u publikuan pjesë nga raporti në disa media evropiane me pronarë apo bashkëpronarë oligarkë rusë vetëm dy ditë pas fitores sime në zgjedhjet e përgjithshme 2010. Se si kaloi përmes një procesi më së paku të korruptimit politik të inicuar nga eurodeputetë rezoluta në Këshillin e Evropës, pak ditë para se të zgjidhesha kryeministër në mandatin e dytë, janar 2011. Se si paraprakisht janë përcaktuar emrat e njerëzve për t’u akuzuar e pastaj ka filluar hetimi dhe janë ngritur aktakuzat. Se si është propozuar aktakuza pikërisht për ditëlindjen time, 24 prill. Kam mësuar edhe shumë gjëra të cilat nuk do t’i besoja kurrë pa u ballafaquar, për të cilat sot nuk më lejohet të flas. Është teatër i luajtur pas perdeve. Për një gjë jam i sigurt: sikur të ndodhte një proces i tillë nga autoritetet e drejtësisë kosovare, jo që nuk do të heshtnin, por do të reagonin fuqishëm Komisioni Evropian, Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian, organizatat për të drejtat e njeriut, OJQ-të, mediat evropiane e të tjerë. Jam i bindur, Kosova do të ndëshkohej dhe do të paguante çmim të lartë nga Brukseli për shkelje të të drejtave të njeriut dhe standarteve bazë në drejtësi.

Janë akuza të njëjta, nga adresa të njëjta, por me emra të ndryshëm. Gjëra që janë trajtuar për dy dekada nga Serbia, UNMIK-u, EULEX-i, gjykatat vendore dhe tani sërish edhe nga DSK-ja, të mos mbetet legjendë e lartësuar apo e mohuar. Për fakt, kjo që po përjetojmë është përmbledhje padrejtë dhe intriguese për Kosovën. Po ndodhin paradokse: ato që i bëri Millosheviqi kundër qytetarëve të Kosovës, sot po i bën Putini kundër ukrainasve. Millosheviqi akuzonte shqiptarët si terroristë dhe kriminelë e të tjerë; Putini akuzon ukrainasit si nazistë dhe terroristë. Dallimi është: akuzat e fabrikuara të Millosheviqit sot janë shndërruar në fakte e dëshmi dhe po përdoren kundër nesh shqiptarëve në sallën e gjyqit. Me këtë praktikë, askush nuk duhet të çuditet nëse akuzat e sotme të Putinit merren nesër si të mirëqena nga gjykatat ndërkombëtare dhe të rëndojnë mbi supet e presidentit Zelenski dhe rezistencës ukrainase, në tendencën për krijimin e balancës artificiale mes persekutuesit dhe viktimës. Sot Beogradi i fërkon duart me entuziazëm, pret mundësinë e rishkrimit të historisë së konfliktit serbo-shqiptar në sallat e gjyqeve. Diçka të tillë nesër potencialisht do ta bëjë Moska dhe partnerët e saj. Për dallim, Prishtina në asnjë rast nuk sulmoi në Beograd dhe në asnjë centimetër të territorit të Serbisë. Të drejtën e popullit kosovar e përkrahën në unitet të plotë aleatët perëndimorë. Në rastin e Ukrainës ende ka të çara. Nuk pritet që ky unitet të forcohet, përkundrazi, armëpushimi rëndësi. Ukraina nuk do të jetë çlirim për Ukrainën. E kaluara e luftës do të ndjekë kohë të gjatë, jo për të mirë dhe jo me fajin e Ukrainës. Nga perspektiva ime, kjo që po ndodh në Ukrainë ka filluar vite e vite më parë kur Putini penetronte lirshëm nëpër Evropë në rrafshin politik, ekonomik, të inteligjencës, medias, sportit, showbiz-it – thënë shkurt, në botën institucionale e sociale evropiane. Ukraina po paguan çmim. Kievi po ndihmohet për të luftuar, por jo për të fituar. E them me keqardhje: siç po duket, Ukraina do të humbasë territore, nuk do të jetë pjesë e NATO-s dhe as nuk do të ketë NATO-n brenda territorit të saj. Këtu qëndron edhe rëndësia e vendimit strategjik të Shteteve të Bashkuara për zgjerimin e NATO-s edhe me shtete të Evropës Jugore pas Luftës së Ftohtë. Përndryshe, për kontinentin tonë sot gjërat do të ishin të paimagjinueshme më keq: vija e konfliktit me rusët nuk do të ishte afër Kievit, por diku përreth Varshavës apo Bukureshtit, me pasoja tragjike për vendet e Balltikut dhe me një Ballkan, nëse jo në konflikte, atëherë shumë të destabilizuar.

A i ndiqni zhvillimet politike në Kosovë?

Së pari mundohem ta ruaj koherencën time njerëzore e pastaj atë të zhvillimeve politike. Nuk pretendoj të jem pjesë e garës politike, jam besimplotë për Kosovën. Lëvizja politike e padëgjueshmërisë qytetare dhe rezistenca për liri kishin vizion 1990-1999. Edhe pas luftës, uniteti i brendshëm institucional dhe bashkëpunimi me Perëndimin ishte alfa dhe omega e suksesit 1999-2021. Vendi sot frymon dhe vepron ndryshe. Dialogu i brendshëm politik duket i lënduar rëndë. Rrënimi i urave të komunikimit, i zemrave të ngrohta të njerëzve, nuk mund të zëvendësohet me ura të ftohta, betoni dhe hekuri.

Qytetarët e Kosovës ende ruajnë optimizmin social. Duke pasur parasysh përjetimet e rënda në të kaluarën, kënaqen me pak. Marrëdhëniet me bashkësi të caktuara etnike jo-shqiptare duken të lëkundura – është gabim. Kosova në rrafshin rajonal: raportet me Shqipërinë zyrtare janë akull, historikisht e papranueshme. Serbia mallkohet 24 orë në shtatë ditë, ndërsa pranohet pushtimi i plotë ekonomik i Kosovës. Guxim i tepërt. Është mrekulli që Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s. Shqiptarët në tërësi do të duhej të qëndronin larg njerëzve të projektit të botës serbe. Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 është çelësi i stabilitetit dhe rrugës perëndimore. Me Malin e Zi është me rëndësi të ruhet raporti strategjik i fqinjësisë së mirë. Kam investuar dhe e kam ruajtur këtë raport nga pala kosovare për mbi 20 vjet. Mbështetja e shqiptarëve për pavarësinë e Malit të Zi u tregua vitale, sikurse më vonë njohja e pavarësisë së Kosovës nga Mali i Zi ishte prej më të rëndësishmeve në rajon – dhe ndoshta edhe më gjerë. Kupto drejt përbërja etnike, pastaj presioni i brendshëm politik dhe fetar, kërcënimet e Beogradit dhe Moskës ndaj Podgoricës – ishte relacion win-win. E kam përjetuar personalisht se si Mali i Zi u tregua më i vendosur për ta njohur pavarësinë e Kosovës sesa Maqedonia, edhe pse më kishin premtuar dhe ishin dakorduar mes vete që vendimi të ndodhë në të njëjtën ditë dhe kohë. E lëmë këtë rrëfim për një shënim tjetër. Është fantastik për të kuptuar se si nuk funksionon diplomacia dhe si nuk mbahet fjala e dhënë në Ballkan.

Në Luginën e Preshevës, shqiptarët po largohen gradualisht nga vendlindja. Ndjej keqardhje të thellë për përçarjen e tyre politike. Si i ri kam kaluar kohë në atë hapësirë dhe në tërë Malësinë e Karadakut ruaj kujtime të shkëlqyera. Janë atdhetarë të dëshmuar dhe qytetarë të emancipuar, me diasporë të jashtëzakonshme. Më pëlqen shumë gjeografia e asaj treve, por historikisht fatkeqe.

Perëndimin sot po e trajton Kosovën si shtet fëminor – jo për nga mosha, por nga papjekuria vepruese. Ndërsa kundërshtarët e pavarësisë po proklamohen si krijesë e dështuar. Besimi perëndimor mund të rikthehet vetëm me veprime të përgjegjshme. Duhet të punojmë dhe prodhojmë paqe. Perëndimi bëri gjithçka që mund të bëhej për Kosovën, bëri më shumë se për çdo popull në botë në dekadat e fundit. Uroj që vendimmarrësit të mos marrin thua për tepi. Jemi tepër të vegjël për të bërë gabime kaq të mëdha. Jo rrallë, individ apo grup njerëzish kudo në botë, kur duket se po u veniten shpresat për jetë më të mirë apo ndryshime, shprehin me cinizëm pakënaqësinë e tyre për qeverinë apo të zgjedhurit e tjerë duke thënë: “Qysh jemi mirë, i kemi punët”, apo “i kemi institucionet që i meritojmë”. Ky nuk duhet të jetë justifikimi, sepse është thënë dhe dëshmuar edhe në vendet e tek popujt e tjerë. Për çka jam i bindur plotësisht se edhe qytetarët kosovarë kanë qenë dhe janë më të mirë dhe vlejnë më shumë se çdo qeveri apo i zgjedhur i tyre. Të mos keqkuptohem, kjo vlen edhe për kohën kur edhe unë kam qenë kryeministër para 12 vitesh. Edhe sot jam krenar për Kosovën, por jo për fytyrën e saj në botë. Nuk është në harmoni me shpirtin e pastër dhe të bukur të qytetarëve të saj. Ngjan si një lule që ka çelur në agim të bukur me diell pranveror, por ka kohë që hija dhe thatësia nuk po i ndahet. Sikur ka zbehur dhe vyshkur.

Cili është mesazhi juaj për sjelljen e lidershipit në Kosovë?

Duhet të jenë më të bashkuar, bashkëpunim të ngushtë me Shqipërinë, rikthimin e raporteve speciale me Shtetet e Bashkuara, bashkëpunim më serioz me NATO-n dhe Bashkimin Evropian. Sikur po gënjejmë veten me prizmin e egove kombëtare apo dhe fisnikërisë tradicionale në politikë. Por para së gjithash, në vetëdijen qytetare duhet të ndodhë ringjallja e ndjenjës dhe vlerave perëndimore. Ky rizgjim është çështje morale, psikologjike dhe strategjike. Jo të thërrasim Perëndimin vetëm kur jemi ngushtë. Kërkohet guxim për të ruajtur dhe mbrojtur demokracinë. Ende e kemi të freskët dhe të vlerësuar memorien demokratike. Vetëkënaqja dhe vetëdorëzimi është armiku kryesor i qytetarisë, veçmas në demokraci. Aktivizimi social përballë të keqes në shoqërinë tonë gjithmonë ka qenë i gjallë dhe aktiv. Heshtja apo të qëndruarit spektatorë është vetë keqja. Nuk duhet të mësohemi me mungesën e botës, e as bota me mungesën apo refuzimin e Kosovës. Kosova është mes inercionit dhe inovacionit. Në Kosovë ka njerëz të mençur, me përvojë, dhe të rinj të talentuar. Do të duhej të aktivizoheshin. Ata e dinë çka duhet bërë, e duan vendin pa intriga politike. Bota i njeh, u beson, i respekton.

Të përmbyllet njohja edhe nga pesë vendet e Bashkimit Evropian. Greqia, me gjithë sjelljen korrekte, ende është larg njohjes. Njëri nga ish-kryeministrat grekë gjatë një bisede pak kohë para ardhjes në Hagë më pati thënë: “E kemi humbur hapin krahas shteteve të tjera evropiane.” Opinioni publik është kundër njohjes. Sa më shumë kalojnë vitet, do të jetë edhe më e vështirë. Greqia dhe Qipro vazhdojnë të ngatërrojnë Kosovën me rastin e Qipros Veriore Turke. Duhet t’i jemi mirënjohës shtetit grek për pjesëmarrjen në bombardimet kundër Serbisë. Kujtojmë me respekt: ishte fillimi i qershorit 1999, kur pas një takimi me gjithë ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian në Bruksel, Papandreu, ministër grek, në kuadër të turneut tim diplomatik nëpër kryeqendra evropiane, më ftoi ta vizitoja Athinën. Ai rrezikoi shumë politikisht, në Athinë çdo ditë mbaheshin protesta kundër bombardimeve të NATO-s. Pas një konsulte me ministrin britanik Kuk dhe disa miq të tjerë, nuk shkova. Nuk ishte me interes të provokoja opinionin publik grek. Janë të pamjaftueshme diskutimet e lira verore të Forumit për Demokraci të Athinës për të sjellë njohjen.

Spanja, pas njohjes që kohë më parë i bëri Palestinës, ka më të lehtë ta njohë Kosovën, edhe pse janë raste të pakrahasueshme. Paralelja me Katalonjën apo lëvizjen Baske është e gabuar në prizmin historik dhe politik. Çdo herë liderët e Madridit, si në kor më kanë konstatuar: “Po e presim momentin e duhur.” Ndoshta raporti i mirë i kryeministrit Rama me atë të Spanjës, Pedro Sanchez, do të mund të ndihmonte.

Rumania është shumë e ngurtë, çka është më keqja. Çështja e njohjes është votuar në parlament në Bukuresht, më shumë se dy të tretat votuan kundër. Ata arsyetohen me frikën e ngjashmërive të përpjekjeve për autonomi të hungarezëve në Transilvani. Pas shpërthimit të konfliktit në Ukrainë, jam i sigurt se nuk duan në asnjë rrethanë të provokojnë apo nxisin me asnjë veprim forcat proruse në Moldavi. Qëndron apo nuk qëndron ky argument, kjo është e diskutueshme.

Sllovakia as që përpiqet të arsyetojë mosnjohjen. Premton, por nuk vepron. Opinioni publik sllovak është i ndarë në pro-perëndimor dhe pro-rus. Bratislava shfaqet e shqetësuar që njohja e Kosovës do të provokonte rritjen e nacionalizmit të komunitetit hungarez brenda këtij shteti.

Sa i përket mundësisë së anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, sot Kosova është shumë më larg seç ishte para disa vitesh.

Dialogu Kosovë-Serbi: ashtu siç duken gjërat në dy kryeqendrat, bllokada mund të vazhdojë. Mund të ndodhin takime liderësh në Bruksel apo gjetiu, por në këtë atmosferë të ndyrë dhe logjikë pune, vetëm sa do të rrisin tensionet, do të zhvlerësojnë të arriturat e deritanishme, me mundësi të pakta për marrëveshje të reja. Të dy shtetet kanë marrë obligime të cilat duhet t’i zbatojnë. Mbi çdo axhendë, përparësi duhet t’i jepet paqes dhe bashkëpunimit. Është befasi si me aneksin e Ohrit Serbia arriti të sigurojë autonominë politike dhe territoriale. Kjo defunksionalizon shtetin e Kosovës. Integrimi, e jo autonomia, është çelësi i ecjes përpara edhe për serbët e Kosovës.

Çfarë raportesh keni me lidershipin e PDK-së, partisë që e krijuat dhe e drejtuat pothuajse 20 vjet vetë?

Të izolohet kryetari dhe ish-kryetari për një parti është shumë e rëndë. PDK ka përjetuar situatë sfiduese, ekzistenciale, sepse edhe goditja kishte qëllim eliminues. Lidershipi i ri fillimisht ka zhvilluar betejë mbijetese. Shpejt e morëm veten. Sot po dëshmohet se përfaqësojnë strukturë të qëndrueshme e të transformuar. Për rrethanat që u përballën, bëjnë më të mirën. Janë njerëz me përvojë dhe besim në të ardhme. Besimi i elektoratit u tregua se është i pathyeshëm. Po shihen kuadro të reja që po ngjiten të motivuar, apo veçse janë në udhëheqje, po shpërfaqin suksesshëm edhe diversitetin e mendimit brenda tyre. Po tregohet se kanë ndërtuar partneritete politike, pastaj me grupe të tjera të interesit, të biznesit, me diasporën, me shoqërinë civile, mediat, shoqatat, sindikatat, personalitete me ndikim e të tjerë. Me punën e tyre po shfaqen të përgjegjshëm për ADN-në e tyre kombëtare, politike dhe shtetbërëse. Familja politike që, së bashku me të tjerët, mbolli farat e lirisë, shtetit dhe demokracisë, paqes sociale, bazat e zhvillimit ekonomik, mirëqenies qytetare, ruajti dhe afirmoi fuqishëm orientimin perëndimor të vendit. Falenderoj edhe liderët zyrtarë të partive të tjera politike, OJQ-të, bashkësitë fetare, mediat, akademikët, diasporën, që më kanë vizituar dhe solidarizuar me të drejtën tonë, që realisht e ndjejmë dhe është kauzë edhe e tyre.

Ju keni qenë promotor i marrëveshjeve Kosovë-Serbi, për të mundësuar ecjen përpara. Marrëveshje shumë e vështirë, por që duhet tejkaluar. Kjo marrëveshje ka ngecur. Kush është sipas jush përgjegjës për këtë situatë?

Të gjithë ata që nuk i implementojnë marrëveshjet. Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet, nuk duhet të humbin edhe vite të tjera.

A besoni se ka një ftohje reale në raportet e qeverisë së Kosovës me administratën e presidentit Trump?

ShBA-të kanë partneritet të besueshëm me popullin e Kosovës, e jo me këtë apo atë qeveri. Kosova në rrafshin ndërkombëtar është story suksesi. Pikë së pari amerikan. Presidenti Trump nuk hesht kurrë kur shënohet trashëgimia, investimi dhe interesi amerikan. Ai ka në ekipin e tij njerëz të shkëlqyer – e di nga përvoja ime personale – ata e njohin shumë mirë Kosovën dhe Ballkanin: Grenell, Rubio, Ratcliffe e të tjerë. Kosova duhet të kuptojë drejt debatin në Dhomën e Përfaqësuesve në Washington lidhur me zhvillimet e Ballkanit, në theks të veçantë për Kosovën. Së fundi edhe Raporti Strategjik i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara që mban vulën dhe nënshkrimin e presidentit Trump, parasheh në të ardhmen e afërt më pak prezencë amerikane në Evropë, e nga viti 2027 ndoshta edhe udhëheqjen e NATO-s nga vetë evropianët. Ky raport flet edhe për deformime shqetësuese që mund t’u ndodhin evropianëve e të tjerëve. Nuk e di se si do ta kuptojë Prishtina këtë strategji, por një gjë e di: më pak Amerikë në Evropë, kontinenti ynë do të jetë më pak i sigurt, më i dobët ekonomikisht dhe më i përçarë në kuptimin politik e kulturor. Do të ketë më shumë ndikim rus në shtete të veçanta evropiane – disa prej tyre janë të eturuara për rikthimin e flirtit me Rusinë. Kosova duhet të gjejë veten më mirë në këtë turbulencë ndërkombëtare. Vetëm duke u ankuar dhe duke akuzuar Serbinë dhe Rusinë nuk funksionon, nuk pinë ujë më tutje këto gjëra në Washington dhe kryeqendra të tjera perëndimore. Janë filma të dobët të tejkaluar.

Me korrektësi, racionalitet dhe përgjegjësi, zyrtarët e Kosovës do të mund të kërkonin nga presidenti Trump që ai të bindë Putinin për njohjen e Kosovës. Jam i bindur se Trump është i vetmi që guxon dhe ka fuqinë ta shtyjë Putinin për njohjen e shtetit të Kosovës, në veçanti tani kur raportet e Rusisë me Serbinë duket se janë lëkundur. E di, kërkohet punë madhe që të vihen në lëvizje zyrtarët e Departamentit të Shtetit, Sekretari i Shtetit, Këshilli i Sigurisë Kombëtare, apo të arrihet në Zyrën Ovale tek presidenti Trump. Vëmendjen pozitive dhe kujdesin amerikan duhet ta meritojmë. Populli i Kosovës e meriton që të ndodhë kjo. Kosova do të duhej ta ftonte për vizitë presidentin Trump. Ai tani është i zënë me gjëra më të rëndësishme nëpër botë, por pse mos ta ketë ftesën kosovare në tavolinë? Kosova nga kjo nuk humb asgjë.

Për vëmendje: institucionet duhet të mendojnë çfarë dëmi i bëhet shtetit ku Shtetet e Bashkuara dhe gjithë perëndimorët po shohin përpjekjet për eliminimin e komunitetit serb nga proceset demokratike dhe institucionet vendore. Qëndrimi politik pothuajse i njëtrajtshëm kosovar përballë kësaj problematike artificiale është më shumë se i gabuar. Mendoj se në të ardhmen e afërt partitë politike shqiptare do të bëjnë gara se kush do të jetë pjesë e bashkëqeverisjes me përfaqësuesit e zgjedhur politik të serbëve lokalë. Kosova ka perspektivë vetëm me shoqëri të integruar multietnike dhe multikulturore.

Po kuptoj se Ballkani është shumë poshtë në agjendën e administratës amerikane, dhe nga vendet e rajonit, Kosova mbetet në nivelin më të ulët të interesimit. E njëjta po ndodh edhe nga Brukseli. Nga ky ridimensionim i marrëdhënieve ndërkombëtare, Kosova duhet të kapë përparësitë që ende ka, të qartësojë dhe të tejkalojë dilemat. Aktualisht, pas Ukrainës, me zemër të thyer e them, Kosova po përshkruhet më së keqi në Evropë.

A i ndiqni zhvillimet në Shqipëri? Liderët politikë shqiptarë kanë qenë partnerët tuaj për thuajse dy dekada.

Po, si gjithherë. Që kur isha student, në vitin 1989-90, më kujtohen disa pleq të Drenicës flisnin si me humor: “Tash jemi të fortë, e kemi njeriun tonë, president të Shqipërisë.” Fillimisht nuk i kuptoja, me kohë mora vesh se bëhej fjalë për Ramizin. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai me brigadat partizane shqiptare kishte qëndruar edhe nëpër fshatrat e Drenicës, kishte lënë përshtypjen e njeriut të edukuar. Kur e takova në Tiranë pas viteve 1990, më pyeti me respekt për njerëz që kishte takuar gjithandej Kosovës. Disa i njihja, për disa veç kisha dëgjuar. Më shprehu shqetësim se Prishtina po dukej e papërgatitur politikisht dhe ushtarakisht, por duke i befasuar me mbështetjen ndërkombëtare, tregoi skeptik për fitore të plotë. Në fund më tha: “Frikësohem ndonjë dredhie ndërkombëtare, bota të vendosë për Kosovën në kurriz të Kosovës.” I thashë: “Kësaj rradhe do të fitojmë.” Pas luftës nuk u takuam.

Fatos Nano e ndihmoi Kosovën për aq sa e lejuan ndërkombëtarët dhe për aq sa nuk e dëmtonte Shqipërinë në raport me Perëndimin. Ishte njeriu në kohën dhe përgjegjësinë e duhur. Për aq sa ishte i informuar, e këshilloi edhe diplomacinë ndërkombëtare për rolin pro-perëndimor të luftëtarëve të lirisë. Me Adem Demaçin mbante kontakte të vazhdueshme. Ishte mbresëlënëse miqësia e Nanos me presidentin Rugova, në muhabetin privat dhe zyrtar. E takova dy herë gjatë vitit 1998-1999. Patriot i emancipuar, kishte në formacionin e tij politik njerëz shumë të çmuar. Pas luftës ruajtëm raport korrekt.

Rexhep Mejdani, me gjithë autoritetin e tij kushtetues si president, u vu në përkrahje të Kosovës. Kur delegacioni shqiptar u kthye nga Parisi në aeroportin e Rinasit, tranzit për Shkup, java e tretë e marsit 1999, Mejdani na priti ngrohtësisht, madje u fut personalisht edhe në aeroplanin ushtarak francez për t’i ftuar të gjithë për kafe. Nuk munguan edhe dolli rakije. Momente këto kur të gjithë ishim në pritje dhe ankth: do ta pranonte Millosheviqi marrëveshjen në çastet e fundit? Holbruk ende ndodhej në Beograd duke negociuar. Në rast refuzimi, do të fillonin bombardimet e NATO-s – ashtu edhe siç ndodhi. Në vitin 2022 më vizitoi në Hagë, ashtu mendueshëm. Më tha: “Kam ardhur të shpreh solidaritetin tim, besimin në drejtësi, për atë çka ke përfaqësuar, edhe protestën për atë që po ndodh me ju.”

Për t’u vlerësuar me respekt është edhe puna e Sabri Godos, Paskal Milos dhe Skënder Gjinushit. Godo dhe Milo më vizituan për pak kohë në momentet intensive të negociatave në Rambuje, në njërën prej objekteve ndihmëse të kështjellës.

Roli i Fatos Klosit gjatë gjithë kohës është i pakrahasueshëm.

“Të këshilloj, por mund të marrësh edhe urdhër: nënshkruaje marrëveshjen, e kam folur edhe me partner.” Ky ishte mesazhi telefonik i Pandeli Majkos në njërën nga mbrëmjet e javës së tretë të muajit shkurt në kështjellën e Rambujesë. Iu përgjigja: “Të kuptoj, por vendimin e marrin njerëzit në Kosovë, e jo unë e as ju.”

Në fillim të javës së tretë të muajit maj 1999 u takuam për herë të parë në Tiranë. Ende kisha këmbët e ënjtura, i përgjumur dhe i ftohur prej udhëtimeve nga Kosova për në Shqipëri, i emocionuar pa u ulur mirë. Më ftoi: “Eja të shohim një video nga trajnimi i trimave të Kosovës prapa bjeshkës së Dajtit, do të bëhen komando, duken të zotë.” E luta: “Mos lodhni njerëzit derisa t’i kryeni ushtrimet, lufta po kryhet. Bashkëluftëtarët i kam lënë në istikame me nga 10-15 fishekë, disa edhe zero municion. Janë të izoluar dhe shkapërderdhur.” Kishte kaluar gati tre muaj që logjistika ishte bllokuar nga ushtria serbe në kufi. Humbi kuptimi i shikimit të videos. M’u drejtua: “Hashim, unë jam bir partizani. Nëse vjen puna ngushtë, do të vesh uniformën ushtarake dhe bashkë do të jemi në ballë të frontit. Pa kaluar mbi trupat tona, serbi nuk mund të ecë përpara.” Ndërhyra: “Kosovës nuk i mungojnë trimat, por municioni. Populli i Kosovës e ka litarin në fyt, nuk ka kush shkon më ngushtë.” Për Kosovën, ai kishte krah të fortë Ilir Metën, i cili i njihte edhe më herët njerëzit e lëvizjes politike të Kosovës.

Pandi, kur më vizitoi në Hagë, pa u përshëndetur mirë, buzëqeshur si gjithmonë më tha: “E sheh, kapërceva nëntë dryna e të gjitha, nuk ke kush shkon prej meje.” U përgjigja: “Nuk ke qenë rastësisht kryeministër lufte.” Me humor më qortoi: “Pusho, se siç kanë nisur këta, më fusin edhe mua në birucë.”

Me Sali Berishën, takimi i parë me iniciativën time përmes disa miqve të përbashkët ndodhi në pjesën e dytë të muajit maj 1999. Atë ditë, një orë më herët vizitova Nanon në selinë e PS-së. Dikush më tha se takimi me Berishën nuk do të ndodhte – ndoshta ishte irrituar nga zgjatja e bisedës me kreun e PS-së. Sidoqoftë, pas pak çastesh shkova. Më priti përzemërsisht. U interesua për refugjatët, gjendjen humanitare, masakrat serbe, raportet me ndërkombëtarët e të tjera. Në selinë e PD-së bëmë edhe një paraqitje të përbashkët para gazetarëve. Takimi shkoi shumë mirë; disa gjëra për të cilat mund të mos pajtoheshim nuk i hapa atë herë. Pas 1999-s, për disa vite takoheshim si opozitarë. Ju shkrova letër proteste zyrtarëve ndërkombëtarë në Prishtinë kur ata e ndaluan hyrjen e Berishës në Kosovë pak kohë pas çlirimit. Pas kthimit tim nga Shtetet e Bashkuara dhe Brukseli, në javën e dytë të shkurtit 2008, tanimë të dy ishim zgjedhur kryeministra. E thirra në telefon, i tregova se më 17 shkurt pasdite do të shpallnim pavarësinë. U gëzua. Për çdo sukses të Kosovës më uronte. E informova edhe presidentin Topi dhe liderin e opozitës Edi Ramën, siç bëra dhe me liderët shqiptarë në Maqedoni, Ahmetin e Xhaferin.

Para nënshkrimit të marrëveshjes së Rambujesë, 18 mars 1999 në Paris, isha këshilluar me Ismail Kadaenë. E vizitova në shtëpi. U tregua shumë e rëndësishme letra mbështetëse publike prej tij. Edhe për aktin dhe kohën e shpalljes së pavarësisë e informova dhe e konsultova. Ndër të tjera më tha: “Epo, kjo është mrekulli për kombin, e gëzofshim!” Për të mos u ndjerë të befasuar, dy ditë përpara bisedova edhe me kryeministrat e vendeve fqinje, atë të Malit të Zi dhe Maqedonisë. U treguan korrekt. Këtë të fundit e vizitova në zyrën e tij në Shkup, heshturazi, pa media. Për veprimet e mia ishin në dijeni të plotë partnerët perëndimorë.

Edhe më vonë, më duhej të ecja në tehe të thikës në raport me politikën në Tiranë. I kam të paharruara dy momente. Në qershor 2008 po vizitoja zyrtarisht Tiranën. Në një deklarim publik u shpreha se Edi Rama është lider i së ardhmes së Shqipërisë evropiane. Të nesërmen takova Berishën – ishim kaluar shumë mirë. Pastaj, inaugurimi i hapjes së tunelit të Kalimashit në vitin 2009 ishte fillimi i fushatës zgjedhore në Shqipëri. U ftova nga Berisha. Tubimi mori ngjyrim të fuqishëm elektoral. Zonja Topalli tregoi shumë entuziaste. Pas pak ditësh takova Edin. Në momentet e tilla edhe mund të ketë qejfbetje, por jo – ai kishte bërë përshtypje. Me Berishën kisha ndërtuar bashkëpunim efektiv, institucional, por edhe miqësor. Kishte në rrethin e tij njerëz kompetentë. I vlerësoja të rinjtë e Kopit, disa prej tyre i njihja. Edhe personalisht, atë kohë ndodhi edhe mrekullia e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Bashkërisht bëmë disa gjëra të mira, kështu vazhduan për vite të tëra. Edhe unë e ftova në ceremoninë e inaugurimit të autostradës Prishtinë – Morinë, si zgjatim i Rrugës së Kombit. Pak para se të më sillnin në Hagë, zhvilluam një debat jo dhe aq të shëndetshëm për të dy dhe në tërësi për shoqërinë shqiptare. Kur babai më vdiq, ai kishte thirrur familjen për ngushëllim. Nga qelia i them faleminderit.

Duhet të kalojë ende kohë për të folur në tërësi për faktorin Shqipëri të viteve 1998-1999. Deri tani, të gjitha rrëfimet janë copë-copë, xhepa-xhepa, të izoluara e në raste edhe të vështira. Roli i Shqipërisë për lirinë e Kosovës do të kuptohet saktësisht dhe tërësisht vetëm kur të hapen arkivat në Washington dhe, deri diku, edhe disa kryeqendra të tjera botërore.

Alfred Moisiu, president i respektuar, në moshën 94-vjeçare më vizitoi në Qendrën e Paraburgimit. Me kujtesën e tij impresive më rrëfeu disa përjetime gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Tutje vazhdoi: “Shqiptarët kanë pasur tre suksese gjatë historisë: epokën e Skënderbeut, fitoren mbi fashizmin, dhe luftën për çlirimin dhe bërjen e Kosovës shtet.” Më porositi ta ruaj shëndetin, se edhe kjo e ligë do të kalojë. Me Bamir Topin, edhe më herët, por në veçanti në kohën kur shërbeu si president, kemi bashkëpunuar shumë mirë. Më vizitoi në Hagë. Çdo fjalë që e thoshte kishte revoltë dhe protestë. Pyeste: “Deri kur kështu me shqiptarët? Çka të bënit ju, t’i nënshtroheshit Millosheviqit?” Kjo nuk duhej të ndodhte. E gjithë bota e di kush ishte agresori e kush viktima. Pse kjo padrejtësi? Duke u larguar, më tha: “Shqipëria beson në pafajësinë tuaj, jemi me ju.” Në përgjegjësinë time institucionale, kam punuar edhe me presidentin Bujar Nishani – njeri i matur, përkrahës i fuqishëm i Kosovës. Iku herët nga kjo botë. Ruaj respekt për vlerat që përfaqësonte.

Edi Rama – përkrahës i zgjuar për lirinë, pavarësinë dhe Kosovën evropiane. Bashkëpunimi me Edin është i gjatë, i thellë dhe i gjerë. Tejkalon kornizat e këtij shënimi. Është burrështetasi me vizion i cili guximshëm paraqiti të vërtetën për procesin e Hagës kudo dhe kurdo në takime me liderë botërorë. Ai foli me argumente të pakundërshtueshme në Bruksel, pastaj në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ligjërimi i tij në Këshillin e Evropës është rrëfimi dhe e vërteta e plotë. Desh të fliste bindshëm dhe zëshëm edhe aty ku më së paku do të duhej të ishte e nevojshme – në Parlamentin e Kosovës. Sot progresi i brendshëm i Shqipërisë është i pakrahasueshëm. Raportet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara, BE-në dhe NATO-n paraqesin garanci për suksese të mëtejshme. Çdo herë më ka impresionuar edhe puna e Arion Bela jt për Tiranën evropiane.

Në media është publikuar një foto e kryeministrit Rama menjëherë pas fitores së zgjedhjeve të vitit të kaluar që fliste me ju. Çfarë komenti keni për atë që po ndodh në Shqipëri?

E pashë foton. Ishte art, ishte mesazh. Telefonata me Edin ishte iniciativë e imja. Bisedë vëllazërore. E pyeta për shëndetin, për Lindën dhe Zaon. E urova për zgjedhjet. Para pak javësh më vizitoi përsëri në Hagë. Biseduam për familjet, për Shqipërinë, Kosovën dhe gjithçka tjetër. Dukej shumë i vendosur për integrimin e shpejtë të Shqipërisë në BE. Folëm edhe për libra, disa edhe i komentuam. Ditë më vonë lexova parathënien e tij të librit “Lidership” nga Kisinger. Mendimet e spikatura për këtë libër të jashtëzakonshëm dhe ndërlidhja e tij me rrugëtimin evropian të Shqipërisë, siç e thekson, është akt. Formësimi i së ardhmes kërkon aftësi për të lexuar të padukshmen, për të parashikuar të paparashikueshmen, për të bërë historinë me dorën tonë. Kam përshtypje më lehtë i kam kaluar unë këto gjashtë vite në izolim sesa Edi në punën e tij për zbatimin e standarteve evropiane, në veçanti për kapërcimin e pengesave lokale, atyre sociale dhe politike. Nuk është e lehtë të kapërcehen dekadat e humbura të një kombi. Komenti im për atë që po ndodh në Shqipëri është i shkurtër: Shqipëria evropiane është shpresa, besimi dhe siguria e shqiptarëve.

Zoti Thaçi, djali juaj po vjen duke ju ngjarë gjithmonë e më shumë. Ai është sot në moshën që ju jeni kyçur ilegal, por njëkohësisht ai po vihet re në shumë evente publike. A do të përfshihet djali juaj në politikë?

Endriti, shumicën e viteve kur shërbeva si kryeministër dhe president, ishte fëmijë ose në moshë adoleshente. Gjithmonë e kam inkurajuar të kalojë jetë sa më sociale me moshatarët e vet, të mos jetë i veçuar. Tani ka kryer studimet, punon dhe vazhdon për master. Është me këmbë në tokë. Thonë që më ngjan shumë. Fizikisht po, por nga karakteri i kanë Lumës. Por nuk thonë kot: “Më bëj babë të të ngjaj.” Janë duke e vuajtur padrejtësisht mungesën time. Me Endritin bisedojmë për inteligjencën artificiale, teknologjinë informative, muzikën, filmat, sportin dhe bjeshkët. Nga ndonjëherë e ngacmoj edhe për simpatitë apo dashuritë e tij. Çdo herë më viziton, më sjell ndonjë libër të ri. Nga përzgjedhja e librave po e kuptoj se ka kultivuar mendimin kritik për fenomenet. Po ecën me kohën, e njeh dhe e kupton botën. Ndihem mirë. E do Shqipërinë. Për mua politika është profesion shumë i mirë dhe fisnik, por tek Endriti nuk kam vërejtur fare interesim dhe përfshirje. Natyrshëm ai ka preferencat dhe shijet e veta jetësore. Nuk ka ndrojtje as druajtje. I thotë gjërat siç i mendon, troç. Tërë qenien e tij ka veç dashuri dhe respekt për njerëzit. Tani është rritur. Mbetet që unë të respektoj zgjedhjet e tij.

Zoti Thaçi, cili do të ishte mesazhi juaj i fundit për shikuesit e emisionit Opinion?

Më herët me revistën “Klan”, e pak më vonë edhe me emisionin “Opinion”, si shumica e publikut shqiptar, edhe unë kam bashkëjetuar tash e tri dekada. Revista “Klan” ka bërë portretin tim të parë – është ballina me foto dhe shenjë të UÇK-së që familja ende sot me krenari e mban në kornizë në ballë të dhomës së pritjes në Drenicë. Ju ishit afër nesh në negociatat e Rambujesë e Parisit 1999. Ruajnë në memorje shkrimet e gazetarëve nga vendi i ngjarjes. Nëse nuk gaboj, Shkullaku dhe Bushati. Me ty, Blendi, bashkërisht u futëm në Kosovë – fluturimi i paharrueshëm dhe mbresëlënës me helikopter të NATO-s. Ishit prezent edhe në bjeshkët e Drenicës, në bisedimet me ndërkombëtarët për transformimin nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës në Trupat Mbrojtëse, si dhe në nënshkrimin e 21 qershorit 1999 në Prishtinë. Jeni të vetmit nga bota e medias që më 17 shkurt 2008, nga mëngjesi deri në mbrëmje, regjistruat hap pas hapi ngjarjet dhe kapët pamjet më pikante gjatë ditës së shpalljes së pavarësisë. Kameramanët tuaj morën pamjen tek po rendisja fjalët e fundit të deklaratës së pavarësisë në kompjuterin tim, para se të printoheshin dhe të ndodhte shpallja në Parlament, paralelisht duke u bartur në pergamenë nga profesori Shuqëri Nimani. Ju ishit të vetmit që morët pamjen e flamurit, stemës dhe tingujt e himnit shtetëror para se të shfaqeshin apo dëgjoheshin nga publiku.

Le të jetë Blendi kësaj radhe kjo retrospektivë mesazhi për shikuesit tuaj. Ju, Sandri dhe kolegët tuaj, keni edhe shumë për të bërë, ndërsa shqiptarët edhe më shumë për të parë e dëgjuar.

Zoti bekoftë Kosovën. Zoti bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët. Zoti i bekoftë aleatët perëndimorë.

Ishte kjo intervista e Hashim Thaçit. 18 pyetje që ju deshën gjashtë muaj për të mbërritur nga Haga në Tiranë. Dy prej pyetjeve hoqëm, sepse nuk kishin më lidhje me aktualitetin. Nuk patëm mundësi t’u shtonim pyetje të tjera që lidheshin me kërkesën e prokurorisë për t’u dënuar me 45 vjet burg, me zhvillimet në Kosovë, me largimin e presidentes Osmani apo me zgjedhjet e reja. Por në kushte izolimi, asnjëherë nuk është e lehtë.

Hashim Thaçi, besoj, është nga ata shqiptarë që e di shumë mirë çdo të thotë të jesh në izolim, të jesh klandestin, të fshihesh, të jesh ilegal. Por mbi të gjitha, ka mësuar dhe ka ditur që herët se ç’do të thotë të luftosh për kombin tënd.

Unë do ta mbyllja me një thirrje, me një shprehje të një dëshire: që Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli të jenë sa më shpejt të lirë, të kthehen në familjet e tyre, të kthehen te njerëzit e tyre të afërt, të kthehen qoftë edhe në politikën e Kosovës. Asnjëri prej tyre nuk po dënohet se ishte politikan i mirë apo i keq. Ata po dënohen se në një moment të caktuar, më të rëndësishmin për kombin dhe popullin e tyre, ata zgjodhën të rrezikojnë jetën e tyre për një të ardhme më të mirë të gjithë kombit.

Unë nuk kam asnjë fjalë tjetër, por duke perifrazuar frazën e fundit të Hashim Thaçit, mund të them: Zoti i bekoftë të gjithë ata që punuan për Kosovën dhe Shqipërinë.