Ballina Bota Si presidentët e mëparshëm amerikanë i fshehën sëmundjet e tyre

Si presidentët e mëparshëm amerikanë i fshehën sëmundjet e tyre

Në të kaluarën, presidentët amerikanë gënjyen për gjendjen e tyre shëndetësore sa mundën. Donald Trump po i qëndron besnik kësaj tradite.

Zyrtarisht, presidenti ndodhej në një “udhëtim katërditor peshkimi” nga Nju Jorku drejt shtëpisë së tij verore në Cape Cod. Në të vërtetë, bëhej fjalë për jetë a vdekje.

Më 1 korrik 1893, një ekip prej gjashtë mjekësh ia hoqi Grover Cleveland-it pesë dhëmbë, rreth një të tretën e qiellzës së sipërme dhe një pjesë të madhe të nofullës së sipërme të majtë – në një jaht të quajtur “Oneida”.

Arsyeja: Presidenti Cleveland, në atë kohë në fillim të mandatit të tij të dytë, kishte një tumor malinj në qiellzë. Duhanpirësi pasionant, i cili pëlqente ta përtypte edhe duhanin, iu nënshtrua fshehurazi operacionit për të mos lejuar që të përhapeshin thashetheme.

Ai kishte frikë se diagnoza e kancerit do të fuste në panik vendin, njerëzit dhe bursat dhe do ta dëmtonte ekonominë, e cila edhe ashtu ishte e dobësuar. Kur shtypi nisi megjithatë të pyeste, u tha se presidenti amerikan kishte kaluar “asgjë më shumë se trajtime dentare”.

Presidenti Cleveland, 1908: operacion sekret në jaht

Vetëm pothuajse një dekadë pas vdekjes së Cleveland-it, publiku mësoi në vitin 1917 sa e rëndë kishte qenë në të vërtetë gjendja shëndetësore e presidentit gjatë atij vere të vitit 1893. Njëri nga mjekët botoi kujtimet e tij, siç ka rindërtuar autori amerikan Matthew Algeo në studimin e tij “The President is a Sick Man” (2011).

Grover Cleveland nuk ishte i vetmi president amerikan që fshehu gjendjen e tij shëndetësore për t’u dukur më mirë, më në formë dhe më i aftë për të vepruar para publikut. E kuptueshme: askujt nuk i pëlqen të ekspozohet, shëndeti është në fund të fundit edhe çështje private, qofsh politikan, punonjës i Penny-t apo perandor i Kinës.

Dhe për një kohë të gjatë publiku amerikan nuk shqetësohej shumë për shqetësimet shëndetësore të presidentëve dhe kandidatëve presidencialë. Vetëm në vitin 1881 shtypi filloi të raportonte më shpesh për gjendjen shëndetësore të një presidenti amerikan, siç shkruan historiani amerikan Richard Shenkman.

James Garfield ishte rrugës për në New Jersey, kur një atentator e qëlloi më 2 korrik 1881 në Washington, D.C. Presidenti amerikan luftoi për jetën për tre muaj përpara se të ndërronte jetë nga plagët më 19 shtator.

Gjatë kësaj kohe, kombi amerikan u mësua me raportime të rregullta për gjendjen shëndetësore të presidentit. Tirazhet e gazetave u rritën ndjeshëm dhe interesi i lexuesve krijoi kërkesa të reja.

“Kurrë më presidentët nuk do të ishin të sigurt nga pyetjet ndërhyrëse të reporterëve kureshtarë”, shkruan historiani Shenkman. Për këtë arsye, burrat në Shtëpinë e Bardhë shpikën mënyra të ndryshme për të shmangur shtypin – ja një përmbledhje.

I paralizuar pas një goditjeje në tru

Presidenti amerikan Woodrow Wilson kishte përjetuar triumfe të mëdha politike me vendin e tij. Në vitin 1918 kishte fituar Luftën e Parë Botërore, kishte skicuar një program paqeje për rendin pasluftës në 14 pika që më vonë do të bëheshin të famshme, dhe kishte frymëzuar krijimin e Lidhjes së Kombeve.

Presidenti amerikan Wilson gjatë një fjalimi, foto pa datë: Goditje në tru e maskuar si “lodhje nervore”

Natyrisht, qytetarët donin ta festonin nga afër këtë hero, ta shihnin, ta dëgjonin dhe ta duartrokisnin. Por nga vjeshta e vitit 1919 kjo nuk ishte më e mundur. Njeriu më i fuqishëm në botë ishte i sëmurë dhe, pas një goditjeje të rëndë në tru në vitin 1919, në thelb ishte i paaftë për të ushtruar detyrën.

Ai nuk mund të fliste më dhe ana e majtë e trupit i ishte paralizuar. Me dorë që i dridhej, ai nënshkruante atë që këshilltarët ia sillnin në shtrat. Vendi ishte politikisht po aq i paralizuar sa njeriu që në dukje vazhdonte ta drejtonte.

Gjendja dramatike shëndetësore e Wilson-it u fsheh. Dhe diçka që sot, në kohën e raportimit të pandërprerë mediatik, do të dukej pothuajse e pamundur, funksionoi më shumë se 100 vjet më parë: shumica dërrmuese e amerikanëve nuk e morën vesh deri në fund të mandatit të dytë të Wilson-it në vitin 1921 sa keq ishte gjendja e presidentit.

“The President says”

Herë pas here turmës që priste i thuhej se presidenti vuante nga një “lodhje nervore”; kjo ishte pak para goditjes së rëndë në tru. Pas saj, ai nuk u shfaq më kurrë para popullit.

Publiku ushqehej me komunikata për shtyp dhe dezinformohej. Shpesh korrespondenca fillonte me një formulim që vetë ishte gënjeshtër: “The President says” – “Presidenti thotë”.

Ndërkohë, në Shtëpinë e Bardhë vendimet i merrnin të tjerë, gjë që nuk ishte parashikuar nga Kushtetuta: sekretari privat Joseph Tumulty, mjeku personal Cary Grayson – dhe veçanërisht gruaja e Wilson-it, Edith.

Disa sot e quajnë atë presidenten e parë dhe të vetme të SHBA-së. Thuhet se ajo një herë kishte deklaruar se nuk e kuptonte gjithë këtë zhurmë që burrat bënin për këtë çështje: “Nuk pata asnjë vështirësi ta drejtoja vendin ndërsa Woody ishte i sëmurë.”

Presidenti i SHBA-së, Trump, duke bërë një sy gjumë pushteti, 2025: Stili politik i mashkullit alfa

Gënjeshtrat, gjysmë të vërtetat dhe mashtrimet për gjendjen shëndetësore e kanë burimin në një kulturë politike që dobësinë fizike e sheh si mangësi dhe e barazon me mungesën e forcës politike.

Një kulturë që Donald Trump e ka ringjallur me stilin e tij politik të “mashkullit alfa”. Joe Bidenin, megjithëse vetëm pak më i madh në moshë se ai vetë, e tallte si “Sleepy Joe”, një plak të rraskapitur.

Edhe Hillary Clinton, kandidate presidenciale e demokratëve në vitin 2016 përballë Trumpit, u ndje e detyruar të japë sqarime për një pneumoni pasi u rrëzua gjatë një aktiviteti në Nju Jork.

“Një e tillë”, sugjeronin kundërshtarët e saj politikë, “nuk mund ta drejtojë vendin.”

Fotografitë e ndaluara

Që më herët, Franklin D. Roosevelt, i lindur në vitin 1882, e kuptoi se nuk mund t’ia besonte publikut të gjithë përmasën e sëmundjes së tij pa bërë vetëvrasje politike. Ai vuante nga poliomieliti, pra paraliza infantile – një sëmundje që për një kohë të gjatë kishte qenë tabu në SHBA.

Roosevelt, i zgjedhur për herë të parë president në vitin 1932, pranoi se kishte vuajtur nga poliomieliti në vitet njëzet. Por ai fshehu faktin se nuk ishte rikuperuar plotësisht.

Presidenti amerikan Roosevelt, foto pa datë: Poliomeliti i fshehur

Për të fshehur se nuk mund t’i lëvizte mirë këmbët, fotografëve nuk u lejohej ta fotografonin gjatë hyrjes apo daljes nga makina.

Ai gjithashtu fshehu se vuante nga tensioni i lartë i gjakut dhe probleme serioze të zemrës. Vetëm tre muaj pas fillimit të mandatit të tij të katërt, Roosevelt pësoi një goditje në tru dhe vdiq në prill të vitit 1945.

Sulmi në zemër i fshehur

Presidenti amerikan Dwight D. Eisenhower, nga ana tjetër, e quajti fillimisht një sulm në zemër në vitin 1955 si “çrregullim tretjeje” – i shkaktuar gjoja nga qepët në një hamburger. Heroi i Luftës së Dytë Botërore u ankua për dhimbje të forta në gjoks gjatë lojës së golfit në Denver.

Presidenti amerikan Eisenhower, foto pa datë: dhimbje të papritura në gjoks gjatë golfit

Gjatë natës ai u konsultua me mjekun e tij personal, Howard Snyder. Edhe ai fillimisht foli për shqetësime gastrointestinale. Vetëm pas shtrimit në spital doli zyrtarisht se Eisenhower kishte pësuar një sulm të dytë në zemër.

Edhe John F. Kennedy e mashtroi publikun: vërtet ai ishte, me 43 vjet, presidenti më i ri i zgjedhur që kishin pasur ndonjëherë SHBA-të. Por Kennedy vuante nga sëmundja Addison, një pamjaftueshmëri kërcënuese për jetën e gjëndrave mbiveshkore.

Përveç kësaj, atë e mundonin probleme të rënda të zorrëve dhe të shtyllës kurrizore. Kennedy duhej të merrte, ndër të tjera, kortizon, qetësues dhimbjesh, ilaçe gjumi, stimulues dhe hormone.

Presidenti amerikan Kennedy gjatë një fjalimi në Uashington, 1963: u paraqit si rikthim i malaries

Stafi i tij, megjithatë, i mohonte sëmundjet e Kennedy-t ose i paraqiste si “rikthim të malaries”. Mjekët që e trajtonin e lavdëruan gjendjen shëndetësore të politikanit në vitin 1960 si excellent (“të shkëlqyer”) dhe theksuan “vitalitetin, qëndrueshmërinë dhe rezistencën e tij ndaj infeksioneve”. Vetëm dekada më vonë doli në dritë përmasa e dëmtimeve të tij.

“Në formë si atlete”

Një kthesë drejt më shumë transparence e bëri vetëm presidenti amerikan Gerald Ford. Ai ishte i pari që, në vitin 1976, guxoi diçka që askush para tij nuk e kishte bërë: me dëshirën e tij, dhe kundër këshillës së mjekut, lejoi publikimin e një raporti të plotë për kontrollin e tij shëndetësor.

Ky kontroll fizik presidencial, që nga vitet shtatëdhjetë, u bë një traditë e vendosur, edhe pse jozyrtare. Zakonisht kryhet çdo vit në Qendrën Kombëtare Ushtarake Mjekësore Walter Reed në Bethesda, Maryland.

Në vitin zgjedhor 1976, Ford zgjodhi rrugën e hapjes së plotë, sepse donte të dërgonte një sinjal transparence maksimale dhe të shkëputej nga fshehtësia e së kaluarës.

Gjashtë të shtëna ndaj Reganit

Edhe pse presidentët amerikanë që nga Fordi zakonisht publikojnë rezultatet e kontrolleve të tyre fizike, sa shumë zbulojnë mbetet në dorë të secilit prej tyre. Prandaj burrat në Shtëpinë e Bardhë, edhe pas ofensivës së sinqeritetit të Fordit, vazhduan me qejf t’i zbukuronin, t’i fshihnin ose t’i minimizonin historitë e tyre mjekësore.

Ose shfaqeshin si burra të fortë edhe në gjendje të rëndë fizike: më 30 mars 1981, John Hinckley Jr. qëlloi gjashtë herë ndaj presidentit amerikan Ronald Reagan para hotelit Washington Hilton. Plumbi i fundit u përplas në limuzinën presidenciale dhe e goditi Reaganin nën krahun e majtë.

Presidenti amerikan Reagan: humbja e gjakut pas atentatit u fsheh

Reagani e fshehu dhimbjen dhe këmbënguli të hynte në spital duke ecur. Fakti që ishte i plagosur rëndë, në rrezik për jetën, dhe kishte humbur shumë gjak, nuk u komunikua qëllimisht.

Zemra e një 65-vjeçari

Po si është gjendja e Donald Trumpit? Ai ka “shëndet të shkëlqyer”, tha Sean Barbabella, mjeku personal i Trumpit, në tetor 2025, pas kontrollit të fundit të presidentit. Madje më shumë: Trumpi, pothuajse 80-vjeçar, paska zemrën dhe sistemin vaskular të një 65-vjeçari.

A mund t’u besohet, pas kësaj tradite të gjatë mashtrimesh dhe gënjeshtrash, fjalëve të mjekëve personalë të presidentëve amerikanë?

Fjalë që Trumpit me siguri do t’i pëlqenin. Kritikët, ndërkaq, ankohen prej kohësh se raportet mjekësore, përveç fjalëve të bukura, rrallë përmbajnë fakte të verifikueshme.

Më shumë për këtë temë

Dhe të paktën një herë Trumpi ka bërë vetë hile: gjatë pandemisë së koronavirusit, ai e kishte paraqitur shpesh Covid-in si diçka të parëndësishme. Kështu veproi edhe kur u sëmur vetë në vjeshtën e vitit 2020. “Mos kini frikë nga Covid-i”, deklaroi me zë të lartë në rrjetet sociale. “Mos e lini të dominojë jetën tuaj.”

Por në prapaskenë, mjekët dhe specialistët e Covid-it shqetësoheshin për jetën e tij. Dhe i dhanë një trajtim intensiv, përfshirë një koktej antitrupash ende të paautorizuar dhe një ilaç kundër rasteve të rënda. Për një gjë të tillë, qytetarët e zakonshëm amerikanë atëherë vetëm mund të ëndërronin./TetovaNews