Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajt debati publik i Komisionit për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive lidhur me Propozim-ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat.
Në debat morën pjesë përfaqësues të institucioneve, ekspertë, përfaqësues të organizatave civile dhe të interesuar të tjerë, të cilët paraqitën qëndrimet dhe vërejtjet e tyre lidhur me zgjidhjen e re ligjore.
Mes pjesëmarrësve ishte edhe Hava Kurtishi, e cila paraqiti pikëpamjet dhe vërejtjet e saj për përmbajtjen e propozim-ligjit, duke theksuar rëndësinë e sigurimit të mekanizmave efektivë për realizimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në institucionet publike.
Debati publik u zhvillua në kuadër të procedurës parlamentare për shqyrtimin e propozim-ligjit, ndërsa vërejtjet dhe sugjerimet e paraqitura pritet të merren në konsideratë në fazat e mëtejshme të procesit legjislativ.
Të nderuar të pranishëm,
Unë jam Hava Kurtishi, magjistre e shkencave juridike dhe aktualisht këshilltare në Këshillin e Komunës së Çairit.
Duke pasur parasysh se i takoj brezit të ri, sytë e të cilit janë drejtuar kah vlerat perëndimore, atje ku bëjnë pjesë popujt e civilizuar, me këtë rast dua të shpreh qëndrimin tim afirmativ ndaj Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Jo rastësisht po e bëj këtë hyrje, sepse në vendet e civilizuara perëndimore, për zgjidhjen e një problematike shtetërore, mjafton të miratohet një dokument juridik, me të cilin garantohen të drejta dhe detyrime të caktuara, apo të miratohet një ligj për rregullimin e një fushe përkatëse. Natyrisht, abuzime mund të ketë, por jo në përmasa të tilla që të luhatet besimi apo funksionimi normal i institucioneve shtetërore. Edhe nëse ndodhin, ato tejkalohen përmes identifikimit të mangësive dhe përmirësimit të tyre. Në raste të tilla, mbi të gjitha, vullneti politik është esencial për zgjidhjen e problemeve.
Jo rastësisht po i qasem ligjit nga fundi, sepse ai përmban një dispozitë që quhet “Ndjekja dhe analiza e gjendjes që do të krijohet me zbatimin e këtij ligji”. Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është parim kushtetues. Sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ai është vlerë themelore e rendit kushtetues, e përcaktuar në nenin 8, paragrafi 1, alineja 2, ku garantohet shprehja e lirë e përkatësisë kombëtare, si dhe përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i qytetarëve që u takojnë të gjitha komuniteteve në organet e pushtetit shtetëror dhe në institucionet e tjera publike, në të gjitha nivelet.
Kjo vlerë kushtetuese është plotësuar me Amendamentin VI të vitit 2001, përkatësisht me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, si burim specifik i së drejtës kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Sipas profesorit të së drejtës kushtetuese, Svetomir Shkariq, në këtë dispozitë kushtetuese bëhet fjalë për dy vlera që kanë pika të përbashkëta, por edhe përmbajtje të ndryshme. Vlera e parë, shprehja e lirë e përkatësisë etnike, është e drejtë personale e çdo njeriu dhe qytetari që ta shprehë apo të mos e shprehë përkatësinë e vet etnike. Vlera e dytë është e drejtë kolektive e bashkësive etnike që të jenë të përfaqësuara në mënyrë të drejtë dhe adekuate në organet shtetërore dhe në institucionet e tjera publike, në të gjitha nivelet.
Siç vëren profesori, në vitin 2011, Robert Badinter, njëri ndër krijuesit e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, kishte shprehur mendimin se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat sipas parimit etnik nuk është zgjidhje për Republikën e Maqedonisë së Veriut, sepse krijon grupe të privilegjuara dhe rrezikon ta paralizojë administratën shtetërore.
Mund të thuhet se edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese me numër 90/2024 është në funksion të këtij qëndrimi, me rastin e shfuqizimit të të ashtuquajturit mekanizëm për sigurimin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat gjatë punësimit, i njohur si “Balancuesi”.
Pra, Balancuesi, për ta bërë më të qartë, nuk ka shërbyer as si ligj dhe as si akt nënligjor, por ka qenë vetëm një mekanizëm që është përpjekur ta jetësojë këtë parim kushtetues, pa ndonjë efekt të qartë, të matshëm dhe të qëndrueshëm.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në vendimin e lartpërmendur, përveç dispozitave të ligjeve pozitive dhe të Kushtetutës, është thirrur edhe në Raportin e Komisionit Evropian për vitin 2023. Në përmbledhjen e këtij raporti, përkatësisht në Klasterin 1, mes të tjerash, jepen vëzhgime dhe rekomandime lidhur me përqindjen që përdoret në formulën e Balancuesit, si mjet për menaxhimin e resurseve njerëzore, i cili përcakton përqindjen e të punësuarve në sektorin publik sipas përkatësisë etnike. Raporti thekson se gjendja edhe më tej mbetet shqetësuese.
Në funksion të shmangies së imponimit të përkatësisë etnike ka qenë edhe vendimi me numër 92/2023 i Gjykatës Kushtetuese, me rastin e shfuqizimit të dispozitave të Ligjit për evidencën amë. Në këtë vendim, Gjykata shpreh qëndrimin se përkatësia etnike është ndjenjë personale e qytetarit dhe, si e tillë, mund të ndryshohet. Është e drejtë personale e qytetarit të vendosë nëse do ta shprehë dhe si do ta shprehë përkatësinë e vet, por po ashtu është e drejtë e tij të vendosë edhe të mos e shprehë atë.
Sipas Gjykatës, shprehja e përkatësisë etnike, përkatësisht përkatësia ndaj një bashkësie të caktuar, si dhe mundësia e përpunimit të kësaj të dhëne, nuk mund të imponohet si detyrim ligjor për qytetarin. Të dhënat si emri, mbiemri, numri amë, data dhe vendi i lindjes, adresa dhe vendbanimi, adresa elektronike dhe të dhëna të ngjashme, sipas Gjykatës, janë të kuptueshme dhe relevante për personin. Megjithatë, të dhënat për përkatësinë etnike nuk mund të konsiderohen të dhëna relevante për paraqitjen e kandidatit për punësim. Më saktë, kjo e dhënë është irelevante për qëllimet e punësimit dhe, si e tillë, nuk mund të jetë objekt përpunimi bashkë me të dhënat e tjera themelore.
Të dhënat që zbulojnë informacione për përkatësinë etnike dhe racore të subjektit, sipas Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të Bashkimit Evropian, janë të dhëna të ndjeshme ose të kategorizuara si të dhëna të veçanta. Për këtë arsye, mbledhja e kësaj të dhëne personale në mënyrë të detyrueshme është jokushtetuese.
Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, nga aq sa kam arritur ta analizoj, është nisur pikërisht nga këto vërejtje dhe nga qëndrimet e Gjykatës Kushtetuese. Ai synon t’i korrigjojë gabimet e mëparshme dhe të gjejë zgjidhje në frymën e respektit, afirmimit, avancimit dhe ndjekjes së përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, duke u bazuar në meritë, mundësi të barabarta për të gjithë, mosdiskriminim, kompetencë, profesionalizëm dhe integritet të qytetarëve gjatë punësimit, si dhe në llogaridhënie. Në këtë mënyrë, synohet të arrihet një shkallë më e lartë e gjithëpërfshirjes dhe kohezionit social.
Duke i pasur parasysh argumentet e sipërpërmendura, miratimi i një ligji të tillë është i domosdoshëm. Edhe raportet e Avokatit të Popullit gjatë dekadës së kaluar tregojnë se kjo vlerë kushtetuese është realizuar vetëm pjesërisht. Gjendja faktike dëshmon se përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është përmirësuar, por ky përmirësim është cenuar nga fenomeni i ndryshimit të përkatësisë etnike për çdo punësim.
Kësisoj, edhe pse Balancuesi ka qenë funksional, institucionet tona nuk kanë qenë imune dhe nuk kanë arritur t’i parandalojnë fenomenet e tilla. Si pasojë, sot përballemi me mungesë të një pasqyre të saktë dhe reale të numrit apo përqindjes së përfaqësimit të bashkësive etnike në shtetin tonë.
Propozim-ligji i ri, fillimisht, synon të krijojë një pasqyrë më të saktë për gjendjen reale në institucionet shtetërore dhe publike. Kjo do të bëhet përmes krijimit të një trupi koordinues për ndjekjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, i cili do të ketë kompetenca ekzekutive dhe masa të tjera në dispozicion, të përcaktuara me ligj, për të realizuar rishikimin e politikave, programeve dhe planeve të punësimit në sektorin publik, me qëllim avancimin e përfaqësimit.
Për arritjen e objektivave të ligjit, natyrisht, duhet të kalojë një periudhë kohore për formimin dhe ngritjen e vetëdijes së institucioneve dhe të shoqërisë në përgjithësi, sepse për herë të parë po jetësohet në këtë mënyrë një parim kushtetues. Edhe pse i vonuar, ligji mbetet shpresëdhënës. Ai ofron shpresë për t’u dhënë fund abuzimeve dhe manipulimeve, si dhe për ta zgjidhur njëherë e përgjithmonë nyjën e një praktike të krijuar përmes ndryshimit të përkatësisë etnike varësisht nga klima e punësimit.
Ky ligj synon t’u japë përgjigje edhe pyetjeve të përsëritura të mediave, të drejtuara ndaj udhëheqësve të institucioneve, se a janë të vetëdijshëm që të punësuarit e rinj u takojnë përkatësive të tjera etnike nga ato që i kanë deklaruar gjatë punësimit.
Me këtë ligj, të punësuarit e rinj mbrohen nga deklaratat interne të nënshkruara në fshehtësi për ndryshimin e përkatësisë etnike, nga arkivimi i tyre dhe nga përpunimi i këtyre të dhënave si të dhëna personale. Një praktikë e tillë, sipas standardeve evropiane, drejt të cilave Republika e Maqedonisë së Veriut synon të ecë tash e një kohë të gjatë, është jokushtetuese dhe e papranueshme.
Duke qenë se merrem edhe pak me letërsi, po e përmbyll këtë fjalim timin me poezinë e W. H. Audenit, “Ligji si dashuria”, ku poeti thotë:
Ligji, thotë gjykatësi i vrenjtur në fytyrë,
Tek flet rreptë e shkoqur, me hije të rëndë,
Ligji, pra, është siç ju thashë qëparë,
Ligji do të thotë, siç e dini vetë,
Është që t’jua shkoqis edhe njëherë,
Shkurt fjala: ligji është ligj.
Më mirë një ligj i papërsosur sesa fare pa ligj.
Ju faleminderit!















