Një aksident tragjik ka ndodhur paraditen e së hënës, 15 qershor 2026, në “Rrugën e Kombit”, në aksin rrugor Rrëshen–Reps, pranë fshatit Gëziq në Mirditë, ku ka humbur jetën Kujtim Aliu, 46-vjeçar nga Kosova.
Sipas të dhënave paraprake, Aliu dyshohet se sapo kishte zbritur nga një autobus dhe po tentonte të kalonte në anën tjetër të autostradës, kur është goditur nga një automjet që po qarkullonte në këtë segment rrugor.
Përplasja i ka shkaktuar 46-vjeçarit plagë të rënda. Menjëherë pas ngjarjes, ai është transportuar me urgjencë drejt spitalit, por nuk ka arritur t’u mbijetojë dëmtimeve të marra dhe ka ndërruar jetë gjatë transportimit.
Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 08:45. Automjeti drejtohej nga shtetasja kosovare N. R., e cila pas ngjarjes është shoqëruar në Komisariat për kryerjen e veprimeve procedurale.

Njoftimi nga policia
“Rreth orës 08:45, në Rrugën e Kombit, në afërsi të fshatit Gëziq, automjeti me drejtuese shtetasen kosovare N. R. ka përplasur shtetasin K. A., rreth 46 vjeç, këmbësor.
Si pasojë është dëmtuar shtetasi K. A., i cili ka humbur jetën gjatë transportimit në spital.
Drejtuesja e automjetit u shoqërua në Komisariat, për kryerjen e veprimeve procedurale.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Lajmi për vdekjen e Kujtim Aliut ka shkaktuar pikëllim te familjarët, miqtë dhe kolegët e tij.
Në një njoftim mortor të publikuar nga faqja “Peja vendi im”, bëhet e ditur se për kohën dhe datën e varrimit familjarët do të njoftojnë më vonë.
Njoftimi mortor
“Me pikëllim të thellë njoftojmë familjarët, miqtë dhe dashamirët se ka ndërruar jetë papritmas më i dashuri ynë, Kujtim Aliu.
Lusim Zotin që ta mëshirojë dhe ta shpërblejë me Xhenetin Firdeus, ndërsa familjes, miqve dhe të afërmve u shprehim ngushëllimet më të sinqerta.
Për kohën dhe datën e varrimit do t’ju njoftojmë me kohë.”
Edhe kompania “Zekaj Tours”, ku Kujtim Aliu ishte koleg, ka reaguar me dhimbje për humbjen e tij, duke e përshkruar si njeri të ndershëm, punëtor, të respektuar dhe të dashur për të gjithë.
Reagimi i Zekaj Tours
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të kolegut tonë të dashur, Kujtim Aliu.
Humbja e tij e parakohshme na ka tronditur dhe pikëlluar pa masë. Kujtimi do të mbetet gjithmonë në mendjet dhe zemrat tona si një njeri i ndershëm, punëtor, i respektuar dhe i dashur për të gjithë.
Në këto çaste të vështira, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes Aliu, miqve dhe të afërmve të tij. Ndajmë dhimbjen me ta dhe lutemi që të gjejnë forcë për ta përballuar këtë humbje të rëndë.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të.”/TetovaNews















