Zjarre pyjore kanë shpërthyer në disa provinca të Turqisë, ndërsa ekipet vazhdojnë përpjekjet për shuarjen e flakëve në Izmir dhe Muğla.
IZMIR
Ekipet po ndërhyjnë për shuarjen e një zjarri që shpërtheu në një zonë pyjore në rrethin Ödemiş të Izmirit.
Zjarri ra për shkaqe ende të panjohura në zonën pyjore pranë Kodrës Çerkes, në lagjen Çamlıca.
Pas njoftimit, në zonë u dërguan ekipet e Drejtorisë Rajonale të Pyjeve të Izmirit dhe njësitë zjarrfikëse.
Ndërhyrja e ekipeve për vënien nën kontroll të zjarrit vazhdon.
Në vendngjarje mbërritën edhe prefekti i Ödemişit, Hakan Yavuz Erdoğan, dhe kryetari i Komunës së Ödemişit, Mustafa Turan, të cilët ndoqën nga afër operacionin.
MUĞLA
Një zjarr shpërtheu rreth orës 23:00 në një pyll me pisha të kuqe në lagjen Turgutlar, në rrethin Yatağan të provincës Muğla.
Banorët e zonës, pasi vunë re tymin që ngrihej nga pylli, njoftuan Qendrën e Thirrjeve Emergjente 112.
Pas alarmit, në zonë u dërguan ekipet e Drejtorisë Rajonale të Pyjeve të Muğlës. Ndërhyrja për shuarjen e zjarrit po zhvillohet nga toka.
ZJARRI NË DIYARBAKIR U SHUA
Një zjarr përfshiu kashtoret dhe bimësinë sipërfaqësore në zonat e lagjeve Karahasan, Yenişehir dhe Muradiye, në rrethin Lice të Diyarbakırit.
Shkaqet e zjarrit ende nuk janë përcaktuar.
Pas njoftimit, në zonë u dërguan ekipet zjarrfikëse, Drejtoria e Administrimit të Pyjeve, Autoriteti për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave – AFAD, xhandarmëria dhe ekipet e urgjencës mjekësore 112.
Zjarri u shua pas ndërhyrjes së ekipeve.
ZJARR NË TOKA TË MBJELLA ME DRITHËRA NË YOZGAT
Një zjarr shpërtheu për shkaqe ende të panjohura në një sipërfaqe të mbjellë me drithëra në fshatin Mollaismail, në rrethin Aydıncık të provincës Yozgat.
Pas njoftimit, në zonë u dërguan xhandarmëria, ekipet zjarrfikëse nga provincat dhe rrethet përreth, si dhe ekipet e Administratës së Posaçme Provinciale.
Zjarri u shua falë ndërhyrjes së ekipeve dhe banorëve.
Nga flakët u dëmtuan rreth 100 dynymë tokë të mbjellë me drithëra.
Autoritetet kanë nisur hetimet për përcaktimin e shkakut të zjarrit.
ZJARR NË KÜTAHYA PAS GODITJES SË RRUFESË
Një zjarr shpërtheu në një zonë pyjore në rrethin Domaniç të provincës Kütahya, pasi një rrufe goditi pyllin.
Pas njoftimit, në zonë u dërguan tri automjete zjarrfikëse për terrene pyjore, një automjet për ndërhyrje të shpejtë dhe 20 pjesëtarë të Drejtorisë së Administrimit të Pyjeve në Domaniç.
Zjarri u vu nën kontroll dhe u shua pas ndërhyrjes së ekipeve.
VAZHDOJNË PUNIMET E FTOHJES NË BALIKESIR
Zjarri që shpërtheu në një zonë pyjore në rrethin Ayvalık të provincës Balıkesir është vënë nën kontroll pas ndërhyrjes së ekipeve nga ajri dhe toka.
Në zonën e prekur vazhdojnë punimet për ftohjen dhe parandalimin e riaktivizimit të vatrave.
ANKARA
Një zjarr shpërtheu për shkaqe ende të panjohura në një zonë me barishte pranë Unazës Rrugore, në rrethin Mamak të Ankarasë.
Pas njoftimit, në zonë u dërguan një numër i madh zjarrfikësish, policësh dhe ekipesh të Drejtorisë Rajonale të Pyjeve.
Flakët u përhapën edhe në një zonë pyjore, por zjarri u shua nga ekipet pa marrë përmasa më të mëdha.
ANTALYA
Një zjarr shpërtheu në rrethin Kepez të Antalyas, në një zonë me toka bujqësore dhe ullishte, pranë pyllit që ishte përfshirë nga flakët një ditë më parë.
Ndërhyrja kundër flakëve u zhvillua nga ajri dhe toka.
Për shuarjen e zjarrit, i cili preku ullishtet dhe tokat bujqësore, u angazhuan gjashtë automjete zjarrfikëse për terrene pyjore, katër autobote për furnizim me ujë, dy automjete për ndërhyrje të shpejtë, tre helikopterë dhe dy avionë zjarrfikës.
Zjarri është shuar, ndërsa në zonë vazhdojnë punimet e ftohjes.
35 DEKARË TOKË U DËMTUAN NË KIRKLARELI
Një zjarr, i cili shpërtheu për shkaqe ende të panjohura pranë fshatit Sofuhalil, në rrethin Babaeski të provincës Kırklareli, u përhap edhe në një zonë pyjore.
Pas alarmit, në zonë u dërguan ekipet e Drejtorisë së Administrimit të Pyjeve, zjarrfikësit, xhandarmëria, AFAD-i dhe ekipet mjekësore.
Në operacion u përfshinë helikopterë dhe avionë nga ajri, ndërsa nga toka u përdorën automjete zjarrfikëse dhe makineri të rënda.
Ekipet e Administratës së Posaçme Provinciale mbështetën operacionin edhe me autobote uji.
Zjarri u shua pas ndërhyrjes së ekipeve. Nga flakët u dëmtuan 35 dekarë tokë.
MANISA
Një zjarr që shpërtheu në një zonë me barishte në rrethin Kula të provincës Manisa dhe më pas u përhap në një sipërfaqe me pemë bajamesh, u shua pas ndërhyrjes së ekipeve./TN















