Ballina Kultura Fundi i leximit është afër — dhe kjo do të jetë një...

Fundi i leximit është afër — dhe kjo do të jetë një kthesë qytetërimore

Dy mijë e treqind vjet më parë, sipas legjendës, mbreti Ptolemeu I i Egjiptit i kërkoi këshilltarit të tij të krijonte një koleksion gjithëpërfshirës të veprave të shkruara nga e gjithë bota. Ptolemeu, i cili kishte shërbyer nën Aleksandrin e Madh, përfytyronte një bibliotekë që do të ruante tërësinë e dijeve të njerëzimit. Pasardhësit e tij e trashëguan këtë mision. Forcat mbretërore kontrollonin çdo anije që mbërrinte në Aleksandri, në kërkim të rrotullave me dorëshkrime. Ato ruheshin në Mouseîon, një faltore kushtuar Muzave dhe e frymëzuar nga Liceu i Aristotelit. Thuhet se edhe koleksioni personal i Aristotelit ka qenë pjesë e këtyre fondeve.

Një pjesë e madhe e historisë së Bibliotekës së Aleksandrisë ka humbur. Por dimë se ajo ishte skena e disa prej arritjeve më të mëdha intelektuale të botës para-moderne. Mbreti paguante dijetarë që të jetonin dhe punonin në bibliotekë, ndërsa koleksioni ishte i hapur për këdo që ishte “i etur për të studiuar, gjë që e nxiste të gjithë qytetin të fitonte urtësi”, siç shkroi një retor grek që e kishte vizituar atë. Pikërisht në Bibliotekën e Aleksandrisë Eratosteni llogariti perimetrin e Tokës dhe Zenodoti redaktoi dorëshkrimet më të hershme të eposeve të Homerit. Edhe Euklidi, autori i Elementeve të gjeometrisë, mund të ketë studiuar aty.

Por kjo periudhë lulëzimi intelektual nuk do të zgjaste. Rreth vitit 400 të erës sonë, biblioteka ishte zhdukur. Shumë studiues e konsiderojnë shkatërrimin e saj si humbjen më të madhe të dijes në histori dhe si fillimin e Mesjetës. Historianët kanë kaluar shekuj duke analizuar fragmente papirusi, në përpjekje për të kuptuar se çfarë kishte shkuar keq.

Për një kohë të gjatë është menduar se shkaku kryesor ishte lufta. Gjatë rrethimit të Aleksandrisë, në vitin 48 para erës sonë, Jul Cezari shkaktoi një zjarr që dogji më shumë se 40.000 rrotulla. Biblioteka mbijetoi në një formë të reduktuar deri në shekullin IV, kur mbështetësit e kryepeshkopit të Aleksandrisë plaçkitën tempullin pagan ku ruheshin dorëshkrimet e mbetura. Por historianët bashkëkohorë priren t’ua zvogëlojnë rëndësinë këtyre incidenteve dramatike, duke i dhënë më shumë peshë një shkaku shumë më banal: neglizhencës.

Mirëmbajtja e koleksionit kërkonte shpenzime kolosale. Lagështia, minjtë dhe insektet i dëmtonin ngadalë rrotullat e papirusit. Skribët duhej t’i kopjonin vazhdimisht tekstet e vjetra, përpara se ato të degradoheshin dhe të bëheshin të palexueshme. Në fund, vështirësitë e mirëmbajtjes së bibliotekës triumfuan mbi vullnetin për ta ruajtur atë.

“Nuk është se zhdukja e një biblioteke çoi në një epokë të errët, apo se mbijetesa e saj do t’i kishte përmirësuar ato kohë”, ka shkruar studiuesi i klasikëve Roger Bagnall. Fakti që biblioteka u la të vdiste tregonte se epoka e errët kishte mbërritur tashmë.

Një rënie që prek të gjitha kategoritë

Rreth 2.000 vjet më vonë, në rrethana krejt të ndryshme, errësira po dendësohet sërish.

Publicitet

Amerikanët, dikur krenarë për nivelin e tyre të shkrim-leximit, po lexojnë shumë më pak. Sipas National Endowment for the Arts, që zhvillon studimin më gjithëpërfshirës mbi zakonet e leximit në SHBA, më pak se gjysma e të rriturve deklaruan se kishin lexuar çfarëdo lloj libri gjatë vitit 2022. Vetëm 38 për qind kishin lexuar një roman apo tregim.

Një analizë e American Time Use Survey tregoi se përqindja e amerikanëve që lexojnë për kënaqësi gjatë një dite të zakonshme ra nga 28 për qind në vitin 2004 në 16 për qind në vitin 2023. Madje lojërat e fatit janë bërë një veprimtari më e zakonshme e kohës së lirë sesa leximi i librave: vitin e kaluar, 57 për qind e amerikanëve kishin vënë baste.

Rënia e leximit prek të gjitha grupmoshat, të dyja gjinitë dhe të gjitha nivelet e arsimit. Edhe kategoritë që tradicionalisht lexonin më shumë — pensionistët, gratë dhe të diplomuarit universitarë — kanë përjetuar një rënie të fortë.

Edhe librat që lexohen sot janë më të thjeshtë se dikur. Sipas The Economist, librat bestseller të The New York Times kanë fjali afërsisht një të tretën më të shkurtra sesa një shekull më parë.

Në vitin 1958, Doktor Zhivago i Boris Pasternakut ishte romani më i shitur i vitit. Pasternaku shkruante fjali të gjata e komplekse:

“Në atë mëngjes të butë e gri në male, Zhivago ndiente mëshirë për carin; e shqetësonte mendimi se një rezervë dhe ndrojtje e tillë mund të ishin tiparet thelbësore të një shtypësi, se një njeri kaq i dobët mund të burgoste, të varte ose të falte.”

Romani më i shitur vitin e kaluar ishte Sunrise on the Reaping, pjesa më e fundit e serisë për të rinj Hunger Games. Ndërsa romani më popullor për të rritur ishte Onyx Storm i Rebecca Yarros. Pavarësisht kënaqësive që mund të ofrojë ky libër i zhanrit romantasy, ai është shumë larg Pasternakut:

“Një muskul në nofullën e tij katrore dridhet teksa më ngul sytë, duke lëvizur lëkurën ngjyrë kafe të artë të faqes së parruar.”

Amerikanët marrin gjithashtu shumë më pak informacion përmes leximit.

Në vitin 1975, rreth gjysma e të rinjve në të njëzetat deklaronin se lexonin gazetë çdo ditë. Sot, këtë e bëjnë më pak se 10 për qind. Shumica informohen tashmë nga telefoni ose kompjuteri portativ dhe 40 për qind thonë se preferojnë t’i shohin ose t’i dëgjojnë lajmet, në vend që t’i lexojnë.

Aftësi në rënie

Ky zhvillim shpesh përshkruhet si “krizë e shkrim-leximit”. Aftësitë bazë të leximit të amerikanëve po dobësohen.

Amanda Kordeliski, anëtare e bordit të Shoqatës Amerikane të Bibliotekarëve Shkollorë, më tha se ajo dhe kolegët e saj janë detyruar të blejnë libra të rinj për t’iu përshtatur nivelit në rënie të leximit të nxënësve. Ndër librat më të njohur janë romanet grafike: versione të përditësuara të klasikëve, si seria The Magic Tree House për nxënësit e shkollës fillore, si dhe manga për nxënësit e shkollës së mesme.

Në vitin 2024, në një test kombëtar, vetëm 35 për qind e maturantëve u konsideruan “kompetentë” në fusha si analiza e temave komplekse të letërsisë artistike dhe vlerësimi i vlefshmërisë së argumentimit të një autori.

Pothuajse po aq morën rezultat nën nivelin “bazë”, që do të thotë se mund të kenë vështirësi edhe për të nxjerrë përfundime nga koncepte të shprehura qartë në një tekst, ose për të përdorur kontekstin për të kuptuar kuptimin e një fjale të panjohur.

Edhe rezultatet e të rriturve në shkrim-lexim kanë rënë. Gati 30 për qind e të rriturve amerikanë nuk janë në gjendje të parafrazojnë ose të nxjerrin përfundime nga një tekst disafaqësh. Në vitin 2017, kjo përqindje ishte më pak se 20 për qind.

Megjithatë, paradoksalisht, amerikanët ndoshta lexojnë sot më shumë fjalë se kurrë më parë.

Ajo që ka ndryshuar është përmbajtja dhe mënyra e leximit.

Jemi të përmbytur nga email-et, mesazhet, postimet në X, diskutimet në Reddit dhe përshkrimet në Instagram. Ky shpërthim fragmentesh tekstuale ka ardhur në kurriz të vëmendjes së qëndrueshme që kërkojnë veprat më të gjata, të cilat përmbajnë informacione të pasura dhe komplekse.

Maryanne Wolf, neuroshkencëtare njohëse në UCLA, thotë se njerëzit po humbasin aftësinë për të menduar thellë mbi atë që lexojnë.

Kjo nuk do të thotë se po harrojnë të deshifrojnë fjalët një nga një. Po humbasin aftësitë më të larta të të kuptuarit dhe të sintezës.

Me fjalë të tjera, nuk po bëhemi analfabetë, por “post-alfabetizuar”.

Ky është vetëm fillimi…

Situata ka të ngjarë të përkeqësohet me shpejtësi.

Brezi i ardhshëm lexon shumë më pak sesa lexonin të rriturit e sotëm kur ishin fëmijë. Mësuesit e kopshteve thonë se shumë prej nxënësve të tyre nuk njohin as vjersha fëmijësh, as përralla.

Nga viti 1984 deri më 2025, përqindja e 13-vjeçarëve që thoshin se lexonin rrallë ose kurrë për kënaqësi u rrit nga 8 në 29 për qind.

Sa më shumë rritet një fëmijë, aq më pak i pëlqen të lexojë.

Leximi ka filluar të duket i panevojshëm edhe për disa nga anëtarët më të arsimuar të shoqërisë.

Margaret Rennix, zëvendësdrejtoreshë për mbështetjen e shkencave humane dhe sociale në Harvard, më tregoi për një student që kishte vështirësi të lexonte një libër të shkruar, sipas tij, në “anglishten e vjetër”.

Libri në fjalë ishte A Clockwork Orange i Anthony Burgess, botuar në vitin 1962.

Studenti përdori ChatGPT për ta “përkthyer” librin në një gjuhë më të kuptueshme.

Jo shumë kohë më parë, një profesor sociologjie në Harvard i kërkoi Rennix-it të fliste para studentëve të tij për të mbrojtur rëndësinë e leximit. Asaj iu desh t’u shpjegonte studentëve të universitetit më prestigjioz në Shtetet e Bashkuara se fragmentet dhe përmbledhjet nuk mund të përcjellin thellësinë dhe sofistikimin e një teksti të plotë.

Leximi është më shumë sesa një aftësi apo një mënyrë komunikimi ndër shumë të tjera.

Mediat që përdorim për të bashkëvepruar me njëri-tjetrin formësojnë botën ku jetojmë.

Njerëzit e parë kaluan mijëra vjet duke komunikuar vetëm përmes zërit. Shfaqja e leximit dhe shkrimit e transformoi shoqërinë. Ndryshoi ndërgjegjen e individëve dhe kapacitetet intelektuale që ata mund të zhvillonin.

Rënia e leximit do të sjellë ndryshime po aq të mëdha.

Ajo do të ndikojë mendimet tona më intime, politikën dhe kulturën, si dhe mënyrën se si tregojmë historinë e qytetërimit tonë.

Por këto ndryshime tashmë kanë filluar.

Kalimi nga kultura gojore te shkrimi

Leximi nuk ka qenë kurrë natyror.

Qeniet njerëzore nuk kanë ndonjë mekanizëm njohës të lindur, të projektuar posaçërisht për të bashkuar shkronjat në fjalë dhe për t’i lidhur ato me ekuivalentet e tyre në botën reale.

Për të lexuar, njerëzit është dashur të ripërdorin pjesë të trurit që zakonisht shërbejnë për të folur dhe për njohjen e objekteve.

Kjo praktikë u shfaq për herë të parë rreth 6.000 vjet më parë në Mesopotami.

Gjatë mijëvjeçarëve që pasuan, shumica e popullsisë mbeti analfabete. Shkrim-leximi u bë fenomen masiv vetëm relativisht vonë, pas shpikjes së shtypshkronjës nga Johannes Gutenberg rreth vitit 1440.

Gjuha e shkruar është thelbësisht e ndryshme nga gjuha e folur.

Shkrimi e ndan mesazhin nga dërguesi i tij, duke bërë të mundur një përhapje më objektive të informacionit sesa në shoqëritë gojore.

Duke qenë se shkrimi i një fjalie kërkon më shumë kohë sesa shqiptimi i saj, ai e detyron autorin të ngadalësojë dhe të mendojë.

Gjuha e shkruar priret të përdorë struktura fjalish dhe fjalor më kompleks sesa gjuha e folur.

Dhe, ndryshe nga fjala e thënë, ajo nuk tretet në ajër.

Lexuesit mund t’i rikthehen një teksti dhe ta analizojnë përsëri, për të zbuluar kuptime të reja dhe për të arritur një kuptim më të thellë.

Për shkak se shkrimi është i qëndrueshëm, njeriu mund ta harrojë përkohësisht atë që ka shkruar, duke qenë i sigurt se ajo nuk do të humbasë përgjithmonë. Kjo e çliron mendjen për të konceptuar ide të reja dhe për të bërë zbulime të reja.

“Më shumë se çdo shpikje tjetër, shkrimi e ka transformuar ndërgjegjen njerëzore”, shkroi historiani dhe prifti jezuit Walter J. Ong në Orality and Literacy më 1982.

Ai argumentonte se shkrim-leximi kishte krijuar kushtet për përqendrim të brendshëm, qëndrueshmëri të vëmendjes dhe deduksion logjik.

Ai bëri të mundur shfaqjen e një forme të re mendimi racional, linear dhe analitik.

Ong i referohet studimeve të neuropsikologut Alexander Luria, i cili udhëtoi në fshatra të largëta të Uzbekistanit dhe Kirgistanit në vitet 1930, në një kohë kur fshatarët sapo po fillonin të merrnin mësimet elementare të leximit dhe shkrimit.

Luria i takonte pjesëmarrësit në çajtore, kampe bujqësore ose rreth zjarreve në mbrëmje.

Ai u bënte një sërë pyetjesh që synonin të nxirrnin në pah dallimet në arsyetim mes fshatarëve analfabetë dhe atyre që dinin shkrim e lexim.

Luria u thoshte:

“Në Veriun e Largët, të gjithë arinjtë janë të bardhë. Novaja Zemlja ndodhet në Veriun e Largët.”

Pastaj i pyeste se çfarë ngjyre ishin arinjtë në Novaja Zemlja.

Fshatarët që dinin të lexonin dhe shkruanin mund ta përfundonin silogjizmin.

Analfabetët, përkundrazi, refuzonin të provonin, duke thënë se nuk kishin qenë kurrë në Veri dhe prandaj nuk mund ta dinin.

Më vonë, studiuesit ia atribuuan disa prej këtyre mënyrave të reja abstrakte dhe logjike të të menduarit edhe aspekteve të tjera të jetës në një shoqëri të alfabetizuar, e jo vetëm leximit.

Megjithatë, argumenti i Ong-ut mbetet i vlefshëm: kulturat e shtypit favorizojnë arsyetime të gjata dhe të strukturuara.

“Shkrimi e ngrin fjalën dhe, duke vepruar kështu, krijon gramatikanin, logjicienin, retorikun, historianin, shkencëtarin — të gjithë ata që duhet ta kenë gjuhën para syve për të parë se çfarë kuptimi ka, ku gabon dhe ku të çon”, shkroi Neil Postman në Amusing Ourselves to Death më 1985.

Shfaqja e leximit dhe shkrimit ishte një parakusht për filozofinë, shkencën moderne, historinë si disiplinë akademike dhe kritikën e artit.

Ndryshime të mëdha

Këto ndryshime patën një efekt jashtëzakonisht destabilizues.

Ndërsa shkrim-leximi përhapej në shoqëri, ai kontribuoi në trazira politike dhe revolucione.

Në kolonitë amerikane, gazetat dhe pamfletet u përdorën për të nxitur ndjenjat antibritanike.

“Oratorët e lashtë romakë dhe grekë mund t’u drejtoheshin vetëm aq qytetarëve sa mund të mblidheshin brenda rrezes së zërit të tyre”, shkroi Benjamin Franklin në vitin 1782.

“Sot, falë shtypit, mund t’u drejtohemi kombeve; dhe librat e mirë, si edhe broshurat e shkruara mirë, kanë një ndikim të madh dhe të përhapur.”

Etërit Themelues të Shteteve të Bashkuara përdorën dokumente të shtypura për të ndërtuar kombin e ri dhe ishin të bindur se sistemi që kishin krijuar do të funksiononte pikërisht sepse qytetarët do të ishin lexues të informuar.

Franklin ishte vetë botues gazete dhe themeloi bibliotekën e parë huadhënëse në SHBA.

Që herët, amerikanët filluan ta konsideronin informimin si një detyrim qytetar, madje moral.

Qasja në lexim nuk ishte e barabartë. Në Jug, pengimi i zezakëve për të mësuar shkrim dhe lexim ishte një shtyllë e sundimit supremacist të bardhë.

Megjithatë, që nga fillimi, letërsia u bë një burim thelbësor argëtimi, kuptimi dhe lidhjeje për shumë amerikanë.

Ata ndanin një univers të përbashkët referencash nga Bibla dhe letërsia angleze.

Charles Dickens ishte aq i dashur nga lexuesit amerikanë, saqë kur preu flokët gjatë një vizite në Nju Jork në vitin 1842, admiruesit e tij u turrën te berberi për të marrë tufat e flokëve të tij.

Paralajmërimi i McLuhan-it

Në vitin 1962, Marshall McLuhan, figura emblematike e teorisë së medias, parashikoi se bota perëndimore do të bëhej ajo që ai e quante “post-alfabetizuar”.

The Gutenberg Galaxy, ai sugjeronte se një epokë e tillë tashmë kishte filluar dhe se mediat elektronike po e zëvendësonin fjalën e shkruar.

Në atë kohë, 90 për qind e familjeve amerikane kishin televizor, krahasuar me vetëm 9 për qind një dekadë më parë.

Televizioni po bëhej burimi kryesor i informacionit.

Një familje mesatare kalonte më shumë se pesë orë në ditë para ekranit.

Nga perspektiva e sotme, Amerika e viteve 1950 dhe 1960 nuk duket aspak post-alfabetizuese.

Pas luftës, vendi ishte pasuruar dhe niveli i arsimit ishte rritur me ritme të jashtëzakonshme.

Në vitin 1964, revista Time, e cila atëherë kishte një tirazh prej më shumë se tre milionë kopjesh, vendoste në kopertinë John Cheever-in, shkrimtarin e njohur për fabulat e tij të errëta mbi shqetësimin e jetës periferike.

Por televizioni po ndryshonte ritmet dhe zakonet.

Në vitin 1985, Neil Postman, mik dhe pasues i McLuhan-it, argumentonte se televizioni kishte pushtuar vëmendjen e amerikanëve dhe e kishte kthyer politikën në një formë argëtimi të nivelit të ulët.

Në atë kohë, një familje mesatare amerikane shikonte më shumë se shtatë orë televizion në ditë — një shifër që do të rritej në pothuajse nëntë orë deri në vitin 2010.

Argëtim pa kufi

Nëse televizioni kishte zëvendësuar tashmë kohën e qetësisë së nevojshme për lexim, interneti dhe telefoni inteligjent po e bëjnë tani leximin pothuajse të pamundur.

Jo shumë kohë më parë, argëtimi televiziv në shtëpi kishte kufij.

Programet transmetoheshin në një ditë dhe në një orë të caktuar.

Nëse doje të shihje një film të vjetër, duhej të shkoje në një videotekë.

Librat mund të konkurronin në një mjedis të tillë.

Të paktën disa njerëz e fiknin televizorin dhe lexonin një libër para gjumit.

Sot, argëtimi është i pafund.

Nuk ka më ndarje të qarta: një episod kalon automatikisht te tjetri.

Njerëzit shohin televizor me telefonin në dorë, ndërkohë që kontrollojnë rrjetet sociale ose shkëmbejnë mesazhe me miqtë.

Thuhet se Netflix u ka kërkuar regjisorëve dhe skenaristëve të nisen nga supozimi se publiku nuk po i kushton vëmendje ekranit dhe, për këtë arsye, t’ua kujtojnë vazhdimisht shikuesve se çfarë po ndodh.

Në një kontekst të tillë, duhet të jesh vërtet i vendosur për të lexuar.

Shumica e njerëzve nuk janë.

Kur njerëzit lexojnë, mund të kenë përshtypjen se po përvetësojnë më pak informacion.

Kjo është veçanërisht e vërtetë kur lexojnë në telefon.

Lëvizja e pafund e ekranit, hiperlidhjet dhe njoftimet i shtyjnë drejt një leximi sipërfaqësor, duke u ofruar vazhdimisht arsye për ta larguar vëmendjen.

Studimet kanë treguar se njerëzit kuptojnë më pak kur lexojnë në një pajisje digjitale sesa në letër, ndoshta për shkak të të gjitha këtyre shpërqendrimeve.

T’i kushtosh vëmendje të zgjatur dhe të pandërprerë një teksti mund të duket tashmë si një kërkesë e tepruar.

Audiolibrat janë bërë alternativë popullore ndaj librave të shtypur, të paktën pjesërisht sepse dëgjimi i një libri lejon kryerjen e disa detyrave njëkohësisht: mund të “lexosh” ndërsa lan enët.

Video të shkurtra dhe mesazhe zanore

Përballë zvogëlimit të kapacitetit të vëmendjes dhe rënies së të kuptuarit, mund të pritej që shkollat t’i rezistonin tendencës drejt fragmenteve më të shkurtra dhe leximit më sipërfaqësor.

Në vend të kësaj, ato e kanë inkurajuar.

Një studim i vitit 2025 tregoi se shumica e mësuesve të anglishtes në shkollat e mesme u caktonin nxënësve nga zero deri në katër libra në vit.

Ndërkohë, pajisjet digjitale kanë pushtuar klasat amerikane.

Rrjetet sociale, të cilat dikur mbështeteshin kryesisht te teksti, sot janë të mbushura me video të shkurtra.

TikTok, YouTube Shorts dhe Instagram Reels dominojnë ekonominë e vëmendjes, sidomos mes të rinjve.

Sipas një analize të fundit të të dhënave nga profesoresha e psikologjisë Jean Twenge, një nxënës i klasës së tetë kalon mesatarisht katër orë e gjysmë në ditë në rrjetet sociale.

Duket se gjatë pjesës më të madhe të kësaj kohe ata shohin video, shpesh me shpejtësi të dyfishuar.

Madje edhe SMS-të kanë marrë karakteristika të gjuhës së folur.

Njerëzit përdorin shkronja të mëdha për të shprehur emocione intensive dhe shmangin formalitetin e pikësimit korrekt.

Shumë të rinj i kanë braktisur edhe mesazhet tekstuale në favor të mesazheve zanore.

Fjala e shkruar ka mbijetuar për mijëra vjet dhe ka kapërcyer sfidat e njëpasnjëshme të teknologjive të reja.

Është qartësisht elastike.

Normat e leximit mund të luhaten, por optimistët argumentojnë se rrjedha e historisë po shkon drejt shkrim-leximit universal.

Martin Puchner, profesor i letërsisë së krahasuar në Harvard, studion mënyrën se si letërsia ka formësuar historinë.

Ai ka kaluar dekada duke gjurmuar zhvillimin e teknologjive të komunikimit dhe panikët moralë që këto ndryshime kanë shkaktuar.

Për një pjesë të madhe të karrierës së tij, ai ishte skeptik ndaj frikës për fundin e leximit.

“Nëse historia e gjatë e ndryshimeve në teknologjitë e shkrimit më ka mësuar diçka”, thotë ai, “është se duhet gjithmonë t’u rezistosh skenarëve të tillë apokaliptikë.”

E megjithatë, tani edhe Martin Puchner mendon se skenari apokaliptik është bërë realitet.

Një rikthim te teksti, larg videos, duket jashtëzakonisht i pamundur.

McLuhan dhe Postman ndoshta nuk gabuan kur parashikuan se shoqëria do të bëhej post-alfabetizuese.

Ata thjesht ishin shumë përpara kohës së tyre.

Bota që këta teoricienë përfytyruan gjysmë shekulli më parë është bërë realitet.

Epoka e shkrim-leximit mund të ketë qenë vetëm një ndërmjetësim i shkurtër midis epokës gojore dhe epokës digjitale.

Ndikimi në trurin tonë

Leximi e ka formësuar mendjen moderne.

Zhdukja e tij do ta riformësojë atë.

Shkencëtarët e njohjes kanë filluar të kuptojnë se si mund të duken këto ndryshime.

Çfarë ndodh nëse një lloj veprimtarie — leximi i një fjale — zëvendësohet sistematikisht me një tjetër — shikimin e një videoje në Instagram Reels?

Një nga përfundimet më të qëndrueshme të neuroshkencës është se truri bëhet i mirë në atë që praktikon.

Nëse e mbushim kohën tonë me video të shkurtra në vend të librave, aftësitë tona të leximit dobësohen.

Kemi më pak njohuri paraprake për të lehtësuar të kuptuarit.

Nuk ekziston rreziku që të shpërthejë papritur një analfabetizëm masiv, por aftësitë komplekse njohëse që kultivon leximi fillojnë të degradojnë.

Biblioteka e mendjes fillon të rrënohet.

Leximi i librave është një stërvitje për aftësinë e përqendrimit.

Sa më shumë të lexosh, aq më i lehtë bëhet leximi dhe aq më shumë shpërblehesh me kuptime të reja.

Me kalimin e kohës, procesi bëhet më shumë i këndshëm sesa i vështirë.

Por, ashtu si me ushtrimet fizike, vlen edhe e kundërta:

sa më pak të lexosh, aq më i vështirë bëhet leximi dhe aq më e mundimshme bëhet rruga drejt fitimit të njohurive.

Rrjetet sociale ofrojnë shpërblim të menjëhershëm.

John Hutton, profesor i pediatrisë në UT Southwestern Medical Center, e krahason lëvizjen e pafund në TikTok me një mi laboratori që shtyp një buton për të marrë një dozë kokaine: pas njëfarë kohe, gjithçka që dëshiron është të shtypësh përsëri butonin.

Në vitin 2004, kohëzgjatja mesatare e vëmendjes para një ekrani ishte dy minuta e gjysmë, sipas Gloria Mark, psikologe në Universitetin e Kalifornisë në Irvine.

Në vitin 2012, ajo kishte rënë në 75 sekonda.

Pesë vjet më parë kishte zbritur në rreth 47 sekonda.

Shikimi i videove është një formë më pasive angazhimi sesa leximi.

John Hutton kohët e fundit regjistroi imazhe të trurit të fëmijëve të moshës 3 deri në 5 vjeç ndërsa ata përjetonin histori në formate të ndryshme.

Kur fëmijët shikonin një version të animuar të një historie, përdornin rajonin e trurit të lidhur me imagjinatën afërsisht përgjysmë më pak sesa kur shikonin ilustrime statike duke dëgjuar një regjistrim audio.

Fëmijët aktivizonin më pak edhe trurin e vogël — pjesë e trurit e lidhur me të mësuarit — gjatë shikimit të videos.

“Nuk kanë nevojë ta përdorin imagjinatën në të njëjtën masë, sepse gjërat po ndodhin në ekran”, shpjegon Hutton.

“Truri thjesht bën më pak përpjekje për të kuptuar dhe nxjerrë mësime nga ajo që shikon në animacion, krahasuar me ilustrimin.”

Paradoksi është se, edhe pse videoja përmban më shumë informacion sesa teksti — jo vetëm gjuhë, por edhe tinguj dhe imazhe në lëvizje — ajo nuk stimulon domosdoshmërisht reflektim më të thellë.

Përkundrazi, videoja e bombardon shikuesin me një vërshim të tillë informacioni, sa është e vështirë të përqendrohesh te një element i vetëm.

Imazhet vazhdojnë të kalojnë, pavarësisht nga ajo që shikuesi ka vënë re ose ka kuptuar.

Pak njerëz ndalojnë videon ose e kthejnë mbrapa për të menduar mbi atë që mund të kenë humbur.

Studentët nuk e kuptojnë më Dickens-in

Të rinjtë e sotëm nuk kanë njohur kurrë një botë pa video të shkurtra të kudondodhura.

Në studime të tjera, John Hutton ka zbuluar se fëmijët që kalonin më shumë kohë para ekranit dhe më pak kohë duke lexuar kishin lëndë të bardhë më pak të zhvilluar në zonat e trurit të lidhura me funksionet ekzekutive dhe gjuhën.

Kjo sugjeron se ata ishin më pak të mësuar t’i përdornin këto aftësi.

Sipas Benjamin Powers, nga Haskins Global Literacy Hub, nxënësit mbërrijnë në shkollën fillore me aftësi të dobët për të ruajtur përqendrimin dhe me tolerancë të ulët ndaj përpjekjes mendore.

“Në klasë kjo shfaqet te nxënësit që janë në gjendje të deshifrojnë ose të nxjerrin informacion, por që kanë vështirësi të kuptojnë tekste më të gjata, të cilat kërkojnë deduksione, sintezë ose aftësi për t’i mbajtur idetë në mendje.”

Në një anketë të vitit 2024 me mësues nga klasa e tretë deri në të tetën, më shumë se 80 për qind deklaruan se qëndrueshmëria e nxënësve në lexim kishte rënë që nga viti 2019.

Rezultatet në testet e leximit dhe të anglishtes të American College Testing, të përdorura për pranimin në shumë universitete amerikane, kanë rënë për shtatë vjet radhazi dhe ndodhen në nivelin më të ulët të më shumë se tri dekadave.

Kur këta nxënës mbërrijnë në universitet, profesorët e tyre zbulojnë se duhet t’u mësojnë si të kuptojnë një tekst — me fjalë të tjera, si të mendojnë.

Arsimi i lartë pothuajse me siguri do të duhet t’i kushtojë gjithnjë e më shumë energji mësimit plotësues.

Në një studim të botuar në vitin 2024, studiuesit u kërkuan studentëve të lexonin shtatë paragrafët e parë të Bleak House të Charles Dickens-it.

Romani fillon kështu:

“Londër. Afati i Shën Mikelit sapo kishte përfunduar, dhe Lordi Kancelar po qëndronte në Lincoln’s Inn Hall. Mot i pamëshirshëm nëntori. Nëpër rrugë kishte aq shumë baltë, sa mund të mendoje se ujërat sapo ishin tërhequr nga faqja e Tokës, dhe nuk do të ishte aspak e habitshme të takoje një Megalosaur, rreth dyzet këmbë të gjatë, duke u tundur si një hardhucë elefantine lart në Holborn Hill.”

Të paktën një e katërta e pjesëmarrësve i interpretuan figurat letrare fjalë për fjalë.

Si rezultat, ata arritën në përfundimin se dinosaurë ecnin nëpër rrugët e Londrës së shekullit XIX.

Vetëm 5 për qind kishin një kuptim të saktë dhe të hollësishëm të asaj që kishin lexuar.

Këto ndryshime nuk kufizohen në kampuset universitare.

Aftësia e të rriturve amerikanë për t’iu përgjigjur pyetjeve logjike, për të arsyetuar në mënyrë efikase dhe për të analizuar modele u dobësua midis viteve 2006 dhe 2018.

Të rriturit amerikanë priren gjithashtu të kenë një fjalor më të kufizuar sesa njerëzit me të njëjtin nivel arsimimi gjysmë shekulli më parë.

Studime të fundit sugjerojnë se efekti Flynn — rritja e vazhdueshme e koeficientit të inteligjencës nga një brez te tjetri që nga vitet 1930 — është përmbysur gjatë dy dekadave të fundit.

Jo të gjitha këto ndryshime njohëse janë negative.

Kërkimet e Elizabeth Dworak, psikologe në fakultetin e mjekësisë të Northwestern University, tregojnë se të rriturit amerikanë po përmirësohen në disa forma të arsyetimit hapësinor.

Një kulturë post-alfabetizuese mund të ketë përparësi që ende nuk i kuptojmë.

Fedri të Platonit, Sokrati paraqet argumentin e famshëm se shfaqja e shkrimit “do të prodhojë harresë në shpirtrat e atyre që mësojnë, sepse ata nuk do ta përdorin më kujtesën; do t’u besojnë shenjave të jashtme të shkruara dhe nuk do të kujtojnë më vetë”.

Ai kishte të drejtë.

Por, edhe nëse shkrimi e dobësoi kujtesën individuale, ai përmirësoi kujtesën kolektive të shoqërisë.

A është e mundur që brezat që rriten me trurin të lidhur vazhdimisht me një rrjedhë të pafund videosh të jenë duke zhvilluar një formë të re gjenialiteti njohës, të cilin ende nuk dimë ta zbulojmë?

Ndoshta.

Por, deri tani, rënia e leximit duket se po hap rrugën drejt një mënyre të menduari më pak racionale, më pak analitike dhe më pak të sofistikuar.

Është e vështirë të shihet ndonjë përfitim në këtë.

Trump, presidenti i parë “post-alfabetizuar”

Në vitin 1982, Walter J. Ong vuri re se qytetërimi modern po hynte në një fazë të “oralitetit dytësor”, gjatë së cilës një shoqëri që dikur ishte e alfabetizuar rikthehet te disa nga konvencionet e kulturave para shkrim-leximit.

Meqenëse fjalët e shqiptuara zhduken sapo thuhen, kulturat gojore i kushtojnë rëndësi përsëritjes, për të lehtësuar kujtesën.

Në shoqëritë gojore, bardët përdorin formula të gatshme dhe mjete mnemonike për të mos humbur fillin e mendimit.

Ata përdorin epitete dhe “përshkrime entuziaste të dhunës fizike”, sepse konflikti mbahet mend më lehtë sesa një diskutim i paanshëm.

Folësit nuk mund t’i korrigjojnë fjalët e tyre siç mund ta bëjnë shkrimtarët; prandaj vazhdojnë të flasin pa i pranuar gabimet.

Nëse më vonë bien në kundërshtim me vetveten, nuk presin që publiku të kujtojë deklaratat e mëparshme.

Kuptimi varet nga identiteti i folësit dhe jo nga ndonjë ide e së vërtetës objektive.

Ka pak gjasa që Donald Trump ta ketë lexuar Orality and Literacy.

Por, po ta kishte lexuar, do ta njihte veten në përshkrimin e Ong-ut.

Stili i komunikimit të Trump-it është i përshtatur në mënyrë të përkryer për një shoqëri gojore.

Ai përdor epitete — “Jeb i përgjumur”, “Marco i vogël”, “Joe gjumashi” — të lehta për t’u kujtuar dhe përsëritur.

Ai bie në kundërshtim me vetveten sikur të mos ekzistonte asnjë gjurmë e deklaratave të tij të mëparshme.

Edhe shkrimet e tij janë pothuajse të padallueshme nga mënyra si flet — gjë e logjikshme, pasi Trump thuhet se preferon diktimin ndaj shkrimit.

Postimet e tij në internet janë të mbushura me pikësim të pazakontë, shkronja të mëdha dhe pikëçuditëse.

Trump është presidenti ynë i parë “post-alfabetizuar”.

Është e vështirë ta imagjinosh të zgjedhur në krye të një vendi ku informacioni do të qarkullonte kryesisht përmes tekstit.

Në prag të zgjedhjeve të vitit 2024, një sondazh tregonte se Joe Biden kishte epërsi prej 49 pikësh mes personave të anketuar që lexonin gazeta.

Trump ishte pionier i një stili komunikimi që shfrytëzon epokën tonë të shpërqendruar dhe konfliktuale.

Në librin e tij të vitit 1985, No Sense of Place, teoricieni i medias Joshua Meyrowitz vuri re se televizioni dhe mediat e tjera elektronike po i përmbytnin amerikanët me lloje të reja informacioni për udhëheqësit e ardhshëm.

Shtypi i shkruar i jepte publikut vetëm deklaratat e përpunuara të politikanëve; videoja u lejonte amerikanëve t’i shihnin presidentët duke djersitur, teshtitur dhe belbëzuar.

“Më shumë sesa në të kaluarën, udhëheqësit e sotëm shpesh duhet të ‘lënë përshtypje të mirë’, në vend që të shkruajnë mirë dhe të arsyetojnë mirë”, shkruante Meyrowitz.

Ai parashikoi se rënia e medias së shkruar dhe ngritja e medias elektronike do t’i shtynin përfundimisht njerëzit drejt udhëheqësve populistë.

Ata do ta braktisnin autoritetin dhe institucionet në favor të kandidatit që paraqitej mirë në televizion.

Rrjetet sociale u japin amerikanëve mundësi të paprecedenta për të ndjekur çdo veprim të përfaqësuesve të tyre.

Algoritmet e tyre favorizojnë përmbajtje të thjeshtëzuara, nxitëse dhe emocionalisht intensive, në dëm të kompleksitetit, nuancës dhe rigorozitetit.

Idetë që përshtaten me teoritë popullore të politikës — “të gjithë udhëheqësit janë njësoj të korruptuar”; “emigrantët po na marrin vendet e punës”; “problemet politike kanë zgjidhje të thjeshta dhe me logjikë të zakonshme” — fitojnë ndaj përfundimeve të ekspertëve.

Politikanët që ushqejnë mosbesimin ndaj institucioneve dhe elitave performojnë më mirë në rrethana të tilla.

Marshall McLuhan ka thënë dikur:

“Bota liberale është, sipas përkufizimit, e alfabetizuar.”

E kundërta duket po aq e vërtetë.

Nëse Trump është presidenti i parë “post-alfabetizuar”, nuk do të jetë i fundit.

Strategu politik David Plouffe, një nga arkitektët e fushatave presidenciale të Barack Obamës, ka argumentuar kohët e fundit se kandidatët duhet të fokusohen çdo ditë në prodhimin e përmbajtjes.

Ai i këshilloi që çdo ide ta kondensojnë në një mesazh aq të shkurtër sa votuesit e mbingarkuar nga ekranet të jenë në gjendje të përqendrohen tek ai.

“Nëse nuk mund të komunikohet në një postim Instagrami ose në një video 10-sekondëshe në TikTok, duhet të filloni nga e para”, rekomandon Plouffe.

Ky mund të jetë një këshillë shumë e mirë për mënyrën si zhvillohet një fushatë zgjedhore në epokën post-alfabetizuese.

Por, si mënyrë për të ushtruar një qeverisje të ndriçuar, ajo paralajmëron katastrofë.

Inteligjenca artificiale, kërcënim për shkrimin

Ende nuk kam folur për inteligjencën artificiale.

Një sërë teknologjish digjitale e kanë pushtuar vëmendjen tonë dhe e kanë bërë leximin e përqendruar pothuajse të pamundur.

IA-ja gjenerative është mjeti i parë që kërcënon vetë mbijetesën e shkrimit.

Të shkruarit është i vështirë.

Orwell e krahasonte atë me “një periudhë të gjatë të një sëmundjeje të dhimbshme”.

IA-ja premton një kurë të thjeshtë.

Problemi është se shkrimi nuk është thjesht procesi i transkriptimit të mendimeve që janë tashmë plotësisht të formuara.

Shkrimi është mënyra përmes së cilës njerëzit i vënë mendimet në rregull dhe mësojnë t’ia transmetojnë ato dikujt që ende nuk i ndan.

Cal Newport, profesor i shkencave kompjuterike në Georgetown University, argumenton se procesi i të shkruarit i detyron njerëzit të mendojnë në mënyrë të rregullt dhe lineare.

Ai i ekspozon mendimet e paqarta dhe arsyetimet e dobëta.

Koha dhe përqendrimi që kërkohen për t’i kthyer mendimet në fjalë, fjali dhe paragrafë i lejojnë autorit të krijojë lidhje të reja dhe të zbulojë këndvështrime të reja.

Nëse IA-ja e eliminon sfidën që përfaqëson shkrimi, ajo eliminon edhe të mësuarit.

Studimet paraprake sugjerojnë se pikërisht kjo po ndodh kur njerëzit përdorin IA-në për të shkruar.

Procesi bëhet më i lehtë.

Rezultati shpesh është më i mirë se ai që individi mund të prodhonte vetë.

Por çmimi është zhvillimi intelektual.

Një studim në Brazil tregoi se studentët universitarë që përdornin IA për të studiuar morën rezultate dukshëm më të dobëta në një test surprizë sesa studentët që studiuan pa IA.

Ata mbetën pas bashkëmoshatarëve të tyre edhe në pyetje që kërkonin mendim dhe përpjekje, e jo njohuri specifike.

Jeta moderne kërkon shumë detyra të lodhshme shkrimi.

Disa prej tyre sigurisht mund t’u delegohen makinerive pa ndonjë kosto të madhe.

Por një karrierë e kaluar duke studiuar adoptimin historik të teknologjive të reja e ka bindur Cal Newport-in se është pothuajse e pamundur të automatizosh një problem pa krijuar probleme të tjera.

Herë pas here njerëzit mendojnë se po përdorin një mjet për të anashkaluar një detyrë të thjeshtë dhe të bezdisshme.

“Pastaj shfaqen të gjitha këto pasoja të papritura të rendit të dytë.”

Email-i supozohej të ishte një zëvendësues më praktik i faksit, telefonatave dhe mbledhjeve.

Në vend të kësaj, përgjigjja ndaj email-eve u bë vetë një humnerë e madhe kohe.

Këto pasoja të paparashikuara përfundimisht e transformojnë jetën intelektuale.

Aftësia për të menduar thellë ka të ngjarë të bëhet gjithnjë e më e rrallë në një botë ku një pjesë e madhe e popullsisë përdor IA-në për të shmangur shkrimin.

Në të njëjtën kohë, kjo aftësi do të bëhet gjithnjë e më e rëndësishme.

IA-ja prodhon një tepricë tekstesh.

Që nga viti 2022, kur u lançua ChatGPT, numri i librave të publikuar çdo muaj në Amazon është trefishuar.

Në të njëjtën periudhë, është rritur ndjeshëm edhe numri i dorëshkrimeve të dërguara në revista shkencore.

Shumë prej tyre janë shkruar, të paktën pjesërisht, nga inteligjenca artificiale.

IA-ja prodhon prozë të qartë dhe profesionale.

Kur u tregohen krah për krah tekste të shkruara nga njerëzit dhe nga IA-ja, edhe studentë të nivelit master në shkrim krijues kanë pranuar se preferojnë punën e makinerive.

Por edhe kur tekstet e prodhuara nga IA-ja janë të këndshme dhe bindëse, ato shpesh janë pa origjinalitet, të pasakta ose të dyja bashkë.

Prandaj njerëzit do të kenë më shumë se kurrë nevojë për aftësinë e tyre të gjykimit dhe të të kuptuarit.

Do të duhet të dinë se çfarë mendojnë dhe si ta formojnë vetë një opinion.

Këto janë pikërisht aftësitë që përdorimi i IA-së kërcënon t’i gërryejë.

Ajo që është në rrezik nuk është asgjë më pak sesa aftësia për të menduar me kokën tënde.

Nëse njerëzit fillojnë të mbështeten tepër te IA-ja për të shkruar në vend të tyre, mund të humbasin aftësinë për t’i vënë në dyshim ose edhe për t’i zhvilluar pikëpamjet e tyre.

Këto janë aftësi tipikisht njerëzore.

Sipas Kwame Anthony Appiah, filozof në Universitetin e Nju Jorkut:

“Nëse do të hiqnim dorë prej tyre, do të pushonim së qeni lloji i qenieve njerëzore që jemi. Do të bëheshim krijesa shumë të ndryshme.”

Një tjetër panik moral?

Njëqind e njëzet e gjashtë vjet më parë, The Atlantic botoi një tekst të Arthur Reed Kimball, i cili paralajmëronte për aftësinë e qytetarëve për të shkruar mirë dhe për të menduar thellë.

Armiku i përqendrimit të qëndrueshëm?

Gazetat.

Kimball argumentonte se gazetat e përditshme, me faqet e tyre sportive dhe rubrikat e personazheve të famshëm, po e shtynin mënjanë librin dhe revistën letrare.

Përpara gazetës, ishte romani ai që konsiderohej kërcënim për zakonet e mira të leximit dhe moralin.

Thomas Jefferson mendonte se një nga pengesat më të mëdha për edukimin e grave ishte pasioni i tyre për letërsinë artistike, që i largonte nga “leximi i shëndetshëm”.

Sapo një grua binte nën magjinë e romaneve, shkruante ai, asgjë nuk mund ta mbante vëmendjen e saj “nëse nuk ishte veshur me të gjitha fantazitë e imagjinatës”.

Ata që priren ta minimizojnë sulmin aktual ndaj leximit i përmendin këto shembuj.

Ndoshta, pas 126 vjetësh, ky artikull do të duket si shembulli më i fundit i një historie të gjatë ankesash alarmiste.

Në disa drejtime, librat vazhdojnë të lulëzojnë.

Vitin e kaluar, shitjet e librave të shtypur tejkaluan nivelin e dhjetë viteve më parë.

Substack ka përjetuar një shpërthim abonimesh për përmbajtje të gjata të shkruara.

Personazhe të famshme si Dua Lipa dhe Reese Witherspoon kanë krijuar klube librash jashtëzakonisht të suksesshme.

Audiolibrat janë shndërruar në një industri miliardëshe.

Por optimistët neglizhojnë një element vendimtar:

teksti po lulëzon te një pjesë gjithnjë e më e vogël e popullsisë.

Vetëm 20 për qind e të rriturve përfaqësuan më shumë se 80 për qind të të gjithë librave të lexuar vitin e kaluar.

“Po kthehet në një lloj hobi të veçantë, si koleksionimi i pullave apo kultivimi i orkideve”, thotë Leah Price, historiane e leximit në Rutgers University.

Njerëzit që mbeten të lidhur me tekstin dhe që marrin prej tij kuptim kulturor dhe lidhje intelektuale po bëhen pjesë e një nënkulture.

Fakti që po e lexoni këtë artikull ju bën pothuajse me siguri pjesëtar të kësaj nënkulture.

Tani që të qenët lexues është bërë zgjedhje fakultative, kjo mund të funksionojë si shenjë identiteti.

Kur sheh dikë në tren duke lexuar një libër të shtypur, kjo fillon të duket si një deklaratë qëndrimi.

Një veprimtari e një pakice

Këtë situatë e kemi parë edhe më parë.

Kur shoqëria kaloi nga kultura gojore te kultura e shkruar, vetëm një pakicë e vogël dinte të lexonte.

Duke qenë të vetmit njerëz që zotëronin këtë aftësi të çmuar, ata gëzonin pozitë të privilegjuar dhe paguheshin mirë për punën e tyre.

Sot, leximi po bëhet përsëri pronë e një pakice të vogël, por të qenët njeri i letrave sjell shumë më pak prestigj sesa dikur.

Lexuesit e mbetur janë të margjinalizuar, të tallur dhe, në shumë aspekte, konsiderohen sikur janë jashtë realitetit.

Për shumicën e njerëzve, një jetë kushtuar letrave është një rrugë pa dalje ekonomike.

Punësimi në shtypin e shkruar ka rënë me 75 për qind gjatë dy dekadave të fundit.

Edhe vendet e punës për akademikët në shkencat humane janë në rënie.

Në vitin 2024, vetëm 8 për qind e të diplomuarve universitarë në SHBA morën diplomë në shkencat humane.

Sot është e pamundur të imagjinohet një shkrimtar në kopertinën e një reviste të madhe javore të shtypur, që lexohet nga miliona njerëz.

Përkundrazi, shumë amerikanë e shpallin me krenari “post-alfabetizimin” e tyre.

Donald Trump ka folur për preferencën e tij për informacione të përmbledhura me pika, ndërsa bashkëpunëtorët e tij kanë thënë se i pëlqejnë imazhet dhe grafikët.

Burrat më të pasur të botës mburren se informacionin e marrin nga postimet në X, podcast-et dhe bisedat me chatbot-ët.

Fuqia kulturore dhe ekonomike zakonisht u kalon atyre që zotërojnë teknologjitë më popullore të komunikimit.

Sot, këta janë streamer-at, podcaster-at dhe influencer-at.

Joe Rogan ka më shumë se 14 milionë abonentë në Spotify dhe mbi 20 milionë në YouTube.

MrBeast, një YouTuber që realizon sfida dhe spektakle të ndërlikuara, regjistron rregullisht qindra miliona shikime.

Streamer-at e lojërave si IShowSpeed dhe TheBurntPeanut janë ndër figurat mediatike më të njohura.

Këto personalitete formësojnë aspiratat e të rinjve, temat për të cilat flasin dhe madje mënyrën se si shprehen.

Dikur, librat ishin një burim thelbësor dijeje, kujtese, urtësie dhe morali.

Ata shkruheshin nga brezat më të vjetër dhe u përcilleshin më të rinjve, si pjesë e një transmetimi vertikal të kulturës.

Sot, informacioni qarkullon horizontalisht, nga një i ri te një tjetër.

Një sondazh i Morning Consult në vitin 2023 tregoi se gati 60 për qind e të anketuarve të Gjeneratës Z thanë se, po të mundnin, do të ëndërronin të bëheshin personalitete të rrjeteve sociale.

Pse duhet rezistuar

Ardhja e kësaj bote të re nuk është ende e pashmangshme.

Disa njerëz janë ndërgjegjësuar për atë që po humbasim dhe po zgjedhin një rrugë tjetër.

Ndalimet e telefonave celularë në shkolla po përhapen.

Nëse këto akte rezistence ndaj një kulture post-alfabetizuese duken të kota, ata që rezistojnë nuk kanë asgjë për të humbur duke provuar.

Edhe unë vetë jam rritur në epokën post-alfabetizuese.

Kam lindur pak pas shpërthimit të flluskës së internetit dhe hyra në klasën e parë afërsisht në kohën kur u lançua iPhone-i.

Në klasën e shtatë mora telefonin tim të parë dhe menjëherë hapa një llogari në Instagram.

Pata fatin të rritesha në një familje lexuesish.

Babai më lexonte pothuajse çdo mbrëmje, gjatë gjithë viteve të shkollës së mesme të ulët.

Motrat e mia më të mëdha mezi prisnin të më përfshinin në klubin e tyre të leximit.

Në shkollën e mesme vendosa të lexoja klasikët.

Mësuesit e mi vazhdimisht më rekomandonin librat e tyre të preferuar.

Doja të ndaja dijen e tyre dhe të kuptoja referencat që përdornin.

Me mundim lexova Jane Eyre dhe më pas u magjepsa nga Anna Karenina.

Edhe pse isha vetëm kur lexoja, nuk ndihesha e vetmuar.

Këta libra përmbanin urtësinë e brezave të tërë.

Siç tha James Baldwin në vitin 1963, vit kur u shfaq në kopertinën e Time:

“Njeriu mendon se dhimbja dhe pikëllimi i tij janë të paprecedentë në historinë e botës, por pastaj lexon. Dostojevski dhe Dickens-i më mësuan se gjërat që më mundonin më së shumti ishin pikërisht ato që më lidhnin me të gjithë njerëzit që jetojnë apo që kanë jetuar ndonjëherë.”

Ndihesha sikur isha pjesë e një zinxhiri të pandërprerë dijeje dhe kulture.

Gjatë viteve që pasuan, ky zakon filloi të humbiste.

Ndryshimi ishte i padukshëm.

U bëra më e zënë.

Fillova të lëvizja nëpër telefon para gjumit, në vend që të lexoja.

Vëmendja më shpërndahej pas vetëm disa faqesh.

Ç’rëndësi kishte nëse lexoja më pak?

Askush nuk po kontrollonte përparimin tim.

Dhe librat do të ishin gjithmonë aty.

Mund t’u rikthehesha më vonë.

Kur Biblioteka e Aleksandrisë u zhduk, dija e shkruar në rrotullat e saj u humb përgjithmonë.

Vetëm mund të hamendësojmë se çfarë tjetër mund të kishin shkruar Eratosteni dhe Euklidi.

Teksti u shndërrua në pluhur.

Kjo nuk do të ndodhë sot.

Të gjitha fjalët e bibliotekës së madhe mund të ruheshin në një çip të vetëm kompjuterik.

Sot, edhe monografitë akademike më të panjohura janë digjitalizuar.

Google Books dhe Internet Archive përbëjnë biblioteka me përmasa pothuajse të paimagjinueshme.

Mund të hyjmë në to me disa klikime, pa qenë nevoja të ndërmarrim një udhëtim të rrezikshëm përmes Mesdheut.

Rreziku që tekstet e tyre të shkatërrohen nga lagështia ose minjtë është minimal.

Por kërcënimi i apatisë mbetet.

Ajo që po humbasim është aftësia dhe dëshira për t’i lexuar këto tekste.

Na është trashëguar një pasuri e jashtëzakonshme informacioni dhe urtësie.

Se çfarë do të bëjmë me këtë trashëgimi varet vetëm nga ne.

Ky artikull është botuar fillimisht në revistën The Atlantic. © 2026 The Atlantic. Shpërndarë nga Tribune Content Agency./L’Express.fr