Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe ish-kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, në një deklaratë për TV Sitel tha se një pjesë e madhe e pacientëve që kishin pasur shqetësime gastrointestinale në rajonin e Gostivarit nuk kishin përdorur fare ujë nga ujësjellësi i qytetit.
Sipas tij, në mesin e të sëmurëve kishte banorë nga Vërtoku dhe Debreshi, vendbanime që nuk furnizohen nga sistemi i ujësjellësit të qytetit. Ai theksoi se një pjesë e mjekëve kishin vlerësuar se simptomat tregonin më shumë për një virus sezonal sesa për një infeksion bakterial të shkaktuar nga uji.
Taravari tha se analizat, në pjesën më të madhe, kishin treguar se uji ishte i rregullt. Sipas tij, më 28 qershor dhe më 13 korrik, mostrat e marra nga të gjitha çezmat e kontrolluara kishin rezultuar të rregullta nga aspekti fizik, kimik dhe bakteriologjik, ndërsa më 17 korrik një bakter në përqendrim të ulët ishte zbuluar vetëm në një pikë.
Megjithatë, ai pranoi se aktivizimi i pompave, përmes të cilave ishte futur ujë shtesë në tubacionin kryesor, kishte qenë një lëshim i ndërmarrjes publike.
“Ky është një lëshim i ndërmarrjes publike, i cili nuk duhej të bëhej as si eksperiment për një apo dy ditë”, tha Taravari.
Uji në Gostivar ishte ndaluar për pije nga 17 korriku, ndërsa pas kryerjes së hiperklorimit dhe analizave laboratorike, më 14 gusht u shpall sërish i sigurt për pije.
Për rastin po zhvillohet hetim, ndërsa janë arrestuar drejtoresha e ndërmarrjes “Komunalec” të Gostivarit dhe dy persona të tjerë.















