Ballina Lajme BASTARDIMI I GJUHËS SHQIPE NË DISKURSIN PUBLIK DHE NË TEKSTET E MUZIKËS...

BASTARDIMI I GJUHËS SHQIPE NË DISKURSIN PUBLIK DHE NË TEKSTET E MUZIKËS HIP-HOP E RAP

Nga Daim Ilazi

Gjuha është një nga shenjat themelore të identitetit të një populli. Ajo nuk është vetëm mjet komunikimi, por edhe bartëse e historisë, kulturës dhe kujtesës së tij. Prandaj, mënyra se si e përdorim gjuhën në hapësirën publike nuk është çështje thjesht individuale; ajo ka edhe një dimension kulturor e shoqëror.

Në këtë kumtesë dëshiroj të ndalem në dy hapësira ku sot vërehen dukuri shqetësuese në përdorimin e shqipes: studiot televizive dhe debatet publike, nga njëra anë, dhe tekstet e këngëve hip-hop e rap, nga ana tjetër.

1. Gjuha në studiot televizive dhe në debatet publike

Televizioni ka një ndikim të jashtëzakonshëm në formimin e gjuhës së përditshme. Në ekran flasin politikanë, gazetarë, analistë, profesorë, intelektualë dhe figura publike, të cilët dëgjohen çdo ditë nga mijëra e miliona njerëz.

Pikërisht për këtë arsye, gjuha e tyre duhet të jetë gjuhë e përgjegjësisë: gjuhë me ton të butë, me kulturë dhe me ngjyrime të bukura, gjuhë që nuk ofendon dhe nuk denigron.

Megjithatë, në disa studio televizive dëgjojmë një shqipe të përzier, të varfëruar dhe shpesh të deformuar, me shprehje banale dhe me fjalor ofendues, madje edhe primitiv. Përdoren me tepri fjalë të huaja, shprehje të importuara dhe ndërtime gjuhësore që mund të zëvendësohen fare mirë me mjetet e shqipes.

Problemi nuk është ekzistenca e fjalëve të huaja. Shqipja, si çdo gjuhë e gjallë, gjatë historisë ka pasur kontakte me shumë gjuhë dhe ka marrë huazime prej tyre. Problemi lind kur fjala e huaj përdoret pa qenë e nevojshme, vetëm për t’i dhënë ligjërimit një pamje të rreme moderniteti apo intelektualizmi.

Publicitet

Ndonjëherë krijohet përshtypja se sa më shumë fjalë të huaja të përdorë dikush, aq më i kulturuar apo më profesional është. Por ky është një iluzion. Kultura gjuhësore nuk matet me numrin e fjalëve të huaja, por me aftësinë për ta shprehur një mendim saktë, qartë dhe bukur.

Një dukuri tjetër është varfërimi i fjalorit. Shpesh përdoren të njëjtat fjalë dhe të njëjtat shprehje. Kjo dukuri bëhet veçanërisht problematike kur shfaqet te njerëzit që merren me arsim, kulturë, letërsi dhe shkencë. Është paradoksale të flasim për mbrojtjen e kulturës kombëtare dhe njëkohësisht të mos tregojmë kujdes për gjuhën me të cilën e përfaqësojmë atë kulturë.

Televizioni nuk është vetëm pasqyrë e shoqërisë; ai është edhe model gjuhësor. Një shprehje e përsëritur çdo mbrëmje në ekran mund të hyjë shumë shpejt në komunikimin e përditshëm, veçanërisht te brezi i ri.

Prandaj, studioja televizive duhet të jetë hapësirë ku gjuha shqipe kultivohet dhe pasurohet, jo vend ku ajo varfërohet.

2. Gjuha në tekstet e këngëve hip-hop dhe rap

Një fushë tjetër me ndikim shumë të madh gjuhësor është muzika bashkëkohore, veçanërisht hip-hopi dhe rap-i.

Këto zhanre komunikojnë drejtpërdrejt me të rinjtë dhe shpesh përdorin zhargon, fjalor të ndyrë, shkurtime, barbarizma dhe forma të ndryshme të gjuhës së përditshme.

Duhet të pranojmë se përdorimi i zhargonit në art nuk është domosdoshmërisht gabim. Por dukuria që meriton vëmendje është përdorimi i fjalorit vulgar, fyes dhe denigrues në një pjesë të teksteve të këngëve hip-hop dhe rap. Në disa raste, fjalët e pahijshme, banalitetet dhe shprehjet që cenojnë dinjitetin e individit paraqiten si elemente të zakonshme të komunikimit artistik.

Këtu nuk bëhet fjalë për censurimin e artit apo për mohimin e lirisë krijuese të artistit. Arti ka të drejtë të trajtojë edhe anët e errëta të shoqërisë. Por duhet bërë dallimi ndërmjet pasqyrimit artistik dhe bastardimit të gjuhës shqipe. Kur në tekstet e këngëve vulgariteti, seksizmi, dhuna, poshtërimi dhe sjelljet degraduese paraqiten si modele të dëshirueshme jetese, aty nuk ka më art, nuk ka mesazh human; aty kalohet në antivlerë dhe në shund.

Në disa tekste të këngëve hip-hop dhe rap vërehet një përdorim i tepruar i fjalëve angleze dhe i shprehjeve të huaja. Shpesh ato nuk përdoren ngaqë mungon fjala shqipe, por ngaqë konsiderohen më moderne ose më tërheqëse.

Këtu lind pyetja: A po e pasurojmë shqipen me fjalë të reja, apo po i harrojmë fjalët që kemi?

Kjo pyetje meriton një reflektim serioz.

Një gjuhë pasurohet kur përvetëson elemente të reja duke ruajtur strukturën dhe identitetin e vet. Por ajo varfërohet kur fjalët e veta zëvendësohen pa nevojë dhe kur gabimi gjuhësor përsëritet aq shumë sa fillon të konsiderohet normal.

Këngëtarët dhe autorët e teksteve kanë, pra, edhe një përgjegjësi kulturore. Ata nuk duhet të shihen vetëm si argëtues, sepse fjala e tyre dëgjohet dhe imitohet nga një numër i madh të rinjsh. Prandaj, sfida për autorët dhe interpretuesit nuk është vetëm të krijojnë muzikë që dëgjohet, por edhe të mendojnë për mesazhin që përcjellin dhe për modelin gjuhësor që u ofrojnë brezave të rinj.

Në këtë kuptim, hip-hopi dhe rap-i nuk janë domosdoshmërisht armiq të gjuhës shqipe. Përkundrazi, mund të bëhen mjete të fuqishme për ta pasuruar dhe modernizuar shprehjen shqipe. Rap-i ka potencial të madh për lojë me fjalën, me rimën, me ritmin, me metaforën dhe me figurën artistike.

Prandaj, nuk duhet të luftojmë muzikën moderne, por të kërkojmë që edhe ajo të tregojë respekt për gjuhën.

Në të dyja këto hapësira – në televizion dhe në muzikë – gjuha shqipe përballet me të njëjtat sfida: ndikimin e madh të gjuhëve të huaja, varfërimin e fjalorit dhe normalizimin e formave të pasakta e banale.

Shqipja duhet të jetë e hapur ndaj botës, por jo e dorëzuar përballë saj.

Ne mund të përdorim fjalë të huaja kur ato janë të nevojshme, mund të dëgjojmë muzikë moderne dhe të komunikojmë me kulturat e tjera, por pa harruar se kemi një gjuhë me pasuri të jashtëzakonshme.

Në fund, përgjegjësia nuk është vetëm e gjuhëtarëve dhe e akademikëve. Është e të gjithëve: e gazetarit, e moderatorit, e politikanit, e profesorit, e artistit, e mjekut, e shitësit, e punëtorit dhe e secilit prej nesh.

Sepse gjuha nuk ruhet vetëm në fjalorë dhe në libra. Ajo ruhet në fjalën që themi, në mënyrën si debatojmë, në mënyrën si shkruajmë dhe në mënyrën si krijojmë art.

Prandaj, le ta pyesim veten: Çfarë gjuhe po përdorim sot dhe çfarë gjuhe duam t’u lëmë brezave që vijnë? Sepse ta duash shqipen nuk do të thotë vetëm të krenohesh me të, por edhe ta përdorësh me kulturë, me përgjegjësi dhe me dinjitet.