Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, priti sot në aeroportin e Shkupit presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
“Mirë se vjen në Shkup, presidente e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Sot në Shkup prita presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen”, shkroi Mucunski në Facebook.
Kreu i diplomacisë theksoi se vizita është një konfirmim i fuqishëm i orientimit evropian, i përkushtimit të Qeverisë ndaj proceseve reformuese, i përputhjes së plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian dhe i vendosmërisë së qartë për të përparuar në integrimin evropian.
“Për ne është i rëndësishëm një proces i qartë, i besueshëm dhe i parashikueshëm. Na presin takime konstruktive, me fokus te përparimi i mëtejshëm. Vlera evropiane, reforma, institucione të forta dhe një ekonomi konkurruese – për një jetë më të mirë të qytetarëve”, theksoi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.
Von der Leyen vjen për një vizitë zyrtare në Shkup, në kuadër të turit të saj në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Siç njoftoi shërbimi për shtyp i Qeverisë, von der Leyen do të zhvillojë një takim kokë më kokë me kryeministrin Hristijan Mickoski, pas të cilit do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp në Qendrën Mediatike të Qeverisë.















