Ballina Aktualitet Kultura Foqion Postoli, pionier i romanit shqiptar

Foqion Postoli, pionier i romanit shqiptar

Në 130-vjetorin e lindjes

Nga Nasho Jorgaqi

Pionierëve të çdo fushe të artit u takon përherë nderi i nismëtarëve, i atyre që i hapin shtigje të reja krijimtarisë. Këtë nder e ka dhe shkrimtari Foqion Postoli, si një nga pionierët e romanit shqiptar. Figura e tij fiton vlera të veçanta po të kemi parasysh dhe faktin se ai krijoi veprat e veta brenda një jete të shkurtër dhe në një kohë kur ishte punëtor i thjeshtë fabrike.

I lindur në 1889, në Korçë, në këtë vatër të ndezur të lëvizjes sonë kombëtare, në një familje të zbritur nga Frashëri, ku i ati kish qenë shok fëmijërie i Naimit e Samiut, Foqion Postoli u ushqye me idetë e ndritura të Rilindjes dhe me kultin e Frashëllinjve të mëdhenj. Njohja me lëvizjen kombëtare në Stamboll dhe Egjipt, ku mërgoi fare i ri, si dhe ngjarjet tronditëse të kohës e lidhën shpirtërisht me fatin e rëndë të atdheut dhe qenë përcaktuese në formimin e shkrimtarit të ardhshëm patriot. Në moshën 18-vjeçare, kur lufta për bukën e gojës do ta degdiste në SHBA, ai do të merrte me vete jo vetëm imazhin e vendlindjes, po dhe ndjenjën e detyrës ndaj atdheut të robëruar. Kjo ndjenjë do ta bashkonte menjëherë me atdhetarët shqiptarë të Amerikës, për t’u bërë shpejt veprimtar i zellshëm politik, organizator e drejtues i mërgimtarëve në rrethet e Broktonit, bashkëpunëtor dhe më vonë redaktor i gazetës “Dielli”. Në këto rrethana, ai do të miqësohet më Fan Nolin, do ta ndjekë atë në aksionet politike dhe do të punojë nën drejtimin e tij.

Për afro 15 vjet që Foqion Postoli qëndroi në SHBA (1907- 1921), do të bënte jetën e vështirë të punëtorit të një fabrike këpucësh. Por edhe pse në këto kushte, duke vuajtur edhe nga tuberkulozi, ai do të tregohej njeri me interesa dhe synime serioze. Do të ndiqte një shkollë të mesme industriale të natës, do të mësonte gjuhë të huaja (anglisht, greqisht, turqisht), do të lexonte në mënyrë sistematike. Ai do të bëhej një autodidakt i përgatitur, frytet e punës të të cilit s’do të vononin të dukeshin në mjedisin e të mërguarve. Në këtë vështrim, shfaqja kryesore e personalitetit të tij do të bëhet veprimtaria letrare.

Fillimisht, ai do t’u prezantohej lexuesve si bashkëpunëtor i “Diellit”, me artikujt e me ndonjë tregim-, por, mbi të gjitha, si autor dramash dhe romanesh. Pikërisht, në faqet e kësaj gazete nga fundi i dhjetëvjeçarit të dytë, do të botohen si nënfletë romani “Lulja e kujtimit”*, dramat “Për mbrojtjen e atdheut”, “Detyra mëmës”**) etj. Botimi i tyre pati jehonë të ndjeshme që i kalonte kufijtë e një ngjarjeje letrare. Ato fituan zemrat e lexuesve, në radhë të parë, me pathosin patriotik e frymën bashkëkohore, por tërheqin vëmendjen edhe për trajtën romanteske. Me vepra të këtij lloj i të Postolit dhe të Ndoc Nikajt po përurohej romani shqiptar.

Gazeta “Dielli” do ta përshkruante kështu suksesin e romanit të parë “Lulja e kujtimit”…”Lulja e kujtimit” fitoi admironjës. Me të vërtetë autori i saj z. Foqion Postoli e meriton një përhirim të përzemërt nga ana e gjithë shqipëtarëve. Mundimet e tij s’vajtën kot se romanca është aq bukur, e hijshme, e thurrur mirë sa edhe patriotike”***)

Në krye të viteve ’20, Foqion Postoli kthehet në atdhe me emrin e një shkrimtari të njohur. Korça, ku ai u rikthye, ziente aso kohe nga lufta politike për një Shqipëri të përparuar dhe të lirë nga çdo ndikim i huaj. Shkrimtari do të radhitej pa mëdyshje me forcat demokratike, do të qëndronte pranë Mihal Gramenos dhe do të mbështeste Fan Nolin, për ta kthyer kishën në një institucion kombëtar. Me besim dhe simpati të thellë për brezin e ri, si shpresa dhe e ardhmja e atdheut, shkrimtari vitet e fundit do të dramatizonte “Lulen e kujtimit” (1922), do të rivinte në skenë dramën “Detyra e nënës”, do të ripunonte dhe botonte në libra romanet “Lulja e kujtimit” (1924) dhe “Për mbrojtjen e atdheut” (1926), do të shkruante komedinë që mbeti në dorëshkrim, “Martesa e një avokati”. Nga ana tjetër, për një kohë ai do të punonte si mësues vullnetar në shkollat shqipe të Korçës, pas mbylljeve të shkollave greke. Shumë interes paraqet publicistika e tij, që ai do ta botojë në vitet 1922-1923 në gazetën “Dielli”

Si korrespodent saj, ai do të shkruajë një varg artikujsh nga pozita të përparuara për probleme të mprehta të ditës, si mbi forcimin e frymës kombëtare të shkollave shqipe, mbi përndjekjen që u bëhet nëpunësve patriotë, mbi falsifikimin e zgjedhjeve nga paria, mbi intrigat e padrejtësitë që luhen në kurriz të popullit dhe pakënaqësinë e tij etj. Angazhimi politiko-shoqërore, e sidomos, përparimi i sëmundjes së mushkërive, nuk do ta lejonin shkrimtarin t’i përkushtohej tërësisht krijimtarisë letrare.

Për bashkëkohësit ka mbetur e paharruar figura e dashur e shkrimtari tek shfaqej nëpër rrugët e qytetit: i gjatë e i hollë, delikat e i pastër, flokëzi e i hijshëm. Ata që e njihnin nga afër e dinin mirë se sa natyrshëm harmonizoheshin tek ai patriotizmi dhe humanizmi, karakteri burrëror dhe shpirti i ndjeshëm. Por Korça punëtore dhe intelektuale, që e çmonte aq shumë Postolin, sa shkrimtarin, aq dhe qytetarin e saj të nderuar nuk do ta gëzonte gjatë. Më 2 tetor 1927 Foqion Postolit do t’i ndërpritej jeta në lulen e burrërisë. Në shtyp, me këtë rast do të flitej për “punëtorin e rrallë të rrethit intelektual” dhe “patriotin që punonte pareshtur për të ndriçuar popullin shqiptar dhe për të ringjallur e pasuruar literaturën shqiptare”****.

Dhe kjo ishte e vërteta. Koha do ta provonte se Foqion Postoli, kish qenë një shkrimtar i talentuar dhe vepra që linte pas kishte vlera të veçanta, po të marrim parasysh kontributin e çmuar në fillimet e romanit shqiptar.

Nuk i dimw se cilat janw rrethanat konkrete që e shtynë Postolin, këtë punëtor të thjeshtë, t’i hynte rrugës së letërsisë. Por është jashtë çdo dyshimi se talentin e tij e ndezi frymëzimi patriotik dhe e ushqyen nevojat e lëvizjes kombëtare.

Vepra letrare e Postolit u shkrua në vitet e para të Pavarësisë, në kohën kur në rend të ditës qëndronte sërish çështja e bashkimit kombëtar, mbrojtja e tokave shqiptare, konsolidimi i fitoreve të arritura. Shkrimtari ynë ka meritën që krijimtarinë e vet e ngriti dhe e mbrujti me ngjarje, njerëz dhe mjedise të jetës e historisë shqiptare dhe, këtë lëndë të pasur e dha në radhë të parë përmes romanit. Romani, si fenomen i rëndësishëm artistik, me mundësi të mëdha pasqyruese e shprehëse, shënon në jetën e çdo letërsie një hap përpara drejt pjekurisë së saj. Postoli është ndër nismëtarët që çan në këtë shteg dhe i trason udhën kësaj “artilerie të rëndë” të artit të fjalës në letërsinë tonë. Në kushtet e reja historiko-shoqërore, kur jeta shqiptare me problemet e saj të shumta kërkonte të hynte në letërsi sa më gjerë dhe të qëndronte sa më afër të vërtetës, kufijtë e poezisë dhe të prozës së shkurtër ishin të pamjaftueshëm. Këndej doli dhe domosdoshmëria e lëvrimit të romanit, me të cilin u lidh edhe emri dhe vepra kryesore e Postolit.

Trashëgimia letrare e shkrimtarit tonë e i takon kryesisht fushës së romanit e të dramës dhe kjo s’ka si të mos tërheqë vëmendjen, jo vetëm si nga gjinitë më të vështira të letërsisë, por dhe si më masivet. Veprimtari i lëvizjes kombëtare, duke i njohur nevojat e saj, synonte drejt një auditori sa më të gjerë. Kjo shpjegon edhe popullaritetin që gëzuan vlerat e tij në brezat e rinj dhe rrethet e mërgimtarëve. E dëshmojnë këtë jehona që patën dramat, po mbi të gjitha, romanet.

Romanet “Lulja e kujtimit” dhe “Për mbrojtjen e atdheut” janë nga veprat e para të prozës sonë, që i zgjeruan sa asnjëherë kufijtë e pasqyrimit të jetës në letërsinë shqiptare. Në qoftë se, përgjithësisht, letërsia jonë do t’i fliste lexuesit përmes këngës e poemës, tregimit e publiçistikës, Postoli wshtë nga ata krijues që bëri përpjekje ta arrijë këtë përmes romanit. Kjo do të thoshte që realiteti shqiptar të jepej me anë të tablove të gjera dhe konflikteve sociale e politike. Sigurisht, një gjë e tillë nuk ishte e lehtë për letërsinë tonë, ashtu dhe për pionerët e romanit. Por, Ppstoli, falë patosit patriotik dhe prirjeve krijuese, nuk u tërhoq përpara vështirësive. Përpjekjet heroike që sollën pavarësinë, lufta për mbrojtjen e saj dhe të tokave, shpirti i lartë patriotik i popullit, të gjitha këto, të cilat kishin lënë mbresa të forta te shkrimtari, e frymëzuan dhe i dhanë atij lëndën për të thurur romanet. Ai i ngriti ato në sfondin e ngjarjeve të fazës së fundit të Rilindjes, të luftës së çetave dhe të zgjimit e të triumfit të ndërgjegjes kombëtare. Duke venë në qendër të tyre popullin, vegjëlinë e qytetit e sidomos fshatarësinë, heronjtë e romaneve të tij, u bënë njerëzit e thjeshtë, Dhimitri, një punëtor shegert dhe Nica, një vajzë e varfër fshatare. Për autorin këta përfaqësojnë forcën lëvizëse të luftës, bartësit e atdhedashurisë e të virtyteve më të mira shqiptare.

I nisur nga shqetësimet më jetike të kohës, siç qenë mbrojtja e atdheut dhe bashkimi kombëtar, Postoli i mpleksi ato me probleme që lidheshin me dallimet fetare, krahinore, madje edhe klasore. Prej kësaj do të lindnin subjektet e konfliktet, bota e mendësia e heronjve të romaneve të tij. Dhe pikërisht në këtë gjë do të manifestoheshin si patriotizmi dhe fryma demokratike, ashtu dhe kufizimet botëkuptimore të shkrimtarit. Kërkesat imperative të bashkimit kombëtar do ta çonin atë, siç pat ndodhur dhe me M. Gramenon, në iluzione utopike të pajtimit klasor. Edhe pse udhëhiqej nga qëllime të sinqerta atdhetare, jeta provonte se rruga e unitetit të kombit nuk mund të arrihej nëpërmjet martesës të të rinjve që u takonin klasave antagoniste. Kjo do të sillte që konfliktet e ngritura në roman të mermin zgjidhje sentimentaliste dhe të krijoheshin situata melodramatike nga më të ndryshmet. Në planin e veprës e të figurave, ndjenja do të ishte zotëruese dhe një gjë e tillë, tok me elementë të tjerë, do t’u japin romaneve të tij tipare të letërsisë sentimentale. Sentimentalizmi për kohën, me gjithë kufizimet e veta, ishte një reagim i shtresave mikroborgjeze ndaj kufizimeve dhe skllavërisë shpirtërore të moralit patriarkal e feudal, për lirinë e personalitetit të njeriut e veçanërisht të gruas. Për këtë arsye figurat e grave në veprat e Postolit (Nica, Olimbia, Lenka etj), zenë vend të posaçëm dhe përshkruhen me simpati të thellë.

Romanet e Postolit, duke qenë një gërshetim i temës patriotike me atë shoqërore, me një sfond historik dhe vendor të qartë, kanë vlera sa edukative dhe njohëse, aq dhe letrare. Tablotë e mjediseve dhe atmosfera e kohës, situatat psikologjike dhe përvijimi i një vargu figurash, jeta zakonore dhe fryma e humanizmit, të dhëna këto përmes një rrëfimi të shtruar e të natyrshëm, me tone lirike, flasin për cilësitë e Postolit romancier. Ishin dhe mbeten këto cilësi që i bënë për vete lexuesit dhe, ç’është më e rëndësishme, kontribuan në krijimin e traditës së romanit shqiptar. Jo rastësisht, në vitet kur dolën, shtypi do t’i quante “Romanca kombëtare”, “llampa elektrike që ndritojnë e gëzojnë tërë zemrat këndonjësve”*****. Kohët që erdhën më vonë, sado që i kapërcyen kufizimet e autorit dhe të vetë letërsisë, nuk e prekën thelbin patriotik dhe vlerat e qenësishme artistike të romaneve të Postolit. Ato mbetën libra të dashur për brezat e rinj të lexuesve në vitet e regjimit të zogut, ku u morën nëpër këmbë idealet e Rilindjes dhe sidomos gjatë pushtimit fashist. Heronjtë e Postolit bënin thirrje dhe ngjallnin besim në forcën e vlerat e popullit.

*) “Lulja e kujtimit” u botua në “Dielli” në 1917 (prill-dhjetor)

**) Drama “Detyra e mëmës” është vepra e parë letrare publike që njohim nga F. Postoli. Sipas “Diellit” 11.3.1916, ajo u shfaq nga grupi “Shpresa” në Brokton nën drejtimin e vetë autorit. Drama u botua së pari në gazetën “Dielli” më 9-27 shtator 1919, për t’u botuar libër në Korçë më 1921.

***) “Dielli” Nr. 1044 (1917)

****)”Zëri i Korçës”, 4 tetor 1927.

*****) “Idealisti”, 28 tetor 1927

@tn.lajmelokale
@tetovanews