Ballina Kultura BOJAXHI DHE MILLOSHEVSKI HEQIN DORË NGA FILMI “BABAI”, KTHEJNË MJETET SHTETËRORE PREJ...

BOJAXHI DHE MILLOSHEVSKI HEQIN DORË NGA FILMI “BABAI”, KTHEJNË MJETET SHTETËRORE PREJ 244 MIJË EUROSH

Regjisori Jani Bojaxhi, producenti Dejan Milloshevski dhe kompania “Revolution Production” kanë njoftuar se heqin dorë nga realizimi i filmit artistik me metrazh të gjatë “Babai”, si dhe nga mjetet buxhetore të ndara për këtë projekt.

Agjencia e Filmit i kishte ndarë projektit 15 milionë denarë, ose 243.922 euro, në kuadër të konkursit për financimin e projekteve me interes kombëtar në veprimtarinë filmike për vitin 2026. Filmi ishte një nga tre projektet artistike të përzgjedhura me pjesëmarrje shumicë.

Sipas producentit Dejan Milloshevski, vendimi është marrë pas një analize të kujdesshme të kushteve dhe rrethanave në të cilat duhej të realizohej projekti.

“Ky vendim nuk është marrë lehtë. Përkundrazi, është rezultat i përvojës sonë shumëvjeçare dhe ngjarjeve me të cilat jemi përballur gjatë viteve të fundit. Refuzojmë të jemi pjesë e kësaj loje perfide të Ministrisë së Kulturës dhe Agjencisë së Filmit, e cila na vendos në një pozitë poshtëruese dhe të padenjë si artistë”, thuhet në reagimin e publikuar nga “Revolution Production”.

Vendimi është mbështetur edhe nga regjisori Jani Bojaxhi.

“E mbështes plotësisht vendimin e producentit. Nuk do të lejojmë të poshtërohemi dhe të diskriminohemi. Nuk do të jemi mbulesë pas së cilës Ministria e Kulturës dhe Agjencia e Filmit do të zhvillojnë lojërat e tyre politike”, ka deklaruar Bojaxhi në rrjetet sociale.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe aktori Vlado Jovanovski, i cili ishte paraparë të luante rolin kryesor në film.

Ai ka shkruar se, pas shumë vitesh larg ekranit të madh, ishte pranë rikthimit në film, por projekti nuk do të realizohet.

“Prodhimit i mungonin edhe 650 mijë euro. Propozova të heqim dorë nga honorarët, por as kjo nuk mjaftoi. Për disa klima është gjithmonë e favorshme, ndërsa për të tjerët gjithmonë ka stuhi”, ka shkruar Jovanovski.

Deri në momentin e publikimit të lajmit, nga Agjencia e Filmit kanë konfirmuar vetëm gojarisht se nuk kanë pranuar ende njoftim zyrtar nga “Revolution Production” për heqjen dorë nga mjetet e ndara për filmin “Babai”.