Nga Xhelal Zejneli
“Shtetin duhet ta udhëheqin filozofët” – Platoni
Në botën shqiptare ka pjatalarës që pretendojnë të merren me politikë. Në mesin e tyre ka edhe të tillë që e konsiderojnë veten edhe ideologë të kauzës kombëtare. Në mos ideologë, të paktën shokë dhe miq të politikanëve apo të etërve të kombit.
Çdokush mund të jetë i mirë dhe i dobishëm në punën e vet, në profesionin e vet apo në zanatin që ushtron.
Politika është veprimtari komplekse që kërkon përgatitje të madhe, nivel të lartë arsimimi, tradita familjare, përvojë të madhe dhe vlera etike. Politika nuk është rrenë as mashtrim. Për politikën ka dhjetëra përkufizime. Njeriu mund të jetë atdhetar apo patriot pa u marrë me politikë, pa qenë deputet, ministër apo kryetar komune, përkatësisht bashkie. Politika bazohet në normat etike. Politika që i nëpërkëmbë vlerat morale nuk është veçse tregti politike.
Çdo njeri është i rëndësishëm në profesionin që ushtron. Çdo zejtar apo zanatçi është i rëndësishëm për shoqërinë dhe për komunitetin.
I vlefshëm është berberi, floktari, këpucari, zdrukthëtari, poçari, nallbani, automekaniku, bojaxhiu, tregtari, tyxhari, shitblerësi, agjenti tregtar, rrobaqepësi, rrobalarësi, nallexhiu, zhguntari, teneqexhiu, teneqepunuesi, bravapunuesi, gomisteri, rabaxhiu, jorganxhiu, jorganpunuesi, xhamaxhiu, qelqpunuesi, hamaxhiu, orëndreqësi apo sahatçiu, pjatalarësi, djathëshitësi, ëmbëltori, byrekshitësi, simitçiu, bukëpjekësi, bozaxhiu, qebaptori, valëvitësi, leshpunuesi, vorbari, shtambari, sharrëxhiu, samarxhiu, basmaxhiu, daullexhiu, dajrexhiu, farkëtari, druprerësi, drushitësi, ndërtimtari, pllakangjitësi, gurpunuesi, gurgdhendësi, drugdhendësi, ksilografi, muratori, taksisti, pulari, traktoristi, shoferi, ngasësi, ngasësi i kamionit, kazanxhiu, kazanpunuesi, lëkurëtari, kopshtari, vreshtari, bujku, blegtori, bariu, çobani, lopari, abaxhiu, dyqanxhiu, artari, argjendari, derrari, makinisti, elektricisti, auto-elektricisti, mobilieri, dyqanxhiu, bakalli, autolarësi, libralidhësi, hidrauliku, rojtari, pastruesi, higjieniku, gjuetari, kuzhinieri, gjellëbërësi, bostanxhi, varrmihësi, kasapi, mishshitësi, kamerieri, postieri, asfaltuesi, gazetashitësi, arixhiu, pemëshitësi, salepçiu, kafexhiu, mullisi, dhallëshitësi, kooperativisti, hamalli, krasitësi, ngarkuesi, shkarkuesi, makinisti, etj.
Pa mjeshtrit apo ustallarët e sipërthënë, një shoqëri nuk mund të ekzistojë. Zanatet e sipërthëna, në forma bashkëkohore, ekzistojnë edhe në vendet e industrializuara.
Por, bozaxhinjtë, djathëshitësit, pjatalarësit dhe taksistët duhet ta dinë se nuk mund të jenë udhëheqës apo prijës politikë të popujve të tyre. Ata nuk duhet të lodhen e të merren me ideologji politike për arsye se çështja e ideologjisë kërkon shkollë të madhe.
Ka bozaxhinj dhe ngasës kamioni që thonë: “Nëse nuk mund të vihem në krye të kauzës kombëtare, të paktën të jem pranë liderit partiak aktual.”
Shumë shqiptarë, me dekada kanë punuar në Perëndim. Një pjesë e tyre janë vënë edhe në shërbim të zgjidhjes së çështjes shqiptare. Çështjen e Kosovës dhe çështjen shqiptare në Maqedoni e kanë ndihmuar dhe e kanë mbështetur në forma të ndryshme. Kjo pjesë e kombit meriton respekt dhe mirënjohje. Për fat të keq, ka raste kur ndodhin edhe keqpërdorime. Atdhetarizmi apo patriotizmi nuk janë mall që blihet apo që shitet. Atdhetarizmi apo patriotizmi nuk duhet të jenë pronë e dikujt. Ata janë detyrim i çdo shqiptari, i popullit shqiptar. Atdhetarizmi nuk duhet të jetë çështje partiake. Atdhetarizmi i përket tërë popullit shqiptar. Çdo shqiptar, atdhetarizmin e ka detyrë dhe imperativ të kohës. Secili i kontribuon çështjes në mënyrën e vet. E hamë bukën e shqiptarit, ndaj medoemos të jemi në shërbim të tij.
Përçarjet në botën shqiptare nuk i shërbejnë shqiptarisë. “Unë jam më patriot se ti ngase unë kam kontribuar, me dekada, më shumë se ti, ose shumë më tepër se ti.” Madje ka raste kur grupe të caktuara e shpallin njëri-tjetrin tradhtarë.
Por, ka diçka që duket, e kjo është lufta çlirimtare në Kosovë e viteve 1998-1999, lufta çlirimtare në Maqedoni e viti 2001 dhe lufta çlirimtare e UÇPMB-së në Kosovën lindore. Ajo që shihet është çlirimi i Kosovës prej pushtuesve serbomëdhenj dhe shpallja e pavarësisë së saj më 17 shkurt të viti 2008. Historia nuk do të merret me veprime johistorike.
S’ka pasur lëvizje politike kombëtare në historinë e botës ku s’ka pasur përplasje dhe mosmarrëveshje, madje edhe përplasje luftarake brenda të njëjtës lëvizje. Ka ndodhur shpesh kur përplasjet brenda një lëvizjeje e kanë penguar arritjen e objektivit. Luftërat e shqiptarëve gjatë shekullit XX paraqesin vazhdim të idealeve të Lidhjes së Prizrenit (10 qershor 1878).
Historia duhet ta respektojë çdo veprimtar të kauzës kombëtare, çdo luftëtar të lirisë, çdo dëshmor, çdo të plagosur, çdo shqiptar që është dënuar nga politika fashiste serbe. Luftëtarët e lirisë duhet të nderohen në rrugën institucionale dhe jo në rrugën partiake.
Veprimtarët e lirisë dhe çlirimtarët janë historia vetë. Ata janë më shumë se një parti, janë pjesa më e çmuar e kombit. Askush s’i del dot historisë para. Askush s’është mbi historinë. Vlerësimin e proceseve historike s’e bëjnë dot bozaxhinjtë dhe ngasësit e kamionëve. Vlerësimin e figurave historike s’e bëjnë dot enëlarësit. Këtë e bëjnë akademitë dhe akademikët. Personalitetet historike nuk duhet të manipulohen për qëllime partiake. Partitë shkojnë e vijnë, kurse figurat e tilla mbeten. Figurat historike nuk duhet të përdoren për qëllime të politikës ditore. Politika ditore sot është, nesër s’është.
Shqiptarët duhet të shkojnë në hap me tendencën historike. Ideologjitë totalitare në botën shqiptare kanë marrë fund njëherë e përgjithmonë. Sot shqiptarët synojnë integrimin e NATO dhe në BE. Aleate e shqiptarëve është Amerika.
* * *
S’ka dyshim se personat që i ushtrojnë veprimtaritë e sipërthëna mund të jenë dhe duhet të jenë pjesë e proceseve politike kombëtare, por jo edhe të pretendojnë të vihen në krye të kauzës kombëtare. Mbreti jugosllav Josip Brozi (1892-1980) nuk kishte shkollë. Ishte bravapunues, d.m.th. bravar. Në krye të shtetit ishte në vitet 1944-1980. Në vitet 1991-1995 shteti që kishte drejtuar me dekada u shpërbë me njëqindmijë të vrarë. Një kohë, zëvendës i tij ishte serbi Aleksandar Rankoviq (1909-1983). Edhe ky ka qenë partizan dhe pa shkollë. Me zanat ka qenë zhguntar. Shumë udhëheqës të shteteve komuniste kanë qenë pa shkollë.
Ka edhe akademikë pa shkollë. I tillë ka qenë shkrimtari Dobrica Qosiq (1921-2014) i quajtur baba i kombit serb. Ka pasur të kryer shkollë të mesme bujqësore. Vajza e tij, historiane e letërsisë, Dr. Ana Qosiq Vukiq (1954- ) deklaron: „Dobrica ka qenë babai im dhe jo babai i kombit“.
* * *
Ka raste kur individë apo grupe krijojnë raporte me pushtetarë apo me faktorë të caktuar. Pas një kohe, i prishin raportet me ata për t’u lidhur me të tjerë. Kjo kategori njerëzish nuk duan ta shohin veten të margjinalizuar, ndaj gjithmonë tentojnë të jenë në krah të grupit “politik” apo “kombëtar” të caktuar.
Ka pasur raste kur një teneqepunues e ka mohuar dhe e ka denigruar një figurë kombëtare të shquar. Jo të gjithë kanë qenë teneqexhi. Midis denigruesve ka pasur edhe “personalitete” politike dhe kombëtare. Kanë tentuar ta denigrojnë edhe personalitetin historik, në varrimin e të cilit kanë marrë pjesë qindra mijë veta. Pas njëzet vjetëve, denigruesit kanë marrë nga një tufë lule dhe “tradhtarëve të kombit” u kanë shkuar te varri për t’u bërë homazh.
Madhështinë e personaliteteve të kombit e matin historianët dhe akademikët dhe jo bozaxhinjtë.
* * *
Nuk duhet harruar se ka njerëz që nuk kanë shkollë të madhe, por janë bujarë, fisnikë, dorëdhënë, solidarë, kontribuues, humanë, altruistë, trima, të guximshëm, sakrifikues, të besës, të punës, të zgjuar, të ndershëm, inteligjentë etj. Në rrethana të caktuara, ata janë më të vlefshëm se shumë të tjerë që hiqen sikur kanë shkolla, sikur janë intelektualë, me tituj akademikë.
Ajo që dikush e quan diasporë, nuk duhet të shërbejë për shfrytëzim apo eksploatim. Të gjithë ata meritojnë të respektohen nga bashkëkombësit e tyre kudo në trojet shqiptare.
* * *
“Shtetin duhet ta udhëheqin filozofët” – Platoni
Platoni (emri origjinal “Aristokles”) është filozof i Greqisë antike. Ka jetuar në Athinë prej vitit 427 para K. deri në vitin 347 para K. Konsiderohet si njeri ndër filozofët më të rëndësishëm të antikitetit, student i filozofit të lashtë grek, baba i etikës apo i filozofisë morale, djep i filozofisë perëndimore, Sokratit (469 para K. – 399 para K.), autor i disa dialogëve filozofikë dhe themelues i Akademisë në Athinë ku studioi edhe filozofi, mendimtari dhe shkencëtari i shquar i Greqisë antike Aristoteli (384 para K.- 322 para K.). Kjo Akademi vazhdoi veprimtarinë e saj për nëntë shekuj me radhë.
“Shteti” (latin.: De Republica) është një prej dialogëve më të rëndësishëm të filozofit grek Platonit (427 para K. – 347 para K). Në këtë vepër të Platonit janë pasqyruar mendimet më të rëndësishme të tij për shtetin, për etikën dhe për artin, si një utopist idealist. Idealizmi i Platonit në mënyrë figurative e pasqyron mitin e njohur për shpellën në Librin VII të “Shtetit”.
Shteti i Platonit është idealist për arsye se ai nuk ekziston por duhet të jetë produkt i veprimtarisë së vetëdijshme të njerëzve. Për dallim nga vepra e tij “Ligjet”, në veprën “Shteti” Platoni kërkon të krijojë shtetin absolutisht më të mirë dhe këtu qëndron kategoria utopiste e “Shtetit”.
Sipas Platonit, rendi shoqëror i shtetit ideal përbëhet prej tri klasave: filozofët, ushtarët dhe prodhuesit (zejtarët dhe bujqit). Filozofët njëherazi janë edhe drejtues të shtetit, ushtarët janë rojtarë, kurse robërit janë prodhues.
Platoni ka ardhur në përfundim se prona private e prish njeriun, ndaj ka vendosur që dy klasat e para të mos posedojnë pronë private.
Një fakt tejet i rëndësishëm për funksionimin e një shteti të këtillë qëndron në konceptin e Platonit për të drejtën, përkatësisht për drejtësinë. Sipas këtij koncepti “Çdokush ta bëj punën e vet”.
Sipas Platonit, ideali etik është të arrihet virtyti apo cilësia, e kjo bazohet në dituri. Ky është synim kah ideja e së mirës si një vlerë kulmore. Ideja e së mirës nuk mund të realizohet vetëm tek individi por njëkohësisht te bashkësia, përkatësisht te shteti. Për këtë arsye filozofët duhet të kenë virtyt (zgjuarsi, talent, cilësi) që bazohet në dituri, kurse ushtarët të posedojnë elementin e trimërisë.















