Kjo është platforma ime për Kapitullin e Dytë të zhvillimit të Tetovës.
Jemi përkujdesur që Tetovën ta çojmë përpara në çdo fushë dhe në çdo aspekt.
Këto nuk janë premtime parazgjedhore, por plan pune i bazuar në analiza të thella dhe dokumente strategjike të miratuara gjatë mandatit që lamë pas.
Ju ftoj ta shfletoni planin për transformimin e Tetovës
Një zë për Tetovën!
#7



























Të nderuar përfaqësues të mediave,
Të nderuar qytetarë të Tetovës,
Para katër viteve dola para jush që ta kërkoj besimin tuaj për ta ndalur shkatërrimin e Tetovës. Ishte treni i fundit i shpëtimit përpara se qyteti ynë të zhytej në kaos të pakthyeshëm. Ju gjykuat drejt dhe iu përgjigjët thirrjes sonë. Na e dhatë besimin dhe na ngarkuat me përgjegjësinë që ta nxjerrim Tetovën nga errësira në dritë, nga kaosi në normalitet institucional, nga borxhi drejt zhvillimit dhe nga shëmtia në rend dhe pastërti.
Sot, dal ballëhapur dhe krenar para jush, duke e ditur mirë se në këto 4 vjet kam dhënë gjithçka nga vetja që Tetovën ta bëjmë më të mirë. Falë Zotit dhe falë punës së ekipit të mrrekullueshëm të bashkëpunëtorëve që kam pranë vetes, Tetova sot është shumë më e mirë sesa ishte 4 vjet më parë.
Për këtë dëshmojnë qindra projekte të përfunduara me sukses që ia ndërruar pamjen qytetit tonë. Nuk ka lagje në Tetovë e rrethinë ku nuk kemi zgjidhur të paktën një problem apo një nevojë të qytetarëve tanë. E gjithë kjo punë dhe projekte u realizuan me sukses dhe në të njëjtën kohë kemi arritur të shlyejmë borxh prej 9 milion euro.
Të nderuar,
Mandati i parë ishte mandat i ndërhyrjeve emergjente, i zgjidhjeve të problemeve elementare dhe i rregullimit të infrastrukturës bazë.
Ne jemi gati që Tetovën ta çojmë në një nivel tjetër me Kapitullin e Dytë të zhvillimit. Sepse Tetova nuk guxon të kthehet në epokën e anarkisë, kaosit, keqmenaxhimit dhe korrupsionit. Tetova duhet të vazhdojë të zhvillohet edhe më hovshëm.
Prandaj, kam kënaqësinë që tua prezantoj planin e detajuar, me projekte dhe masa konkrete, për vazhdimin e këtij zhvillimi.
Pas shumë konsultimeve me bashkëpunëtorë, ekspertë, qytetarë, afaristë, organizata joqeveritare, të rinj e të reja, hartuam programin për mandatin e dytë, në të cilin e çojmë Tetovën drejt standardeve të përhershme në vend të zgjidhjeve të përkohshme.
Kjo nuk është thjesht një platformë parazgjedhore, por një dokument i bazuar në strategjitë e përpiluara nga ekspertë dhe institucione relevante.
Tetova do të jetë komunë e hapur dhe transparente, me komunikim të rregullt me gazetarët, platformë online për ankesa dhe ide si dhe raporte pune 6-mujore për çdo sektor të komunës. Qytetari aplikon online, merr përgjigje pa radhë dhe ndjek statusin e kërkesës me numër reference e afat përgjigjeje. Këshillat e prindërve, bashkësitë lokale dhe Unioni i tyre do të kenë rol aktiv në vendimmarrje në Tetovën tonë.
Ndërmarrjet publike do t’i zhvillojmë edhe më tej, ndërsa shërbimet e tyre do t’i profesionalizojmë dhe digjitalizojmë. Prioritet gjatë këtij mandate: ujë 24/7, kanalizim modern, mbulim i çdo vendbanimi me ndriçim publik, mirëmbajtje rrugësh, menaxhim efikas i mbetjeve komunale, transport publik funksional dhe strategji parkimi, që do të ulë trafikun në qendër, si dhe do ta zgjidh problemin me parkimin në qytetin tonë.
Për ujin parashikojmë instalim dhe modernizim të infrastrukturës me ujëmatës digjitalë, rrjete primare dhe sekondare të rinovuara, sigurimin e sasive shtesë të ujit si dhe rezervuar sedimentues për pastimin e ujit që vjen nga burimet e Leshnicës. Kolektor I ujërave të zeza si dhe impjant (filter stacion) për pastimin e ujërave të zeza si dhe kolektor për ujërat atmosferike në pikat dalëse të qytetit për të shmangur përmbytjet dhe bllokimet e nënkalimeve.
Transporti publik ngrihet në standarde evropiane: stacion i ri autobusësh, korsi të dedikuara për transport publik, flotë e re me autobusë e minibusë elektrikë dhe nënstacione ekologjike, duke mbuluar linjat urbane e lidhjet me fshatrat e malësisë. Dhe lajmi më i mirë për qytetarët, transport publik falas.
Menaxhimin e mbetjeve do ta profesionalizojmë edhe më tej, me impiant trajtimi, infrastrukturë të re grumbullimi, pika për mbetje inerte, siguri për punonjësit dhe edukim qytetar.
Parkimi organizohet me Park & Ride në hyrje, garazhe me kate e zgjerim kapacitetesh në blloqet e planifikuara; të gjitha të menaxhuara permes një aplikacioni digjital.
Mandati i dytë do të jetë mandati i zhvillimit të hovshëm edhe për arsimin, si përmbajtësisht, ashtu edhe në aspektin infrastrukturor.
Zbatojmë arsimin gjithëditor dhe investojmë në kushte moderne në çdo nivel: projekte kapitale për shkollat fillore e të mesme dhe çerdhet; laboratorë STEM, teknologji në klasa, edukim joformal dhe përkrahje të nxënësve ekselentë dhe atyre në nevojë. Rrisim përfshirjen në vendimmarrje, luftojmë politizimin, përforcojmë zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe sigurojmë qasje të barabartë për fëmijët me aftësi të kufizuara e komunitetet minoritare.
Për ta bërë barrën e shkollimit më të lehtë për familjet tona, do të subvencionojme me 100 euro çdo fëmijë që regjistrohet në klasë të parë.
Kapitulli i Dytë do të jetë edhe kapitulli i transformimit urban dhe infrastrukturor të Tetovës. Tetova bëhet qytet kompakt, i lidhur dhe i gjelbër. Miratojmë Planin Gjeneral Urbanistik 2025–2035, paketa planesh detale urbanistike nga qendra te stadiumi dhe përgjatë bulevareve Iliria e Ilinden, plane për Kodrën e Diellit, Bllokun Urban 57, Qendrën Sportive dhe qendrën tregtare. Përshpejtojmë procedurat për dhënjen e lejeve, ndërtojmë Sheshin me parking nëntokësor, përfundojmë bulevardet kryesore, lidhjet rrugore me fshatrat dhe nënkalimet për këmbësorë. Teleferiku Tetovë–Lisec–Kodra e Diellit bëhet realitet në bashkëpunim me Qeverinë.
Mjedisi jetësor do të jetë gjithashtu në qendër të fokusit tone. Sektor komunal i dedikuar për mjedisin, monitorim modern i ajrit, ujit dhe tokës, rregullim shtrati lumi në Reçicë të Vogël dhe Poroj, sanksione për ndotësit dhe raporte mujore publike. Zgjerim i hapësirave të gjelbra, krijimi i kadastrës së gjelbër, mbjelljen e 5.000 fidaneve të reja, efikasitet energjetike në objekte publike dhe infrastrukturë e gjelbër.
Tetovën do ta kthejmë edhe në hartën e turizmit global, me vizion të qartë për zhvillim ekonomik të komunës sonë. Do të sigurojmë investitor strategjik për Kodrën e Diellit, që xhevahiri ynë turistik ta arrijë potencialin maksimal. Me infrastrukturë turistike gjithëvjetore, Tetova do të pozicionohet si destinacion kryesor në rajon. Do të mbështesim agroturizmin dhe promovojmë traditën kulinare lokale; krijojmë Udhëzues Investimesh, Regjistër Digjital të Bizneseve dhe Info Qendër për biznesin për ta lidhur komunën me ndërmarrësit, diasporën dhe investimet në energji të ripërtëritshme, bujqësi moderne e teknologji. Fshatrat e malësisë Bozovcë dhe Veshallë i shpallim zona me insteres strategjik për zhvillim socio-ekonomik, kulturor e turistik
Komuna do të përkujdeset edhe për pjesën më të ndjeshme të shoqërisë sonë, me Planin Social që përfshin 100 banesa sociale, qendra për të moshuarit dhe shërbime “Ndihmë dhe kujdes në shtëpi”. Thellohet mbështetja për familjet e reja, për personat me aftësi të kufizuara, si dhe për gratë e fëmijët viktima të dhunës.
Ringjalljen kulturore të Tetovës që e filluam në mandatin e parë do ta zgjerojmë e thellojmë me festivale, qendra kulturore, bibliotekë moderne dhe program të gjerë aktivitetesh. Ruajmë trashëgiminë materiale e shpirtërore, ndërtojmë Sahat Kullën dhe restaurojmë objektet historike.
Tetova identifikohet me rininë, prandaj i kushtojmë rëndësi të veçantë ardhmërisë tonë.
Hapësira kulturore dhe programe për të rinjtë, punësim praktik me bizneset, integrim ndëretnik dhe aktivitete kundër gjuhës së urrejtjes. Në sport, përfundojmë Stadiumin e Qytetit, hapim terrene atletike, vëmë në funksion sallat ekzistuese, mbështesim ligën shkollore dhe ndërtojmë parqe e fusha në lagje. Qendra Rinore institucionalizohet si hapësirë moderne për nevojat e brezit të ri.
Në pjesën e sigurisë publike, forcojmë Njësinë e Zjarrfikësve me nënstacione rajonale, objekt të ri, pajisje moderne, automjete të reja dhe rritje pagash deri 50% deri në fund të mandatit. Dyfishojmë hidrantët në gjithë qytetin, sidomos në malësi.
Për të gjitha këto projekte kemi plan konkret, vizion të qartë dhe konstrukt financiar. Ato nuk janë premtime elektorale, por program pune që buron nga analiza të thella e të detajuara që i kemi bërë gjatë këtyre 4 viteve, të materializuara në dokumente si Strategjia e arsimit 2025-2030, Plani i mobilitetit 2025-2035, Programi zhvillimor 2025-2029, Masterplani i ujësjellsit 2024-2027, Plani strategjik për zhvillim ekonomik lokal 2023-2027, Strategjia e turizmit 2025-2029, Plani social 2024-2027 dhe Strategjia për zhvillimin e vullnetarizmit në Komunën e Tetovës 2024-2027.
Të nderuar tetovarë,
Tetova duhet të ecë përpara me gjithë potencialin që ka. Tetova nuk mund të kthehet prapa. Ky program është kontratë pune të cilën e nënshkruaj me ju dhe do ta zbatoj me përpikëri.
Ky është mandati për ta çuar Tetovën në nivelin që meriton: qytet me shërbime europiane, ekonomi dinamike, kulturë të gjallë dhe mjedis të mbrojtur. Ju e dini se ne dijmë dhe mundemi të bëjmë gjëra të mira për Tetovën tonë, si askush tjetër përpara nesh.
Ju faleminderit!















