Tetova ka mirëpritur turneun tradicional ndërkombëtar të karatesë “Golden Cup Tetova 2026”, i cili ka mbledhur klube dhe sportistë nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Bullgaria.
Turneu është organizuar nga Klubi i Karatesë “Shkëndija”, nën udhëheqjen e trajnerit Vegim Murati, në bashkëpunim me Federatën e Karatesë së Maqedonisë, të drejtuar nga kryetari Besnik Murati.

Në këtë ngjarje sportive mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili e vlerësoi turneun si një ndër organizimet më të rëndësishme të këtij sporti në vend.
“Sot pata kënaqësinë të marr pjesë në turneun tradicional ndërkombëtar të karatesë ‘Golden Cup Tetova 2026’, një prej organizimeve më madhështore të këtij sporti në vendin tonë”, shkroi Kasami në Facebook.

Ai theksoi se pjesëmarrja e klubeve dhe sportistëve nga pesë vende dëshmon rëndësinë e këtij turneu dhe potencialin e Tetovës për organizimin e ngjarjeve sportive ndërkombëtare.
“Organizime të tilla dëshmojnë se Tetova ka kapacitet të jetë nikoqire e ngjarjeve të mëdha sportive ndërkombëtare, duke promovuar sportin, disiplinën, respektin dhe bashkëpunimin mes të rinjve!”, deklaroi Kasami.
Turneu “Golden Cup Tetova 2026” synon të promovojë karatenë dhe të forcojë bashkëpunimin sportiv ndërmjet klubeve dhe garuesve nga vendet e rajonit./Tetova News/




























