Ballina Kultura LOTËT E ABDYLAZIS ISLAMIT

LOTËT E ABDYLAZIS ISLAMIT

Para dyerve të Shtëpisë së Kulturës, po edhe shumë larg përtej saj, sheshi qe mbushur ding me njerëz. Kishin ardhur për të parë dramën “Toka jonë”, të Kolë Jakovës, që shfaqej nga Trupa e Teatrit Kombëtar të Tiranës e cila po atë ditë kishte mbërritur në qytet. Ishin me mijëra, megjithëse salla merrte vetëm 700 veta që kishin siguruar biletat e hyrjes. Kishte ndonjë që ia shiste pesëdhjetë herë më shtrenjtë ndonjërit nga mërgimtarët, të ndodhur në vendlindje.

Në rreshtin e dhjetë, aty ku i kishin numrat e biletave, qenë ulur afër-afër edhe dy shokët e ngushtë, të një halli e të një brenge, Lavdim Dançolli e shkrimtari Abdylazis Islami. Si u fikën dritat e filloi shfaqja, pas disa pamjeve, hynë në skenë edhe dy aktorë të veshur me xhupa të mushamtë e me automatikët në dorë. Shikuesit, të shndërruar sy e veshë në ndjekjen e ngjarjes, kishin bërë të mos dëgjohej asgjë, të sundonte një qetësi thuajse absolute. Në ato momente rrëqethëse, Lavdimi ndjeu një si psherëtimë nga ana e djathtë, ku ishte i ulur Abdylazizi. Kjo ia tërhoqi vëmendjen dhe shkëputi shikimin nga skena, të shoh se ç’kishte. Ç’të shoh! Ai kishte ulur kokën dhe e kishte marrë mes dy duarve. Qante me psherëtima. Shtriu dorën dhe e shkundi për krahu.

– Zotni Azis! – i tha i merakosur, – çfarë keni! Mos jeni i sëmurë?

Ai ngadalë ngriti kokën dhe, me faculetën që i kishte mbuluar sytë, i fshiu e foli, duke ia afruar gojën te veshi:

– Jo, nuk jam i sëmurë, po kam diçka më shumë se kjo. Kujtova se kanë ardhë të na çlirojnë, prandaj më hipi vaji nga gëzimi!

– Eh, më, edhe ju, sa i çuditshëm që jeni! – tha Lavdimi buzagaz dhe u qetësua.

Ishte shfaqja e fundit e asaj dekade nga një trupë teatri që kishte ardhur nga shteti shqiptar, sepse erdhi Marsi i 81-shit e krisën demonstratat në Kosovë. Brenda 10 viteve, ato kishin ngjallur interesim të jashtëzakonshëm në popull, sidomos ansamlet muzikore të këngëve e valleve kur, nga entusiazmi i madh, digjeshin në flakë edhe këmishat e palltot. Kjo gjë nuk ishte parë askund në botë…

Marrë nga libri
HAMDI ISLAMI
GJURMËVE TË JETËS
– Vëllimi 3 –
Tetovë, 2015