Komuniteti letrar dhe kulturor i Tetovës ka humbur një nga krijuesit e tij. Në moshën 67-vjeçare ka ndërruar jetë shkrimtari, poeti dhe publicisti tetovar Eroll Velija.
Lajmin për ndarjen e tij nga jeta e bëri të ditur shkrimtari Sulejman Mehazi, mik i tij i fëmijërisë dhe bashkëqytetar.
“Lamtumirë miku im Erol Veliu në botën e përtejme! Sot ndërroi jetë poeti tetovar Erol Veliu, Zoti të mëshiroftë me xhenet o shoku im i mëhallës!”, shkroi Mehazi në një postim publik.
Eroll Velija lindi në Tetovë në vitin 1959. Studimet në Fakultetin Pedagogjik, në drejtimin për mësuesi, i kreu në Shkup. Me letërsi nisi të merrej që në shkollën fillore, ndërsa gjatë krijimtarisë së tij shkroi për të rritur dhe për fëmijë, në poezi, prozë, fabul dhe publicistikë.
Ai punoi edhe si bashkëpunëtor-gazetar në gazetën “Flaka”, si dhe bashkëpunoi me revistat për fëmijë “Gëzimi” dhe “Fatosi”.
Në konkursin tradicional letrar të revistës “Gëzimi”, të mbajtur më 5 mars 2000, pjesa e tij skenike “Nata e Vitit të Ri” u vlerësua me çmimin e dytë.
Në veprimtarinë e tij letrare botoi një numër veprash në poezi, prozë, fabul dhe publicistikë. Ndër titujt e njohur janë “Rrugët e fatit”, “Kush e zgjoi pranverën”, “Çudirat nën vezullimin e yjeve”, “Fluturat në pafundësi fluturojnë”, “Përrallëzat e netëve të gjata”, “Kur sendet përmbysin heshtjen”, “Njeriu dhe bota që s’flet”, “Dashuria e hidhur”, “Kodi enigmatik i universit – Shkenca dhe Kur’ani”, “Rendi i ri botëror” dhe “Të dua e panjohur”.
Vepra në prozë “Të dua e panjohur” është promovuar edhe para publikut shkupjan, së bashku me studimin “Gjurmëve të panjohurës” të Blerta Xhemailit. Të dy autorët ishin përfaqësues të klubit letrar “OENEUM” nga Tetova. Për veprën e Eroll Velijës foli prof. dr. Zejnepe Alili Rexhepi.
Veprimtaria e tij ishte e lidhur ngushtë edhe me jetën kulturore të Tetovës. Përmes krijimtarisë letrare dhe pjesëmarrjes në aktivitete të ndryshme, ai kontribuoi në promovimin e letërsisë shqipe dhe të krijuesve tetovarë.
Me ndarjen e tij nga jeta, Tetova humbi një autor që la pas një krijimtari të gjerë dhe një kontribut shumëvjeçar në letërsi, arsim dhe kulturë.

![Polakët kanë frikë nga inteligjenca artificiale. Sondazhi tregon përmasat [SONDAZH]](https://tetovanews.info/wp-content/uploads/2026/10/bfhk9kpTURBXy84NGQ2OTZiMGU2N2Q5OTQxZTI1YWMxZjI2ZmQxZmQ2MS5qcGeSlQMAAM0HgM0EOJMFzQVkzQKy3gACoTAGoTEB-238x178.avif)





![Polakët kanë frikë nga inteligjenca artificiale. Sondazhi tregon përmasat [SONDAZH]](https://tetovanews.info/wp-content/uploads/2026/10/bfhk9kpTURBXy84NGQ2OTZiMGU2N2Q5OTQxZTI1YWMxZjI2ZmQxZmQ2MS5qcGeSlQMAAM0HgM0EOJMFzQVkzQKy3gACoTAGoTEB-300x160.avif)





![Polakët kanë frikë nga inteligjenca artificiale. Sondazhi tregon përmasat [SONDAZH]](https://tetovanews.info/wp-content/uploads/2026/10/bfhk9kpTURBXy84NGQ2OTZiMGU2N2Q5OTQxZTI1YWMxZjI2ZmQxZmQ2MS5qcGeSlQMAAM0HgM0EOJMFzQVkzQKy3gACoTAGoTEB-100x75.avif)

