Ballina Kultura ZAKONET E FEJESËS DHE DASMËS NË MALËSITË E TETOVËS

ZAKONET E FEJESËS DHE DASMËS NË MALËSITË E TETOVËS

  1. MARTESA

Martesa është një akt familjar me rëndësi të madhe jetësore për ata që martohen dhe për familjet e tyre. Me martesën e mashkullit dhe të femrës, përkatësisht të djalit dhe të vajzës lind jeta e tyre e re bashkëshortore, jeta e përbashkët martesore, që kërkon edhe angazhim të përbashkët nga të dy palët. Kjo jetë martesore ndryshon rrënjësisht nga ajo e beqarisë së tyre. Si djali, ashtu edhe vajza, me të martuar, pavarësohen në njëfarë mënyre nga prindërit, ndahen familjarisht nga ta, nga kujdesi, të veshurit e të ushqyerit prej tyre. Ata duhet të mësohen të ekzistojnë vetë, të jetojnë me punën e vet. Në këtë mënyrë me martesën e dy të rinjve krijohen marrëdhënie të reja familjare në jetën e tyre: lindin nevoja, kërkesa e probleme të tilla jetësore dhe ekonomike, që duhet plotësuar e zgjidhur nga bashkëshortët me punë të përbashkët vetëmohuese. Këto vështirësi familjare-ekonomike bëhen edhe më të mëdha në një vend siç janë malësitë e Tetovës, ku jetesa pothuajse e tëra sigurohet me punë kurbeti nga meshkujt.

Pikërisht për këtë arsye mbarë ceremoniali i fejesës dhe i dasmës që bëhet për martesën e dy të rinjve, siç do të shihet edhe më tej, përcillet me shumë rite, prime (pokushe), doke e zakone që kanë për qëllim mbarëvajtjen e jetës së nuses e të dhëndrit, pasurimin e saj, ruajtjen e tyre nga sendet e këqija (qoftëlargët) e magjia dhe përgatitjen e dy të rinjve për punë në jetën e ardhme të pavarur. Një pjesë e këtyre pokusheve bëhet me qëllim që nusja të bëjë djem. Lindja e djalit e gëzon pa masë familjen, e cila, si rrjedhim i kushteve të vështira të jetës së varfër malore, vetëm të ai sheh ushqyesin dhe mbrojtësin e saj. Një ndikim të veçantë në ceremonialin e fejesës dhe të dasmës kanë ushtruar edhe fetë e ndryshme, si: katolike, ortodokse e muhamedane.

Në bazë të fjalëve të pleqve në të kaluarën pothuajse në asnjë katund të malësive të Tetovës s’kanë pasë dhënë e marrë vajza brenda katundit, por janë lidhur martesa e krushqi ndërmjet katundesh brenda një malësie. Me sa e mbajnë mend pleqtë e malësisë së Sharrit, i vetmi katund i kësaj ane që ka dhënë e ka marrë vajza brenda katundit ka qenë Shipkovica, për arsye se ka qenë dhe është një ndër katundet më të mëdha, ku breznitë farefisnore kanë qenë më të largëta dhe hyrje-daljet familjare më të rralla. Gjithashtu, sipas pleqve, nuk jepeshin dhe nuk merreshin vajza brenda një katundi jo vetëm pse katundet ishin më të vogla sesa sot dhe lidhjet farefisnore i dinin dhe i respektonin më shumë, e hyrje-daljet familjare ishin më të dendura, por më tepër nga mendimi i drejtë se me martesa të largëta mbahet e ruhet më mirë “soji”, gjaku, kurse me martesa të afërta, të ngata, humbet gjaku, nuk ruhet “soji”.

Malësitë e Tetovës në të kaluarën kryesisht kanë pasë marrë nuse e aty-këtu edhe kanë pasë dhënë vajza edhe jashtë kufijve të territorit të vet. Kështu, për shembull, Malësia e Sharrit ka marrë nga Luma, nga Opoja, nga Kaçaniku, nga katundet e Malësisë e të fushës së Gostivarit etj.; Malësia e Dervenit ka marrë dhe ka dhënë nga Derven i Shkupit, nga Pellgu i Epërm dhe Pellgu i Poshtëm, gjegjësisht nga fusha e Tetovës dhe e Gostivarit etj., kurse Mali i Thatë kryesisht kanë marrë nga katundet e Rekës së Dibrës dhe të Gostivarit etj.

Më vonë, në Malësinë e Sharrit dhe në atë të Malit të Thatë nisin e martohen djemtë dhe vajzat edhe brenda katundit. Në fillim këto martesa bëheshin pa pëlqimin e prindërve, me dashuri, duke ikur vajzat te djemtë, që s’ka kaluar pa rrjedhime të këqija, qoftë duke i izoluar katundi ato familje, qoftë duke mos u pajtuar me to madje edhe duke u vrarë ndërmjet vete. Mirëpo me kohë lejohen martesat në këto dy malësi edhe brenda katundit derisa sot kanë arritur marrëdhëniet martesore ndërmjet dy familjesh në një katund edhe në aso përmasa lidhjesh të gjakut, saqë jepen e merren vajza madje edhe në tre breza lidhjesh farefisnore ndërmjet djalit dhe vajzës, të cilat nuk mund të thuhet se nuk kritikohen në këto anë. Këso lidhjesh martesore deri në tre breza bëhen sidomos në katundet e thella malore, siç është Bozovca, Veshalla, Gurgurica, Sallareva etj., ku marrin vajza vetëm brenda katundit të vet, kurse katundet e tjera s’u japin nuse, për shkak se jeta në to është më e vështirë.

Kritikat për martesat me lidhje të afërta gjaku dhe brenda në katund mund të shihen edhe te kjo këngë e vajzave tona:

Karanfil kadife xhi çelën n’dollap,
ma pkte zemrën, oj cauco, me shtatin e nalt,
ma pkte zemrën, ma molite,
menen pi kraje ma çite!

– Nauk ja çita une menen budallës,
se do me marr cauc pi mahallës.
Nauk ja çita une menen dilerxhis,
se do t’marre cauc pi fajsnis.
More ibret, praje umutin jet’e mjet,
se nauk e prajshi fajsnojn, pa gjal me mos u xhet!

Sot me hapjen e kufijve shtetëror, po vijnë me dhjetëra vajza nga vendet e afërta kufitare të Shqipërisë e po martohen në malësitë e Tetovës, sidomos në atë të Sharrit, ku vetëm në Bozovcë janë martuar mbi tridhjetë sish, dhe kjo po ndikon mjaft në zbritjen e çmimit të martesës së djalit me para, si dhe në emancipimin dhe liberalizimin e jetës dhe të sjelljes së femrës sonë në këto anë, ku kanë mbetur shumë prapa tyre nga kjo pikëpamje.

Ndërkaq, gati në mbarë Malësinë e Dervenit, si në të kaluarën, ashtu edhe sot nuk lidhen marrëdhënie martesore brenda një katundit, me përjashtim të rasteve kur ndonjë vajzë ikën dhe e merr me dashuri ndonjë djalë të katundit të vet dhe kjo kritikohet nga familjet e tjera të katundit, duke u hidhëruar me atë familje se pse e ka pranuar atë vajzë për nuse. Sidoqoftë, procesi i martesës, si çdo kund tjetër ndër shqiptarë, edhe në malësitë e Tetovës ka dy faza të zhvillimit të saj: fejesën dhe dasmën.

  1. FEJESA

Fejesa është një periudhë parapërgatitore për martesë. Në malësitë e Tetovës nuk njihet me këtë fjalë fejesa, por me fjalët “zan” dhe “nxerr, nzerr” për djalin dhe “dhan” për vajzën. Këndej pari thuhet rëndom: “I kam zan ose nxerr nause gjalit” dhe “E kam dhan caucën”, kurse në Gurguricë e Sallarevë të Malit të Thatë “folun”: “I kemi folun nuse gjalit”. Në këto anë nuk është zakon, siç ndodh në disa krahina të tjera shqiptare, që vajza e djali të fejohen që në bark të s’ëmës, në djep ose vajza të jepet për një burrë plak me ose pa grua, për një burrë mbi ortake, mbi grua tjetër, me fëmijë vetëm e vetëm pse ai dallohet në mesin e të tjerëve sidomos përkah pasuria, e cila s’mund të thuhet se njihet me kuptimin e plotë të fjalës në këto anë.

Megjithatë, në Gurguricë e Sallarevë të Malit të Thatë ka pasur raste edhe të fejesave që në djep dhe për arsye të ndryshme ndonjëra nga to shpeshherë ka dështuar me pasoja të rënda për të fejuarit dhe familjet e tyre.

Përndryshe, në MT fejesa e vajzës sillet rreth moshës 13-25 vjeç, kurse ajo e djalit prej 13-30 vjeç. Mbas moshës 25, përkatësisht 30 vjeçare, vajza dhe djali konsiderohen të vjetër. Fare rrallë ndodh që një vajzë të mbetet pa u martuar deri në këtë moshë dhe ndonëse i kalon të njëzetepestat, ajo prapë mund të martohet për djalë beqar, por nese djali i kalon të tridhjetat, ai vështirë e ka të martohet me vajzë beqare, veçse me ndonjë vejushë me ose pa fëmijë ose të shkojë e të sjellë për grua ndonjë femër jashtë malësisë, sidomos nga Bosnja.

Brenda kësaj moshe, përkatësisht kur djali dhe vajza hyjnë në bylik (pubertet), atëherë prindërit e tyre fillojnë të interesohen për ta: vajzës t’i gjejnë ndonjë vend të mirë, kurse djalit ndonjë nuse të mirë. Për fejesën e tyre është i plotëfuqishëm i ati: si thotë ai bëhet në këtë anë. Siç thonë këndej, ai vetë mat, vetë pret. Megjithatë, duhet pranuar se ai shpeshherë vepron në marrëveshje me t’ëmën e fëmijëve dhe kështu që të dy së bashku vendosin se vajzën e kujt duhet t’ia lypin për nuse djalit, përkatësisht kujt duhet t’ia japin vajzën. Nëse në punët e fejesës së fëmijëve të vet s’janë në pajtim, kuptohet se vetëm fjala e babait shkon në vend. Nëse i ati i fëmijëve s’është gjallë, të gjitha të drejtat e fejesës së tyre kalojnë te e ëma, por nëse edhe kjo s’është gjallë, atëherë për fejesën e tyre vendos babagjyshi, mixha, daja ose dikush tjetër i afërm i tyre, nën mbrojtjen e të cilit janë ata. Edhe kur s’e kanë babanë gjallë, e ëma e fëmijëve s’ka kurrfarë të drejte mbi fejesën e tyre, nëse ajo s’jeton me ta, për shkak se është larguar nga burri dhe ka shkuar te prindërit (ku është martuar pastaj për ndonjë burrë tjetër). Në këto raste fejesën e fëmijëve të saj të lënë te burri i parë e bëjnë vetëm të afërmit e këtij të fundit.

Përsa u përket vajzës dhe djalit, ata s’përzihën në punën e fejesës, thua se s’janë të interesuar për fatin, për ardhmërinë bashkëshortore të tyre, jo pse s’kanë të drejtë të flasin dhe, nëse e bëjnë këtë, s’i dëgjon kush, por pse një gjë të këtillë në këtë anë e kanë për mbare të madhe, duke u çmuar kështu nga mbarë fisi e fshati si fëmijë të hajrit, që dinë t’i nderojnë prindërit e tyre. Kur vjen rasti të flitet për fejesën e tyre, ata ulin kryet të turpëruar dhe largohen prej atypari për të mos dëgjuar biseda të tilla. Megjithatë, s’mund të thuhet se ata s’pyeten fare për zgjedhjen e bashkëshortit dhe të bashkëshortes së ardhme. Në pjesën më të madhe të familjeve të këtyre malësive i ati dhe e ëma e pyesin fëmijën e tyre në mënyrë të tërthortë përmes motrës së vajzës, të djalit, të shoqes ose të shokut të tyre etj. se a pranon të shkojë për djalin ose të marrë vajzën e filanit apo jo. Edhe në këto raste ata s’ua prishin dëshirën prindërve, duke thënë se ku dhe si të thotë babai dhe nëna ashtu do të bëjmë. Të shpeshta janë përgjigjet e vajzave se “Ku t’ëm çoje baba e nana ç’agje do shkoj. Une z’va thki llafin atine, pa makar ene për ni xhip, për ni qorr, për ni sakat jase për ni shaurdh me m’dhan”. Në këtë mënyrë ata nderojnë prindërit, duke pasur besim të plotë në ta, se prindi s’i gjen djalë apo vajzë të keqe fëmijës së vet dhe kështu çmohen nga farefisi dhe mbarë katundi si fëmijë “namuzli” dhe të hajrit. Janë fare të rralla rastet kur vajza ose djali kundërshtojnë prindërit, të cilët nëse s’e marrin parasysh dëshirën e tyre, atëherë ata vendosin të martohen “me t’hikme”: “filanja ka hik te filani” ose “filani e ka hik filanen”. Shprehja “me t’hikme” do të thotë kur të rinjtë martohen me dashuri sipas zgjedhjes së tyre personale pa lejen dhe dëshirën e prindërve: vajza lëshon (ikën fshehtas) shtëpinë e t’et dhe shkon tek ajo e djalit që ka dashur.

Përndryshe, ikja e vajzës për këtë anë është turpi më i madh që mund t’i bëhet familjes së saj, prandaj ajo shpeshherë ka përfundime tragjike për dy të rinjtë dhe familjet e tyre.

Në të kaluarën ikjet e vajzave kanë qenë fare të rralla dhe me rrjedhime të rënda, që në të shumtën e rasteve kanë përfunduar me vrasjen e të rinjve. Kështu, bie fjala, në Bozovcë, sipas pleqve të këtij katundi, të cilët kanë dëgjuar nga të parët e tyre, para dyqind e sa vjetësh paska ikur një vajzë dhe paska marrë dikë brenda në katund. Familja e saj shkojnë për ta kthyer prapë. E nisin luftën me familjen e djalit dhe arrijnë ta marrin bijën e tyre. Për ta larë turpin që u ka sjellë, jo vetëm pse ka ikur, por edhe pse është martuar brenda në katund, duke prishur kështu zakonin e të parëve, të cilët s’kanë dhënë e s’kanë marrë brenda katundit, atë nuk e futin më në shtëpi, por e lidhin për mullari të lëmës dhe qesin në të nishan me armë rresht tri ditë. S’paskan dashur as ta varrosin atë, por ndërhyjnë katundarët dhe me lejen e prindërve të saj e paskan larë dhe varrosur.

Po kështu ka ndodhur edhe në Mal të Thatë, ku një vajzë nga Gurgurica si pasojë e ikjes së saj në Sallarevë e përfundon në mënyrën më mizore jetën e vet të re. Tragjedia e kësaj vajze qëndron aty se ajo ka qenë e fejuar që në djep dhe kur rritet, duke mos u pajtuar me këtë fejesë të prindërve e që të martohet për njeriun që s’e ka dashur, ikën në moshë të re 16 vjeçe për një burrë të martuar me ndërrim. Babai i këtij burri nuk e pranon këtë vajzë në shtëpi, për shkak se atëherë miku i tij do t’ia lëshonte të bijën dhe kështu do t’ia merrte nusen e djalit, por e merr atë dhe ua kthen prindërve të saj. Mirëpo, as ata nuk e pranojnë më bijën e vet në shtëpi nga turpi pse e paska prishur fejesën dhe kjo i shtyri madje edhe të shpërngulen nga katundi i vet.

Pastaj babai i djalit e merr këtë vajzë dhe e fut në ahur të kafshëve, ku e mban aty të ngujuar afër një vit, derisa vdes nga kushtet tejet të këqija të jetesës. Gjatë kësaj kohe ai i çon fjalë babait të saj që të vijë e ta marrë bijën e tij se po e mban në ahur si kafshë dhe se po e ushqen aq sa një qen. Babai i vajzës ia kthen përgjigjen se nuk do ta marrë kurrë, aty le t’i dalë shpirti dhe kufoma. Mungesa e dritës, e ajrit, e ushqimit, e veshmbathjes dhe e papastërtisë e bënë këtë vajzë asht e lëkurë dhe i shkaktuan asaj sëmundje të ndryshme, ndër të cilat, edhe tuberkulozin, duke i a marrë kështu jetën në lule të rinisë dhe në mënyrë të tmerrshme. Kufoma e vajzës u dërgohet prindërve të saj dhe ata më në fund pranojnë ta varrosin.

Kjo vdekje e pakuptimtë mori jetën e një vajze të re dhe të pafajshme dhe la prapa hasmërinë e dy familjeve të egra malësore. Rasti i vajzës së Bozovcës dhe ky i vajzës së Gurguricës tregojnë qartë për natyrën e egër dhe karakterin e ashpër të të parëve tanë që as dashuria ndaj fëmijëve të vet dhe jeta e tyre në përgjithësi nuk kanë mundur t’ua zbutin zemrën e ftohtë dhe shpirtin e fortë si gur mali vetëm e vetëm për të mos e thyer një po dhe një jo të malësorit, të cilat kurrë nuk do të kuptohen drejt dhe nuk do të arsyetohen nga ne pasardhësit e tyre.

Ky qëndrim primitiv, arkaik e tejet patriarkal i malësorit tonë, por edhe i fushjinit, kundrejt marrëdhënieve martesore të fëmijëve të vet, shprehet edhe në këngë vajzash, ku e bija e urren, e shan dhe mundohet në çfarëdo mënyre qoftë t’i hakmerret të atit të vet, për shkak se ai nuk e ka lejuar të martohet për djaloshin që e ka dashur, dhe këtë e bën pasi sheh se është e pafuqishme dhe nuk gjen mundësi që t’ia arrijë këtij qëllimi me ndonjë mjet tjetër për t’u martuar me të zgjedhurin e saj të jetës:

Sajt e zi e vetllat e zeza, kurri me u pek.
S’ma ka desht baba jashikin, zemrën ma ka gjejg.
Ene atij derri do ja ruj,
ene kur do vdese nauk e laj me uj;
nauk e laj me uj, d’a laj me raki,
pusto çefajnin, nauk ja blij.
D’a mêshtajlli derrin me çefajn të zi,
ene at çefajnin d’ja marr veresi;
nauk e laj me uj, do ta laj me ven,
ma ka thaje derri gjinilin tem!…

Po kështu në një këngë tjetër e bija e mallkon të ëmën, që e ka marrë në qafë, që ia ka djeg zemrën dhe nxirë jetën, pse nuk e ka lënë të martohet me djalin që kanë pasur dashni të madhe mes vete:

Shaum d’due ene shaum m’duësh, be gjal,
po nana nauk m’le me t’marr.
Une nanës teme i kam than:
M’çaf m’paç, moj nana jeme,
n’aret e n’dunja!
Kur m’lipën, moj nana jeme,
gjali xhi m’do e xhi e due,
pse mos me m’dhan?!
Nauk ta baj hallal, moj nane, une jet e m’jet,
se për Ilir agën e kam zemrën gjegj!…

Ikjet e vajzave sot janë më të shpeshta, kryesisht brenda katundit, dhe pa rrjedhime të këqija. Prindërit e vajzës disa vjet mbajnë hidhërim me të dhe me familjen, ku ka ikur ajo, por pastaj me vullnetin e vet, por kundër dëshirës së prindërve. Ato kryesisht ikin natën te të dashurit e tyre, të cilët dalin e i presin diku afër shtëpisë së vajzave. Pas marrëveshjes që është bërë mes tyre, djali e pret vajzën diku afër shtëpisë së saj ose në ndonjë vend tjetër të përshtatshëm dhe për disa javë nuk shkon te shtëpia e vet, sepse mund të vijnë prindërit e saj e t’ia marrin. Me deklarimin e vajzës se me qejf e ka marrë djalin, prindërit e saj s’kërkojnë më që ajo t’u kthehet prapë atyre. Ndodh shpesh që edhe vajzat e fejuara të ikin kundër dëshirës së prindërve për ata djem që i kanë dashur, duke lënë të fejuarit. Nganjëherë vajzat ikin po te të fejuarit e tyre, duke mos pritur kohën e dasmës. Kjo ndodh më tepër në ato raste kur prindërit e vajzës kërkojnë shumë të holla nga i fejuari i saj dhe, me qëllim që të mos varfërohet tepër familja e tij, ajo ikën atje para afatit të caktuar.

Ata që kanë, edhe djem, edhe vajza, bijtë dhe bijat e tyre shpeshherë i fejojnë, përkatësisht i martojnë “me t’ndhraume” (me ndërim), d.m.th. i ndërrojnë vajzat për djemtë: vajzën e vet e jep për djalin e tij dhe anasjelltas, vajzën e tij e merr për djalin e vet. Këto fejesa e martesa bëhen kryesisht mes familjeve të varfëra, të cilat në këtë mënyrë s’e ndiejnë peshën e rëndë të martesës së djalit. Përveç kësaj, arsye tjetër që i shtyjnë prindërit të ndërrojnë vajzat për djemtë është edhe ajo e pëlqimit të vajzës. Bie fjala, kur një familje është tejet e varfër ose ekonomikisht nuk qëndron aq keq, por djalin s’e ka të pëlqyer ose janë kallaballëk, ka shumë djem, mirëpo, nga ana tjetër, vajzën e ka shumë të mirë: të bukur, të shëndoshë e të madhe, punëtore e cilësi të tjera që posedon sipas shijes katundare, atëherë ajo familje, me qëllim që të mos i mbetet djali pa martuar, u vë kusht familjeve të interesuara për vajzën e saj, duke u thënë: “Na e ipni ju caucën tuj për gjalin ton e ene na do va apëm caucën ton për gjalin tuj”.

Do theksuar se në përgjithësi njerëzit u shmangën fejesave, martesave, me ndërrim. Ato në një farë dore janë të kushtëzuara dhe si të tilla kanë rrjedhime të rënda për jetën e ardhme të të dy palëve të bashkëshortëve dhe të familjeve të tyre, duke përfunduar jo rrallëherë edhe në prishjen e marrëdhënieve miqësore mes dy familjeve, madje edhe të ndarjes së bashkëshortëve. Kushtëzimi është ai se në jetën e vajzave, përkatësisht të nuseve të ndërruara çdo ngjarje e ndodhi reflektohet në mënyrë reciproke: nëse njëra nga vajzat e ndërruara shahet, rrahet ose përzihët (lëshohet nga burri), atëherë prindërit e saj janë të detyruar nga inati ta shajnë, ta rrahin dhe ta lëshojnë nusen e tyre, përkatësisht vajzën e mikut të tyre, duke ia prishur kështu vendin asaj dhe duke mbetur vetë pa nuse, pa marrë parasysh se kjo në krahasim me të bijën e tyre ka çuar një jetë të mirë e në harmoni të plotë me burrin e me anëtarët e tjerë të familjes së tij. Pikërisht për këtë arsye parapëlqehet më fort fejesa, martesa, e djalit pa e ndërruar me motrën, por me paratë që merren nga martesa e saj.

Në MT pos martesave me ndërrim të vajzave për djemtë, mund të martohen në një derë (shtëpi) dy motra për dy vëllezër. Nëse i vdes burri, nusja mund të kthehet për vëllanë e tij, sidomos nëse ai është beqar, madje qoftë edhe më i ri, i vogël, ajo e pret që të rritet vetëm e vetëm që të mos dalë nusja nga shtëpia. Kjo gjë merret më e rëndë sesa vdekja e djalit, burrit të saj. Nëse ndonjë burri i vdes gruaja, madje qoftë edhe shumë i ri, atij në asnjë mënyrë s’ia japin motrën tjetër, kunatën (balldëzen).

Nëse dikush ka më tepër djem sesa vajza e ka pak më vështirë për t’i martuar sidomos nëse janë shumë anëtarë. Jo vetëm për arsye të parave që duhet gjetur, por edhe për arsye të asaj që ka shumë djem dhe shumë zor që e jep kush vajzën aty, sepse janë kallaballëk dhe aty vajza u heq keq.

Shuma e madhe e të hollave që nevojiten për martesën e djemve ka shkaktuar në këto anë jo vetëm ikjen e vajzave me dashuri te djemtë kundër dëshirës së prindërve, por edhe grabitjen me dhunë të vajzave nga djemtë. Grabitja a rrëmbimi me dhunë i vajzave në këto anë njihet me fjalën “kap”: “e ka kap, e kapme” etj., për shembull, “Gjali filanit e ka kap caucën e filanit”. Në Derven për grabitjen e vajzës përdoret edhe fjala “përla”, kurse në Novosellë të Sharrit, në Sellcë të Keqe, në Rakovec e Novakë thuhet edhe “grabit”: “Filani e ka përla ose e ka grabit caucën e filanit” etj. Grabitjen e vajzave e bëjnë më tepër djemtë e familjeve të varfëra, të familjeve që kanë shumë djem, d.m.th. që janë kallaballëk, si dhe ato familje që djemtë s’i kanë të mirë, të pëlqyer për arsye të ndryshme dhe si të këtillë, vështirë u jep kush nuse. Më së shumti grabitet kryesisht vajza e bukur, të cilën e ka lypur dikush, por s’ka pasur fatin ta marrë, prandaj s’i mbetet gjë tjetër veçse të dalë ta grabitë diku në fushë, duke ecur rrugës apo duke punuar. Ka ngjarë që edhe në shtëpi ta sulmojnë e ta grabitin. Grabiten jo vetëm vajzat e pafejuara, por edhe ato që janë të fejuara jo nga i fejuari, por nga dikush tjetër. Prandaj të gjitha vajzat që janë për martesë, si të pafejuarat, ashtu edhe të fejuarat, ruhen nga prindërit e tyre me kujdesin me të madh. Ata gjithnjë janë të përgatitur, si në shtëpi, ashtu edhe kur e qesin atë jashtë për të punuar në fushë, për çdo sulm të papritur. Vajza kurrë nuk guxon që të dalë vetëm diku, qoftë edhe në krua për të mbushur ujë, apo të mbetet vetëm në shtëpi. Gjithnjë duhet të jetë me të ndonjë mashkull i rritur e i shkathtë nga të afërmit e saj si vëllai, i ati, kushëri ri etj., i cili duhet ta çojë diku dhe ta sjellë prej andej. Në të kundërtën beqarët e katundit dalin dhe e grabitin me zor. Grabitja e vajzave kundër vullnetit të tyre dhe dëshirës së prindërve është turpi më i madh që mund ta kaplojë familjen e vajzës, prandaj ajo ka rrjedhime të keqija, si për vetë vajzën dhe familjen e saj, ashtu edhe për familjen e djalit që ka dalë ta grabitë atë dhe për të gjithë ata që i kanë ndihmuar atij në këtë punë.

Familja e vajzës, nëse është e fejuar, edhe ajo e të fejuarit zhen në armiqësi me atë të grabitësit dhe të atyre që i kanë ndihmuar. Vajzën e grabitur e qesin diku në mal dhe ai që do ta marrë për grua e mban atje disa javë ose e çon te ndonjë i afërm i tij në ndonjë katund tjetër dhe e mban atje me muaj. Shumica e vajzave të turpëruara në këtë mënyrë vendosin pastaj, kundër dëshirës së tyre, të mbeten me ata burra që i kanë grabitur, duke mos dashur më të kthehen te prindërit e tyre, sepse ato janë të vetëdijshme se kështu me nder të shkelur s’i merr më askush, pos ndonjë të mbeturi e të keqi. Ndoshta kjo është një nga arsyet që djemtë, madje qoftë edhe për nja dhjetë metra, duke i ngrehur zhag për toke sa për t’i turpëruar, i grabitin vajzat, të cilat pastaj detyrohen, dashur e pa dashur, t’u mbeten atyre. Kështu, me nder të rrëzuar, s’i merr kush. Megjithatë ka raste kur vajza e grabitur nga inati kthehet përsëri te prindërit ose nuk martohet për atë që ka dashur ta rrëmbejë, përkundër që do të marrë një tjetër më të keq se ai.

Si në rastet e grabitjes, ashtu edhe në ato të ikjes së vajzave, nuk mungon ndërhyrja e katundarëve të tjerë mes familjes së djalit dhe asaj të vajzës për t’i pajtuar, madje shpeshherë duke i dhënë edhe një sasi të hollash familja e djalit asaj të vajzës. Pajtesa arrihet më lehtë në ato raste kur vajza ka ikur për djalin me dashuri, por jo edhe në rastet kur atë e kanë rrëmbyer me dhunë.

Si do që të jetë, martesa e vajzave kundër vullnetit të tyre në malësitë, por edhe në fushën e Tetovës, ka rrjedhime të rënda për ta dhe familjet e tyre, sidomos për ato të djalit. Vajza që ka dashur dikë dhe për arsye të lartpërmendura s’ka mundur të martohet për të, por nën ndikimin e rrethanave të ndryshme ka qenë e detyruar ta marrë dikë tjetër, pothuajse në mënyrë të dhunshme, ajo e ka tejet vështirë të pajtohet me fatin e saj, të çojë jetë me një njeri që nuk ia do zemra. Kjo ndodh edhe atëherë kur vajza nuk përshtatet me djalin, më pak për hije e më shumë për mençuri, zgjuarësi e zotësi ose që ka të meta tjera fizike dhe trupore. Kjo shihet menjëherë natën e gjerdekut, ku të rinjtë për herë të parë e shohin njëri-tjetrin dhe bëjnë vlerësimin e tyre personal nga çdo pikëpamje, dhe kjo ngjan kryesisht te martesat jashtë katundit, ku të rinjtë tanë nuk kanë pasur rastin më parë të shihen e të njihen ndër vete.

Përkitazi me këtë, madje shpeshherë ka ngjarë që me rastin e lypjes së vajzës dhe kërkesës nga ana e djalit që ta shohin fizikisht atë që duan ta marrin për nuse, familja e vajzës nuk ua tregon të bijën e vet, kur e ka me të meta fizike e mentale ose me trup të vogël e shumë të shëmtuar, por në mënyrë të rrejshme ua qet për ta parë një vajzë tjetër, të farefisit ose të lagjes së tyre.

Këto martesa që janë lidhur në kundërshtim me dëshirën e dy të rinjve dhe me hile nuk janë të qëndrueshme dhe si të tilla ato të shumtën e rasteve përfundojnë me ndarje të bashkëshortëve ose me vdekjen e ndonjërit prej tyre, sidomos të nuses aq të nënsthruar e të shkelur për vdekje nga mashkulli. Nuset e këtilla të sëmura psikikisht dhe të maltretuara fizikisht vazhdojnë të jetojnë në këtë mënyrë derisa u lindin fëmijët, dhe pastaj, duke u marrë me angazhimin rreth fëmijës dhe dashurinë prindore ndaj tij, fillojnë të shërohen e të bëhen më mirë, kurse vjehëria mendon se ja nuses iu prishën magjitë ndaj dhe ajo u shërua.

Këto malësore, por edhe fushjane tona, të ndodhura në një situatë të këtillë të papërballueshme dhe të pafuqishme për ta ndryshuar këtë gjendje të tyre të rëndë shpirtërore, të pakënaqura dhe të mërzitura me veten dhe jetën e tyre, zhytën në gjithëfarë mendimesh, nuk hanë, nuk pinë, nuk flasin, nuk qeshin, nuk flenë, lotojnë orë e ças dhe kështu fillojnë të rrënohen psikikisht e të shkatërrohen fizikisht.

Në këto raste ndërhyjnë vjehërritë dhe prindërit e këtyre nuseve të reja fatzeza për t’i shpëtuar ato nga vdekja, duke kërkuar ndihmë, jo aq nga mjekët, sa nga hoxhallarët e magjistarët për t’i prishur magjitë e dikujt që do t’u kenë bërë nuseve, përkatësisht bijave të tyre për qëllime të këqija. Për fat të keq këto nuse të ngrata shpeshherë edhe rahen e shahen nga burri i vet, nga vjehri e kunati për sjelljet e tyre jonormale me plot nervozë, trauma, frikë, dëshpërime e shqetësime.

Këto shqetësime e sëmundje psikike dhe sjellje të trazuara të të rejave tona janë pasqyruar edhe në këngët e vajzave, që kanë për temë magjitë dhe efektin e tyre negativ për ata që u drejtohen:

Shkon ni hoxhaj vo(j)l terma me xhiben jeshil,
e ka marr hoxha mosafin, kënon si bilbil.

Ene aj mosafi jalla xhi po thot,
– Caucën ovardahe s’ën e merr me zort,
s’ën e merr me zort, or bilbil sheret,
sicajlla do shkoje n’kismetin e vet,
sicajlla d’a xhije eshin (degin) e vet.
E ka marr hoxha mosafin kënon do jazija,
kënon do jazija shkrauën do hajmalija,
cauc’e majr be gjalo s’merret me munxhija!

Njaft kërkove, njaft shkove gjalo n’Manastajr,
se s’e kije hallin për caucën e majr,
nauk e kije hallin, he more budail,
njaft ke shkraujt taj hajmalija napër hoxhallar!

Taj me hajmalija boj peme,
ore dilenxhi s’ën’ëm rrene!
Taj me hajmalija boj mollt,
ore dilenxhi s’ën’ëm mashtron!
Taj me hajmalija hoxhallarësh,
ore dilenxhi s’ën’ëm marrësh!

Ku m’i ije moj nana jeme,
xhi kam ni siklet,
ni dit e ni nat m’bahen niçin vet,
rajmi n’shpajën e huj kana shaum i keç!
Xhi kam ni siklet nane, xhi kam ni mërzi,
ene mue hallin kërkush nauk ma di,
nauk ma di hallin ene dertin,
xhi hek une shkreta qametin.
Sajt m’jan qeraue, lotët m’shkojn si kraue,
burrin nauk e due, verën nauk e due,
jam tha e jam n’xhit për lëkure;
as nauk’ëm hahet, as nauk’ëm pajhet,
me njerëzit e këçi nauk’ëm rrajhet!…
As hoxha, as doktori nane s’po m’nimon,
as xhinxhija me hajmalija nane s’po m’pështon!
Si do vdes une njera nause re me tela,
si do m’kalbe dhevi zi lule to dal vera!

LYPJA E VAJZËS A SHKUESIA (Me lip nause)

Lypja e vajzës në këto anë njihet me shprehjen “me lip hause”. Fejesa e dy të rinjve kryhet kryesisht me anë të shkuesit, mësitit, që në malësinë e Sharrit dhe në atë të Dervenit quhet “shkus, shkusit”, kurse në Gurguricë e në Sallarevë quhet “strejnik-u dhe strejnikët”. Punën e shkuesit a të shkuesve e bëjnë në përgjithësi meshkujt, por fare rrallë mund të ndodhë që ta bëjë edhe ndonjë femër, të paktën sa për ta nisur punën. Në shumë raste fejesave, sidomos atyre që bëhen brenda katundit, u prijnë gratë. Më parë merren vesh ndër vete nëna e djalit me atë të vajzës dhe pastaj formalisht i çojnë burrat për ta lypur vajzën. Kërkesa që bëjnë familja e djalit për t’i gjetur atij ndonjë vajzë diku për nuse në këto anë njihet me fjalën, si u tha, “lip”: “A i lipish dokun nause gjalit? Vallahe i lipi, po s’ën jam tu’xhet ni herë”, kurse në Gurguricë dhe Sallarevë thuhet “me lypun”: “Shkoya me lypun vajzën e filanit për nuse”.

Kur dikush vendos që t’i lypë nuse djalit, porosit farefisin e vet, shokët e dashamirë të tjerë, që t’ia gjejnë ndonjë vajzë të mirë për nuse, e cila të jetë mundësisht në një moshë me djalin. Edhe nëse është me moshë më e madhe ose me e vogël se ai s’prish punë, po të jetë e mirë. Dhe po sa prindërit e djalit të informohen se dikush ka ndonjë vajzë të mirë dhe e ka për ta dhënë, menjëherë interesohen për të gjetur shkuesin që ta çojnë për ta lypur. Për shkues duhet të jetë dikush nga të afërmit e vajzës, si: daja, mixha, kushëriri etj. Ose ndonjë mik a shok i babait të saj. Shkuesit i premtohet, nëse ka sukses, një shumë bukur e madhe të hollash, gjë që shpërblimi i shkuesit sot është bërë e zakonshme dhe njihet me fjalën “shkushllajk”. Shkuesit janë të vetëdijshëm për këtë dhuratë të majme, prandaj nuk përtojnë t’i hyjnë kësaj pune. Nëse nuk mund të gjendet ndonjë njeri i përshtatshëm nga të afërmit e vajzës, si shkues mund të shkojë dikush edhe nga të afërmit e djalit. Mirëpo bakshishi i këtij në krahasim me atë që do të merrte shkuesi i anës së vajzës, është shumë më i vogël. Kjo ngjet nga se ky s’ka ndonjë ndikim te familja e vajzës si ai tjetri që e ka farefis atë, por vetëm bën punën “zyrtare”. Si shkues mund të shkojnë edhe dy veta, dy burra, kurse vajza lypet zakonisht natën, pasdarke.

Përkitazi me lypjen e vajzës dhe zgjedhjen e saj, flet edhe kjo këngë:

D’i zam nause Ilir agës,
gjedhim lulen ma t’majrën!
Ku t’i çojm shkusët, ku t’i dritojm,
gjedhim lulen ma t’majrën!
Ne kërkojm, po s’un po xhojm,
gjedhim lulen ma t’majrën!
Lulja ma e majr-o ësht Shqipja në male!
Shkojm ta lipim-o, nause ta zame!

Si ta gjejë momentin e përshtatshëm, kur i ati i vajzës s’ka ndonjë punë apo ndonjë telashe tjetër në familje, shkuesi i shkon te shtëpia për t’ia lypur vajzën (jashtë saj: në rrugë, në kafe a diku tjetër s’është zakon të lypet vajza) dhe, pas një bisede të shkurtër, ai ia çel qëllimin pse ka ardhur. Në përgjithësi vajza lypet me këto fjalë: “Alla nemirle pigameri kaullile, m’ka çue filani me ta lip caucën për gjalin”. Nëse i ati i vajzës, përkatësisht ana e saj, nuk duan ta japin vajzën në atë vend, shkuesit i përgjigjen me fjalët: “Filani ne t’çolloje kismetin e vet e une temin. Nauk e shaj, nauk e gjedhi, po une nauk jam për ata”, ose: “Ene nja di tre vet nauk e ap” etj. Po qe se shkuesi nuk largohet dhe vjen edhe herëve të tjera, atëherë prindërit e vajzës ia presin shkurt hesapin me fjalë të rrepta: “Për ket pun mos hajde ma se nauk e apëm caucën nat ven”. Nëse ky s’merr vesh dhe vazhdon, që ngjet shpeshherë, prapë të vijë, ndodh që të mos ia çelin edhe derën. Nëse vajzën duan ta japin për atje ku e kërkon shkuesi, atëherë atij i përgjigjen me fjalë shpresë-dhënëse se “Do pajtna e do çollojna e si t’ese kismet, d’ja apëm”. Si shihet, ndonëse prindërit e vajzës duan t’ia japin atë dikujt, këtë punë s’e bëjnë menjëherë me lypjen e parë të tij. Në MT është zakon që vajza të mos jepet menjëherë me kërkesën e parë, por të paktën tri herë të lypet dhe tek herën e tretë ose të katërtën thuhet fjala e fundit: “Ta paça dhan”, ose: “Banu hazër se do ta ap”. Në këtë anë e kanë për turp që vajza t’i jepet dikujt menjëherë me lypjen e parë. Ja se si shprehen ata për këtë: “Te na â adet gjali ta lute caucën e nauk cauca gjalin”. Pra, zakoni është që djalit, pasi ta ketë kërkuar tri-katër herë vajzën për nuse, t’i jepet ajo, duke thënë krenarisht se s’kemi dashur aq, por pasi na lutën e na mërzitën disa herë në derë, ua dhamë pothuajse me zor, fjalë këto që mbajnë lart superioritetin dhe prestigjin e familjes së vajzës kundruall asaj të djalit.

Lypja e vajzës bëhet kryesisht fshehtas, pa kuptuar shumëkush, nga droja se mos po dëgjonë veshët e këqinj dhe shkojnë e i prishin punët, dhe kjo është arsyeja kryesore pse ana e djalit, shpeshherë edhe pasi ta ketë marrë fjalën, dorën, e vajzës, megjithatë, nuk e publikojnë menjëherë fejesën, nuk tregojnë se kanë zënë nuse:

Oj molla e kuçe e verrme në tel,
për Ilir dilberin nause kimi nxerr,
nause kimi nxerr e s’ën gjoftojna,
kimi shaum doshmaj e d’i hutojna;
nause kimi nxerr e nauk e çesëm n’midan,
kimi shaum doshmaj e do na e bajn pishman!
Doshmajt e Ilir dilberit i kimi n’kataun,
disa ma në kraje, disa ma në fun;
doshmajt e Ilir agës i kimi n’mahall,
disa zemërzi, e disa zemërbardh,
disa farefajs, e disa ma të largj!

Në historinë e MT s’kanë qenë të rralla rastet e kundërta, që i kanë luhatur pak a shumë këto zakone të fejesës. Kur familja e vajzës të ketë hetuar një vend të mirë për bijën e tyre, atëherë familjes së djalit i çojnë fjalë për manash, përmes dikujt që ka hyrje-dalje te ta e që mund të konsiderohet edhe ky një lloj shkuesi, i cili s’ka ndonjë rëndësi të veçantë nëse është mashkull ose femër. Ky lloj shkuesi i vajzës në mënyrë indirekte u flet prindërve të djalit se gjoja në një bisedë rasti prindërit e filan vajzeje u kanë lëvduar juve e djalin tuaj dhe ma merr mendja se nëse ua lypni vajzën për djalin, mund t’ua japin. Në këtë mënyrë nxitet familja e djalit, por gjithnjë në aso përmasash informimi që s’e ultësojnë superioritetin e familjes së vajzës. Në këso rastesh, meqenëse familja e djalit e ndien veten pak më të sigurt, natyrisht nëse i pëlqen ajo vajzë, nuk zgjedh fort se çfarë shkuesi do të çojë për ta lypur atë. Si shkues mund ta kthejë të njëjtin njeri që ua ka sjellë këtë lajm, mund të çojë dikë tjetër, qoftë nga të afërmit e vajzës, qoftë nga ata të djalit. Ndodh që edhe drejtpërdrejt i ati i djalit të flasë e të merret vesh për këtë punë me atë të vajzës. Edhe në raste të tjera, ku s’ka kurrfarë paralajmërimi se mund t’i bëhet ndonjë nuse, i ati i djalit mund t’ia lypë vetë vajzën dikujt dhe kështu ta kryejnë punën burrë me burrë, pa ndërmjetësimin e dikujt tjetër. Ka ngjarë që etërit t’i kenë fejuar bijtë dhe bijat e tyre edhe diku në muhabet ose duke shkuar udhës për treg në Tetovë, si dhe duke punuar tokën a duke ruajtur bagëtinë. Meqë familja e djalit është e detyruar të japë “shkussllajk”, si u tha më parë, d.m.th. ta paguajë shkuesin me një sasi bukur të madhe të hollash, si duket, pikërisht kjo është arsyeja që sot në pjesën më të madhe të katundëve dhe të familjeve të anëve tona punët e shkuesit t’i kryejnë vetë prindërit e djalit me ata të vajzës kur ata pëlqejnë njëri-tjetrin.

ZGJEDHJA E VAJZËS

Lidhur me zgjedhjen e vajzës për nuse, në MT në radhë të parë zgjedhin familjen, shikojnë që ajo të jetë soj dhe pastaj ia lypin vajzën. Familja e djalit në mënyrë të tërthortë interesohet për familjen e vajzës, duke çuar njerëz të besueshëm te fisi i vajzës ose në lagje të saj për të pyetur se çfarë familje është ajo. Kur sigurohen se është familje e mirë, atëherë çojnë dikë për t’ia lypur vajzën. Njohja e familjes së vajzës kërkohet kur vajza lypet jashtë katundit, ku familja e saj nuk njihet mirë nga ajo e djalit, kurse për lypjen e vajzës brenda katundit s’ka nevojë një njohje e këtillë. Në këtë anë shikojnë shumë edhe vetë vajzën, si për hijë, ashtu edhe për mend. Ata duan që vajza të jetë e mençur, punëtore, e urtë, e sjellshme, e mirë, e bukur dhe fizikisht e bëshme; e madhe dhe e gjatë, por jo edhe e trashë (megjithëse në këtë anë s’ka njerëz të trashë me bark, as te meshkujt, e as te femrat, që duket se është rezultat i lëvizjeve të përditshme të tyre nëpër terrene malore e të thyera dhe të punëve të vështira fshatare). Gjithashtu shikojnë që vajza të jetë e shëndoshë, të mos vuaj nga ndonjë sëmundje (ilet), siç janë tuberkulozi, lunga (gusha), saraxhët, qeli etj., të cilat do të kishin pasoja të rënda për familjen e djalit jo pse ajo kështu e sëmurë nuk do të kishte qenë në gjendje t’u përballojë punëve të shtëpisë e të arës, por pse këto sëmundje ngjitëse do t’i infektionin të gjithë anëtarët e familjes së tij.

Në zgjedhjen e vajzës rëndësi të madhe i japin edhe asaj që ajo të jetë e ndershme (namuzlie), d.m.th. të mos ketë pasur dhe të mos ketë ndonjë dashnor (jashik). Këtu duhet të kuptojmë dashurinë fshatare të të rinjve, të cilët dalin karshi njëri-tjetrit dhe shikohen, flasin e kuptohen me anë të gjesteve të ndryshme: ia bëjnë me dorë ose ia hapin krahët njëri-tjetrit, vajza heq dhe e thërt djalin me skutacë (përparese e bardhë prej leshi që e ngjeshin vajzat në MT), kurse ai atë me çevre. Pastaj kur shkojnë rrugës dhe takohen i kthejnë kryet dhe shikojnë njëri-tjetrin e gjeste të tjera, të cilat japin të kuptohet nga të tjerët se kjo vajzë dhe ai djalë duhen ndër vete. Kjo dashuri në mes dy të rinjve të kësaj ane duhet të jetë e fshehtë, sepse po të merret vesh, mund të zemrohen prindërit e vajzës dhe nuk ia japin atij djal vajzën, kurse këtë e rrahin (ndodh ta rrahin edhe djalin dhe kështu të hyjnë në armiqësi dy familje). Kjo mund të vërehet edhe te këto këngë:

Na ra hana, na ra dilli me ni ishellajk,
gjali ene cauca çojshin jashikllajk,
gjalin ene caucën nauk i ngasën,
ç’at hoxhuzen plak do ta vrasën.

Oj lule leven, oj lule leven,
a mërzitesh Ilir aga gjidhditën me dhen,
gjidhditën me dhen, gjidhditën në kam,
janxhajkin n’krah, ni degj orgovan?
Kur do t’pajte nana jote, – Kush ta paska dhan?!
– Ma ka dhan e majra jeme ç’agje me ni qosh,
d’a pagjuj me lira, d’a pagjuj me gjrosh!

Vetë vajzat e malësisë në këngët e tyre çmojnë lart vetveten:

Te m’i luën cauc’e kataundit me mindil të bardh,
aman moj follaz’e malit, zemrën ma ke kall.
Te m’i luën coc’e kataundit me mindil mavij,
aman moj kinxhja lalës, zemrën ma ke nxjij.
Te m’i luën cauc’e kataundit me mindil giovez,
aman moj saut’e lalës, m’i lujte ment pi kresë.

Te m’i luën cauce kataudit me mindil jeshil,
aman moj cauce malsore, do d’bahem jashik,
do d’bahem jashik moj ovardhe, se m’i je e majr e pa llafë etj.

Oj cauce e kataudnit, mori xhi d’duël nami?!
– Xhi folin dunjaja, more, folin pi kaskani,
ne folin dunjaja, deli, taj gajle mos baj,
duën me i nxhit roxhanit kallaj,
roxhanit kallaj nauk i nxhitet,
kollaj cauce e majr nauk po ipet,
e majra me t’majrin do mirret!

Pra, të jetë vajza pa fjalë (pa llafë), d.m.th. të mos merret nëpër gojë të botës dhe t’i ketë dalë emri për të keq. Ja se ç’thotë kënga e MT për zgjedhjen e vajzës:

Hidhe gjidhe cauçën
mo ja çollo straukën,
se strauka m’i lahet,
e keçja nauk mahet,
se strauka m’i vihet,
e keçja nauk mirret.

Hidhe gjidhe cauçën,
mo ja çollo darin,
se daria harxhitet,
me t’keçen nauk çitet.

Pra nuk pëlqhet ajo vajzë që lyhet e ngjyhet, që zbukurohet, as ajo që ka shumë mall, dari, por mençuria, se, si thonë në MT, “E heshme e pa mend xhi d’duhet cauça”.

Të themi se shpeshherë nuk shikohet aq familja e vajzës, po qe se ajo është shumë e mirë: marrin lulen lënë ferrën. Ata thonë se “Pi drunit majr del tajshk’e keçe, e pi drunit keç del tajshk’e majr”. Kjo do të thotë se prej familjes soj del vajzë e keqe dhe anasjelltas prej familjes jo soj del vajzë e mirë. Arsyet tjetër për ta është edhe ajo se ani pse vajza s’është e familjes soj, ajo është e re dhe kur do të hyjë te familja e mirë edhe ajo do të kthehet e do të bëhet si anëtarët e tjerë të familjes ku martohet.

ZGJEDHJA E DJALIT

Në MT gjithashtu i kushtojnë rëndësi të madhe edhe zgjedhjes së djalit. Shikojnë mjaft që ai të jetë soj, i familjes së mirë, por e shikojnë edhe vetë djalin që të ketë cilësi të mira: të jetë i mençur, punëtor, i shëndoshë e i ndershëm (namëzli). Përkundrazi, të mos jetë me të meta mentale e fizike (budall e sakat), të mos lëngojë nga ndonjë sëmundje (me ilet), të mos jetë përtac, vjedhës, rrenacak, i rrugëve, i rakisë e i kafeve (hajdut, rrenaxhi, dembel, rakixhi, komarxhi e xhipkaxhi), dhe kjo mund të dëshmohet edhe nga kjo këngë:

– Po këndon bilbili n’kafehone, gjidhe, cauco, gjolin pa behone!
– Gjidhe, cauco, gjolin si sheqeri, pa behone ishte Ilir dilberi!
– Gjidhe, cauco, gjolin si llokumi, pa behone ishte Ilir fodulli!
– Gjidhe, cauco, gjalin t’ete oxhakli, mos paje ven, mos paje raki!

Në zgjedhjen e djalit nuk është vendimtare pasuria e familjes së tij: më parë ia japin vajzën një djali që është i varfër, por që posedon cilësi të mira, sesa një djali që është i pasur, por që ka veti të këqija. Po ashtu as hijeshia e djalit nuk vendos në fatin e martesës së tij: më parë i jepet vajza një djali që është i shëmtuar, por i punës e me mend, sesa një djali që është i hijshëm e pa mend. Në këtë anë zakonisht bukuria nuk shikohet te mashkulli, por te femra, te vajza. Madje, kur është djali i mirë, sikur të jetë edhe shumanëtarëshe familja, të jetë me shumë djem, vëllezër, d.m.th. kallaballëk, ia japin vajzën. Përndryshe, në të kaluarën më tepër i kanë martuar vajzat në ato familje që kanë qenë kallaballëk sesa në ato që kanë qenë tena, vetëm me një djalë. Ja se ç’thotë edhe një këngë e kësaj ane për zgjedhjen e djalit, për virtytet e tij:

Hidhe gidhe gjalin
mos ja çollo mallin,
se malli harxhitet,
me t’keçin nauk çitet;
se malli harxhohet,
me t’keçin nauk rrauhet.
Ç’e ban mall e ç’e ban xha,
merre t’majrin e ço dunja.

Mbi të gjitha, sot çmohet dhe pëlqehet më fort djali i shkolluar, madje shumë më tepër sesa edhe ai djalë që posedon ndonjë lloj pasurie:

Me m’pajt shkollovan, me m’pajt shkollovan,
nauk du shaum alltan, be dilber, vetëm ni gjerdan,
vetëm ni gjerdan t’ëm kese hije,
ije shkollovan, be gjalo, do vaj mas tije.

Në këtë anë thuhet se “Kur â gjali i zoti, e ve vet mallin, po kur â torollak, kit mallin e harxhitën e e ha”. Në MT shikojnë që të mos dalin në lidhje të ngushta gjaku, fis, djali me vajzën, duke llogaritur se në sa breza bien ata. Në përgjithësi kufiri shkon deri në brezin e pestë dhe të katërt. Në këtë anë si brez i parë merren fëmijët e vëllezërve dhe të motrave, si brez i dytë merren fëmijët e fëmijëve të vëllezërve dhe të motrave, kurse si brez i tretë fëmijët e fëmijëve të fëmijëve të vëllezërve dhe të motrave dhe kështu me radhë shkojnë brezat kah thellësia farefisnore. Përtej brezit të katërt, si në brezin e tretë, fejesat dhe martesat janë të kritikueshme dhe të turpshme për këtë anë. Megjithatë, nën ndikimin e fesë islame, që lejon martesën edhe me të afërm, dhe për ndonjë arsye tjetër, siç është numri më i vogël i vajzave në krahasim me djemtë në këtë anë, e cila madje jep vajza në katundet e fushës së Tetovës, duke mos marrë prej andej kurrnjë, si dhe për atë që vajza është e mirë, që është dashuruar me djalin duke mos ditur se janë fis, janë bërë dhe po bëhen martesa edhe në brezin e tretë.

SHPALLJA E FEJESËS (Me zan nause)

Ky akt i ceremonialit të fejesës njihet në këtë anë me fjalët “me zan nause”. Shpallja e fejesës nis me ndërrimin e nishaneve dhe përmbyllet me ndërrimin e bohçeve ndërmjet familjes së djalit dhe asaj të vajzës. Varësisht nga kjo, në këtë anë, organizohen dy akte ceremoniale të shpalljes së fejesës: Nishani dhe Bohçja.

Nishani

Lidhur me shpalljen e fejesës dhe të shkuesit të saj po theksojmë (sipas fjalëve të pleqve, të cilët kanë dëgjuar prej të parëve të tyre) se në të kaluarën e malësive kur lypoj, përkatësisht kur jepoj vajza, i ati i vajzës i jepje shkuesit njëherë vetëm fjalën, përkatësisht dorën se po ia jep filanit vajzën për djalin. Shkuesi “merrte” fjalën a dorën dhe ia “conte” babait të djalit se filani ia dha vajzën për djalin. I ati i djalit “me të marrë” fjalën a dorën nga shkuesi se i është dhënë vajza e filanit për djalë, pavarësisht se çfarë dite është, çohej herët në mëngjes ende pa dalë drita e shtinte tri herë me armë. Me të dëgjuar krismat e armës, brenda tridhjetë minutash a një ore mblidheshin e vinin te shtëpia e babait të djalit, pa i thirrur askush, më së paku pesë e më së shumti shtatë pleq të katundit (paria e katundit) për të parë e për të biseduar se mos kanë lidhje farefisonte vajza e djali që po fejohen. Pra, pleqtë e katundit vinin te babai i djalit për ta bërë bisedë fjalën a dorën e dhënë të kësaj fejese, siç thonë “pleçët e kataundit vajshin me e ba muzeqerre at fjal”. Si zakonisht, pleqtë vinin te shtëpia e babait të djalit si të dilnin nga xhamia, pasi ta kenë falur mëngjesin (sabahin). Ata i futnin në një dhomë dhe pasi të kenë pirë nga një kafe, kryeplaku ua përhajronte krisjen e pushkëve: “Me hajr u koft pushka xhi krajsi!” I ati i djalit a ndonjë burrë tjetër i shtëpisë së tij u përgjigjej: “Faleminerës, hajr bafshi e paçi façen e bardh xhi na kini ardh!” Pastaj kryeplaku niste e bënte bisedë (muzeqerre) fjalën e fejesës, duke pyetur se kush është vajza, nga është ajo, cili është fisi dhe farefisi i saj, nga e ka ajo nënën, babanë, dajallarët etj. Pleqtë po ashtu, pyesnin edhe për djalin se cili është farefisi i tij nga e ëma, nga i ati etj. për të parë e konstatuar se mos djali dhe vajza ishin në lidhje gjaku, farefisnie, njëri me tjetrin.

Punën rreth farefisnisë së djalit dhe të vajzës pleqtë e tirrmin deri në pesë breza. Prej pesë brezash e andej, pleqtë kanë lejuar të bëhet fejesa, kurse prej pesë brezash e këndej, ata i kanë ndaluar fejesat e këtilla. Thonë se pleqtë e katundit i kanë pasë ndaluar të bëhen edhe fejesa ndërmjet dy familjeve që kanë pasur hyrje-dalje njëra me tjetrën, pavarësisht nga lidhjet e tyre farefisnore. Është interesant të vihet në dukje se ndalesa e këtyre fejesave për shkak të hyrje-daljeve familjare thonë se është bërë në bazë të Kanunit të Lekë Dukagjinit, dhe kjo do të thotë se ligjet e këtij Kanuni do të kenë qenë të njohura dhe do të jenë zbatuar edhe në këto malësi, të paktën në të kaluarën. Sidoqoftë, kur pleqtë e katundit vinin në përfundim, sipas këtyre zakoneve të malësisë, përkatësisht të ligjeve të kanunit, se djali dhe vajza s’janë në lidhje gjaku dhe familjet e tyre s’kanë pasur hyrje-dalje familjare, atëherë lejonin që të bëhet fejesa e këtyre dy të rinjve. Me të lejuar të fejesës së djalit të vajzës nga ana e pleqve të katundit, shkuesi kthehej te babai i vajzës, i cili i jepte tek atëherë atij një maramë për ta çuar si nishan te babai i djalit për vajzën që ia ka dhënë.

Sipas zakonit të atëhershëm, babai i vajzës i çonte me shkuesin te babai i djalit për ta dërguar nishanin edhe djemtë e vet, d.m.th. vëllezërit e vajzës, si dhe nipat, d.m.th. djemtë e djemve ose të vajzave ose në mungesë të këtyre ai çonte ndonjë kushëri më të afërt të tij, duke u mbledhur prej pesë më së paku e deri shtatë veta më së shumti. Këta nishanin e çonin dikur pasdrake të hënën ose të enjten dhe menjëherë atë mbrëmje, atë pasdarke, e shpallnin publikisht fejesën, e qitnin në “mejdan” që kanë zënë nuse, duke kënduar e duke u rënë dajreve. Të kënduarit dhe të rënat e dajreve vazhdonte dhe në mëngjes dhe zgjaste gjithë ditën. Edhe nga ana e djalit mblidheshin disa veta që do t’i printin këta, shkuesit: babai i djalit, mixha, daja, hoxha dhe një nga pleqtë e katundit. Familja e djalit përgatiste një sofër bukë për shkuesin dhe për të ftuarit e vet. Pasi të kenë ngrënë bukë, hoxha i bënte një dua sofrës për të dhënë zoti sa më shumë bereqet. Po përmendim se me këtë rast është vënë njëkohësisht dhe kurora (niqahi) ndërmjet djalit dhe vajzës me qëllim që të dihej qysh në fillim se vajza është e zënë, se është “niqah” i tjetërkujt, për të qenë kështu ajo e lirë nga të tjerët, që mos ta ngucë bota (hallku) në jetë dhe në punë të saj të përditshme. Pasi ta kenë vënë kurorën (niqahin) e të fejuarve, çoheshin ana e vajzës dhe e merrnin ngrykë (e përqafojnë) babanë e djalit, duke ia bërë për hajë fejesën e të birit. Pastaj uleshin të gjithë dhe pinin nga një sherbet që miqësia e re t’u shkojë ëmbël të dy palëve të miqësuara. Mandej çoheshin miqtë e vajzës (shkuesit) dhe niseshin për të shkuar në shtëpi. Duke dalë nga dera e dhomës, i ati i djalit u jepte atyre si bakshish nga një maramë të pambuktë a të lintë. Shkuesve që sillnin te djali nishanet e vajzës, familja e djalit u jepte atyre njëkohësisht që t’i çonin te vajza nishanet e djalit, duke ndërruar në këtë mënyrë nishanet e fejesës. Pra, të njëjtët shkues kthenin te vajza edhe nishanet e djalit. Me të kthyer, ata ia bënin për hajë edhe babait të vajzës fejesën e bijës së tij, duke e marrë gjithashtu në grykë.

Sidoqoftë, sot në malësitë e Tetovës, pasi shkuesi të ketë shkuar tri a katër herë te familja e vajzës, i ati i saj i thotë atij duke ia zgjatur dorën: “Ta paça dhan, bre, e juja koft njen sa d’vdesë!” dhe urdhëron gruan e vet që t’ia qetë një “nishan” në shenjë dëshmie e sigurie se vajzën e dha, e fejoi. Mirëpo në pjesën më të madhe të rasteve i ati i vajzës s’i jep menjëherë shkuesit nishanin për dhënien e vajzës, por më parë i jep atij vetëm fjalën, përkatësisht dorën se mund t’ia japë të bijën atij që po ia lyp. Nishani është zakonisht një çevre ose një maramë e thjesht dhe nga kjo dikush e quan nishanin edhe “maram”. Shkuesi, pasi merr nishanin a fjalën e dhënë, çohet dhe shkon te prindërit e djalit për t’u sjellë lajmin e gëzueshëm se filani ua ka dhënë vajzën. Megjithatë, në asnjërin rast fejesa nuk publikohet menjëherë: atë presin ta shpallin ditën e hënë ose të enjten si ditë më të lëvduara në këtë anë. Shkuesit i duhet edhe njëherë të kthehet te prindërit e vajzës, ditën e martë ose të mërkurë, varësisht se cilën ditë do të shpallet fejesa, të hënën apo të enjten. Nëse vendoset që fejesa të shpallet ditën e hënë, shkuesi shkon ditën e diel, përkatësisht natën e hënë për të ndërruar nishanet, d.m.th. lë nishanet e djalit dhe merr ato të vajzës ose anasjelltas çon nishanet e shkuesi mund të marrë me vete edhe ndonjë shok, një ose dy veta, si nga ana e djalit, ashtu, edhe nga ajo e vajzës. Kur i çon më parë nishanet e djalit te vajza mund të marrë me vete dikë nga ana e djalit dhe anasjelltas, kur i çon më parë nishanet e vajzës te djali, mund të marrë nja dy-tre veta nga ana e vajzës, në mesin e të cilëve mund të jetë edhe vëllai i saj. Kur shkuesit në fillim me fjalën i jepet drejtpërdrejt edhe nishani si shenjë fejese, atëherë ai, pasi ta ketë dërguar atë te djali, i çon më parë nishanet e tij te vajza dhe prej andej sjell te ky nishanet e saj, por kur shkuesit i jepet në fillim vetëm fjala, atëherë ai, pasi ta ketë dërguar lajmin e fejesës te djali, kthehet te vajza dhe i çon më parë nishanet e kësaj te djali dhe prej andej i sjell te kjo nishanet e tij. Në ndonjë katund, si në Veshallë e në Lisec, familjet e miqësuara nuk ndërrojnë reciprokisht nishan: vetëm familja e vajzës çon nishan te djali, kurse kjo e djalit me këtë rast s’çon asgjë te vajza, me përjashtim të ndonjë familjeje, të paktën sot, që mund të çojë ndonjë unazë.

Në katundet Gurguricë e Sallarevë të Malit të Thatë i ati i vajzës si nishan qet e i jep shkuesit (strejnikut) tri palë çorapë (kalçin) që t’ia çojë babait të djalit si dëshmi se ia ka dhënë vajzën, kurse si përgjigje e këtij nishani i ati i djalit i jep shkuesit tri shami (korpa) që t’i çojë te familja e vajzës, duke ndërruar në këtë mënyrë nishanet e vajzës me ato të djalit. Si në malësitë e tjera të Tetovës, ashtu edhe në këtë malësi nishanet ndërrohen të njëjtën ditë.

Në të kaluarën nuk lypej asnjë vajzë në MT pa i bërë gati nishanet e djalit që do t’ia çonte nuses së ardhme. Këtu hyjnë: një kovrak (tilben), shami e faculetë për nusen e stolitë e saj, si: alltëna, rruaza, lule artificiale për zbukurim, tela zbukurimi, lira (monedha nga ari), shadërvana (lule me lira), bylyzikë (hallka), unaza (mihira), gjerdan (qustek) prej ari e zbukurime të tjera. Me rastin e dërgimit të këtyre nishaneve të djalit te vajza shkuesi merr me vete edhe një qese leblebi të përziera me rrush të thatë e me sheqerka, të cilat ua japin shoqeve të vajzës, si dhe të tjerëve, që vijnë për të parë nishanet e saj që ia ka çuar djali, i porsafejuari. Ndërkaq, në nishanet e vajzës që i çon djalit, futin një maramë, një këmishë e një palë çorapë të leshtë vjehrrit; një këmishë, një shami e një palë çorapë të leshtë vjehrrës; një këmishë, një palë çorapë të leshtë dhe një faculetë burrit; vajzave, motrave të burrit (zollvave) nga një kovrak, kurse kunetërve nga një maramë dhe nga një këmishë. Fëmijëve nuk u çohet kurrgjë me këtë rast, as të tjerëve jashtë shtëpisë së burrit. Të gjitha këto peshqeshe, si nga ana e vajzës, ashtu edhe nga ana e djalit, lidhen bukur me një çarçaf në katër skaje në formë të një bohçeje dhe dërgohet te pala përkatëse. Nga kjo anë disa i quajnë nishanet e fejesës edhe “Bofçja e Vogël/e vo(j)l” a “Nishani i Vogël/i vo(j)l” për dallim nga “Bofçja e Madhe” a “Nishani i Madh”, që ka më tepër bakshishe dhe është me përmasa më të mëdha organizative, siç do të shihet më tej. Meqë ky akt i ceremonialit të fejesës ka të bëjë me ndërrim nishanesh, përkatësisht peshqeshesh, që i çon pala e vajzës asaj të djalit dhe anasjelltas, për nishanin thuhet edhe Ndërrimi i nishaneve ose Nishanet e nuses.

Si në të kaluarën, ashtu edhe sot, nishanet e djalit te shtëpia e vajzës dhe anasjelltas ato e vajzës te shtëpia e djalit ekspozohen në mur të dhomës dhe rrinë ashtu të shtrira një javë e tepër, ku kthejnë e i shohin të gjithë ata, sidomos gratë, që vijnë për të uruar fejesën e tyre. Në pjesën më të madhe të familjeve nishanet e vajzës nuk vihen në mur, por vetëm i çelin nga bohçja për t’i parë. Familja e djalit, me rastin e fejesës së tij, në të dyja variantet e ndërrimit të nishaneve përgatit edhe bukë për shkuesin a shkuesit. Shkuesit që sjell nishanin, që në mëngjes herët, i vë petulla me sheqer dhe kos, sipas zakonit të kësaj ane. Pasi të ketë ngrënë bukë, ia japin bakshishin, të cilin ia lidhin në një shami ose maramë. Ai s’di gjë se çfarë dhurate i kanë mbështjellë aty. Për këtë atij s’është adet t’i tregohet. Vetëm kur të dalë jashtë, kur të shkojë në shtëpi të vet, ai e çel sherveten dhe sheh se çfarë shpërblimi ka marrë, në të shumtën e rasteve të holla. Bakshishe në të holla u japin edhe atyre që vijnë me shkuesin nga ana e vajzës, por më pak sesa shkuesit. Përpara i kanë pasë dhënë shkuesit si bakshish një palë këpucë. Në mbrëmje shtrohet darkë, vihen disa sofra, dhe thirret në bukë pothuajse mbarë farefisi i ngushtë i djalit.

Pasi shkuesi të ketë shkuar në shtëpinë e babait të vajzës për të bërë ndërrimin e nishaneve, pasi të ketë ndenjur një copë herë aty, duke pirë dhe një kafe, merr nishanet e vajzës dhe shkon te shtëpia e djalit. Kështu, pas kthimit të shkuesit të djalit, ditën e hënë ose të enjten në mëngjes herët, ende pa dalë drita, shpallet fejesa publikisht, d.m.th. “çitet nausja n’midan, e zanmja e nauses çitet n’midan”. Më parë shtien tri herë me armë, me pushkë ose me revole, dhe fill pas ushtimës së tyre pasojnë këngët e femrave, kryesisht të vajzave; të përcjella me të rënët e dajreve (defit). E gjithë kjo është shenjë që të dëgjojë mbarë katundi se “filan gjali zanu nause e filan cauça u dha”. Këngët më të zakonshme që këndohen me këtë rast janë ato që kanë të bëjnë me shpalljen e fejesës, me krisjen e pushkëve, me përhapjen e saj, me dërgimin e nishaneve, të maramës, me punën e shkuesve në tërësi etj., si:

Ani krajsi pushka duël tajmi,
ani ka zan nause Ilir trajmi.
Ani krajsi pushka duël flaka,
ani ka zan nause Ilir aga.
Oj Shqipe lule, be hanëm,
lule kuj ja çove marhamën?
Marhamën ja çova agobabës
ene busulegjin Ilir agës.

E more ju shkus me upega,
na e praut nishanin drit e mrena.
E more ju shkus me kallçina,
na e praut nishanin pa dal drita,
ani pa dal drita pa kall llama,
e bani hajrli sefte nana;
ani pa kall llama, pa ngrajt shtratat,
e bani hajrli sefte baba;
ani pa ngrajt shtratat, pa fshoj votrat,
e bani hajrli sefte motrat.
E more ju shkus me upega,
me dal nausja keçe, s’u shtojm mrena,
me dal nausja keçe, do va varim mrapa ni teneçe etj.

Pastaj këndohen këngë që kanë të bëjnë me zgjedhjen e nuses e të djalit, të familjes së tij dhe që shprehin gëzimin e madh që i ka kapluar ata, si:

Ori molla vol topshiqere,
ene Ilir agën vet e gjedhe.
– Nauk e gjedha vet, nauk e gjedha vet,
e kam pas jazii, e kam pas kismet.

Oj Shqipe hanëm me blluzën kadife,
ku e pae Ilir agën xhi e begjenise?
– Un’e pash Ilir dilberin tuj m’i shku rreth kafes:
Çiti e ma dha sokoli gjerdanin e cafës;
un’e pash Ilir dilberin tuj m’i shku rreth vneshtës:
çiti e ma dha sokoli hallkën e fejesës.

Oj Shqipe hanëm me xhaket boj xhak,
ku e pae Ilir dilberin xhi t’met merak?
– Une e kam pa përreth rekës,
kur ma dha mihirin e fejesës;
une e kam pa përreth gjardhit,
kur ma dha mihirin e alltanit!

Oj Shqipe hanëm ke bunari,
lule si e more at far gjali,
lule si e more at far orgovani,
i vajn era misk pi Gostivari.

Oj jashike lule si simiti,
kuj ja doxhe zemrën si qibriti?
Ç’ataj dilinxhijës xhi më lipi:
ç’ataj dilinxhijës i dëftova,
Ilir agës çerapët ja çova.
Oj jashike lule si leveni
Ilir dilberi frajk të rreni,
mori frajk të rreni, frajk të muër,
tu’ të dhan shigera napër duër;
mori frajk të muër shtat fidoni,
tu’ të dhan shigera pi duqoni.

Flaro, moj Shqipe lule,
flaro me flet,
lumja taj, moj e majro,
venin xhi ke xhet,
venin xhi ke xhet, lule,
gjalin xhi ke marr,
oj e bardha si shiqeri
e ke pas igball,
oj e bardha si shiqeri, xhi shkrajet n’gjoj,
kimi mar Shqipe hanmin
zilifet me boj;
oj e bardha si shiqeri,
xhi raj n’duqan,
kimi mar Shqipe hanmin
zilifet me kan.

Kimi gjedh e kimi gjedh
– ni kinxhe kalesh.
Kimi mar e kimi mar
– ni kinxhe sugjar.
Kimi pikut e kimi pikut
– ni kinxhe ragush.

Ku je kan, Shqipe lule,
si s’t’pana dit:
kismetet e huja na i pana lip.
I lipëm e va rajëm shanin,
Shqipe filanza va zroj namin.

Oj Shqipe hanëm shaum të kan sha.
Thot Ilir dilberi vet e këm pa,
vet e këm pa të majrën, mos ma shaje kush,
vetllat e zeza lulja, sajt e zi si rrush.
Kush na shájti Ilir aga mue ene taj?
Taj si karanfil, dilber, une si kulumbraj;
taj si karanfili në çekmexhe,
une si moll’e kuçe ma e heshme!

Oj jashike lule gjojn si metelik,
kush të ka sha, o i koft jazik,
për gjalin e vet ka desht me t’lip.
Kush të ka sha le kete mbare,
për gjalin e vet ka desht të t’mare.

Kapërcyte ujti në urën,
ani ç’at xhi deshtëm e murëm.
Ato xhi s’i deshtëm va dham udhën,
mori va dham udhën, va dham malin,
morëm nausen si e kimi gjalin!

E murëm Shqipe hanmin, e murëm n’Veshall,
xhi e ka rrajt nan’e baba si gjalin përmall.
E murëm Shqipe hanmin, shtatin si bajrak:
Ilir ovardahit nauk ja lam merak.
E murëm Shqipe hanmin shtatin si filis:
Ilir dilberit nauk ja lam ishkil.

Kush t’tha se nauk d’due,
oj Shqipe lule,
agobaba të flaraue,
oj Shqipe lule.
Kush t’tha se nauk d’due,
oj Shqipe lule,
hanko nenja të flaraue,
oj Shqipe lule.
Kush t’tha se nauk d’due,
oj Shqipe lule,
Ilir aga të flaraue,
oj Shqipe lule.

Kush të tha se nuk d’due, oj Shqipe lule,
agobaba ka flarue, oj Shqipe fodulle;
agobaba ka flarue, ka shku n’Bukuresht,
do ta blije, oj e majro, vathin për në vesh;
agobaba ka flarue, ka shku n’Gostivar,
do d’blije, aj e majro, alltana për në çaj!

Ori hana plot, ori hana plot,
e ka mush Shqipe lulja mindilin me lot!
– Ku m’i ke e shoče dosa si s’ëm dole zot?!
– Kesh shoçja kesh te livadhi,

URIMI I FEJESËS

Për urimin e fejesës përdoret fjala turke “hajr”: me hajr, për hajr, hajrli. Ditën që shpallet fejesa ose të nesërmen, por bën edhe brenda javës e më vonë, varësisht nga koha se kur marrin vesh, çohen katundarët e të tjerë të njohur nga larg e afër, si dhe miqtë e farefisi e shkojnë për t’ia uruar fejesën e djalit familjes së tij. Të uruarit e fejesës zhvillohet në këtë mënyrë. Mysafirëve si të duken te dera, gratë u thonë “Majr se erdhët!” Ata u përgjigjen: “Majr se xhem” (u gjejmë)! Ndërkaq, burrat u dëshirojnë mirëseardhje atyre me shprehjet turke: “Hozhgjellën (nga tur. Hoş geldiniz)!” Ata përgjigjen: “Hozhbullën (nga tur. hoş bulduk)!” Mysafirët, menjëherë pas kësaj ose pasi ulen, pyetin: “A zuat nause, a?” Përgjigjja është “Po, po zaum”. Ata pastaj vazhdojnë: “Hajrli u koft! Allahi muhabetin va shtoft! Past kamën e majr!” Përgjigjja është “Hajr pashi! Njehsna ene n’fomojn tuj!”. Nëse ata që kanë ardhur të urojnë fejesën kanë ndonjë djalë të rritur për fejesë, atëherë u thuhet: “Njehshna ene n’Lulin!”, duke përmendur kështu drejtpërdrejt emrin e djalit të tyre. Mysafirët pastaj nisin e bisedojnë diçka në lidhje me fejesën: “Kismeti â kan ç’ataj. Caucën e lipin niçin vet, po nja e merr. A kan e shkraujtme pi zotit t’mirren ato di” etj. Pastaj lëvdojnë familjen e mikut të ri se është e sojtë, se vajza është e mirë, se i ka të mirë prindërit, vëllezërit, motrat etj. Kur bota vijnë për ta uruar fejesën, djali i fejuar ikën nga dhoma, madje edhe nga shtëpia: nuk rri aty pari se i vjen turp. Atyre që vijnë për t’ua përhajruar fejesën e të birit, prindërit e djalit u japin të pinë nga një gotë sherbet me qëllim që punët e fejesës midis dy familjeve të miqësuara të shkojnë mirë e me biseda të ëmbla si sherbeti. Mysafirët ua kthejnë gotat duke u thënë: “U pajft për t’majr!”, ndërsa njerëzit e shtëpsë u përgjigjen: “U baft majr e njehsna e pajfshna ene te ju!” Mysafirët rrinë nja një gjysmë ore dhe shkojnë. Prindërit e djalit i përcjellin ata me fjalët: “Udh’e mar u koft! Nješhna e ardhshna ene te ju, se na kini sajdis he zoti u sajidist! Nješhna e va thkefshna!” Kurse ata ua kthejnë: “Meçi t’majr! Për t’majr ardhshna!”

Urimi i fejesës bëhet edhe te shtëpia e vajzës, por atje shkojnë dhe e përhajrojnë kryesisht farefisi i saj. Edhe te ta, sikurse te djali, pas përshëndetjeve të mirëseardhjes, mysafirët i pyetin: “A e dhat caucën, a?” Përgjigjja është: “Po, e dham”. Ata pastaj vazhdojnë: “Hajrli u koft e zoti muhabetin va shtoft! Past kamën e majr!” Pastaj nisin e flasin pak mirë për djalin dhe për vajzën: “Ene gjali ene cauca jan t’majr. Veni â shaum i majr”. Prindërit e vajzës u përgjigjen: “Ato jan der’e majr, shaum t’majr jan n’shpojn e vet, po kjo (vajza) ne çolloje e ne bahet e majr, se kjo do va zane derën atine”. Nëse mysafirët kanë ndonjë vajzë të madhe për fejesë, nuk u thuhet këtyre sikurse për djalin se “Nješhna ene n’Bukurien!”, duke përmendur emrin e vajzës, sepse atyre një urim i këtillë i drejtpërdrejtë në emër të vajzës nuk u pëlqen, për të cilën gjë nuk dihet arsyeja: për turp apo pse për vajzën nuk është aq problem fejesa në këtë anë. Mysafirëve që vijnë për t’ia uruar asaj fejesën e së bijës familja e vajzës i qeras me llokum, ku ata marrin vetëm nga një kokërr, duke thënë: “Hagshim për t’majr! Zoti u dhasht bereqet!” Sot, pos llokumit, u qesin edhe ëmbëlsira fabrike, siç janë napolitankat, kokrra çokollatash etj. Sigurisht edhe këtu përdoren haje të ëmbla për arsye që punët e fejesës mes familjeve të miqësuara të shkojnë mirë dhe ëmbël. Vajza nuk i del askujt nga ata që vijnë për të përhajruar fejesën e saj. Madje ajo tri-katër ditë s’u del as prindërve të vet nga turpi i madh që ka. Ajo mbështjell kryet me një napë dhe ndryhet në dhomë, duke u strukur në një skaj të saj, ku ia nis vajit e qan pa ndërprerë prej së keqit që e kanë fejuar. Të vetmet janë shoqet e saj që vijnë për ta parë, që kanë kontakt me të. Ajo as ha, as pi dhe më tepër se një javë ditë s’ulet në sofër për të ngrënë bukë së bashku me njerëzit e tjerë të shtëpisë.

Në katundet Gurguricë e Sallaravë urimi i fejesës, d.m.th. përhajrimi i saj nga ana e katundarëve të tyre, njihet me fjalën “shyqyr”, siç thuhet këndej: “Do shkojm n’shyqyr, d.m.th. do të shkojmë për t’ia bërë me hajr fejesën dikujt. Edhe në këto dy katunde, ditën e hënë a të enjten në mëngjes, si të bien dajret, vijnë katundarët e ia bëjnë për hajr fejesën shtëpisë së djalit. Me këtë rast atyre që vijnë për ta përhajruar fejesën u qitet të hanë nga nîjë top hallvë. Në mungesë të hallvës, u japin të hanë nga nîjë kokërr llokum. Ka tundarët e kësaj malësie thonë se në të kaluarën, me rastin e fejesës, uruesve u paskan bërë për të ngrënë bakërdar (kaçamak) me sheqer, i njohur me emrin “bakërdari i shyqyrit”. Edhe ndër këto dy katunde urimi i fejesës është i ngjashëm me atë të malësisë së Sharrit e të Dervenit, me përjashtim të gjuhës dialektore që ndryshon pak a shumë: “Me hajr nusja! Me hajr miqsia!” etj. dhe përgjigjja është: “Faleminderës, ngjefshim edhe n’ju!” etj.

BOHÇJA (BOFÇJA)

Më së paku një javë pas ndërrimit të nishaneve, përkatësisht të shpalljes së fejesës e deri një vit pas kësaj kohe familja e djalit, nëse qëndron mirë ekonomikisht, mund të bëjë edhe bohçe për vajzën që ka fejuar, për “nausen e zanme a t’nzerne”. Bohçja në këtë anë (përdoret dhe në trajtën e fjalës bofçe – bofçja) është një lloj ceremonie më vete e fejesës që pason pas ndërrimit të nishaneve të të fejuarve. Realizimi i ceremonialit të bohçes, sipas zakonit të martesave të kësaj ane, nuk është i detyrueshëm: nëse ka mundësi ekonomike dhe nëse do familja e djalit dhe ajo e vajzës së fejuar mund të bëhet bofçja te djali, por nëse nuk duan, sidomos nga ajo që janë të varfër, nuk bëhet bohçja. Themi se bohçe mund të bëjë vetëm ai që ka mundësi ekonomike, për arsye se kjo ceremoni e fejesës kërkon shumë më tepër shpenzime, kohë dhe përgatitje nga ana e familjes së djalit sesa ndërrimi i nishaneve.

Edhe bohçja, sikurse ndërrimi i nishaneve, bëhet ditën e hënë ose të enjten. Në njërën nga këto ditë mund të thirren nga familja e djalit, sipas mundësisë së saj ekonomike tre, pesë e deri shtatë veta për ta çuar bohçen te vajza. Ndër këta është edhe shkuesi. Nga ana e familjes së djalit për bohçe i dërgohen vajzës së fejuar dhe familjes së saj shumë dhurata, peshqeshe e bakshishe, siç janë: disa skutacë të leshta, çorapë, shami, çevre, marama për vjehërën e vjehërën, kunetërve, kunatave, zollvave (motrave të burrit), dhëndrit: çevre e çorapë, si dhe unaza, rruaza, ndonjë stoli ari e gjëra të tjera të ndryshme zbukurimi, disa herë më shumë sesa ato që çohen me rastin e ndërrimit të nishaneve. Të gjitha këto peshqeshe mbështillen në ndonjë çarçaf, pështjellak, pëlhurë të bukur ose në diçka tjetër të ngjashme dhe lidhen bukur në katër skaje të tyre, duke krijuar kështu formën e një bohçeje, nga do ta ketë marrë edhe emrin ky akt i ceromonialit te fejesës. Pra, nga ajo që formojnë bohçe në këtë mënyrë, thuhet në këtë anë për këtë adet të fejesës “bajm bofçe” dhe nga ajo që lidhet kështu, thuhet edhe “lidhin bofçe”: “A do bajni bofçe?” ose “Kur do bajni bofçe”, si dhe “A do lidhni bofçe?” ose “Kur do lidhni bofçe?”

Nëse mblidhen më shumë rraqe, dhurata, lidhen dy-tri bohçe e më tepër dhe ngarkohen a varen në samar të kalit në formë hejbesh (duçish). Kalin e hipën dikush nga të ftuarit, nëse ka më pak bohçe, por nëse ka më shumë sosh, atëherë atë nuk e hipin, por vetëm e tërheqin për kërpeshi. Ata që e çojnë bohçen quhen “bofçexhi”, bohçexhinj. Është zakon që ashtu siç bëhet ndërrimi i nishaneve, bëhet edhe ndërrimi i bohçeve ndërmjet familjes së djalit dhe asaj të vajzës, madje të njëjtën ditë. Kjo do të thotë se duhet të çojë bohçe jo vetëm djalit te vajza, por edhe vajza te djalit. Përkitazi me dërgimin e bohçes, përkatësisht se kush duhet të çojë, të marrë i pari bohçe: familja e djalit te vajza a familja e vajzës te djalit, ekzistojnë disa variante sipas katundve dhe familjeve, ku te një pjesë sosh ajo realizohet sipas zakonit traditor, kurse te një pjesë tjetër kryhet sipas marrëveshjes që bëhet midis dy familjesh të miqësuara. Kështu, për shembull, varianti më i përhapur është ai që lidhet me zakonin traditor, ku familja e djalit më parë çon bohçe te familja e vajzës. Nëse ndodhet larg familja e vajzës, në ndonjë katund tjetër, që të gjithë bohçexhinjtë e djalit shkojnë me kuaj dhe, nëse është afër a brenda katundit, ata shkojnë në këmbë, me përjashtim të një kali që marrin për bartjen e bohçes. Po për këtë ditë familja e vajzës së fejuar ka ftuar nga ana e vet njerëzit e saj prej tre, pesë, shtatë, nëntë, njëmbëdhjetë, njëzet e një e deri tridhjetë e një veta për ta çuar bohçen e bijës së tyre te i fejuari. Numri i bohçexhinjve të vajzës është për gjysmë më i madh sesa i atyre të djalit. Bohçexhinjtë e vajzës dalin që të gjithë dhe i presin bohçexhinjtë e djalit, të cilët i futin brenda dhe, pas përshëndetjeve të zakonshme e urimeve reciproke që i bën pala-palës për fejesën e dy të rinjve, u qesin të hanë nga një kokërr llokum që miqësia e re t’u shkojë ëmbël dhe pastaj u japin të pinë nga një kafe a çaj mali. Bohçexhinjtë e djalit te familja e vajzës nuk rrinë shumë, por nja gjysmë ore a një orë, aq sa të pinë nga një kafe e të ndërrojnë një bisedë të zakonshme miqësore dhe çohen për t’u kthyer te shtëpia e djalit. Me këtë rast, bohçexhinjtë e vajzës, të ftuar nga ana e familjes së saj u bashkohen atyre të djalit dhe të gjithë së bashku e çojnë, e kthejnë, bofçen e vajzës te djalit. Edhe bohçja e vajzës ka një numër shumë më të madh dhuratash e peshqeshesh, që i dërgohen vetë djalit të fejuar dhe familjes e farefisit të tij të ngushtë sesa atëherë që çohen me rastin e ndërrimit të nishaneve.

Për bohçexhinjtë e vet dhe për ata të anës së vajzës familja e djalit përgatit edhe haje, ku shtron nja katër-pesë sofër bukë me po kaq lloj gjellës, duke filluar prej çorbës e deri në sytliac e petulla me kos e me sheqer. Njëri nga bohçexhinjtë e vajzës, që është pak më i moshuar e më i afërt me familjen e vajzës, lë të holla për sofër, e darit sofrën, siç thonë këndej. Me këtë rast familja e djalit u jep si bakhshish vetëm bohçexhinjve të vajzës nga një maramë ose nga një palë çorapë, ku brenda në to dikush u fut edhe të holla. Me bohçexhinjtë e vajzës është dhe vëllai dhe kushërinjtë e saj të ngushtë. Në mënyrë të veçantë i vëllai shpërblehet me një sasi më të madhe të hollash nga ana e babait të djalit të fejuar.

Aty-këtu, sipas familjeve dhe katundeve, bohçexhinjtë e vajzës nuk përzihen me ata të djalit gjatë rrugës për ta çuar bohçen tek ai. Kështu, fjala vjen, bohçexhinjtë e djalit e sjellin bohçen te vajza pak paradreke ose aty kah dreka, kurse këta të vajzës nisen për ta dërguar atë te djali nja gjysmë ore ose një orë pasi të jenë kthyer bohçexhinjtë e djalit Po përmendim se me këtë rast bohçexhinjtë e djalit ua lënë kalin e vet të bohçes bohçexhinjve të vajzës që po me këtë kalë ta sjellin edhe ata bohçen e tyre te djali. Këta pastaj, te familja e djalit i presin bohçexhinjtë e vajzës, ku hanë darkë të gjithë së bashku dhe shpërndahen nëpër shtëpitë e veta.

Ndodh shpeshherë në familje të disa katundeve që vetëm një palë bohçexhinj të bëjnë ndërrimin e bohçeve ndërmjet familjes së djalit dhe asaj të vajzës. Në këto raste zakonisht bohçexhinjtë e vajzës e çojnë bohçen e saj te djali, hanë bukë atje dhe kur kthehen e marrin me vete bohçen e djalit dhe e sjellin te familja e vajzës.

Në të tria këto variante të dërgimit të bohçes, sipas zakonit, bukë hahet te djali dhe numri më i madhi i bohçexhinjve është nga ana e vajzës. Por ndodh rrallëherë në malësi që sipas një marrëveshjeje ndërmjet dy familjesh të miqësuara t’u përgatitet bukë bohçexhinjve familja e vajzës. Në këto raste ndodh e kundërta e varianteve të dërgimit të bohçeve nga ajo që u përshkrua më sipër dhe bohçexhinjtë e djalit janë në një numër më të madh se ata të vajzës. Më parë e çojnë bohçen e vajzës te djali nja tre a pesë bohçexhinj, atje pinë nga një kafe dhe hanë nga një kokërr llokum për miqësi të ëmbël e të mbarë dhe bashkë me bohçexhinjtë e djalit e kthejnë bohçen e tij te vajza, ku hanë të gjithë bukë; ose këta të vajzës kthehen pak më herët dhe nja një orë pas tyre e bien te vajza bohçen e djalit bohçexhinjtë e tij, me ç’rast hanë bukë të gjithë së bashku; ose bohçexhinjtë e djalit e bien bohçen e vet te vajza, hanë bukë aty dhe e marrin prej këndej bohçen e vajzës dhe e çojnë te djali. Në asnjë rast nuk shkon me bohçexhinjtë e vet i ati i vajzës dhe ai i djalit, por me bohçexhinjtë e vajzës duhet të shkojë patjetër edhe vëllai i saj, i cili merr bakshishin më të madh në të holla nga ana e familjes së djalit.

Aty-këtu, sipas familjeve, bohçja e djalit bëhet në aso përmasash të mëdha përgatitore e organizative saqë merren edhe lodrat gati si të jetë dasmë. Këndohet e vallëzohet një ditë gjithë ditën e më tepër nga ana e djemve dhe e burrave. Ato vijnë qysh në mëngjes atë ditë që çohet bohçja dhe çalldisin deri në mbrëmje vonë.

Kur çohet bohçja me lodra, kryesisht shkojnë bohçexhinjtë e djalit te vajza dhe prej andej i marrin ata të sajtë. Si pa lodra, ashtu edhe me lodra, shkojnë pasi të kthehet dreka Me rastin e dërgimit të bohçes lodrat vetëm i përcjellin dhe i presin nga shtëpia e djalit bohçexhinjtë e tij dhe ata të vajzës, siç ndodh më tepër në Vicë, në Sellcë, në Lisec etj. Nëse, sipas marrëveshjes, ana e vajzës lejon, atëherë ana e djalit deri në shtëpinë e saj i çon bohçexhinjtë e vet me lodra, siç ndodh më tepër në Bozovcë, në Veshallë etj. Kur arrijnë te shtëpia e vajzës, dalin dhe i presin ata edhe bohçexhinjtë e anës së saj dhe pas përshëndetjeve e urimeve të zakonshme u japin të pinë nga një kafe. Me këtë rast, në oborin e shtëpisë së vajzës, lodraxhnjtë bëjnë një nebet dhe pastaj luajnë disa valle të dy palët e bohçexhinjve, duke pasur përparësi ata të vajzës. Ndërkohë, ana e vajzës i shpërblen ustallarët me të holla dhe me ndonjë bakshish: maramë, peshqir etj. Pas një orë e më tepër qëndrimi aty, bohçexhinjtë e djalit i marrin ata të vajzës dhe të gjithë së bashku, nën përcjelljen e lodrave, kthehen te shtëpia e të fejuarit, ku hanë bukë, bëjnë nebet e vallëzojnë gjithë pasdarkes.

Nëse katundi ndodhet afër vendbanimit të ustallarëve, ata atë natë shkojnë te shtëpia, por nëse ndodhet larg, ata shkojnë të nesërmen. Sipas zakonit vetëm familja e djalit organizon bohçe me lodra dhe përgatit bukë për bohçexhinjtë. Mirëpo ka bërë vaki, si për shembull në katundin Bozovcë, para tre-katër vjetësh që i ati i vajzës, Haqif Tasimi, ka marrë lodra për ta dërguar bohçen e të dyja bijave të tij me rastin e fejesës së tyre. Ai ka përgatitur edhe bukë, madje jo vetëm për bohçexhinjtë, por për mbarë katundin, njësoj si në dasmë. Është interesant të përmendim se në Veshallë, njësoj si me rastin e ndërrimit të nishaneve, ashtu edhe me rastin e ceremonisë së bohçes, vetëm familja e vajzës çon bohçe te djali, çon bakshishe sipas zakonit për të dhe anëtarët e tjerë të familjes e të farefisit të tij, kurse djali s’çon asnjë peshqesh te vajza. Kështu, për shembull, bohçexhinjtë e vajzës e bien bohçen e saj te djali, hanë bukë aty dhe kthehen pa bohçe te ajo. Po kështu bohçexhinjtë e djalit, që shkojnë te vajza, sidomos kur është bohçja me lodra, nuk çojnë atje bohçe, por i marrin prej andej bohçexhinjtë e vajzës me bohçen e saj dhe kthehen te shtëpia e djalit, ku hanë të gjithë së bashku bukë.

Po na bie vdora floçe-floçe:
Shqipe follaza palon bofçe.
Shaum të palojsh, e majro,
shaum të na çojsh,
sallde agababën mos e harrojsh!
— Ene agababa nauk harrohet:
bofçja ma e majr d’i palohet,
në kraje t’odës d’i vendohet.

Kush ta derdhi, Shqipe lule, arkën ma në kraje?
— Ç’aj Ilir aga molla n’maje.
Kush ta derdhi, Shqipe lule, arkën ma n’midis?
— Ç’aj Ilir aga shtatin si filiz.

Kush ta derdhi Shqipe lule, arkën njer ma n’fund?
— Ç’aj llira aga xhi z’xhindet kërkund.
Kush ta palon bofçen tonde, nause kraje moll?
Asaj shoçe shkënës ju thaft njona dor,
ju thaft njona dor, ene qetra,
ju thafshin të dija përsejeta!

PRERJA E FORCËS (Me e praje forcën)

Me shprehjen “prerja e forcës” a “me praje forcën”, siç thonë në MT sot kuptohet marrëveshja që bëhet mes babait të vajzës dhe atij të djalit rreth “n(d)erës”, d.m.th. për të hollat që duhet t’ia japë familja e djalit asaj të vajzës dhe rreth përgatitjeve të tjera të pajës së vajzës se cila anë duhet ta bëjë gati atë etj. Koha e prerjes së forcës rreth nderës, siç do të shihet më tej, që duhet t’i japë djalit vajzës, ndryshon sipas familjeve dhe katundve. Në disa familje e katunde prerja e forcës bëhet menjëherë me ndërrimin e nishaneve, në disa të tjera ajo bëhet nja një javë, dy, tri e deri një muaj pas shpalljes së fejesës, kurse në disa sosh forca prehet nja dy-tre muaj para se të merret nusja, të bëhet dasma.

Kështu, fjala vjen, te një pjesë familjesh me rastin e ndërrimit të nishaneve i ati i vajzës menjëherë merret vesh me shkuesin se cilën ditë, përkatësisht natë, duhet të vijë i ati i djalit për “t’praje forcën”. Me këtë rast ata merren vesh edhe për atë se sa kohë duhet të rrijë vajza ndër nishane, d.m.th. sa do të zgjatë fejesa e saj etj. Te një numër familjesh mu atë natë a ditë, që jepet nishani i vajzës, prehet njëkohësisht dhe forca ndërmjet tyre. Madje në pjesën më të madhe të rasteve nuk shpallet publikisht fejesa nga ana e djalit pa u prerë forca, sepse mund të ndodhë më vonë që, me rastin e prerjes së saj, familja e djalit të mos japë aq të holla sa kërkon familja e vajzës, e cila e ka vështirë pastaj t’ia kthejë vajzën, d.m.th. ta prishë fejesën e saj, pasi të jetë publikuar ajo. Megjithatë, në malësinë e Tetovës fort rrallë ndodh që nusja të lihet për para, sidomos nëse ajo është e mirë. Ndërkaq në disa familje e katunde prerja e forcës bëhet nja një, dy a tre muaj para dasmës, kryesisht me rastin e marrjes së masës.

Në disa katunde të malësisë së Sharrit të Tetovës, si në Novosellë të Sharrit, në Sellcë të Keqe, në Gjermë etj. dhe pothuajse në të gjitha katundet e Dervenit marrëveshja që bëhet për marrjen e të hollave, të përgatitjes së vajzës e të tjera ndërmjet të atit të vajzës dhe të atit të djalit, përkatësisht shkuesit, nëse e përfaqëson atë, njihet me fjalët “me pre nderën”, duke thënë: “A e kini pre nderën? Po, e kimi pre nderën” etj. Në katundet e Dervenit, të Malit të Thatë, si dhe në disa katunde të Malësisë së Sharrit, si në Novosellë, në Sellcë të Keqe, në Rakovec etj. prerja e forcës bëhet me rastin e marrjes së masës, kur shkohet te familja e vajzës për të marrë masën dhe për këtë përdoret më tepër shprehja “forcoj, me forcaue”: “A kini forcaue me majkin? Po, kimi forcaue para di mujsh” etj.

Deri në momentin që prehet forca, çështja e nderës, përkatësisht e sasisë së të hollave që do të marrë familja e vajzës nga ajo e djalit mbetet e hapur. Prej këtij momenti caktohet një shumë të hollash që do t’i marrë si nder familja e vajzës asaj të djalit.

Në të kaluarën, kur prehej forca, përkatësisht kur prehej ndera, shkuesi e ka përfaqësuar të atin e djalit për të gjitha punët rreth fejesës. Ai më parë merrej vesh me të atin e djalit për kushtet e mundshme të lidhjes së fejesës dhe pastaj fliste në emër të tij me të atin e vajzës. Sot më së shumti i ati i djalit flet sy më sy me atë të vajzës për çështjen e fejesës. Me rastin e prerjes së forcës, të nderës, i ati i vajzës kërkon nga i ati i djalit një sasi të caktuar të hollash, të cilat ai s’është e domosdoshme që t’ia japë menjëherë të gjitha, por mund t’i paguajë dalëngadalë sipas mundësive të veta, brenda afatit sa të rrijë vajza “ndër nishane”, d.m.th. sa të zgjatë fejesa e saj. Një sasi të hollash nga shuma e caktuar i ati i djalit është i detyruar që t’ia japë menjëherë t’atit të vajzës, qoftë drejtpërdrejt, qoftë përmes shkuesit, madje mu atë natë kur presin forcën, nderën, para këto që do të shërbenin si një lloj garantimi për sigurimin e fejesës. Mirëpo kjo s’do të thotë se deri në atë kohë që prehet forca s’merren fare të holla nga ana e vajzës. Pavarësisht nga koha se kur prehet forca, familja e vajzës i merr asaj të djalit një sasi të hollash, madje qysh me rastin e ndërrimit të nishaneve ndërmjet dy familjeve të miqësuara.

Prerja e forcës, e nderës, nuk është e pavlerë. Ajo ka fuqi të madhe për të ruajtur e për të mbrojtur atë që është thënë, ndonëse verbalisht, nga ana e djalit dhe e vajzës. Me fjalë të tjera, prerja e forcës, e nderës, është një lloj kontrate verbale ndërmjet babait të vajzës dhe atij të djalit, të cilët s’mund ta prishin atë më vonë, madje sikur të zgjatë edhe disa vjet fejesa, derisa vajza të mos shkelë pragun e derës të shtëpisë së djalit, burrit të saj. Kjo do të thotë se as i ati i vajzës s’mund të kërkojë më tepër të holla e as i ati i djalit s’mund të zbresë ndonjë sasi të hollash nga shuma e caktuar më parë me rastin e prerjes së forcës, të nderës, sepse në raste të kundërta mund të rrezikohet fejesa e me këtë edhe martesa dhe kjo të mos përfundojë pastaj pa rrjedhime të këqija për të dyja familjet. Megjithatë, ndodh nganjëherë që prerja e forcës të prishet pak a shumë kryesisht nga ana e vajzës. Fjala vjen, nja dy-tri javë para dasmës ose mu atë ditë që merret nusja, i ati i vajzës i kërkon ende para të tjera babait të djalit jashtë shumës së caktuar më parë gjoja se me këto të holla dëshiron ta pajtojë vëllanë, motrën, dajën e vajzës etj. Ndonjëherë kjo është e vërtetë. Në këso rastesh familja e djalit nëse ka të holla ia jep menjëherë, nëse s’ka merr hua dikund, por nëse s’gjen as hua, atëherë detyrohet që për të holla t’ia lërë dikujt arën “rehim”, d.m.th. ara shfrytëzohet nga ai që i ka dhënë të hollat derisa mos t’i kthehen ato, derisa të mos lahet borxhi.

Shuma e të hollave që kërkon familja e vajzës nga ajo e djalit me rastin e prerjes së forcës, nderës, është shumë e madhe, aq më tepër për këtë anë të varfër malore. Ajo është më e madhe ndër katundet e thella malore, siç është Bozovca, Veshalla, Brodeci, Vica, Sellca e Keqe, Gurgurica, Sallareva etj., kurse më e vogël është ndër katundet, që ndodhen më afër fushës së Tetovës, përkatësisht më afër këtij qyteti, siç është Shipkovica, Gajrja, Sellca, Novaka, Grupçini etj. Për disa katunde thonë se nuk marrin fare të holla për vajzat që i martojnë, siç janë Leshnica e Epër dhe Leshnica e Poshtme, Zhelina etj.

Sipas pleqve e plakave më parë në kohë të Turqisë, kur shkonin për t’u marrë vesh për kohën se kur ta bëjnë dasmën, kur të vijnë për ta marrë masën etj. ata njëkohësisht me këtë rast prenin edhe forcën. Nga ana e djalit kanë shkuar deri pesë-gjashtë burra të fisit të tij me në krye të atin dhe shkuesin. I ati i vajzës i ka kërkuar atij të djalit që t’i japë për nderë lira turku të arit prej 10-40 copa. Nëse ai i ka lypur, ta zëmë, 25 lira, atëherë kanë ndërhyrë burrat e tjerë të anës së djalit, duke iu lutur të atit të vajzës që për secilin nga ta t’ia falë nga një lirë të atit të djalit: çohet njëri e thotë “Ni lir falja për mua!”, tjetri “Ene për mu falja ni lir!” e kështu me radhë, duke ia zbritur në 20 lira, për pesë gjashtë lira më poshtë, varësisht nga numri i burrave të anës së djalit. Është dashur që lirat të paguhen menjëherë ose brenda dy-tre muajve deri sa të qepen e të vijnë teshat e nuses deri atë javë që të fillojë dasma. Po kështu si dikur, edhe sot në disa katunde që u përmendën më lart, me rastin e marrjes së masës prehet edhe forca, lidhet dhe marrëveshja ndërmjet familjeve të miqësuara për obligimet që duhet të ketë familja e djalit ndaj asaj të vajzës, kryesisht për një sasi të hollash që duhet t’i japë asaj si dhe merren vesh e forcojnë punë edhe për kohën se kur duhet ta bëjnë dasmën, ta marrë nusen familja e djalit etj.

Në katundet e Dervenit dhe në Gurguricë e Sallarevë, atyre që shkojnë për të marrë masën te nusja, përkatësisht për “me forcaue”, për të forcuar punën, ana e nuses u vënë edhe bukë të hanë. Bukë hanë me këtë rast edhe në malësinë e Sharrit, nëse shkohet për të marrë masën a për të forcuar në një katund tjetër, ndërsa kur shkohet brenda katundit, s’u japin bukë, përveçse të pinë nga një kafe a çaj mali.

NDERA

Fjala “ndër – ndera” në malësitë e Tetovës ka kuptimin e të hollave që i jep familja e djalit asaj të vajzës. Përkrah fjalës “n(d)er-a”, që ka kuptimin gjoja për ta nderuar mikun me të hollat që i jepen, përdoret edhe fjala “hup(ë)sa”, që ka kuptimin e të hollave që i falen familjes së vajzës nga ajo e djalit pa kurrfarë kushtesh. Me fjalë të tjera, ndera ka të bëjë me ato para që i jepen mikut për ta ndihmuar atë në njëfarë mënyre rreth përgatitjes së vajzës për nuse, për martesë, të paktën më parë, do ta kenë pasur më tepër këtë kuptim dhe qëllim. Nga kjo arsye do të ketë dalë dhe fjala “nder – a”, d.m.th. se miku më ka ndihmuar në formë nderimi, përkatësisht më ka nderuar në formë ndihme me një sasi të hollash për ta bërë gati vajzën. Dhe miku i ka marrë këto të holla pikërisht për këtë qëllim, që ta bëjë gati vajzën e vet, pajën e saj, dhe të heqë me to shpenzimet e tjera lidhur me martesën.

Varësisht nga familjet, dikush, nëse merr përsipër vetë ta bëjë gati pajën e së bijës, paratë e nderës vërtet i përdor vetëm për përgatitjen e pajës së vajzës dhe për shpenzime të tjera lidhur me të pa ndalur ndonjë dinar për nevojat e tjera shtëpiake. Ndonjë tjetër ato i përdor edhe për nevojat e veta familjare. Në këtë mënyrë, pra, të hollat e nderës ose një sasi sosh kthehet prapë te miku në formë paje. Mirëpo shumë familje dhe katunde, përveç parave të nderës që lidhen me pajën dhe shpenzimet rreth saj, kërkojnë nga miku një sasi të veçantë të hollash pa kurrfarë kushtesh dhe obligimesh për kthim, d.m.th. që do t’i shpenzojë ato vetëm e vetëm për nevojat e veta familjare. Këto të holla, për dallim nga paratë e nderës, i quajnë “hup(ë)sa”, d.m.th. thjesht para të humbura të familjes së djalit. Në këtë anë thonë: “Sa pare t’ka marr majki ‘hupsa’? Sa pare t’ka ngran majki?”, e jo sa t’ka marrë.

Ky dallim ndërmjet parave të nderës dhe atyre “hup(ë)sa” është bërë kryesisht në të kaluarën, varësisht nga mënyra e marrjes së këtyre të hollave.

Meqenëse sot, pothuajse në mbarë malësitë e Tetovës pajën e vajzës së fejuar e përgatit ana e djalit dhe ajo prapë i jep të holla mikut, vetvetiu del e kuptueshme se të hollat që merr ana e vajzës i shpenzon për qëllimet e veta familjare dhe nga kjo nuk paraqitet nevoja që të bëhet ndonjë dallim ndërmjet parave të nderës dhe atyre “hup(ë)sa”, duke u përdorur kryesisht termi “nder – a” me kuptim të përgjithshëm. Shuma e të hollave të nderës, të paktën sot, është shumë e madhe dhe një barrë tejet e rëndë për familjen e djalit. Pra, në MT, përkundër lehtësimit të madh të fejesës, martesës së vajzave, martesa e djemve është shumë e rëndë. Për këtë kanë plot të drejtë malësorët e Tetovës, kur thonë se “Ktau te na, bre vlla, ma shaum del ni darsëm e gjalit se d’blish ni shpaj/shpoj”.

Si mblidhet një shumë kaq e madhe të hollash për martesën e djalit, madje në një vend të varfër malor siç është kjo anë? Po pati dikush sa djem aq vajza, e ka lehtë: paratë që merr për vajzat i jep për djemtë, d.m.th. sa e çka t’i kërkojë miku i djalit, ai i kërkon mikut të vajzës. Kjo madje vendoset shpeshherë edhe me rastin e prerjes së forcës, duke i thënë i ati i vajzës atij të djalit se “Sa pare mu do m’haje majki, ç’aç une do t’marr taj/toj”. Por kjo s’është aq e sigurt. Miku i vajzës mund t’i kërkojë atij të djalit më tepër se ç’ka dhënë.

Pjesa më e madhe e të hollave për martesën e djalit mblidhen me anë të kurbetit që është gjë e zakonshme në këtë anë. Që nga mosha e njomë, si t’i mbushin 12-13 vjet, të gjithë meshkujt e një familjeje, pos të zotit të shtëpisë, i cili në pjesën më të madhe është i ati i tyre, shkojnë në kurbet për të mbajtur familjen, për të siguruar kafshatën e gojës dhe njëkohësisht për të mbledhur ndonjë dinar për martesën e vet dhe të vëllezërve. Burim tjetër për të siguruar të hollat e martesës, pos kurbetit, është edhe shitja e pasurisë, si e gjësë së gjallë: dhenve, lopëve, kuajve etj. dhe, nëse këto s’mjaftojnë, atëherë shiten edhe arat. Kjo ndodh më së shumti në raste të ngutshme, kur shkurtohet afati i martesës dhe të hollat e parapara duhet të lahen, kur kërkohen të holla të tjera të paparapara etj. Ose kur papritmas i bëhet dikujt ndonjë nuse dhe ai s’ka pasur gati të holla të mjaftueshme, prandaj shitet e përshitet që vetëm të mos lihet nusja për para. Thuhet se “Malli shkon e vajn, po nausja ni her d’bahet”.

Të hollat që jepen për martesën e djalit kanë qenë në “modë” se mbahet mend nga banorët e kësaj anë, por sot ato kanë arritur kulmin si shumë tejet e madhe, që është rritur vazhdimisht me shtrenjtimin e kostos dhe të kushteve të tjera të jetesës. Arsyet pse sot një martesë e djalit kushton kaq shumë në MT nuk duhet t’i detyrohen vetëm trashëgimit traditor. Duke mos përjashtuar këtu nga martesat shqiptare të së kaluarës format e ndryshme të peshqesheve të këmbyera ndërmjet familjes së djalit dhe asaj të vajzës, kjo formë e tërthortë e shitblerjes së vajzës si zakon është shumë i vjetër ndër shqiptarë dhe popuj të tjerë të Ballkanit e të botës, duke pasur një përkrahje më të madhe te popujt orientalë dhe me okupimin e vendeve tona nga turqit ai u përforcua mjaft në mesin tonë.

Këtë zakon të shitblerjes së femrës, që sot ka lëshuar rrënjë të thella në këtë anë dhe është vështirë të shkulet, e kanë ushqyer dhe e kanë trashur kaq shumë në MT disa kushte dhe rrethana të tjera. Një nga to është se në MT lindin më shumë meshkuj sesa femra, gjë që vërehet në pjesën më të madhe të familjeve e që shton konkurrencën e ngritjes së çmimit të vajzës. Dy, pse MT jep vajza në qytet dhe në katunde të tjera të fushës së Tetovës, kurse prej andej, sidomos katundet kufitare të fushës e të qytetit, marrin rrallë ndonjë, sepse jeta në malësi është më e vështirë sesa në fushë e në qytet. Tre, prapambeturia e trashëguar nga e kaluara, përkatësisht niveli tejet i ulët i arsimit të banorëve në këtë anë etj. Megjithatë, është interesant të theksohet se të gjithë malësorët e Tetovës janë kundër marrjes së të hollave për vajza dhe e kritikojnë ashpër këtë zakon. “Shaum adeti keç asht. Nauk e dim si na ka met. Hiç nauk a majr, as për dunja, as për aret, ta shesës fomojn me pare. Ajo shkon me çaue rrajm te burri. N’ven se me i dhan asaj, neja i marrëm e s’kijtojm se xhi do haje mrapa ajo si t’ja marrësh xhallnajmin. Hajr mo baft ç’aj, xhi e ka çit ket adet t’keç”. Duhet të theksojmë se të gjitha familjet e kësaj ane nuk marrin njësoj të holla: disa marrin më shumë, disa më pak, por ka edhe asosh që s’marrin fare. Edhe nëse marrin pak të holla, të gjitha ato ia blejnë dari (pajë) dhe ia japin me vete bijës së tyre, kur shkon nuse. Ata që marrin shumë të holla, në këtë anë i kritikojnë, i shajnë, u thonë “jahudi” dhe i marrin për shembuj të këqij nëpër biseda, kurse ata që marrin pak të holla ose që s’marrin fare, i lëvdojnë dhe i marrin për shembuj të mirë. “Pardon i koft filanit! Ç’aj ë burr e bab, e nauk ë si aj qetri xhi ja shajti majkit ene ragjet e shpajs/shpojs”, – thonë ata.

Vajzat e fejuara janë kundër marrjes së të hollave nga prindërit e tyre, prandaj i kritikojnë, gjë që mund të shihet edhe nga disa këngë. Pikërisht me qëllim që prindërit të mos marrin para për to, shpeshherë ndodh që vajzat e fejuara të ikin te të fejuarit e tyre para kohës së caktuar të dasmës.

Ja disa këngë që përmbajnë dëshpërimin dhe mallkimin e vajzave ndaj prindërve të tyre që i martojnë me para:

Nan, mori nan, xhi më bane,
shaum t’raje m’shtajne nër nishane:
si illzit kur dahen pi hane,
ashtau bija dahet pi nane;
si illzit kur dahen pi havaje,
ashtau bija dahet pi babe.

Xhi m’bane, mori nane, t’u baft halli err;
më dave pi shoçeve bash në ver;
xhi m’bane, mori nane, t’u baft hall’i zi,
frajk më rrajte, frajk më shajte, ni filiz’i ri.

Kur do dalën shoçet napër baçe,
une d’i fshoj lotët me skutaçe;
kur do dalën shoçet, o për Bajram,
une d’i fshoj lotët, o me mintan.

Mori e majr dil te lama,
veshe skutaçen me krahana!
Mori xhi më bani çiçe nana;
mori xhi më bani si më shajti,
si s’i erdh gjonah si më rrajti;
mori xhi më bani si më dha,
kur ni vet pa gajle nauk’ëm la.

Ori molla kuçe, ori moll verore,
frajk u rrajte, frajk u martove;
frajk u rrajte n’derën e babës:
hismigari i Ilir agës.

Vajza, pra, e di se merren para për të, dhe se për vajzën më të mirë jepen më shumë para, se çmimi për të është më i lartë, dhe kjo gjë vajzat e mira, të bukura e punëtore i shtyn nganjëherë edhe të lëvdohen e të krenohen para shoqeve të veta për vlerën e tyre më të madhe që kanë nga to:

Sojt e zi e vetllat e zeza e gjojn si pare,
shaum hujlije t’kan kallzaue, ori xhivletare.
Nauk m’i jam hujlije, po m’i jam delije,
kur do dal do shajtem, do m’marrën për hije;
nauk m’i jam hujlije, m’i jam ovardahe,
kur do dal do shajtem, do m’ranojn me pare!

Ndodh nganjëherë që edhe pse duhen dy të rinj dhe prindërit e tyre nuk janë kundër kësaj dashnie, megjithatë, në mungesë të parave nga ana e djalit, ata nuk mund të martohen. Në këto raste, siç është vënë në dukje edhe më parë, dhe sidomos kohët e fundit, vajzës nuk i mbetet gjë tjetër veçse të ikë e të shkojë vetë te djalë që e do. Por ndodh nganjëherë që vajza nuk shkon me të ikur te djalë, por e gjithë dashuria e saj që kishte për të i kthehet në urrejtje e inat ndaj tij, pse ai nuk është në gjendje t’i sigurojë të hollat e nevojshme për martesën me të dashurën e vet, dhe këtë ajo e merr si dobësi të tij dhe e quan atë qyqar, përtac, rrugaç, që humb kohën kot, duke bredhur rrugëve poshtë e përpjetë e nuk shkon të fitojë ndonjë para:

Shkon cauca n’darsëm e me mintan të shkurt,
vesh mintanin xhamanjillon e dil e raj në kurt!
– Çe tre dit moj follaz’e malit xhi s’kam hagër buk,
çe tre dit e tre net buk e uj s’kam paj,
hala kam umut follazo se un do t’marr taj!
– Pre umutin pi mije se nauk pate pare me m’blije,
pre umutin, he more sertik, se nauk pate pare-o me më ngrit!
Ani me pas pare-o blish ni xhemadan,
çish e çite dimnin sale në mintan.
Ani me pas pare-o blish ni fes të ri,
e verove verën-o si kallanxhij!
Mos hup kohën kot, kopuk, po çollo ni qetër,
se cauc’e majr nauk rrihet me musteçe e me mekër.
Mos raj në sokak, demel, po shko n’Biligrad,
fito doni pare, mos metesh korllak!

PAJA (DARIA / ÇEZ-I)

Paja e vajzës, përkatësisht e nuses, në malësitë e Tetovës nuk njihet me këtë fjalë, por kryesisht me fjalët sllave “dari-daria” njëjës dhe “darit” shumës për malësinë e Sharrit dhe “dare-daret” në malësinë e Malit të Thatë, ndërsa në malësinë e Dervenit, si dhe në disa katunde të Sharrit që ndodhen më afër fushës dhe qytetit të Tetovës, përkrah fjalës “daria” përdoret edhe fjala “çez-i a çejz-i”. Pleqtë thonë se në të kaluarën në mbarë malësitë tona përdorej më tepër fjala çez-i sesa kjo e sotmja dari-a: “çezi i caucës, çezi i nauses”.

Vajza fillon të përgatisë pajën e vet të nusërisë sidomos gjatë kohës së fejesës së saj, gjatë kohës sa rri ajo ndër nishane. Brenda kësaj kohe vajza e fejuar përgatit edhe tesha të trupit, edhe tesha të shtratit, si dhe cikërrima e gjëra të tjera të ndryshme e të nevojshme për nusërinë e saj. Pjesën më të madhe të këtyre teshave e gjësendeve të ndryshme për nusëri ajo e përgatit vetë, duke vegjuar, qepur, thurrur, mbledhur e blerë, madje duke filluar qysh para fejesës së saj, kurse një pjesë tjetër më të vogël asaj ia përgatitin edhe familja e të afërmit e saj: motrat, kunatat, tezet, hallat etj., duke i ndihmuar kështu që ta bëjnë gati më shpejt e më mirë. Një pjesë e pajës së vajzës ka të bëjë me përgatitjen e peshqesheve të ndryshme që duhet t’ua çojë ajo anës së djalit, dhe kjo shënohet dhe me ndonjë këngë:

Xhi pënon Shqipe lule n’qosh t’qardakit?
– Va maroj zollvave moja ojat e kovrakit.
Xhi pënon Shqipe lule mindil najlon peme?
– Mo ma rando salltanatin ori verra jeme,
mo ma rando salltanatin, mo ma vin dukatin,
boll e kam be Ilir aga hijen ene shtatin;
mo ma rando salltanatin, mo ma vin takamin,
boll e kam be Ilir aga hijen e qallamin.

Oj Shqipe lule, oj kinxhja besleme,
sa do mune Ilir aga salltanat do d’vene.
– Xhi m’duhet salltanati, ore agobaba,
boll e kam Ilir agën kur e marr përpara;
xhi m’duhet salltanati, ori verra jeme,
boll e kam Ilir dilberin kur d’e çes pi dere.

Oj Shqipe hanëm mindilin me boja,
mos u ban merak e majro se nauk kije oja.
Ojat ene alltani lule nauk t’apën hije,
oj Shqipe bukuroshe vet hije m’i kije!

Oj Shqipe hanëm fjokët e gjata,
kur i krehën lale lule a i fjugën mrapa?
– Kur i fjugi mrapa m’i merr era,
mbushmi Ilir aga me çereka;
kur i fjugi mrapa m’i merr hana,
mbushmi Ilir aga me alltana!

Sallëm Shqipe hanëm, sallëm napër bafçe,
a ke ba dari e majro, a ke ba skutacçe?
Sallëm Shqipe hanëm sallëm napër kodra,
bane ikal babo derrin të t’marrëm me lodra!
Sallëm Shqipe hanëm, sallëm napër lule,
bane ikal babo derrin të t’marrëm me curle!

Nga teshat e shtratit ajo duhet të vegjojë qilima, sexhade, çarçafa, të lintë për krye, me të cilët mbulohen gratë në këtë anë për punë të havales; dyshekë të leshtë, jastëkë të leshtë etj., kurse nga teshat e veshjes së trupit duhet të vegjojë e të bëjë gati këto: skutacçe të leshta e të pambukëta, marama të linta e të pambukëta për t’i dhënë peshqesh, breza të leshtë për burra, pëlhura të pambukëta për këmisha, për brekë etj., të thurrë çorapë të leshtë për burra e për gra, të tjerrë lesh etj. Shumica nga këto punime të dorës sot janë zëvendësuar me ato të fabrikës, të cilat në pjesën më të madhe të familjeve i blen vetë ana e djalit. Në pajën e vajzës për nusëri hyjnë edhe shumë stoli ari e zbukurime të tjera të ndryshme, siç janë monedhat e arit (lirat), që varen në qafë dhe vihen në bishtalecat e flokëve, bylyzikët (hallkat), vathët, unazat, lulet e ndryshme nga floriri që vihen në krye, gjerdani prej ari, kollani që lidhet për beli mbi dimi dhe salltanete e gjëra të tjera të shtrenjta.

Të gjitha pagesat rreth përgatitjes së pajës, çejzit të nuses është e obliguar t’i kryejë familja e djalit. Gjithashtu edhe stolitë e lirave dhe zbukurimet e tjera të arit duhet t’ia blejë vajzës familja e të fejuarit. Në këtë mënyrë siç mund të shihet e të kuptohet familja e djalit është e ngarkuar me një barrë shumë të rëndë, të cilën e ka vështirë ta bartë deri te caku i dëshiruar, marrja e nuses, përkatësisht martesa e djalit. Është interesant të theksojmë se në katundet Gurguricë e Sallarevë të Malit të Thatë është zakon martesor që vajza të përgatisë pajë jo vetëm për burrin, për familjen dhe për farefisin e tij, por edhe për njerëzit e familjes dhe të farefisit të vet dhe me rastin e ekspozimit të saj, ajo i nden, i var në mur veç e veç, d.m.th. në një anë të murit e var pajën e anës së burrit, kurse më anë tjetër të tij var pajën e familjes e të farefisit të vet. Me rastin e martesës së vajzës, gratë që vijnë për t’ia uruar asaj nusërinë, e shohin, edhe pajën për familjen e djalit, edhe pajën për familjen e nuses. Paja për familjen e dhëndrit natën e enjte a të diel mblidhet dhe bëhet gati për ta dërguar të nesërmen te burri, kurse paja për familjen e vajzës mblidhet të nesërmen pasi ta kenë përcjellë nusen te burri. Pra, për dallim nga malësia e Sharrit dhe ajo e Dervenit, ku pajë përgatitet vetëm për anën e dhëndrit, në Gurguricë e Sallarevë vajza bën dhe lë pajë (dari) edhe për familjen dhe farefisin e vet.

Po përmendim se sipas pleqve, më parë i ati i vajzës e bënte gati atë, e përgatiste pajën e saj, me përjashtim të atyre rasteve kur familja e vajzës ishte e varfër dhe duhej atë ta bënte gati familja e djalit. Ndërkaq, sot pothuajse në tërësi, pa marrë parasysh se a është e varfër ose jo familja e vajzës, atë duhet ta bëjë gati familja e djalit. Familja e vajzës, nëse do i jep, përkatësisht i blen diçka asaj për pajë, nëse s’do, s’është e detyruar, me përjashtim të ndonjë gjëje të imët, si: çorapë, oja, çevre etj., që do t’i ketë thurrur a blerë ajo në kohën e vajzërisë, nëse nuk është fejuar e re. Aty-këtu përgatitja e pajës së vajzës sot bëhet edhe me marrëveshje midis prindërve të saj dhe të atyre të djalit. Nëse pranon që i ati i vajzës ta përgatisë pajën e saj, atëherë ai kërkon për këtë një sasi të hollash të veçanta, pos atyre që i jep gratis i ati i djalit, të cilat në këtë anë quhen “hupësa”, për shkak se ato me të vërtetë janë para të humbura për djalin, siç u pa më lart, kur u bë fjalë për nderën. Familjet e miqësuara mund të merren vesh ndër vete edhe për atë që një pjesë të pajës së vajzës ta bëjë gati familja e saj, e pjesën tjetër ajo e burrit të saj. Kështu, për shembull, përsa i përket pajës që ka të bëjë me teshat e trupit, familja e djalit i bën gati kryesisht dimitë, jelekët dhe mitanët e nuses, kurse familja e vajzës i bën gati skutacet (pështjellakët), këmishat, shamitë, kovrakët, çorapët, si për femra, ashtu edhe për meshkuj, që janë mbi njëqind palë, një pjesë e të cilave jepen peshqesh; brezat, çevret, maramat etj., një pjesë e të cilave shkojnë për peshqesh. Përkah teshat e shtratit, ana e djalit qet një qilim, disa jorganë, dyshekë, një sënduk etj., kurse ana e vajzës disa jastëkë, dyshekë, një qilim, disa çarqafë të leshtë etj.

Ja një këngë nga malësia e Malit të Thatë lidhur me pajën e vajzës, përkatësisht me përgatitjen e peshqesheve për anën e djalit, të fejuarit:

Hajde, Shqipe follaza, hajde,
darvet tona monu ban shum kajde,
monu ban shum kajde, monu ban verem!
– Për mixhën e madh takomi s’m’i del,
d’e ja baj me lule, d’e ja baj me tel.

Nuse follaza nder dy thana,
a n’i bane daret e tona?
– Daret e juja tashti ju baj,
ene nja tre muej daret d’a ju çoj;
daret e juja ju pgetiti,
ene nja tre muj d’ou renditi.

ÇELJA E UDHËS (Me çel udh)

Në të kaluarën, nja pesëmbëdhjetë ditë pas Shpalljes se fejesës së të birit, babai i djalit bashkë me të shoqen e vet dhe me ndonjë burrë tjetër të afërm të familjes së tij, duke u bërë kështu nja tre veta, shkojnë një ditë të caktuar, sipas marrëveshjes me familjen e vajzës, te miku i ri, te i ati i vajzës, për të çelur udhë, përkatësisht për t’ia bërë me hajr fejesën e vajzës. Si zakonisht ata shkonin pasdite te miku, ku flenin një natë atje, për shkak se ai ndodhej larg në ndonjë katund tjetër (martesat në MT në të kaluarën nuk bëheshin brenda një katundi, madje kështu është edhe sot në Derven). Me të arritur te miku, ata ua përueron familjes së vajzës miqësinë e re: “Për hajr na koft miçsajal!” Ata të vajzës përgjigjen: “Me t’majr na koft, me imër d’gjat e me shëndet!” Pastaj u jepnin mysafirëve të pinë nga një gotë sherbet me qëllim që t’u shkojë ëmbël miqësia e re dhe pas kësaj i ati i vajzës i njihte miqtë e ri me të gjithë anëtarët e familjes së vet. Me këtë rast familja e vajzës për miqtë shtronte darkë në mbrëmje dhe sillë të nesërmen, dhe pastaj i përcillte ata. Si të kenë kaluar nja pesëmbëdhjetë ditë nga kjo kohë, familja e vajzës shkonte tek ajo e djalit për t’ia kthyer shkuarjen në miqësi të re. Gjithashtu edhe nga ana e vajzës shkonin nja tre veta: i ati dhe e ëma e vajzës dhe ndonjë burrë tjetër i afërt i tyre, ku flinin një natë atje, duke pirë sherbet më parë dhe pastaj duke ngrënë darkë dhe sillë.

Sot, pas nja një jave, shumë-shumë edhe pas dy javësh nga shpallja e fejesës, një ditë të hënë a të enjte vjehrra, e ëma e djalit, së bashku me të shoqin ose me të birin e saj më të madh (nëse këta i mungojnë, atëherë merr vëllanë e vet ose ndonjë kushëri) shkojnë te nusja për “me çel udh” a siç thuhet në Brodec e Shipkovicë “për me çel oudh”, d.m.th. sa për të hapur rrugën e shkuarjes e të ardhjes mes dy familjeve të miqësuara. Me fjalë të tjera, familja e vajzës, duke marrë shpeshherë me vete edhe ndonjë fëmijë të moshës së mitur, sidomos djalë, me qëllim që nusja të lindë dhe atë djalë, kur të vijë te burri, shkojnë të miku për t’ia uruar fejesën e vajzës. Pas përshëndetjeve të mirëseardhjes, ata ua bëjnë hajrë fejesën e vajzës: “Hajrli u koft!” Ose: “Për hajr na koft miqsaja! Allahi na e shtoft muhabetin!” Përgjigjja është: “Hajr pashi! Allahi na dritoft e mo na maroft! Kismetin e paha pas te ju.” Aty-këtu në ndonjë familje dhe katund, kur shkohet te nusja për të çelur udhë, prindërit e djalit e marrin me vete edhe shkuesin, siç ndodh në Brodec etj. Në Malësinë e Sharrit shkohet te nusja për të çelur udhë zakonisht natën, pasdarke, kur vajza është prej një katundi me djalin, dhe paradite, kur vajza është prej ndonjë katundi tjetër. Te miku i ri nuk rrihet më tepër se nja një orë. Mique të rinj u japin të pinë nga një kafe a çaj mali ose bjeshke, që janë me bollëk në këtë anë. Aty-këtu, sipas familjeve, u vënë edhe bukë të hanë, madje jo vetëm atëherë kur miku i përket katundit tjetër, por edhe atëherë kur miku është prej një katundi, kur të dy miqtë janë bashkëkatundarë.

Në katundet e Dervenit shkuarja te nusja “me çel udh” njihet me shprehjen “me d’gjatamë”: “Ditën e han do shkojm te nausja me d’gjatamë”. Për këtë shkuarje te nusja në katundet e kësaj malësie thuhet edhe: “Do shkojm n’miqsaj t’reje!” Ose thjesht thuhet: “Do shkojm te nausja për s’pari”. Në këtë malësi me vjehrrën dhe vjehrrin shkojnë te nusja edhe nja pesë-gjashtë gra të afërta me familjen e djalit, duke u mbledhur kështu gra e burra deri dhjetë veta dhe i çojnë nuses edhe këto gra ndonjë bakshish. Edhe këta marrin me vete një djalë të vogël, në mënyrë që, sipas besimit nusja të bëjë djalë në krye të herës. Shkojnë që nga mëngjesi te nusja: pak më herët (ajo është prej një katundi tjetër, meqë në këtë anë s’japin e s’marrin brenda katundit), hanë dreke atje dhe në mbrëmje kthehen në shtëpi. Edhe në Derven, si në Malësinë e Sharrit, çojnë te nusja me këtë rast bukë me sheqer, kurse sot më tepër çojnë tortë. Në këtë anë sot shkohet te nusja “me d’gjatamë” edhe ditën e diel.

Shkuarja e parë te nusja në katundin Orashë njihet me shprehjen “me çu pare”. “Do shkojm te nausja me çu pare”, që do të ketë mbetur nga ajo kohë, kur të atit të nuses do t’i ketë çuar një sasi të hollash si “nderë” i ati i djalit, krahas bakshisheve të tjera që i dërgohen nuses me këtë rast. Edhe në Orashë, si në Derven, atyre që shkojnë “me çu pare te nausja”, kryesisht vjehrri dhe vjehrra, u vihet bukë nga familja e vajzës. Në këtë anë, kur shkohet te nusja “me çel udh”, “me d’gjataume” a “me çu pare”, edhe fqinjët i çojnë asaj bakshishe: ndonjë shami, faculetë, çorapë, ndonjë kuti llokum etj. Nusja u jep të gjithëve bakshishe që kanë qenë tek ajo dhe ua kthen bakshishet atyre që i kanë dërguar asaj.

Në katundet Gurguricë e Sallarevë të Malit të Thatë shkuarja te nusja dy javë pas fejesës së saj, “dy jav mbas t’folmes”, njihet me shprehjen “me t’pât”. Shkojnë ditën e hënë a të enjten vetëm dy gra: vjehrra me kunatën e vet ose me bijën e vet më të madhe dhe sipas zakonit, e marrin edhe këta një djalë të vogël, në mënyrë që nuses, kur të vijë te burri, t’i shkojë jeta mbarë, të bëjë djem në fillim. Këta i çojnë nuses “shendejtin e vet, nderin e vet”: diçka për të ngrënë familjes së nuses, kryesisht ndonjë ëmbëlsirë a bukë me sheqer dhe ndonjë petk a gjësend tjetër ndërsa nuses: këmishë, fustan, këpucë etj. Ana e nuses i pret mirë e me respekt këto gra, duke u shtruar edhe bukë të hanë. Gratë ua bëjnë për hajr fejesën e vajzës familjes së saj dhe bisedojnë kryesisht për atë se çfarë gjërash e materialesh duhet t’i sjellin vajzës së fejuar për të punuar derisa rri ndër nishane. Mbas pak kohe, pasi të kenë ngrënë bukë, këto gra çohen e shkojnë në shtëpinë e vet, duke ua dhënë me vete ana e nuses “shendejtin e vet, nderin e vet”, gjithashtu diçka për të ngrënë dhe ndonjë gjësend tjetër si bakshish. Edhe djalit të vogël i japin diçka, kryesisht çorapë. Si çdokund tjetër në anën tonë, edhe në këto dy katunde, gjithë ditën bien dajret dhe këndohet. Edhe këtu ahengu i “t’patës” zgjat vetëm një ditë.

Me rastin e shkuarjes për të çelur udhë, vjehrra i çon nuses së ardhme, përkatësisht vajzës që ka fejuar për të birin, një kat tesha komplet për vajza prej këmbëve e deri në krye: nallone ose bata (një lloj këpucësh prej llastëku) ose edhe njërën edhe tjetrën, çorapë të leshtë, dimi të kaltëra të qepura prej një lloj basmeje, që në këtë anë e quajnë “amerik”, pështjellak të bardhë të leshtë, që në MT e quajnë skutacë ose strauk nga sllav. struk = shtat-i. Për manash kjo ka nga një rreth deri pesë centimetra të gjerë e të stolisur bukur me harxhe ngjyrë të kaltër; një fanellë basme me lule të ndryshme dhe një shami kryesisht të bardhë, siç i mbajnë vajzat në këtë anë. Pos teshave të veshjes, nuses i çojnë edhe material për punë dore si kerra (makara) me najllon, mëndafsh për oja, illëz (yje) vizllues, që janë të vegjël, të hollë e të rrumbullakët e që kapen për ojash për çështje zbukurimi, rruaza të llojllojshme përkah forma e ngjyra, të cilat gjithashtu shërbejnë për zbukurim, duke i vënë në oja, nëpër mëngët e këmishave etj. Njerëzve të tjerë të familjes së vajzës nuk u çojnë gjë, pos babait të saj një maramë dhe t’ëmës një shami. Sot, ndër shumë familje, pos nuses, vjehrra u çon diçka edhe njerëzve të tjerë të familjes së saj: burrave që janë pak në moshë nga një maramë, kurse më të rinjve nga një çevre, si nënës së saj, ashtu edhe motrave e nuseve të vëllezërve nga një shami. Peshqeshe u çojnë edhe të afërmve të tyre me familjen e nuses, si dajës së saj, nënës gjyshe, tezeve etj. Vjehrra çon ndër të tjera, edhe një pjatë (sahan) të mbushur me petulla, të cilat bëhen prej mielli të grunjtë dhe piqen në tëlyer dhe një bukë gurabije të skalitur për sipri me kokrra sheqeri, por sot më së shumti çojnë ëmbëlsira: aligyn, bakllavë, talli, tortë, sheqerpare etj. dhe një letër sheqerka ose leblebia. Anasjelltas, nusja i jep vjehrrës po ashtu dhurata: asaj një palë çorapë ose një shami, kurse burrit të saj ose djalit që është me të i jep një maramë; të tjerëve jo. Mirëpo sot shumë familje, sipas mundësisë, u çojnë dhurata edhe njerëzve të tjerë të shtëpisë së burrit: vjehrrit, babës lok dhe kunetërve më të vjetër marama, kurse më të rinjve çevre; vjehrrës, kunatave dhe zollvave shami, burrit çorapë, çevre, aty-këtu edhe këmishë. Dikush i çon edhe dajës së burrit, mixhave, tezeve e hallave diçka: meshkujve kryesisht marama, kurse femrave shami. Bakshishet e nuses ndihen në dhomë, duke i varur në mur, ku vijnë dhe i shohin farefisi dhe miqtë e anës së djalit. Shkuarja në miqësi të re te nusja a për të çelur udhë, për t’ia uruar fejesën e së bijës mikut, përcillet me këngë e dajre tërë ditën që nga mëngjesi e deri vonë në mbrëmje, duke zgjatur kështu një ditë gjithë ditën. Ja nja dy nga këngët që këndohen me rastin e shkuarjes për të çelur udhë te nusja:

Mori nausja jon flokêt si duj,
vajn hanko nenja me çel udh,
ene me çel udh me e ba për hajr
miçsajn e reje, miçsajn e majr.
– Ne vaje, ne vaje do t’i bajm sajgji:
d’i japëm me ngran, d’i japëm me pi;
ne vaje, ne vaje do ta presëm,
ene pa bakhajshe nauk e çesëm.

Oj Shqipe, lule me sajvin e zi:
do t’i bere hanko nenja dimijat mavij;
oj Shqipe, lule, ori hiri gjuzel:
do ta bere hanko nenja xhaketën me tel;
oj Shqipe, lule, dil e rraj në moll:
do t’çoje Ilir aga sahat për në dor.
He mori e madhe sa mani,
kimi merak se a d’ban mintani etj.

BAJRAMLLËKU

Nga dita e shpalljes së fejesës, pasi të ketë kaluar një kohë prej një deri dy muajsh, në MT duhet shkuar prapë te vajza e fejuar. Kjo shkuarje quhet në këtë anë “Bajramllajk”: “A kini shkue te nausja n’Bajramllajk?” “Hala s’kan ardh te nausja n’Bajramllajk” etj. Më parë Bajramllëku lidhej me festën fetare të Bajramit nga do ta ketë marrë dhe këtë emër dhe shkohej te nusja për Bajramllëk një javë para kësaj feste, kurse sot, sidomos në Malësinë e Sharrit, Bajramllëku nuk lidhet me këtë festë fetare muhamedane dhe shkohet te nusja për Bajramllëk disa javë pas fejesës së saj pavarësisht nga koha e kësaj feste. Në Bajramllëk shkohet ditën dhe kryesisht ditëve të hëna dhe të enjteve. Zakonisht shkojnë vetëm femrat, gratë: nëna e djalit, tezet, hallat e motrat e tij, nuset e dajave e të mixhave, ndonjë grua e lagjes së djalit ose dikush tjetër që është e afërme me familjen e tij, duke u mbledhur kështu deri dhjetë-dymbëdhjetë sosh, të cilat me këtë rast marrin me vete patjetër edhe një djalë të vogël prej pesë-deri dhjetë vjetësh dhe me të arrijnë numri tek, duke u bërë kështu njëmbëdhjetë-trembëdhjetë veta. Djali dhe numri tek kanë për qëllim që nusja kur të vijë te burri, të lindë djalë në fillim. Me numrin tek, për të cilin mendojnë në këtë anë se ka zar, se sjell fat në jetë, besohet edhe mbarëvajtja e jetës së të rinjve në përgjithësi. Kur shkohet brenda katundit, te nusja për Bajramllëk shkojnë vetëm gra por kur shkohet në ndonjë katund tjetër, atëherë me gratë shkon edhe ndonjë burrë: babai i djalit, mixha, daja, vëllai i tij i madh ose ndonjë tjetër i afërm për t’i përcjellë ato. Këtë burrë ana e nuses e futin brenda te burrat dhe e presin mirë me muhabet e me bukë e pije. Aty-këtu, sipas familjeve e katundeve, në Bajramllëk shkohet edhe me marrëveshje: shkojnë vetëm gra ose burra e gra përzier, madje edhe brenda katundit mund të shkojë me gratë ndonjë burrë i moçëm, të cilin e futin te burrat dhe i bëjnë sajdi (sajgji).

Është interesante të përmendet se në katundet Novosellë e Sellcë të Keqe të Sharrit shkojnë për Bajramllëk te nusja të gjitha gratë e katundit. Kështu, për shembull, ato si të kuptojnë në katund se ndonjë familje shkon për Bajramllëk te nusja, sipas zakonit që mbretëron, çohet prej secilës shtëpi nga një grua e shkon për Bajramllëk te ajo familje fare pa u ftuar dhe kështu mblidhen deri njëqind e më tepër gra. Nëse ndonjëra nga gratë e ndonjë shtëpie s’ka shkuar për Bajramllëk, familjes së djalit të fejuar i mbetet hatri dhe s’i shkon pastaj as gruaja e kësaj familjeje kur ajo grua të shkojë në Bajramllëk për të birin e vet. Të gjitha gratë e këtyre dy katundve që shkojnë për Bajramllëk i çojnë nuses diçka në formë bakshishi. Ndërkaq, vjehrra çon më shumë bakshishe për nusen dhe për familjen e saj. Këtyre grave familja e vajzës u vë dhe bukë të hanë dhe ua kthen njësoj bakshishet, sipas asaj që kanë sjellë ose duke i dhënë nga një palë çorapë, maramë a peshqir.

Bajramllëku, ndër të tjera, ka edhe karakter fetar: besohet se është sevap që për festën e Bajramit të Madh a të Vogël të shkohet te nusja. Nëse është festa e Bajramit afër ato e presin atë dhe shkojnë atë ditë te nusja, por nëse ajo është larg, shkojnë një ditë tjetër pa marrë parasysh se nuk është Bajram. Numri i grave shpeshherë është i caktuar, sipas dëshirës dhe mundësive të nënës së vajzës së fejuar, e cila i thotë nënës së djalit që të sjellë një numër grash që sillet prej 5-13 sosh. Përkah vjetërsia, gratë duhet të jenë me moshë mesatare: as shumë të reja, as shumë plaka. Secila nga këto gra përgatit një sahan me petulla ose me kollpite, me fli, me ëmbëlsira: bakllavë, aligjyn, sheqerpare etj. Ato i çojnë nuses edhe diçka tjetër, kryesisht për veshje, si: ndonjë kombinezon (dikollë-a), ndonjë shtëllungë lesh, ndonjë top pambuk, ndonjë makara najllon për oja, fanellë, shami, xhamadan (jelek), dy-tri metra basmë, ndonjë faculetë (mindil-i) etj. Ndërkaq, vjehrra i çon nuses një kat tesha basmash të ndryshme, por kësaj radhe të nusërisë e jo të vajzërisë, të cilat jo vetëm që e njohin nusen me veshjen e ardhme të saj, por njëkohësisht i tregojnë se familja e burrit ka nisur të përgatisë pajën e saj. Nëse vajza do të rrijë për disa vjet ndër nishane, atëherë i çojnë edhe një kat teshash të vajzërisë njësoj sikur kur shkojnë për të çelur udhë. Kësaj here vjehrra, përkatësisht familja e djalit duhet pa tjetër t’i nderojë me ndonjë dhuratë të gjithë anëtarët e familjes së nuses: të atit të vajzës një këmishë apo një maramë, kurse meshkujt e tjerë nga një çevre apo maramë; të ëmës së vajzës një fanellë ose një shami, motrave nga një shami, kunatave nga një dikolltë. Madje u çojnë edhe dajave e mixhave të vajzës nga një maramë a peshqir. Njëkohësisht, vjehrra i çon nuses edhe mbi dhjetë kilogram lesh, mbi pesë kilogram pambuk dhe sende të tjera për punë. Me lesh ajo duhet të bëjë çarçafa të leshtë, jastëk të leshtë, çorapë të leshtë etj., kurse me pambuk bën çarçafa pambuku, pështamalle, peshqira (sergija) për ta marrë ujin me rastin e larjes, peshqira a marama për duar, marama për sofra etj. Një ditë para se të shkohet në Bajramllëk, nëse është festë Bajrami, qysh ditën e Arifeve, në shtëpinë e djalit nis shendi: fillojnë të bien dajret e të dëgjohet kënga; gratë dalin nga shtëpia e djalit të nesërmen aty kah dreka dhe i përcjellin deri jashtë oborrit, duke kënduar këngë që kanë të bëjnë me darinë, me punët e vajzës, përgatitjen e saj për nuse; theksohet mërzitja e vajzës që s’është e lirë si më parë në festat e Bajramit e të Shëngjergjit, vihet në dukje bukuria e saj etj.:

Oj Shqipe lule me nazërlajk,
d’vajn hanko nenja në Bajramllajk.
– Ene hanko nenes une xhi d’i ap?
– D’i ap shamoj, d’i ap çerap.
Ori nause lule me ilellajk,
d’vajn hanko nenja në Bajramllajk,
do d’bere petka, do d’bere bakshajsh.

Oj Shqipe lule, lulja arrës,
mos i vesh dimijat nër soj d’babës:
epja shoçe dosës t’t’i oshtoje,
athere baba jot nauk d’i mtoje.

Oj Shqipe lule, lulja thanës,
mos e vesh shaketën nër soj t’anës:
epja motrës tane ta oshtoje,
athere nana jote nauk da mtoje.

Edhe te shtëpia e vajzës mblidhen gra të thirrura kryesisht nga farefisi i saj. Disa nga këto gra dalin te oborri (kurti) për t’i pritur gratë që vijnë nga ana e djalit në Bajramllëk. Çdo njerën nga to e marrin në grykë (ngrajk), duke i uruar mirëseardhje. Nëse ka ndonjë nga gratë e anës së djalit që më parë s’ka qenë në këtë shtëpi për t’ia uruar fejesën e vajzës, atë e bën me këtë rast, duke thënë: “Hajrli u koft! Zoti muhabetin va shtoft!” Përgjigjja është: “Hajr pashi!” Grave u japin të pinë më parë nga një kafe. Pasi rrinë pak e bisedojnë kryesisht për punë të fushës e bereqetet, u qesin t’i lajnë duart në një legen, duke i shkuar çdo njerës te vendi i vet ku është ulur, dhe pastaj vënë sofër në të ngërënë bukë. Rreth e rrotull sofës qesin një maramë të gjatë, të cilën e marrin përpara gratë sa për mos t’u përloyer nga gjellët. Në sofër ulen të përziera me gratë e thirrura nga ana e vajzës. Më parë i sjellin në sofër (tryezë) me një tepsi lugët dhe bukën, pastaj e bien çorbën. Pas kësaj vijnë me radhë sarma, janoja/janaja (jani-a), që është një lloj gjelle e përgatitur nga mishi, ku shtinë edhe pak patate dhe qepë apo presh të fërguar me biber të kuq si mejhane; bir(i)jani, që bëhet kryesisht nga orizi ose në mungesë të këtij nga bunguri, ku sipër ka copa mishi sidomos të pulës; dhe në fund sjellin sytliaçin, orizin me tëmbël dhe me sheqer. Kur e lënë të gjitha bukën, atëherë i bëjnë një dua sofës për çështje bereqeti, pas së cilës ato prapë marrin nga një lugë sytliaç që të bëhet kabull ajo që u tha në dua si dhe punët mes dy familjeve të porsamiqësuara të përfundojnë gjithnjë me biseda të ëmbla si tëmbëlorizi. Mandej gratë largohen nga sofra, duke i uruar bereqet shtëpisë së vajzës: “Elhamdurilah, zoti va shtoft! Allahi bereqet u dhasht! Kurr eksajk mo vu baft!” Përgjigjja është: “U baft majr!” Ngrihet sofra dhe aty prapë u qesin t’i lajnë duart si në fillim, të cilat i fshijnë po me ato marama që kanë pasur përpara prehërit. Pas pak kohe u japin të pinë prapë nga një kafe dhe pastaj çohen e shkojnë, duke ndenjur nja tri-katër orë: vijnë kah dreka dhe kthehen kah iqindia. I përcjellin deri te dera e oborrit, duke i thënë çdo njerës veç e veç “Udh’e mar!” dhe duke e marrë përsëri në grykë. Përgjigjja është: “Meçi t’majr!” E ëma e vajzës, përkatësisht familja e saj, nëse do, u çon të gjithë anëtarëve të familjes së djalit nga një dhuratë, si: burrit: corape, çevre e këmishë; vjehrrit: maramë, çorape e këmishë, kunetërve: çorape e çevre, vjehrrës: çorape e shami, kunatave: nga një palë çorapë, zollvave: gjithashtu nga një palë çorapë. Edhe dajave e mixhave nga një palë çorapë ose nga një peshqir, kurse grave të tyre nga një shami apo nga një palë çorapë. Nëse ana e vajzës nuk do, nuk çojnë asgjë dari, gjë që lejohet nga zakoni. Djalit të vogël, që ka ardhur me gratë, i japin doemos një çevre. Grave të tjera të anës së djalit, duke përfshirë këtu edhe vjehrrën, të ëmën e tij, u futin nëpër sahanë nga një copë bukë sa mos t’ua kthejnë thatë si dhe nga një palë çorapë ose nga një shami. Me të kthyer gratë në shtëpinë e djalit, nuk shpërndahen menjëherë nëpër shtëpitë e veta, por rrinë aty nga një orë, duke luajtur e duke kënduar, e pastaj shkojnë nëpër shtëpitë e veta, duke mos marrë asgjë nga ana e djalit. Loja e kënga vazhdon te djalit gjithë pasdrekes, madje dajret nuk ndalen për një javë rresht nga dita kur shkohet në Bajramllëk. Ngjashëm me Bajramllëkun e Malësisë së Sharrit, në katundet Gurguricë e Sallarevë nja tre muaj mbas “t’patës” shkohet përsëri te nusja “e folun”, që njihet me shprehjen “me derge(j)s”: “Do shkojm te nusja me dergejs”. Njësoj si në Sharr për Bajramllëk edhe në këto katunde të Malit të Thatë shkojnë te nusja “me dergejs” vetëm gratë: vjehrra (krushka), kunatat e vjehrrës (mixhavicat e djalit), motrat e djalit a të burrit (zollvat), hallat, tezat (kejkat), gra të fqinjëve etj., duke e marrë me vete edhe kësaj radhe sa për adet një djalë të vogël. Këto gra çojnë te nusja si shëndet diçka për të ngrënë: petulla me tëlyer e me sheqer, që i quajnë “tingejnica”. Këto i çojnë nuses edhe diçka tjetër si bakshish, ndonjë petk e gjëra të tjera. Ana e nuses këtyre grave u shtrojnë edhe drekë të hanë dhe kur dalin për të shkuar ua kthejnë shëndetin, nderin që kanë sjellë, gjithashtu me petulla me tëlyer e me sheqer, me “tingejnica”, që janë “shëndeti i nuses” dhe nga i cili hanë mbarë familja e djalit. Gjithashtu edhe në këtë anë bien dajret e këndohet këtë ditë te shtëpia e djalit, sidomos kur i përcjellin dhe kur i presin gratë që kanë shkuar “me dergejs te nusja”.

Në katundet e Dervenit shkohet te nusja për Bajramllëk vetëm lidhur me festat fetare të Bajramit të Madh dhe të Vogël e jo si në Malësinë e Sharrit, ku shkohet te nusja një a dy muaj pas fejesës edhe atëherë kur s’është festa e Bajramit. Kjo do të thotë se nëse dikush e bën dasmën më shpejt, pa arritur ndonjë festë e Bajramit, atëherë nuk bëhet kurrfarë Bajramllëku për të shkuar te nusja. Edhe në Derven, Bajramllëku i nuses në festat e Bajramit nuk ndryshon nga Bajramllëku i anës së Sharrit përkah brendia dhe organizimi ashtu siç u përshkrua më sipër. Sipas zakonit të Malësisë së Sharrit, për çdo vit, derisa është e fejuar vajza, duhet të shkohet tek ajo për Bajramllëk, d.m.th. sa vjet të rrijë ndër nishane, aq herë i çojnë Bajramllëk asaj. Bajramllëku si u pa dhe më lart i kushton mjaft familjes së djalit, prandaj nëse është caktuar afati i martesës së dy të rinjve pak kohë para se të mbushin një vit fejese, në këtë anë nguten shpejt e shpejt që ta bëjnë dasmën sa s’ka zënë viti tjetër i fejesës e që pastaj duhet të çojnë prapë Bajramllëk te nusja. Në Veshallë vetëm njëherë shkohet në Bajramllëk te nusja pavarësisht nga ajo se rri më tepër se një a dy e më shumë vjet ndër nishane.

Nga Bajramllëku e deri sa të merret nusja shkuarje-ardhjet midis dy familjeve të miqësuara janë fare të rralla dhe gjithnjë të kushtëzuara nga ndonjë arsye. Më tepër shkon familja e djalit te ajo e nuses kryesisht për ndonjë punë rreth përgatitjes së pajës. Më së shumti dërgohen fëmijët, që bartin porositë e të mëdhenjve lidhur me kryerjen e ndonjë pune. Shkuesi ka më pak punë: ai çohet për ndonjë çështje më të ndërlikuar. Kështu duhet të theksojmë se nusja, pos fëmijëve të vegjël deri 10-12 vjeç, askujt tjetër nga të afërmit e burrit nuk i del. Ajo fshehet prej tyre, madje edhe në rrugë kur i takon, ikën nga ta. Këtë e bën si duket në shenjë nderimi që ka ndaj tyre, “Se si mo mçefet” – thonë në këtë anë – “vajn sikur nausja nauk i sajdisën e, si mos i sajdise, athere ene nauk i do”. Mirëpo duhet përmendur se këtë gjë e bën edhe nga turpi që ka prej tyre.

SHKUARJA TE NUSJA PËR FESTAT FETARE DHE PAGANE

Në të tria malësitë e Tetovës te nusja shkohet edhe për festat fetare të të dy Bajramave: edhe të Bajramit të Madh, edhe të Bajramit të Vogël. Për këto festa fetare muhamedane shkojnë te nusja prindërit e djalit: nëna dhe babai, duke marrë me vete shpeshherë edhe ndonjë fëmijë të vogël, sidomos djalë. Në Derven përveç vjehrrit dhe vjehrrës shkon edhe ndonjë burrë a grua tjetër e gjakut të tyre. Brenda katundit shkojnë në këmbë dhe kryesisht pasdarke, kurse jashtë katundit shkojnë me kuaj dhe kryesisht në mëngjes, ku hanë drekë te miku dhe kthehen në mbrëmje. Si zakonisht shkohet te miku i ri për Bajram ditën e dytë të kësaj feste fetare dhe çojnë atje, ndër të tjera, edhe diçka nga hajet që kanë bërë për sillë të Bajramit, si dhe bakshishet e zakonshme për nusen dhe familjen e saj. Madje nuses për Bajram i çon ndonjë dhuratë edhe dikush tjetër nga farefisi i djalit dhe fqinjët e tij. Edhe ana e nuses u kthen këtyre bakshishe. Aty-këtu, sipas familjeve sidomos në malësinë e Sharrit, shkojnë te nusja nja dy-tri ditë përpara kësaj feste ose ditën e Arifeve, sidomos pasdarke, d.m.th. natën e Bajramit. Me këtë rast është zakon që nuses t’i çojnë për Bajram edhe një kat tesa të veshjes prej kresë e deri te këmbët, si: shami a sharpë (një lloj shamie e larme me theka skajeve), fanellë, dimi të kaltëra, këpucë llastëku (bata), nallane etj., të cilat vajza i vesh ditën e Bajramit, d.m.th. për këtë festë ndërrohet ajo me këto tesa që ia ka çuar djali. Edhe vajza u çon peshqeshe familjes së djalit: të gjithë njerëzve të shtëpisë u çon ndonjë bakshish: çorapë, maramë, faculetë, shami etj., kurse djalit, burrit të saj të ardhshëm, i çon një palë çorapë dhe një çevre. Po përmendim se për festat e Bajramit shkojnë vetëm ana e djalit te nusja, kurse ana e vajzës e nuses nuk shkojnë për të bërë Bajram te familja e djalit, me përjashtim të Malit të Thatë, siç do të shihet më tej.

Për festat e Bajramit familja e djalit çojnë te nusja për të bërë Bajram edhe ndonjë fëmijë të vogël prej një deri pesë sish pavarësisht nga gjinia: djalë a vajzë ose përzier djem e vajza. Këta fëmijë shkojnë ditën e Bajramit dhe, meqë janë të moshës jomadhore, atyre u del nusja, nuk u fshehet. Ata e marrin nusen në grykë (e përqafojnë) dhe ia urojnë asaj festën e Bajramit, duke i thënë: “E gjëzofsh / e gzofsh Bajramin!” dhe nusja ua kthen urimin: “Kofsh shnosh/shëndosh, ene taj/tej e gjëzofsh/gzofsh!” Me këtë rast nusja u jep këtyre fëmijëve sheqerka, ndonjë kokër peme dhe i dhuron me ndonjë peshqesh, zakonisht me nga një palë çorapë ose me nga një faculetë. Këta fëmijë të anës së djalit sipas zakonit çojnë te nusja sillë Bajrami, d.m.th. diçka për të ngrënë nga dreka e kësaj festë që është bërë te djali. Fëmijët i presin dhe i sajdisin mirë te nusja, duke u dhënë edhe të hanë diçka nga ëmbëlsirat e drekës së Bajramit. Ata te nusja nuk rrinë më tepër se nja një orë a gjysmë ore. Edhe familja e nuses i çon sillë Bajrami asaj të djalit, duke futur pak ëmbëlsirë në atë sahan të tyre, të cilin ua kthejnë nëpërmjet këtyre fëmijëve. Këta fëmijë shkojnë te nusja për Bajram vetëm nëse është ajo prej të njëjtit katund me djalin ose prej ndonjë katundi të afërt, por nëse është ajo prej ndonjë katundi tjetër, që ndodhet larg nga katundi i djalit, atëherë te nusja për Bajram nuk shkojnë fëmijët, por vetëm të rriturit, prindërit e djalit. Te nusja i çojnë fëmijët për Bajram më tepër ato familje të cilat nuk çojnë tek ajo njerëz të rritur për këtë festë. Pra, aty-këtu, sipas familjeve, sidomos në Sharr, te nusja nuk shkojnë prindërit e djalit për Bajram, siç ndodh zakonisht, por i çojnë vetëm fëmijët. Nga disa familje shkojnë te nusja vetëm burrat për Bajram: i ati i djalit me të vëllanë e vet dhe me një djalë të vogël, i cili hyn te nusja dhe kjo i jep një bakshish. Shkuarja te nusja për të bërë Bajram, për t’ia uruar festën e Bajramit asaj dhe familjes së saj, njihet në këto anë me fjalët “me u pek”, që do të thotë “për t’u takuar”: “A ini kan te nausja me u pek për Bajram?” etj. Në të kaluarën kanë pasë shkuar te nusja për Bajram vetëm burrat. Në katundet Novosellë dhe Sellcë të Keqe të Sharrit shkojnë te nusja për Bajram vetëm gratë, duke marrë me vete edhe ndonjë fëmijë të vogël. Në të gjitha rastet e shkuarjes për festë të Bajramit te nusja u bien dajreve, këndohet e vallëzohet, si:

Oda me tavan, oda me tavan,
oj Shqipe hanëm a kije Bajrom?
Si to kete Ilir aga ene une kom,
athere Bajromin do ta bojm tamom.

Oj Shqipe hanëm, o me minton,
luj lule, luj, ene n’ket Bajrom;
ene n’ket Bajrom do luj me xhaket,
n’at qetrin Bajrom, n’dimija-jelek.

Oj Shqipe lule me minton,
d’vajn hanko nenja për Bajrom.
– Ne vaje, ne vaje, do t’i bojm sagji,
d’ja vina shkomim me postaqi etj.

O lum e lum për të lumin zot,
lum kush asht xhall për Bajromin n’mot!
Për Bajromin n’mot ne do jesëm,
nauk e kimi menden d’vdesëm;
për Bajromin n’mot ne do rrojna,
nauk e kimi menden nause t’shkojna.

Në katundet Gurguricë e Sallarevë ditën e parë të festës së Bajramit të Madh e të Vogël shkojnë për Bajram, “n’bajramllak” te miku i ri, te familja e djalit, familja e vajzës: babai, nëna dhe vëllezërit e nuses, që kjo s’është zakon për Malësinë e Sharrit dhe për atë të Dervenit që të shkojnë për Bajram familja e vajzës te ajo e djalit. Sidoqoftë, familja e vajzës së fejuar në këto dy katunde pritet mirë për Bajram nga familja e djalit, duke i shtruar asaj për të ngrënë edhe dreknë, sillën e Bajramit. Familja e vajzës i sjell familjes së djalit edhe pak haje, drekë që në këtë anë i thonë “shendet Bajrami”. Pasi të kenë ngrënë sillën e Bajramit, familja e vajzës kthehet në shtëpi të vet. Anasjelltas, ditën e dytë të Bajramit familja e djalit shkon dhe çon, kthen “shendet Bajrami” te familja e vajzës së fejuar, pak haje nga dreka dhe ndonjë dhuratë për nusen. Shkojnë përzier burra e gra te nusja për Bajram: i ati dhe e ëma e djalit, mixha i tij dhe ndonjë grua tjetër e familjes së ngushtë. Edhe familja e djalit pritet mirë e me respekt nga familja e nuses, duke i shtruar asaj edhe bukë të hajë, ku pastaj kthehen në shtëpi.

Gjithashtu në të gjitha katundet e MT shkohet te nusja edhe për festën fetare-pagane të Shëngjergjit. Njësoj si për festat fetare të Bajramit, edhe për këtë festë të krishterë shkojnë te nusja prindërit e djalit, e ëma me t’atin e tij, duke marrë edhe një fëmijë të vogël me vete, më tepër djalë, për arsye tashmë të njohura. Këta shkojnë te nusja e tyre e ardhme nja dy ditë para kësaj feste, përkatësisht një ditë para Ditës së luleve dhe i çojnë me këtë rast asaj gjithashtu një kat tesa të veshjes, prej shamisë a shervetes e deri te batat, që janë një lloj të mbathurash prej llastëku, si dhe fanellë, dimi të kaltëra (vajzash) dhe skutacë të bardhë (vajzash). Shkojnë te vajza e fejuar kryesisht pasdarke, rrinë nja një orë atje, pinë nga një kafe a çaj mali dhe kthehen në shtëpi. Nëse nusja është prej ndonjë katundi tjetër, atëherë shkohet te ajo për Shëngjergj ditën dhe me kuaj, ku pos kafesë e çajit, u shtrojnë edhe bukë të hanë anës së djalit. Familja e vajzës nuk shkon për Shëngjergj te ajo e djalit. Të gjitha këto tesa kat (komplet) që i kanë ardhur vajzës me rastin e kësaj feste nga ana e djalit, i vesh ajo dhe ditën e Shëngjergjit, herët në mëngjes, shkon në mal për lule bashkë me shoqet e veta. Pasi të jetë kthyer nga lulët, familja e djalit çojnë te nusja e tyre ndonjë fëmijë, dy a tre sish, s’ka rëndësi gjinia a janë djem a vajza, për t’i çuar familjes së saj diçka për të ngrënë nga silla e tyre e Shëngjergjit, si: fli, kollpite, pite ose ndonjë ëmbëlsirë: bakllavë, aligjyn, sheqerpare etj. Me këtë rast i çojnë dhuratë të vogël edhe nuses. Këta fëmijë i pret mirë nusja, i merr në grykë dhe ua uron Shëngjergjin, duke u thënë: “E gjëzofshi Shënxhexhin!” dhe ata ia kthejnë urimin: “Kofsh shnosh, ene taj e gjëzofsh!” Pastaj nusja u jep bakshish si zakonisht nga një palë çorapë, si dhe për të ngrënë diçka: ndonjë kokërr vezë, pemë, sheqer etj. Familja e vajzës i kthen sillën e Shëngjergjit familjes së djalit nëpërmjet këtyre fëmijëve, duke u futur në sahanin e tyre diçka nga haja që kanë bërë për sillë të kësaj feste.

Për ditën e Shëngjergjit mblidhen vajzat edhe në shtëpinë e të fejuarit dhe u bien dajreve, këndojnë e vallëzojnë. E këndojnë kryesisht nusen e fejuar lidhur me peshqeshet që i kanë dërguar për Shëngjergj, për mërzitë që e kanë kapluar, sepse nuk do të mundet edhe tjera vjet ta festojë këtë festë, për bukurinë e saj etj.

Á idhnaue Shqipe lulja, á hunxh n’krevet,
á idhnaue e majra me nanën e vet.
– Pse moj nana jeme m’dhae sivet?
S’ën e baj Shënxhexhin sikur qera vet.
– Sikur qera vet ne ta baje,
Ilir aga Shënxhexh d’i çoje,
lulja gorobijat d’i maroje.
Á idhnaue Shqipe lulja á hunxh me ni qosh,
e ka hunxh e majra shamoën teposht!
– Pse Shqipe lule idhnauehsh?
Une do t’çoj fanell t’ndrrauehsh!
do t’çoj shiger t’amëltauhesh!

Kur do dalën shoçet o për Bajram,
rrej rahat, oj nana jeme, se une nauk jam;
kur do dalën shoçet o për Shënxhexh,
rrej rahat, oj nana jeme, se s’ëm pret xhaket!

Oj Shqipe lule me jelek,
D’vajn hanko nenja për Shênxhexh,
do d’bere bakshajsh si e do vet:
dimija mavaj, xhaketën me tel.
— Ne vaje, ne vaje d’a presêm n’lam,
d’i bajm sajgji, d’i bajm ikram,
lumja un’e lumja gjalin xhi kom marr,
as nauk paj raki, as nauk paj duhan.

Në mbarë malësitë e Tetovës shkohet te vajza e fejuar, te “nausja e zanme”, edhe për festën pagane të Ditës së Verës, të ardhjes së pranverës, të kryemotmotit, që bie në fillim të marsit. Për këtë festë familja e djalit i çon te nusja vetëm fëmijët e vet ose të farefisit të vet deri katër-pesë sish djem e vajza përzier. Sipas zakonit këta fëmijë çojnë te familja e vajzës, e nuses së tyre të ardhme, një lloj flie të ashtuquajtur “me ren(d)e” me qëllim që punët rreth përgatitjes së vajzës për nuse deri në martesën e saj të shkojnë me rend, me rregull, pa pengesa, si nga ana e vajzës, ashtu edhe nga ana e djalit. Edhe me këtë rast të shkuarjes për Ditë vere te nusja u bien dajreve e këndohet në shtëpinë e djalit. Ja një këngë e këtillë:

Oj Shqipe lule, lulja peme,
luj ene sivet për Dit vere,
luj ene sivet te nan’e te baba,
mot për Dit vere te Ilir Aga.

Në katundet Novosellë dhe Sellcë të Keqe të Sharrit shkohet te nusja edhe për “Midisdimni”, pikërisht në kohën midis 90 ditësh të kaluara dhe 90 ditësh të mbetura deri në ditën e Shëngjergjit, d.m.th. 90 ditë para kësaj feste popullore. Kur vjen kjo kohë, i pyesin ata që kanë nuse të fejuar: “A ini kan te nausja për Midisdimni? Po, po, imi kan te nausja për Midisdimni”. Për Midisdimni shkojnë te nusja kryesisht gratë, duke marrë me vete edhe një fëmijë të vogël, sidomos djalë, dhe çojnë atje diçka për të ngrënë: petulla me tëlyer, gurabije, bakllavë, tatli, alygin etj. dhe ndonjë bakshish e rraqe të tjera sidomos për nusën: fanellë, këpucë, shami, nallane etj. Edhe me këtë rast jehojnë dajret e buçet kënga në shtëpinë e djalit.

Është interesant të përmendet fakti se po në katundet Novosellë e Sellcë të Keqe të Sharrit shkohet te nusja edhe me rastin e festës së krishterë të Kërshëndellave, të Krishtlindjeve, që bie më 25 dhjetor. Për festën e Kërshëndellave shkon te nusja kryesisht një djalë ose një vajzë ose që të dy së bashku dhe çojnë atje petulla me tëlyer dhe ndonjë petk për nusën: shami, këmishë, jelek etj. Nusja në shanin e petullave u fut lule me sheqerka fëmijëve. Kur vjen kjo festë fetare e krishterë, e pyesin në këto katunde familjen që ka nuse të fejuar: “A ini kan te nausja për Kërshëndella?” Po kështu e pyetin edhe familjen e vajzës: “A u kan ardhi majçët për Kërshëndella?” dhe “Xhi u praun për Kërshëndella?” etj. Ndonëse banorët e këtyre katundeve janë me përkatësi fetare muhamedane shkojnë te nusja edhe për festë të krishterë të Kërshëndellave që e kanë ruajtur nga e kaluara e tyre e dikurshme, kur kanë qenë si të krishterë në këto vise. Edhe me rastin e shkuarjes te nusja për Kërshëndella u bien dajreve dhe këndojnë:

Po na knon bilbili napër vneshta,
do shkojna te nausja për Kërshëndella,
për Kërshëndella do shkojna,
shiqer e llokum do t’i çojna,
ene do ta shohëm, do ta dojna,
me ni kat petka da gjëzojna etj.

Po theksojmë se sot në mbarë katundet e malësive të Tetovës shkohet te nusja e fejuar edhe për Vitin e Ri dhe për festën ndërkombëtare të gruas, për Tetë Marsin, ku shkojnë kryesisht vajzat dhe ndonjë djalë i vogël me to dhe i çojnë familjes së saj ndonjë ëmbëlsirë dhe nuses si shëndet ndonjë gjësend për të veshur a për të mbathur. Edhe me këtë rast nga ana e familjes së djalit u bihet dajreve dhe këndohet.

MARRJA E MASËS (Me e marr masën)

Si të afrohet fundi i kohës së fejesës, zgjatja e së cilës është vendosur, si u tha më parë me prerjen e forcës, dhe si të jetë bërë gati vajza nga ana e saj, përkatësisht si të jetë gati familja e djalit dhe ta ketë përgatitur pajën e nuses, i qesin fjalët për kohën se kur ta marrin masën e trupit të vajzës për t’ia qepur teshat e nusërisë, përkatësisht kur ta bëjnë dasmën. Kështu, pra, si të jetë bërë gati paja e vajzës, si të jetë afruar afati i dasmës dhe si të jenë parapërgatitur që të dyja familjet e miqësuara, dikush nga familja e djalit, kryesisht i ati ose vëllai më i madh i tij, shkon te miku për t’u marrë vesh se mos kanë ndryshuar fjalët që kanë pasur më parë rreth kohës së dasmës dhe për të forcuar punë edhe njëherë për datën e saktë të dasmës. Për çdo gjë rreth punëve të fejesës e të dasmës familja e djalit duhet të veprojë sipas pëlqimit e lejes së familjes së vajzës, e cila, si u tha, është superiore që nga fejesa e deri atë ditë që t’ua dorëzojë bijën e tyre. Pa marrë parasysh kohën e caktuar më parë, familja e vajzës shpeshherë mund ta shtyjë martesën madje edhe për disa muaj, qoftë me arsye pse s’është gati, qoftë edhe pa arsye që t’i bëjë ajo edhe ndonjë muaj punët e babait, sidomos ato të fushës. Ky fakt vihet në dukje edhe në këto këngë:

– Bani laskra çakër-çikër, naj pkuti durët, do t’marrëm Shqipe lule majsi t’i bajm punët.
– Bani laskra çakër-çikër, naj pkuti kamët, d’a marrëm Shqipe hamnin majsi t’i bajm lamët, majsi t’i bajm lamët, e majro mori, d’i mushim hamarët me drith t’ri.

– Sallëm oj Shqipe lule sallëm, ene nja di muj do të marrëm; sallëm do shkoj e do herri, njer te t’ëm vaje koferi; sallëm do shkoj e do korri, njer te t’ëm vaje jelekmori; sallëm do shkoj e do shetajti, njer te t’ëm vaje sënajki; sallëm do shkoj e do heci, njer te t’ëm vaje xhanfesi.

Oj Shqipe hanëm, lulja e ftojt,
kur d’i sosish punët, taj t’na gjoftojish,
taj t’na gjoftojish e to na çojsh fjal,
d’a çojm lir dilberin d’vaje me t’marr.
Do t’marrëm sivet, s’t’lam për verën qetër,
sa t’na e bajsh çejzin e vetër

Duël volla derri me ni kodër.
Si t’erdhën ditët mori motër,
si t’erdhën ditët për me shkue,
si do naj lash punët pa pënaue.
Nana nauses punët s’i nëkojte,
e nëkojte bijën xhi do shkojte.

Si të jenë gati e të merren vesh që të dyja familjet për çdo gjë rreth punëve të dasmës, prindërit e vajzës u thonë atyre të djalit që të bëhen gati se pas dy-tre muajsh, ta zëmë, do t’jua japin vajzën. Menjëherë, si të marrin pëlqimin e prindërve të vajzës se do t’ua japin atë edhe për nja dy-tre muaj, prindërit e djalit çojnë dikë te shtëpia e vajzës për t’ia marrë masën asaj me qëllim që t’ia presin, përkatësisht t’ia qepin teshat. Për ta bërë këtë punë shkojnë të miku, te vajza e fejuar, kryesisht femrat, nja dy sosh: e ëma e djalit me dikë tjetër, motrat, kunatat, tezet, hallat e të tjera gra të farefisit të tij. Aty-këtu, sipas familjeve, për ta marrë masën e vajzës së fejuar mund të shkojnë me gratë edhe ndonjë burrë, sidomos i ati i djalit. Madje nëse është nusja prej ndonjë katundi tjetër, atëherë për ta marrë masën e saj shkojnë të miku kryesisht burrat. Në Gurguricë e Sallarevë shkojnë për ta marë masën e nuses së fejuar i ati dhe e ëma e djalit (krushku dhe krushka). Për marrjen e masës në këto dy katunde, si dhe në katundin Jazhinë të Sharrit, përdoret më tepër shprehja “me lidh vadën” ose “me pre vadën” se kur do të bëhet dasma, e që s’është gjë tjetër veçse “prerja e forcës”, që bëhet me këtë rast të marrjes së masës.

Si masë për vajzën e fejuar u japin ndonjë teshe të trupit të saj, një jelek o një fanellë ose u japin një pe me dimensione të gjatësisë kah këmbët dhe të gjerësisë së belit për dimi dhe me gjatësi të krahëve e gjerësi të gjoksit për mintan a këmishë. Sipas disa katundeve të Sharrit (Bozovcë, Veshallë etj.) dhe të Malit të Thatë (Gurguricë e Sallarevë) peri duhet të jetë i bardhë dhe i leshtë me qëllim që jeta t’u shkojë bardhë dy të rinjve kur të martohen dhe fort siç është leshi. Grave që shkojnë për të marrë masën u japin edhe peshqesh: një shami ose një palë çorapë a peshqir. Atë ditë që merret masa e teshave të vajzës në shtëpinë e djalit bien dajret dhe këndohen këngë të ndryshme në lidhje me këtë, si:

Po kënon bilbili përmaj mashën,
oj Shqipe lule, na ep masën!
– Une do va ap masën lule busulegj,
t’ëm çepe agobaba dimija jelek;
une do va ap masën lule orgovan,
do m’çepe hankonenja dimija mintan.

Hajde na ep masën me lule
të t’i çepim petkat, oj fodulle.
Hajde na ep masën mo idhnohesh,
do t’presëm santine t’na ndrohesh.
Hajde na ep masën, lule dranafile,
do t’presëm Ilir aga dimija kadjfe.
Hajde na ep masën dranafile orgovan,
do t’presëm Ilir aga dimija komash.

– Ori do va ap masën me gjith zemër,
agobaba kur do baje emër,
kur do baje emër e do doje,
Shqipe follaza do trazoje!

Kur familja e djalit i qep teshat e nuses dhe bëhet gati edhe përkah anët e tjera të dasmës, nja dy-tri javë përpara kohës së caktuar më parë mes dy familjeve, shkohet edhe një herë nga ana e djalit te shtëpia e nuses për t’u marrë vesh mirë e mirë për javën e saktë të caktimit të dasmës. Një natë pasdarke i ati dhe e ëma e djalit shkojnë te prindërit e vajzës dhe u tregojnë se janë gati për t’ia filluar dasmës: “Or majk, na ka ana e jon imi ba hazër me ba darsëm, po taj çish i kije punët? A munesh me na dhan izën ket jav ta çarojm drithin?” Nëse miku është gati, u thotë: “Tzën kini, mun ta çorojni drithin ket jav xhi vajn”. Por nëse s’është gati, ai u thotë: “Na hala s’imi hazër për ket jav, po javën qetër xhi vajn mun ta çarojni drithin”. I ati vajzës mund t’i ndryshojë fjalët që kanë pasur më parë, qoftë pse s’është gati, qoftë për diçka tjetër, dhe të mos i japë leje për dasmë të atit të djalit madje edhe për një muaj e më tepër. Në raste të këtilla të atit të djalit i mbetet edhe një herë të shkojë te miku për të marrë vesh me saktësi se cilën javë mund ta fillojë dasmën, mund ta qërojë drithin. Kur shkojnë për të marrë lejen për fillimin e dasmës, në shtëpinë e djalit u bien dajreve dhe këndojnë këngë të shumta.

  1. DASMA

Siç është thënë disa herë edhe më parë, me rastin e prerjes si dhe të marrjes së masës për qepjen e teshave të nusërisë, ndër të tjera, caktohet edhe afati i dasmës, koha se kur duhet të bëhet dasma për martesën e vajzës së fejuar. Në MT afati i dasmës nuk caktohet me ndonjë datë të saktë, por lihet afër ndonjë feste fetare a pagane, si: një muaj pas a para Shëngjergjit (Shënxherxhit), një a dy muaj pas Ditës së verës, një muaj para a pas Shën Njonit, që në këtë anë i thonë “Kërstov-i” (sipas sllav. Krstovdan), një muaj para a pas Shëmitrit (Shomajtrit) nga Shën Dhimitër, afër Bajramit të Madh a të Vogël ose thuhet thjesht në një stinë të motmotit, si: vitin e ardhshëm (n’mot) në pranverë, në verë dhe në vjeshtë, pasi të kryhen punët e fushës etj. Dita, përkatësisht java e saktë e dasmës caktohet nja një muaj e dy-tri javë pas qepjes së teshave të nusërisë së vajzës, duke i thënë familja e vajzës asaj të djalit se në krye të javës ose në krye të dy a të tri javëve mund të qërosh drithë, përkatësisht mund t’ia nisësh dasmës. Në këtë mënyrë jepet leja për dasmë, e cila, si do të shihet edhe më tej, fillon me ceremonialin e qërimit të drithit.

Në MT dasmat bëhen zakonisht në vjeshtë, pasi të jenë kryer punët e fushës, por s’janë të rralla as ato që bëhen në pranverë e në verë, e kohët e fundit edhe në dimër, për arsye se një numër i madh burrash e të rinjsh të kësaj ane ndodhen në kurbet në shtetet e Evropës Perëndimore dhe pushimin vjetor e marrin pikërisht në mes të dimrit, duke caktuar për këtë kohë edhe martesat e bijve, të bijave, të vëllezërve e të motrave të tyre.

Dasma në malësitë e Tetovës përmban në vete një varg mbeturinash shumë të lashta, madje që nga koha pagane, të gërshetuara me elemente religijoze, sidomos të fesë islame, që kanë për qëllim ruajtjen e të martuarve nga shpirtrat e këqij, nga qoftëlargu, dhe përgatitjen e tyre për një jetë të re, duke e njohur veçmas nusen me punët që e presin dhe me inferioritetin që duhet të ketë ndaj burrit të saj. Fjala vjen, për një jetë të mbarë, të lumtur e të pasur të të martuarve përdoren madje drejtpërdrejt edhe disa gjëra konkrete, si, për shembull, sheqeri: për jetë të ëmbël, uji: për jetë të lehtë; shamia, çevreja e gjësende të tjera të bardha: për jetë të bardhë; drithi: për bereqet, për jetë të begatshme; përdorimi më parë i këmbës, i dorës dhe i anës së djathtë: për çështje të ndryshme religjioze të mbarëvajtjes së jetës dhe të ruajtjes nga djalli etj.

Gjithashtu besohet se me nisjen e dasmës mblidhen kah janë e kah s’janë qoftëlargët, “hexhinet”, siç thonë këndej, për t’u bërë keq atyre që po martohen ose për t’i turpëruar ata, prandaj njerëzit tanë për t’u mbrojtur nga ta vënë në zbatim edhe shumë prime e pokushe të tjera. Disa adete e prime bëhen edhe për mbrojtje nga magjitë dhe mësytë që vijnë nga njerëzit keqbërës e zemërzezë. Në përgjithësi dasma në MT ka një ritual të pasur ceremonish dhe shumica e këngëve, e valleve dhe e dokeve e zakoneve të saj janë karakteristike për këtë anë. Ajo me të gjitha ngjyrat dhe nuancat e riteve e të ceremonive është aq interesante sa në shumë raste e habit dhe e mahnit pjesëmarrësin e saj se si në kohën e të arriturave të shumta e të mëdha shkencore-teknike ka ende vise, ku zbatohet mënyra e jetesës së lashtë, me shumë zakone, doke e pokushe pagane.

Dasma është një gëzim shumë i madh ndër malësorët e Tetovës. Ata me padurim i presin ditët e dasmave. Si të marrin vesh për dikë se do të bëjë dasmë së shpejti, nja dy-tri javë para nisjes së saj bisedë kryesore e muhabetit të tyre është dasma: filani këtë të enjte apo këtë të diel “çaron drithin”, do të bëjë dasmë të madhe apo të vogël, ka ftuar shumë apo pak njerëz, ka zënë një apo dy palë lodra, ka grishur apo jo pehlivanë, ai ia ka lëshuar shtëpinë për miq e mysafirë, kurse te ky është vënë “kafexxhaki” etj.

Arsyet e gëzimit për dasma te malësorët e Tetovës janë të shumta. E para, ata, pos dasmave, mënyrë tjetër të zbavitjes e të dëfrimit nuk kanë. E dyta pse në dasma atyre u jepet mundësia që të këputen nga puna e rëndë fshatare malore të paktën për nja dy-tri ditë dhe nën tingujt kombues të tupanit dhe nën ata melankolikë të surles të shlodhen fizikisht e të pushojnë psikikisht nga hallet e jetës së përditshme. Dasma u ofron atyre edhe mundësinë për t’u takuar me shokë, me miq e për të vizituar farefisin. Gëzimi për dasmë është i pandashëm, si për familjen e djalit e të vajzës që do të martohen, ashtu edhe për farefisin e tyre dhe për mbarë familjet e tjera fshatare, të cilat marrin pjesë aktive, duke e ndihmuar në mënyra të ndryshme të zotin e dasmës me qëllim që dasma të kryhet sa më mirë, duke ia nxjerrë kështu faqen e bardhë atij dhe njëkohësisht edhe gjithë katundit të vet. Natyrisht gëzimi më i madh ndihet te familja e djalit, sepse ajo rritet për një anëtar më tepër – i shtohet një forcë pune aq e nevojshme për të dhe, ç’është më e rëndësishme, me dasmën zgjidhet një çështje jetësore.

PARAPËRGATITJET E DASMËS

Qysh nja një javë e më tepër para se të fillojë dasma në shtëpinë e djalit, dhëndrit të ardhshëm, në të dëgjohet kënga e të bjerë çdo ditë pa ndërprerje dajra në shenjë informimi publik të një lajmi të gëzuar se dasma do të fillojë së shpejti dhe, më anë tjetër, bëhen përgatitjet e nevojshme materiale e morale, që ajo të përfundojë sa më mirë dhe kështu t’i qetë faqen e bardhë dasmorit dhe katundit të tij. Lëvizjet e shumta e aq të gjalla të njerëzve, që shihen brenda dhe jashtë shtëpisë së dasmorit, bëjnë të kuptosh se vërtet në atë shtëpi po përgatitet diçka jo e zakonshme, por madhështore ashtu siç është dasma. I zoti i dasmës jep urdhëra që të ftohen miqtë, bijat e dashamirët kah i ka e kah s’i ka, me kuaj e në këmbë, qoftë jashtë a brenda katundit. Caktohet shtëpia e dikujt, që është kryesisht i afërm me dasmorin, për miqtë e ftuar nga larg dhe për bashkëkatundarët që do të vijnë në dasmë. Shtëpia e caktuar për miqtë e largët, për miqtë nga katundet dhe vendet e tjera, quhet në anët tona konak-i/konake-t. Me fjalë të tjera, këta konakë janë dhoma a shtëpitë e dikujt brenda katundit të dasmorit që ia kanë lëshuar atij që t’i shfrytëzojë për të bujtur miqtë e largët kryesisht dy net, duke filluar prej të dielës në mbrëmje a të enjte e deri të hënën a të premten paradreke, kur dhe i përcjellin. Zakonisht këta konakë caktohen diku më larg nga shtëpia e dasmorit, si duket për çështje të havales së grave, si dhe për të qenë më të lirë miqtë në gëzimet dhe dëfrimet e tyre të dasmës, duke qenë se në këta konakë vijnë edhe mjaft njerëz të huaj, nga të cilët gratë fshihen. Ai që ia lëshon shtëpinë dasmorit si konak për miqtë e tij e bën këtë mirësi pa interes material, por në shenjë ndihme, solidariteti e nderimi, pavarësisht nga ajo se a ka lidhje gjaku me të a jo. Fundi i fundit, kjo është dhe një borxh që dasmori do t’ia kthejë atij kur ai të bëjë dasmë, duke ia lëshuar edhe ky atij shtëpinë e vet për konak miqsh e mysafirësh.

Ndërsa shtëpia e caktuar për përgatitjen e kafeve, ku kthejnë e pinë ata që vijnë në dasmë, kryesisht bashkëkatundarët, qoftë atëherë kur vijnë në të grishur a për përhajrimin e saj, pothuajse në mbarë Malësinë e Sharrit quhet kafeoxhak, kurse në Derven dhe në Mal të Thatë, si dhe në disa katunde të Sharrit, si në Orashë, Gjermë, Jazhinë etj., quhet edhe boshef nga turq. që do të thotë vend i zbrazët, i lirë, “bosh”. Njëkohësisht zgjidhen e caktohen edhe njerëzit që do t’i përgatitin kafetë, që në këtë anë i quajnë kafexhi-ja/kafexhi-t, “kafexhinjtë”, si dhe disa veta të tjerë burrash dhe grash, farefis të dasmorit, që do t’u shërbejnë miqve dhe të gjithë të ftuarve në dasmë me rastin e shtrimit të sofrave dhe për nevoja të tjera të ndryshme. Këta shërbyes të dasmës në këto anë quhen me fjalën turke “ismetçi, ismetçaj-a, asmetçoj-a/ismetçajt, ismetçojt për burrat dhe ismetçaje, ismetçajt për gratë. Për kafeoxhak a boshef dasmorit ia lëshon shtëpinë dikush nga bashkëkatundarët gjithashtu pa interes material, kurse për kafexhi zgjidhet dikush që i shkon pak a shumë për dore kjo punë. Atij i japin materialin e nevojshëm: sheqer, kafe, gjyma etj. Po kështu edhe për shërbyes, “(h)ismetçi” miqsh e mikeshash zgjidhen njerëzit që janë më të shkathtë. Si kafexhiu, ashtu edhe shërbyesit e dasmës, për punën që bëjnë marrin si shpërblim një peshqesh nga ana e nuses: zakonisht një palë çorapë ose një maramë. Gjithashtu caktohet edhe vendi, oborri i ndonjë shtëpie, sidomos pranë kafeoxhakut, ku do të përgatiten gjellët për dasmë dhe njerëzit që do t’i bëjnë ato, gjellëbërësit, të cilët në këto anë i quajnë “jaçaj-a / jaçoj-a, jaçajt/jaçojt”. Gjellët zihen e përgatiten kryesisht jashtë në oborr (kurt), në lëmë, pavarësisht nga kushtet atmosferike: nëse bie shi, i mbulojnë pak kazanët e gjellëve.

Qysh ditën e enjte a të diel, kur shkon drithi në mulli, vendosen në magje edhe magjatorët për të gatuar e për të pjekur bukët e dasmës. Për këtë punë zgjidhen kryesisht gratë e farefisit të dasmorit që janë pak të shtyra në moshë, më të zonja, më të pastra, më të forta e që u shkon pak a shumë për dore gatuarja e pjekja e bukëve. Sipas punëve të magjes që bëjnë janë quajtur magjatore, por meqë në këtë anë për magje thuhet maxhe, ato quhen në Sharr e në Derven “maxhatore-t”, e që janë dy a tri gra, kurse në Mal të Thatë quhen “maxhatorka-t”, e që janë shtatë sosh. Këto në Mal të Thatë ia nisin punës së vet dhe bukët i zënë qysh të dielën në mbrëmje, natën e hënë, dhe para mëngjesit të hënën dalin bukët e para të dasmës që janë 23 a 27 sosh, duke qenë gjithnjë tek, numër ky që sjell fat dhe mbarësi në punë e në jetë dhe kështu fillojnë të dalin ditë për ditë bukët e dasmës deri 500 sosh e më tepër, sipas nevojës. Në Sharr dhe në Derven magjatoret ia nisin punës atë ditë që shkojnë petkaxhinjtë, që ia çojnë teshat nuses, d.m.th. ditën e premte, më parë të hënën. Ato zënë me një brumë 15 bukë të përziera me thekër e kallamboq. Duke i pjekur këto, zënë edhe pesëmbëdhjetë të tjera dhe kështu me radhë zënë e pjekin bukë pa pushuar tri ditë e tri net. Bukë zënë e pjekin deri atë ditë që merret nusja. Pjekin mbi 300 bukë, të cilat i vënë grumbull (gramadha-gramadha) dhe i mbulojnë me fier për t’i mbajtur me bata. Magjatoreve u lëshojnë një dhomë si magazinë për t’i mbajtur materialet ushqimore për nevojat e dasmës: miell, kripë, sheqer, oriz, fasule, patate, speca, lakra, domate, qepë et.j. Edhe gjellëbërësit vijnë e marrin gjëra ushqimore, furnizohen nga magjatoret. Duke qenë se magjatoret marrin të holla për punën mjaft të rëndë që bëjnë, atyre në shenjë shpërblimi u japin dhurata, si nga zonja e dasmës, ashtu edhe nga mikeshat e tjera që vijnë në dasmë. Madje të gjitha gratë e ftuara (bijat) duhet më parë të hyjnë e t’ua bëjnë për hajr, t’ua urojnë dasmën, magjatoreve e pastaj zonjës e të zotit të dasmës, të cilëve u mbetet hatri nëse s’veprojnë kështu dhe nëse s’i shpërblejnë me diçka. Dhuratat që u jepen magjatoreve mund të jenë këto: çorapë, këmishë, kombinezona, çevre, marama, shami, kovrakë etj., të cilat ekspozohen në dhomën e punës së tyre. Kjo quhet daria e magjatoreve, të cilën ato e mbledhin të shtunën në mbrëmje, d.m.th. natën e diel. Edhe nusja magjatoreve u sjell dhurata.

Disa njerëz i caktojnë për të prerë fier, që do t’u shtrohet mysafirëve për fjetje, të tjerët caktohen për të mbledhur nëpër katund lugë, sahanë, kazanë, tepsi, sofra e të tjera sende të nevojshme për dasmë, sa të tjerë renditen si furnizues materialesh ushqimore etj. Gjithashtu caktojnë dhe grishtarët nga radhët e burrave e të grave që do t’i grishin miqtë dhe mikeshat për dasmë. Zgjedhin e angazhojnë edhe nja dy a tri vajza, të cilat, duke mos përjashtuar as të tjerat, duhet të këndojnë e t’i bien dajres pa ndërprerë, duke mos lënë që të pushojë për asnjë moment gëzimi e hareja në shtëpinë e dasmorit. Këto vajza, që caktohen për të kënduar e për t’u rënë dajreve vazhdimisht, quhen “dahirexhije”, kurse në Novosellë të Sharrit, në Rakovec e në Sellcë të Keqe u thonë “dahirexhica” nga fjala “dahire”, siç quhet dajria në këtë anë. Dajrehiet zgjidhen nga ato vajza, që kënga e dajria u shkon pak a shumë për dore. Ato janë nga farefisi i djalit dhe për punën e tyre që bëjnë shpërblehen nga ana e nuses me nga një palë çorapë. Është interesant të përmendet fakti se në këto punë të dasmës malësorët nuk pëlqejnë t’i angazhojnë jetimat, njerëzit që s’i kanë prindërit gjallë ose ata që u kanë vdekur në fëmijëri prindërit me qëllim që të mos vdesin ata që martohen e t’i lënë fëmijët e tyre bonjakë. Kështu, për shembull, dajrehiet gjithësesi duhet t’i kenë të dy prindërit gjallë, kurse magjatoret të mos kenë qenë jetime dhe të jenë të martuara e me fëmijë, madje ta kenë dhe djalë fëmijën e parë me qëllim që ata që martohen të lindin fëmijë dhe atë të parin djalë. Edhe gjellëbërësit, kafexhinjtë, grishtarët etj. shikohet që të mos jenë a të mos kenë qenë në fëmijëri jetima. Sidoqoftë, të gjitha këto angazhime e të tjera të ngjashme nga ana e bashkëkatundarëve për t’i kryer punë të ndryshme dasmorit bëhen falas, vetëm e vetëm me qëllim që atij t’ia lehtësojnë kështu sa më shumë barrën e dasmës. Madje ata ndihen edhe të nderuar e krenarë, kur angazhohen për të kryer ndonjë punë si: dajrehie, magjatore, kafexhi etj. Madje edhe nusja ka respekt e dashuri të veçantë ndaj magjatoreve e dajrehieve për punën e tyre të vështirë që bëjnë. Ja se ç’thotë një këngë për këtë:

Ene maxhatoret shaum do t’i due,
i kan gjejg dimijat për mue,
m’i kan pek buk, m’i kan gjatue!
Ene dahirexhiet shaum do t’i due,
m’i kan lujt, m’i kan këndue,
i kan krajs duret për mue,
m’i kan marr zanat për mue!

Bashkëkatundarët e vet e ndihmojnë dasmorin edhe në forma të tjera të punës, si: duke ia ruajtur bagëtinë njësoj si për vdekje nja një javë e më tepër, duke ia dhënë kalin, gomarin, karrocën që t’i shfrytëzojë për të kryer ndonjë punë rreth dasmës etj. Përveç kësaj ndihme fizike, dasmorin e ndihmojnë bashkëkatundarët edhe materialisht, me të holla, me drithë, me dru me ndonjë sheke djathë a gizë etj. Kjo ndihmë materiale nuk i jepet atij në mënyrë të thjeshtë, por në mënyrë solemne e publike, e cila me kohë ka kaluar e është bërë zakon traditor në këto malësi. Kështu, për shembull, zakoni i qërimit të drithit, me të cilin rast në Malësinë e Dervenit dhe në pjesën më të madhe të katundeve të Sharrit i çohet dasmorit nga secila shtëpi një shinik drithë, s’është gjë tjetër veçse një lloj ndihme materiale që t’ia sigurojnë (heqin) atij bukën e dasmës; zakoni i dërgimit të të hollave dasmorit nga secila shtëpi e katundit dhe nga të ftuarit e largët me rastin e shkuarjes në të grishur ka për qëllim gjithashtu që t’i ndihmohet atij që bën dasmë për t’i hequr një pjesë të shpenzimeve. Edhe dërgimi i druve (secila shtëpi ia çon dasmorit nga një kalë dru si në Mal të Thatë dhe në Orashë) ka për qëllim që t’i ndihmohet dasmorit për të pjekur bukë dhe për të zier gjellë. Pleqtë thonë se më parë ka qenë zakon edhe në Malësinë e Sharrit që me rastin e fillimit të dasmës, dasmorit t’i çohet nga një kalë dru prej secilës shtëpi. Gjithashtu edhe shtazët që i dërgohen dasmorit në formë bakshishi sidomos nga të afërmit e tij, kur shkohet në të grishur kanë për qëllim që t’ia heqin atij mishin e dasmës etj. Si ndihma fizike, ashtu edhe ajo materiale, madje jo vetëm në rast dasmash e vdekjesh, por edhe në raste të tjera nevojash e vështirësish familjare, është një formë solidariteti e humaniteti i ndërsjellë i malësorëve që të mirën dhe të keqen ta ndajnë së bashku.

Si të bëhen parapërgatitjet e nevojshme të dasmës dhe me të arritur të një pjese të bijave, të mijave e të mikeshave fillon java e dasmës me ceremonialin e qërimit të drithit. Duke iu afruar kësaj kohe, dasma gjithnjë e më shumë vjen duke marrë hov, si përkah gëzimi e hareja, ashtu edhe përkah përgatitjet.

QËRIMI I DRITHIT (Me çaraue, me shosh drith)

Siç u tha, leja për dasmë jepet deri dy-tri javë përpara. Kur vjen java e fundit, ajo nis me qërimin e drithit, d.m.th. me shoshjen dhe me përgatitjen e tij për mulli. Drithi qërohet rrafsh një javë përpara ditës që merret nusja. Më parë drithi qërohej ditën e enjte dhe të enjten një javë merrej nusja, kurse sot drithi qërohet ditën e diel dhe të dielën një javë, d.m.th. të dielën e ardhme, merret nusja. Pra, kur është qëruar drithi të enjten, është dashur që menjëherë të enjten që vjen të merret nusja dhe, kur drithi qërohet të dielën, duhet që të dielën tjetër që vjen të merret nusja. Arsyeja pse sot qërohet drithi dhe merret nusja ditën e diel e jo si dikur ditën e enjte, është ajo e ndërrimit të ditës së tregut nga e shtuna në të enjten që bëhet në Tetovë. Por vlen të shënojmë se në katundet Gurguricë, Sallarevë, Novosellë të Sharrit, Rakovec dhe Sellcë të Keqe edhe sot, përkrah ditëve të diela, drithi qërohet dhe nusja merret edhe ditëve të enjte, sikurse më parë. Aty-këtu po bën vaki sot që ndonjë familje të qërojë drithë e ta marrë nusen edhe ditëve të mërkur, duke e thyer kështu traditën e ditës së dasmës, përkatësisht të qërimit të drithit e të marrjes së nuses dikur të enjten e sot të dielën.

Ditën që qërohet drithi, qysh në mëngjes herët, mblidhen vajzat dhe ia nisin këngës e dajres, duke e shpallur kështu zyrtarisht nisjen e dasmës. Me këtë rast shtien tri herë me armë në shenjë informimi publik të katundarëve se po qërohet drithi, se po nis dasma. Brendia e ceremonialit të drithit ka të bëjë me drithin e dasmës, që solemnisht dhe publikisht shoshet e qërohet dhe kështu bëhet gati për mulli.

Drithi qërohet jashtë në lëmë, në oborr (kurt) të dasmorit. Që nga mëngjesi qesin aty disa thasë drithi dhe shtrojnë disa mutafa e cerga, ku ta qesin atë për ta shoshur dhe prej këndej pastaj prapë do ta futin në thasë, të cilët i ngarkojnë në kuaj dhe i çojnë në mulli për ta bluar atë. Drithin duhet ta qesin në lëmë gjithësesi burrat. Si zakonisht i qesin ato lloje drithërash që do t’i çojnë për t’i bluar në mulli, si: grurë, thekër dhe misër, të cilat madje shpeshherë i përziejnë dhe kështu i bluajnë për të bërë bukë të përziera për dasmë. Në lëmë, përkrah thasëve me drithë, pak më larg nga ta, qesin mbi një mutaf a cergë nga të gjitha llojet e drithërave nga pak, nga të gjitha farërat: grurë, misër, thekër, elb e tërshërë për çështje bereqeti që në shtëpinë e dhëndrit, të dasmorit, të bëhen të gjitha drithërat, farërat, bereqetet. Në këto farëra drithërash futin edhe pak fasule, qiqër (nahut), urov, leblebi (elbebija), oriz, sheqerka dhe para hekuri gjithashtu për bereqet e për jetë të mbarë që në shtëpinë e dhëndrit të bëhen edhe këto bereqete e njerëzit e saj bashkë me nusen që do të vijë të çojnë jetë të bardhë si orizi, të ëmbël si sheqeri e leblebitë e të duhen ndërmjet vete siç duhet paraja.

Para se të nisin ta shoshin, ta qërojnë drithin e ta bëjnë kështu gati për mulli, sipas zakonit vjen dhëndri dhe e përzien me dorë të djathtë këtë grumbull të vogël farërash të drithërave me qëllim që të përzihen bereqetet në shtëpinë e tij, të ketë në jetë nga të gjitha drithërat, por edhe me qëllim që t’i përzihen atij fëmijët, t’i lindin edhe djem, edhe vajza, dhe këta të rriten me bollëk, të ketë bereqet jeta e tyre. Të qëruarit, përkatësisht të shoshurit e drithit, zgjat që nga mëngjesi e deri pasdreke. Sipas zakonit dy vajza e qërojnë drithin, e shoshin dhe e bëjnë gati për mulli. Ato duhet t’i kenë patjetër të gjallë prindërit, për shkak që të jetojnë ata dy që martohen. Vajzat e tjera hedhin valle rreth e rrotull grumbullit a thasëve të drithit, duke i rënë dajres e duke kënduar këngë lidhur me këtë ceremoni të dasmës, si:

Ani krajsi pushka duël tajmi,
ani çaron drith Ilir trajmi.
Ani krajsi pushka duël flaka,
ani çaron drith Ilir aga.

D’a çarojna drithin me kollomoç,
thot nan’e nauses zemra m’u doxh;
d’a çarojna drithin me girun d’bardh,
thot nan’e nauses zemra m’u kall;
d’a çarojna drithin pi hamari,
me shiger t’kuç pi Gostivari;
d’a çarojna drithin pi sënajki,
me shiger t’kuç pi Selanajki.

Pisklloj Shqipe lulja e duël te dera:
– Ma çarauën drithin, njera un’e njera.
Pisklloj Shqipe lulja e duël te pojata:
– Ma çarauën drithin, njera un’e ngrata.
Pisklloj Shqipe lulja e duël në lam:
– Ma çarauën drithin, e nan mori nan!

As mos u hidh e majro as mos u përdridh
epi izën Ilir agës ne çarojë drith.
– Une izën i ap me dor n’zemër,
po babo derri kur do baje emër;
une izën i kam dhan,
po volla derri nauk ë to lan.
– Xhi ka volla derri, i raft pushka,
se ka marr pare me girushta;
xhi ka volla derri e shitoft zana,
se ka marr pare me sahana.

D’a çarojna drithin me lule,
për toj imi najs ori fodulle;
d’a çarojna drithin me pare,
për toj imi najs ori qibare;
d’a çarojna drithin me orgovan,
për toj imi najs ore shtatfidan;
d’a çarojna drithin me busulegji,
për toj imi najs ori hiri gjuzel;
d’a shoshim drithin me lule kane,
e majro do të dajna pi nane;
d’a çarojna drithin me shosha,
majr ta bana ori shoçe dosa;
d’a çarojna drithin me dërmana,
ori motër kurv majr ta bana;

E çaraumëm drithin okolla në ven,
thojni millojaxhis mo maje ujem,
mo maje ujem se do bajm darsëm,
mori e martojna Ilir agën
ene millojaxhin d’a thërrasëm.
E çaraumëm drithin te reka,
do bajna peta e petlla.
Ore millojaxhi e more hajdat,
drithin e darsmës mo na e hup,
d’i bajna bukët me nahut.
Dil millojaxhi, dil përpara
t’naj thauësh kalit mashalla!

Në pjesën më të madhe të katundëve të MT është zakon që nja një ditë para se të qërohet drithi, d.m.th. qysh ditën e mërkurë më parë dhe të shtunën tash, i zoti i dasmës që në mëngjes herët që një burrë a një grua, sipas adetit të katundit e të caktuar më parë, për të grishur mbarë katundin shtëpi për shtëpi që të vijnë të nesërmen e të marrin pjesë në qërimin e drithit. Burri a gruaja që caktohen për të grishur duhet të jenë të farefisit të dasmorit dhe pak a shumë të zotët përkah goja. Ata me këtë rast u thonë katundarëve se filani nesër qëron drithin dhe juve ju fton të mermri pjesë: “U ka ba selam NN d’vajni nesër se e çaron drithin!” Përgjigjja është: Falemenerit! I kofit për hajr! “Zoti e dritoft!” etj. Në Malësinë e Dervenit dhe në disa katunde të Sharrit, si: në Orashë, Jazhinë, Veshallë etj. çojnë burra për të grishur, kurse në disa katunde të tjera të Sharrit, si në Vicë, Gjermë etj. qesin nja dy gra për të grishur. Grishtarët, si burrat, ashtu edhe gratë, më parë shkojnë e grishin shtëpinë e nuses, të mikut, e cila doemos u jep atyre bakshish nga një shami grave dhe nga një maramë a peshqir burrave. Por bakshishe të ngjashme u japin grishtarëve edhe shtëpitë e tjera të katundit. Aty-këtu në ndonjë katund të Sharrit, si: në Shipkovicë, në Gajre e në Pallçisht të Epër thirren për qërimin e drithit vetëm farefisi dhe fqinjët e dasmorit, të paktën sot, meqë dikur edhe këto katunde e kanë pasë ftuar për këtë ceremoni dasmore mbarë katundin. Po kështu edhe disa katunde të tjera të Sharrit, siç janë Bozovca, Novosella, Sellca e Keqe, Liseci etj. nuk i fqojnë katundarët me rastin e qërimit të drithit, madje as farefisin e fqinjët, të cilët i kanë ftuar thjesht vetëm për dasmë disa ditë para kësaj ceremonie. Sido që të jetë, është interesant të thuhet se të gjithë katundarët, pavarësisht nga ajo se a janë a nuk janë ftuar për qërimin e drithit, sipas adetit të katundit të vet shkojnë për t’ia përhajruar dasmorit këtë ceremoni të fillimit të dasmës, madje në pjesën më të madhe të katundeve shkojnë edhe burrat, edhe gratë, bashkë.

Me rastin e shkuarjes për përhajrimin e drithit po përmendim se në mbarë Malësinë e Dervenit dhe në pjesën më të madhe të katundeve të Sharrit, si: në Orashë, në Jazhinë, në Gjermë, në Llacë, në Sellcë, në Vicë, në Brodec, në Shipkovicë, në Gajre e në Pallçisht të Epër është zakon që bashkëkatundarët t’i çojnë dasmorit pak drithë si ndihmë materiale, të paktën sa për t’ia hequr bukën e dasmës. Nga drithërat i çojnë kryesisht kallamboq, thekër dhe grurë, por edhe elb e tërshërë, madje dikush çon edhe fasule. Drithin e çojnë me ndonjë shinik, derman, tepsi, me hejbe (duçi), me ndonjë strajcë ose me diçka tjetër të ngjashme me këto mjete që zënë një sasi të vogël të tij. Nëse dikush bie thekër, atë e zbraz te thesi a te grumbulli i thekrës; nëse tjetri bie kallamboq, atë e zbraz te thesi a te grumbulli i kallamboqit; nëse bie elb, e zbraz te elbi etj. Drithin e sjellin te drithi në lëmë të dasmorit kryesisht burrat dhe gratë, por mund ta bien atë aty edhe fëmijët. Sipas zakonit të MT përgjithësisht ata që vijnë për ta përhajruar drithin, si ata që sjellin drithë, sipas zakonit të katundit të vet, ashtu edhe ata që se kanë zakon të sjellin drithë, me këtë rast qesin njëkohësisht edhe para në shoshën a në grumbullin e drithit, siç thonë këndej “e daritin” drithin, kryesisht me para hekuri me qëllim që ata që martohen të jenë të fortë si hekuri. Aty-këtu si: në Cerovë, në Novosellë të Sharrit, në Rakovec, në Sellcë të Keqe në Sellcë, në Gajre, në Shipkovicë etj. është zakon që mbi grumbullin e drithit, sidomos për një pemë a për një peri që lidhet prej peme në pemë, varin përsipër një mollë, një dardhë, një ftua a një qepë të bëra krejt lule, ku i ngulin në të a i vënë për perin e saj paratë ata që vijnë për ta daritur drithin, përkatësisht për ta përhajruar nisjen e dasmës. Madje edhe pasi ta kenë shoshur e ta kenë çuar në mulli drithin, molla a dardha, përkatësisht qepa rri e varur gjatë gjithë ditës me qëllim që ata që janë vonuar, që s’kanë ardhur me kohë kur është qëruar drithi, mund t’i lenë të hollat aty më vonë, atëherë kur të vijnë për ta “darit mollën”, siç thonë ata. Paratë e drithit, përkatësisht të mollës i marrin vajzat, të cilat kanë marrë pjesë në qërimin e tij dhe i ndajnë ndërmjet vete dhe nga kjo këto para i quajnë edhe “paret e caucave”.

Pothuajse secilin nga ata që vijnë për ta përhajruar drithin, duke sjellë drithë e duke qitur para në të, vajzat në shenjë nderimi e këndojnë: ia këndojnë djalin ose vëllanë nëse e ka për martesë ose për ta bërë synet, ose ia këndojnë nipat, nëse s’ka djem. Të zotit ose të zonjës së dasmës ata ia urojnë drithin, nisjen e dasmës, me fjalët: “Me hajr u koft! Ishalla me t’majr u shkon!” Fjalën “dasmë” shpeshherë edhe nuk e thonë, por e lënë që ajo të nënkuptohet. Me rastin e qërimit të drithit pos burrave dhe grave të moshuara u afrohen e vijnë aty pari edhe djemtë e rinj, madje edhe ata që s’janë farefis me dasmorin, jo vetëm për ta daritur drithin a mollën dhe për t’ia uruar dasmën të zotit të saj, por edhe për t’u parë e për t’u njohur me vajzat drejtpërdrejt, duke rënë shpeshherë në këtë mënyrë edhe në dashuri në mes vetes. Atyre që vijnë për ta përhajruar drithin a nisjen e dasmës u bëjnë dhe u qesin të hanë a të pinë diçka, kryesisht kafe, por edhe të tjerëve pa dallim moshe e gjinie, madje edhe fëmijëve të vegjël. Kështu, për shembull, në Gajre me rastin e qërimit të drithit bëjnë një lloj file të grimcuar copa-copa të vogla, që e quajnë “ndrajdhe” në Sharr nga ndrydhe (>ndridhe) ose bëjnë një lloj file tjetër, që e quajnë në Sharr “merende” me qëllim që punët e dasmës të shkojnë me rend. Këto fli i hanë me kos ose me mjalë a me reçel, me pekmez. Në Bozovcë, kur qërohet drithi, ziejnë rëndom misër të përzier me pak kokrra gruri me qëllim që atyre që martohen t’u lindin fëmijë të përzier: edhe djem, edhe vajza. Kokrrat e ziera i qesin nëpër tepsi dhe marrin e hanë kush të mbërrijë e kush të jetë aty afër. Në Veshallë dhe në Brodec me këtë rast pinë një kafe. Në Vicë u japin të ftuarve për drithë sytliac, duke bërë disa tepsi. Më parë në Vicë dhe në Sellcë, kur është qëruar drithi, u kanë pasë dhënë bakërdar (kaçamak) me télyer me qëllim që punët e dasmës t’i kryejnë, t’i lidhin e t’i mbledhin top si bakërdari, si dhe familja e dasmorit me djalin që do të vijë të jenë top, mbledhur, të mos ndahen. Në Gjermë dhe në Pallçisht të Epër bëjnë zerde ose hoshure dhe u japin të hanë atyre që vijnë për ta përhajruar qërimin e drithit. Ata që vijnë për këtë qëllim në disa katunde dhe familje i futin nëpër dhoma, duke i ndarë burrat veç në një dhomë dhe gratë veç në një dhomë tjetër dhe aty ua çojnë hajen. Burrave që s’kanë mundur ta daritin drithin drejtpërdrejt për çështje të havales nga vajzat dhe gratë, ua çojnë shoshën e drithit në dhomë për ta daritur, për të qitur në të të holla.

Është interesant të përmendet se në katundin Brodec me rastin e qërimit të drithit vënë mbi grumbullin e drithit një sanxhak, një mashë, një teste lugësh dhe një shoshë, të cilat simbolizojnë kështu fillimin e dasmës, përkatësisht parapërgatitjet për këtë ceremoni të madhe familjare. Bie fjala, aty është drithi dhe shosha, me të cilën do të shoshet ai e do të bëhet gati për ta bluar e për ta bërë bukë pastaj; aty është sanxhaku e mashë, që do të shërbejnë për pjekjen e saj, si dhe për përgatitjen e ushqimeve të tjera për dasmë; aty janë dhe lugët me të cilat do të hahen gjellët e dasmës. Ndër të tjera, në të gjitha katundet mbi grumbullin e drithit qesin gjithfarë lulesh me qëllim që ata që martohen të çojnë jetë të bukur si lulet.

Në disa katunde të Malësisë së Sharrit, si: në Vicë, në Shipkovicë e në Pallçisht të Epër, sidomos në të kaluarën, kur ka dashur dasmori të shtrojë bukë për mbarë katundarët dhe të tjerët që do të vijnë në dasmë, ka qenë zakon që me rastin e qërimit të drithit të shtypin qeshqek (qishkek), përkatësisht kokrra gruri.

Ditën që qërohet drithi, përkrah drithërave të tjerë, qitet veçmas në një mutaf edhe një sasi e caktuar gruri, për aq sa nevojitet, për ta shtypur, për ta bërë qeshqek, gjegjësisht “qishkek”, siç thonë në këto katunde. Nga ky grurë marrin pak nga pak dhe e futin në dybek, që është një enë e thellë druri të quajtur në këtë anë me formën e asimiliar “debek”, ku dy veta me çekiça gjithashtu të drunjtë e nxjerrin nga dybeku dhe e vënë mbi një mutaf tjetër, prej nga pastaj, kur shtypet krejt grumbulli i tij, e futin në një kazan dhe e ruajnë për ta zier e për ta ngrënë atë ditë që do të merret nusja. Pasi të zihet ky grurë kështu i shtypur, i qesin atij edhe pak sheqer dhe e hanë për dasmë. Ky lloj ushqimi i përgatitur në këtë mënyrë quhet “qeshkek”, qeshqek dhe ngjan shumë me hoshuret, si përkah pamja, ashtu edhe përkah shija. Siç u përmend dhe më lart, drithi qërohet me qeshqek vetëm atëherë kur dasmori do të përgatisë bukë për mbarë katundin dhe të tjerët që ndodhen në dasmë dhe kur ai nuk shtron bukë për dasmë, atëherë drithin e qëron pa qeshqek. Kjo do të thotë se qërimi i drithit me ose pa qeshqek lidhet me atë se dasmori a do ta bëjë me a pa bukë dasmën, a do të japë bukë për mbarë katundin a jo. Kështu, kur drithi është qëruar me qeshqek, si të përfundojnë sportet e dasmës, d.m.th. mbas serit të pehlivanëve etj., del udhëheqësi i dasmës dhe i fton në bukë të gjithë të pranishmit që janë aty, katundarë e të huaj, duke u thënë: “Ej katun(d)ar, kini selam pi d’zotit d’dasmës sikur ini kit n’buk d’vajni!” Në fund pas të gjitha gjellëve u vënë të hanë nga një karavane qeshqek me sheqer.

Koha e ceremonialit të qërimit të drithit, përkatësisht i sjelljes së tij nga ana e katundarëve, nis, siç u tha prej mëngjesit e zgjat deri pasdeke a kah iqindia. Pas kësaj kohe, përkatësisht pasi të jetë qëruar drithi, e mbledhin atë, e futin nëpër thasë, e ngarkojnë në disa gomarë a në një karrocë (në Derven) dhe në kuaj (në Sharr) dhe e çojnë në mulli për ta bluar. Është interesant të përmendet se për t’i ngarkuar thasët e drithit në gomarë, në kuaj a në karrocë mblidhen të gjithë djemtë e rinj dhe vajzat e reja. Këta të rinj e të reja me dëshirë marrin pjesë në ngarkimin e drithit: dikush më pak e dikush më shumë, qoftë duke i prekur të paktën vetëm thasët me qëllim që edhe ata të arrijnë të qërojnë drithë, pra, të martohen më shpejt. Pikërisht nga kjo arsye u mbetet hatri atyre të rinjve, si dhe prindërve të tyre, nëse bijtë dhe bijat e tyre nuk ftohen a nuk pranohen me rastin e qërimit të drithit, përkatësisht të ngarkimit të tij në kuaj. Thasëve të drithit u vënë lule dhe kuajve që i ngarkojnë me të gjithashtu u vënë lule kah kryet, kah jelet (girivet/grivet) dhe kah samari që të dallohen se e çojnë drithin e dasmës në mulli. Këto janë lulet e drithit që u vihen kuajve për hijeshi. Përveç luleve, kuajve a gomarëve u vënë në jele edhe një maramë, të cilën e merr i zoti i kalit. Aty-këtu, sipas familjeve e katundeve, edhe thasëve të drithit u vënë një maramë, të cilën e merr mullisi për hak që do ta bluajë drithin. Më së shumti drithin e çon në mulli dikush nga ana e dasmorit, kryesisht djemtë e rinj, siç ndodh zakonisht në Derven e në Mal të Thatë, por ka raste që vjen dhe e merr atë vetë mullisi aty te lëma ku është qëruar ai, siç ndodh, për shembull, në Bozovcë të Sharrit. Në Veshallë këtë drithë të dasmës e çojnë te mulliri vajzat, duke kënduar e duke u rënë dajreve dhe po kështu kthehen me kuajt nga mulliri me këngë e dajre. Natyrisht me vajzat ndodhet edhe ndonjë djalë a burrë, një a dy sish, që kujdeset rreth kuajve dhe barrës së tyre.

Ky drithë quhet drithi i dasmës (darsmës) prej miellit të të cilit do të gatuhen bukët që do të hahen në dasmë dhe do të zihet kulaçi dhe tri bukë të kulaçit. Përgjithësisht në MT është zakon që mullisi të mos marrë ujem për bluajen e këtij drithi, sepse besohet se mund t’i merret bereqeti dasmorit. Megjithatë aty-këtu, sipas katundeve e mullisëve ka dhe të tillë që marrin ujem, sidomos ata që s’u ka vënë ndonjë bakshish i zoti i dasmës, si: maramë, peshqir, çorape etj. Nga kjo arsye, d.m.th. që të mos i merret bereqeti nga shtëpia, dasmori shpeshherë merret vesh me mullisin dhe për ujem të këtij drithi i jep atij të holla ose drithë tjetër, jo nga ky i dasmës, por nga drithi i zakonshëm që sjell herën tjetër në mulli. Thonë se ka edhe asi mullisësh që s’marrin në asnjëfarë mënyre ujem prej këtij drithi, jo aq nga besimi që të mos i merret bereqeti dasmorit, sa nga dëshira që t’i ndihmojnë pak edhe ata dasmorit, duke u solidarizuar kështu me njerëzit e tjerë të katundit që përgjithësisht t’i ndihmohet dasmës. Mirëpo në asnjë mënyrë dhe në asnjë katund nuk matet drithi i dasmës, as nga ana e dasmorit, as nga ana e mullisit (me rastin e bluajes së tij), për arsye që zoti të japë bereqet, drithë, në shtëpinë e dasmorit pa masë. Mu për këtë arsye që zoti të japë bereqet pa masë në shtëpinë e dasmorit, edhe ata mullisë që marrin ujem nga drithi i dasmës, këtë e marrin pa masë, pa matur, pa e caktuar sasinë e tij.

Sipas pleqve e plakave të Dervenit, në një të kaluar më të hershme, në këtë malësi drithin e sillnin te dasmori me rastin e qërimit të tij vetëm gratë e katundit, të cilat merrnin me vete edhe nga disa fëmijë ose krejt fëmijët e vet dhe sipas zakonit të kësaj ane, si e sillnin drithin dhe kur mblidheshin deri një sofër sosh, atyre me gjithë fëmijët e vet u vihej edhe bukë të hanë, të drekojnë te i zoti i dasmës. Thonë se kjo i kushtonte shumë dasmorit, ku hanin bukë përveç grave, edhe fëmijët e tyre. Prandaj nga kjo arsye më vonë u hoq zakoni që gratë të çojnë te dasmori drithë me rastin e qërimit të tij dhe u vendos që drithin ta çojnë vetëm burrat. Që gratë të mos çojnë drithë me rastin e qërimit të tij nuk do të ketë qenë vetëm arsyeja e shpenzimeve që do t’i kenë bërë ato me fëmijët e tyre dasmorit, por ka pasur këtu edhe arsye të tjera që një punë e këtillë e ka ngarkuar së tepërmi natyrën e gruas së kësaj ane nga pikëpamje të ndryshme jetësore, në radhë të parë të havales që theksohej gjithnjë e më tepër me rritjen e katundit, ku gratë fillojnë të fshehen edhe prej katundarëve të vet, me të cilët s’kishin lidhje gjaku. Edhe burrat që sillnin drithin me rastin e qërimit të tij hanin bukë te dasmori, jo me atë rast si gratë kur e sillnin drithin, por vinin që të gjithë në mbrëmje e hanin bukë. Kështu ka qenë në të kaluarën e hershme edhe në Malësinë e Sharrit, ku shtrohej në mbrëmje bukë për të gjithë katundarët me rastin e qërimit të tij, të fillimit të dasmës. Një kohë më vonë në katundet e Dervenit dhe në ato katunde të Sharrit, ku me rastin e qërimit të drithit u jepej bukë atyre që sillnin drithë, u la zakoni i grishjes së mbarë katundit për qërimin e drithit, përkatësisht të prurjes së tij te dasmori dhe të ngrënies së bukës tek ai. Kështuqë pastaj, me rastin e qërimit të drithit, në këto anë ftoheshin dhe sillnin drithë në këtë ceremoni të fillimit të dasmës vetëm farefisi e fqinjët dhe qitnin sa për adet pak drithë në lëmë, -një grumbull të vogël misri ose gruri i ngarkonin gomarët a këndonin e vallëzonin vajzat pak dhe pastaj i ngarkonin gomarët a kuajt me të dhe e çonin në mulli për ta bluar. Po përmendim se edhe sot e kësaj dite mbarë malësia e Sharrit e qërojnë drithin ende në këtë mënyrë, d.m.th. duke qitur sa për adet pak drithë në lëmë: grurë, thekër ose misër dhe me një ceremoni të tillë siç u përshkrua më lart. Ndërkaq, pothuajse mbarë Malësia e Dervenit të Tetovës, as në këtë mënyrë nuk e qërojnë më drithin e dasmës. Në këtë Malësi bëjnë përjashtim Cerova dhe Merova, si dhe rrallë ndonjë familje katundesh të tjera të kësaj ane, ku drithi ende qërohet duke qitur një grumbull të vogël gruri, thekre a misri në lëmë sa për adet të nisjes së dasmës. Përgjithësisht në katundet e Dervenit është lënë më zakoni i qërimit të drithit si zakon që i paraprin dasmës. Një pjesë e katundeve të Dervenit sot në ditën e fillimit të dasmës drejtpërdrejt i ngarkon gomarët e karrocën me drithin e dasmës dhe e çon në mulli me përcjellje këngësh e dajresh, kurse pjesa më e madhe e katundeve të kësaj anë për dasmë blejnë bukë të gatshme (somuna) nga qyteti i Tetovës a i Shkupit ose nga furra private e Grupçinit.

Arsyet pse sot nuk qërohet më drithi ose jo ashtu si më parë në Derven të Tetovës janë të shumta, por një nga to është edhe ajo, siç thonë në këtë anë, se njeriu s’ka llogari të qërojë drithë, sepse më shumë i kushton darka që do të hanë katundarët me këtë rast sesa drithi që do t’i bien, e që kushton shumë më pak, pa lëre më kohën dhe telashet e tjera që kërkon ky ceremonial i fillimit të dasmës. Një ndër arsyet e tjera të mosqërimit të drithit në këtë anë është edhe ajo e mosinteresimit përgjithësisht për dasma e njeriut të sotëm të kësaj ane. Zakoni i fillimit të dasmës është luhatur mjaft dhe ka pësuar shumë ndryshime në krahasim me të kaluarën edhe në Malësinë e Sharrit të Tetovës, ku se ka më atë rëndësi rituale siç e ka pasur dikur. Madje edhe në këtë anë sot shumëkush blen bukë të gatshme për dasmë dhe nuk çon drithë në mulli, por megjithatë ia bën pak adetin, duke qitur pak drithë në lëmë dhe duke u rënë dajreve dhe duke kënduar.

Në katundet Gurguricë e Sallarevë të Malit të Thatë drithi nuk është qëruar dikur e as sot nuk qërohet ashtu si në katandet e përmendura. Edhe në këto dy katunde, si në Sharr e Derven, çohet drithi i dasmës në mulli shtatë ditë para se të vijë nusja, d.m.th. ditën e enjte ose të dielën dhe në krye të javës.

Të enjten ose të dielën në mëngjes, varësisht se në cilën nga këto dy ditë do ta marrin nusen, i qesin thasët me drithë në lëmë: misër, grurë, thekër, dikur edhe elb, dhe i ngarkojnë në kuaj e i çojnë në mulli. Që t’i dallojnë nga kuajt e punëve të përditshme, këtyre kuajve të drithit të “dazmës” u vënë lule dhe këndojnë vajzat e u bien dajreve derisa i ngarkojnë e i përcjellin për në mulli. Edhe në këto katunde çështja e marrjes së ujemit të këtij drithi është e njëjtë me atë që u tha për malësitë e Sharrit dhe të Dervenit. Në procesin e fillimit të dasmës mund të vërehet se derisa në Sharr dhe në Derven ekziston ceremoniali i qërimit të drithit, në Gurgunicë e në Sallarevë ekziston ceremoniali i lidhjes së unazës, që i thonë “me lidh unoz”. Për dallim nga unaza e nishaneve të fejesës, “unoz a nishaneve, unoz a t’folmes”, kjo unazë quhet “unoz a dazmës”. Në Gurguricë e në Sallarevë unaza e dasmës lidhet në këtë mënyrë: të enjten e të dielen, d.m.th. atë ditë kur çohet drithi në mulli, që nga mëngjesi herët dalin tri vajza (cuca) nga ana e dasmorit, farefis i tij, dhe e grishin mbarë katundin shtëpi për shtëpi që të vijnë në unazë, duke thënë: “Ju grish NN të na vini n’unoz”. Në unazë ftohen vetëm gratë e katundit. Dikur pasdite, aty kah iqinditë, shtrohet unaza në shtëpinë e dasmorit. Me fjalë të tjera, shtrohet ndonjë çarçaf, pëlhurë a diçka tjetër ngjashëm me këto dhe menjëherë nisin e vijnë gratë e katundit, të ftuara po atë ditë, dhe bien bakshishet (daret) e veta për unazën e dasmës, duke i qitur mbi çarçafin e shtruar. Ato sjellin ndonjë shami (korpa), breza, këmisha, çorapë (kalçin), unaza, bylyzykë etj. Unaza rri e shtruar (e shtruet) deri të nesërmen në dreket, d.m.th. nëse është shtruar të dielën, ajo vazhdon të rrijë e shtruar deri të hënën në dreket dhe nëse është shtruar të enjten, ajo vazhdon të rrijë e shtruar deri të premten në dreket. Nëse ndonjë grua s’ka mundur të vijë në unazë të dielën a të enjten, ajo mund të vijë në unazë të nesërmen, d.m.th. të dielën a të premten paradreke derisa është e shtruar unaza. Të hënën a të enjten kah dreket mblidhet unaza, përkatësisht lidhen bakshishet e dasmës në formë unaze, nga do ta ketë marrë dhe emrin “lidhim unozën e dazmës” dhe palohen në arka a thasë, duke i përgatitur kështu për t’i dërguar me kuaj te nusja. Si t’i lidhin e t’i bëjnë gati këto “unozë”, këto bakshishe (dare) e tesha, i ngarkojnë në kuaj dhe i çojnë te nusja disa veta (petkaxhinjtë).

ZËNIA E KULAÇIT (Me e zan kolaçin)

Në malësitë e Tetovës është zakon që me rastin e fillimit të dasmës të zihet edhe kulaçi i dhëndrit dhe i nuses që do të martohen. Ai zihet e gatuhet nga mielli i drithit të dasmës një javë para se të fillojë kjo ceremoni e madhe familjare, një ditë para se nuses do t’ia çojnë rrobat (petkat). Më parë petkat e nuses i çonin ditën e hënë dhe kulaçi zihej natën e hënë pasdarke, kurse sot petkat i çojnë të premten dhe kulaçi zihet të premten, në mbrëmje. Pra, kulaçi zihet “natën e petkave”. Zënia e këtij kulaçi s’është gjë tjetër veçse zënia e jetës së re të dy të rinjve që po martohen, që po themelojnë marrëdhënie të reja në punën dhe në jetën e tyre bashkëshortore, është simbol i jetës së tyre të re martesore. Për shkak të një rëndësie të këtillë jetike, kulaçi zihet me kujdesin më të madh, duke e mbrojtur atë nga magjitë e qoftëlargët që mund t’u sjellin keq dy të rinjve, si dhe duke vënë në veprim disa prime (pokushe) që kanë për qëllim mbarëvajtjen e jetës së këtyre të rinjve.

Sido që të jetë, kulaçi zhet e gatuhet me miellin e drithit të dasmës dhe për zënien e tij angazhohen kryesisht tri vajza beqare, të cilat patjetër duhet t’i kenë të dy prindërit gjallë me qëllim që të rrojnë vetë ata që martohen dhe fëmijët e tyre që do t’u lindin, si dhe të jenë farefis me dasmorin për të qenë kështu më të besueshme në punën e tyre rreth zënies së kulaçit. Në të kundërtën, po të jetë dikush tjetër, jo i afërm me dasmorin, ndonjë i huaj, dyshohet se mund t’u bëjë magji për t’u bërë keq dy të rinjve që po martohen ose nuk do të kujdeset aq që kulaçin ta mbrojë nga të tjerët që do të dëshironin t’ia bëjnë atij një gjë të këtillë për t’i ndodhur ndonjë e keqe pastaj dhëndrit e nuses.

Njëra nga këto vajza e mbush ujin, tjetra e kall zjarrin, kurse e treta e zë kulaçin. Ajo që e mbush ujin merr një kusi të bakërt me qëllim që ata që martohen të jetojnë gjatë sa bakri e të mos mundë kush t’u bëjë magji (sihir) e t’i marrë mëshys, sepse bakri nuk zë magji e nuk merr mëshys, dhe nën përcjelljen e dajreve e të këngëve të vajzave të tjera shkon te kri. Ujin e mbush pa folur prej momentit kur e merr kusinë në dorë e gjatë gjithë procesit të zënies së kulaçit e derisa të futet ai në zjarr për t’u pjekur me qëllim që ata që martohen të çojnë jetë të qetë në të ardhmen, pa fjalë, pa zënie e përlarje ndërmjet vete dhe anëtarëve të tjerë të familjes, të mos kenë shamatë, “fesat”; besohet se s’flitet edhe për atë që të mos dëgjojnë qoftëlargët, që në të kundërtën do të vinin të bëjnë diçka te ky ujë për t’u bërë keq pastaj dy të rinjve në jetën e tyre të re që po lidhet e po zihet me zënien e kulaçit.

Uji i kulaçit duhet të mbushet qysh herët në mëngjes ende pa lindur dielli dhe patjetër prej tri krojeve a puseve, me qëllim që ata që martohen të shtohen, të lindin fëmijë, kështu, duke qenë dy, të bëhen tre. Njëri nga këto kroje a puse duhet të jetë i djalit, pronë e dasmorit ose e lagjes së tij, dhe kjo simbolizon vetë dhëndrin, kurse dy krojet a puset e tjera duhet të jenë të huaja, të lagjeve të tjera të katundit dhe kjo simbolizon nusen që është e huaj dhe fëmijën e tyre që merret gjithashtu më tepër si i huaj, si pjellë, si gjak i anës së saj.

Kjo vajzë, edhe kur shkon, edhe kur kthehet nga krojet a puset, nuk bën ta lëshojë kusinë në tokë, siç thonë këndej “për trolli”; në të kundërtën, besohet se mund ta lëshojë atë mbi ndonjë qoftëlarg a “hexhine”, që do të ketë qëlluar aty, meqë ka ardhur me këtë rast për t’i bërë ndonjë të keqe ujit, përkatësisht atyre që po martohen, ose mund ta lëshojë atë mbi gjurmët e qoftëlargëve, ku do të kenë shkelur ata e që do të ishte gjithashtu me rrjedhime të rënda për jetën e ardhme të çiftit të ri.

Është interesant të thuhet se kjo vajzë e mban kusinë në dorë edhe gjatë ngrohjes së ujit në zjarr, pa e vënë atë gjëkundi, as në gurë e as në veriga të zjarrit, pra, pa e lëshuar ujin askund nga dora.

Zjarrin për ngrohjen e ujit, siç u tha, e kall një vajzë tjetër, e cila gjithashtu duhet të jetë me prindër të gjallë dhe nuk flet gjatë punës së vet për arsye të lartëpërmendura. Ky zjarr duhet të rregullohet e të përgatitet mirë që më parë prej drush të thatë e të shëndoshë të ahut, prej “ahishtesh të thata a kërçajke ahi”, s’bëjnë aq shumë flakë që në të kundërtën do t’ia digjte dorën vajzës që e mban kusinë lart për ta ngrohur ujin e kulacit, si dhe për atë që ky zjarr si të ndizet e të marrë flakë nuk bën më të preket e të ngucet në asojë mënyrë; po të përziohet zjarri e të marrë me këtë rast flakë, besohet se do të përziohet jeta e dy të rinjve që po martohen e do të marrë flakë, do të përlalhen e do të shalhen, nuk do të çojnë jetë të qetë bashkëshortore, gjithnjë do të jenë të përzier e të shqetësuar në jetë e në punë. Për këtë thonë: “Zarmi kulaçit nauk ban t’nxahet, se mrapa nxahet puna e u hi fesati gjalit e nauses; si t’përziohet zarmi e t’marrë flak, përziohet mrapa ene gjali, ane nausja e merr flak fesati n’shpajn e atine”.

Pasi të jetë ndezur zjarri, po të vihet ndonjë dru në zjarr, po të shtohet zjarri, besohet se do të shtohen zëniet e përlarjet ndërmjet djalit e nuses dhe anëtarëve të tjerë të shtëpisë; po të hiqet ndonjë dru, urë, nga zjarri besohet se do të vdesë ndonjëri nga çifti i ri. Po të ndodhë kjo, atëherë këtë zjarr e lënë krejt dhe marrin e ndezin zjarr të ri për ngrohjen e ujit të kulaçit dhe në një vend tjeter, në një dhomë tjetër të shtëpisë, duke besuar se kështu do të largohen nga e keqja që mund t’i ndodhte çiftit të ri. Pikërisht nga këto arsye, zjarri i kulaçit ruhet me kujdesin më të madh nga ajo vajzë që e ka ndezur atë, si dhe nga të tjerët, që të mos preket nga dikush.

Zjarr i kulaçit është zjarr i dasmës. Ky zjarr nis më parë me ngrohjen e ujit e të pjekjes së kulaçit e vazhdon pastaj me pjekjen e bukëve e zierjen e gjellëve të dasmës. Ky zjarr, që nga fillimi kur ndizet e deri sa të përfundojë dasma, derisa të bëhet me të edhe darka e nuses, në asnjë mënyrë nuk bën të fiket. Po bëri e u fik ky zjarr i dasmës brenda ditëve sa zgjat ceremonia e saj, besohet se fiket familja e dasmorit, nuk do të përparojë në punë e në jetë, dhe mund të vdesin e të shfarosen të gjithë anëtarët e saj, të shuhen. Prandaj, nëse ndodh që magjatoreve t’u fiket ky zjarr, atëherë ato menjëherë nxirren nga detyra dhe përzihënga nga shtëpia e dasmorit dhe vihen magjatore të tjera, të reja dhe ndizet zjarr i ri dhe në një vend tjetër, në një dhomë tjetër, duke besuar se kështu do të prishet e keqja që mund t’i ndodhte dasmorit. Zjarr i pa ruhet me kujdesin më të madh nga magjatoret dhe anëtarët e tjerë të familjes së dasmorit që të mos fiket, duke e mbajtur kështu vazhdimisht të ndezur deri në fund të dasmës, të premten në mbrëmje, kur bëhet darka e nuses.

Pasi të jetë ngrohur uji, ajo vajzë që e ka mbushur atë e që s’e ka lëshuar nga dora për asnjë moment, e sjell atë të vendi ku do të zihet kulaçi, brumi i tij, duke e mbajtur vazhdimisht kusinë lart në dorë. Kulaçin e zë një vajzë krejt tjetër, një e tretë, e cila gjithashtu nuk flet dhe duhet t’i ketë të dy prindërit gjallë, për arsye të përmendura më sipër. Kjo vajzë merr pak miell nga ai i dasmës dhe e qet në një tepsi të vogël gjithashtu të bakërt. Kulaçin vjen i pari dhe e përzien vetë dhëndri, i cili qet në miell një para metali çfarëdo qoftë: më parë një lirë a gjysmë lire (monedhë e dikurshme ari), kurse sot një a dhjetë mijë dinarëshe. Ndërkohë vajza që mban kusinë në dorë qet pak ujë në miell dhe dhëndri nis e përzien atë nga dy-tri herë me dorë të djathtë sa për adet derisa të mbulohet nga mielli e të mos duket monedha metalike. Në Malësinë e Dervenit dhëndri e përzien miellin e kulaçit jo me dorë, por me thikë a me hanxhar ose me ndonjë mjet tjetër të metalë. Më parë në mbarë MT dhëndri e përziente kulaçin me tytë të ndonjë arme: revolejë, pushke, martine dhe pastaj shtinte tri herë me këtë armë. Rrallë aty-këtu, sipas familjeve, dhëndri e përzien miellin e kulaçit edhe me orë, me “sahat”, me qëllim që jeta e re bashkëshortore e burrit dhe e gruas të shkojë drejt si ora, gjithnjë e gjallë në punë e në udhë, pa pushuar e pa u ndalur fare në probleme e në vështirësi, ashtu siç nuk ndalet ora. Me fjalë të tjera, ora simbolizon vetë jetën e dy të rinjve. Mekanizmi i saj aq i ndërlikuar e gjithnjë në lëvizje simbolizon jetën e re të tyre që do të jetë me aq nevoja, kërkesa, probleme e vështirësi, të cilat duhet përmbushur, zgjidhur e tejkaluar me punë të pandërprerë vetëmohuese. Ora ka dhe domethënien tjetër që të jetojnë dy të rinjtë dhe fëmijët e tyre në jetën e re bashkëshortore. Në disa katunde të Dervenit, si në Zhelinë, Çiftlik etj. dhe në Sellcë të Sharrit zihen tre kuleç dhe të tretë i përzien dhëndri me ndonjë mjet metalik.

Përzierja e kulaçit nga ana e dhëndrit me metal: me thikë, me armë zjarri a me diçka tjetër të këtillë ka për qëllim që çifti i ri të çojë jetë të fortë si metali, si këto mjete. Në të gjitha rastet e përzierjes së kulaçit, qoftë me dorë a me metal: me thikë, me armë etj., brumi i kulaçit zihet me një para metalike me qëllim që jeta e dy të rinjve që po martohen të zihet e fortë si metali e ata ta duan njëri-tjetrin ashtu siç e duan paranë, e cila atij që do t’i bjerë, me rastin e thyerjes së kulaçit, siç do të shihet më tej, besohet se ai do të ketë nafakë në jetën e përbashkët martesore. Për arsye të lartpërmendur nuk flet as dhëndri kur e përzien kulaçin.

Pasi ta ketë përzier dhëndri kulaçin sa për adet, ajo vajzë, që është caktuar për zënien e tij e që quhet kulaçtore, merr dhe fut në brumë të kulaçit edhe pak sheqer e leblebi që çifti i ri të çojë jetë të ëmbël e të shijshme si sheqeri e leblebitë; fut pak kokrra orizi në të, në mënyrë që çifti i ri të çojë jetë të bardhë si orizi; then një kokërr vezë aty që çifti i ri të jenë të shëndoshë në jetën e re, t’u ecë shëndeti e të bëhen ashtu të bardhë e të kuq siç është të bardhët e të kuqtë e vezës. Derisa kjo e përzien brumin, vajza tjetër i qet pak nga pak ujë, sipas nevojës, gjithnjë duke e mbajtur kusinë lart me dorë, pa e lëshuar në tokë. Kulaçtorja a kulaçtoret me rastin e zënies së kulaçit vënë në krye kësula të bardha për të lindur nusja djem dhe për jetë të bardhë.

Kulaçi i jetës së dy të rinjve, që do të martohen, mund të zihet edhe me qiqër të shtypur, me “maj a me nahut”, për t’i ardhur erë e mirë dhe për ta bërë kështu më të shijshëm atë. Madje jo vetëm kulaçi i dhëndrit dhe i nuses, por edhe bukët e dasmës mund të zihen me “majë” për t’u ardhur erë e mirë e kështu për të qenë pak më të shijshme. Kulaçin dhe bukët e dasmës i zë me “majë” sidomos Malësia e Dervenit. Brumin e kulaçit të zënë me “majë” e me ato gjësende metalike e ushqimore, siç u përshkruan më lart, e futin pastaj në dy tegulla prej bote me grykë të gjerë, të ngjashme me tegullat e qelqta të reçelit, të cilat në Derven i quajnë “dake Shkupi”. Njëra tegull (dake Shkupi) është e dhëndrit, e tjetra është e nuses. Pas një kohe i shikojnë të dyja tegullat (daket) se në cilën sosh ka ardhur më parë “maja” (nahuti). Nëse ka ardhur më parë “maja” e dakes së dhëndrit, besohet se ky është dhe do të jetë më i zoti në jetë se nusja, se do të jetë superior ndaj saj, se do ta ketë atë gjithnjë ndër komandë dhe anasjelltas besojnë, po të vijë më parë “maja” e dakes së nuses. Secila familje dëshiron me këtë rast që të vijë më parë “maja” e dakes së dhëndrit dhe dëshpërohen pa masë kur vjen e “maja” e nuses e ta hidhërojë kështu familjen e djalit, këtë adet, zënien e kulaçit me “majë”, më rrallë e përdorin.

Njësoj sikurse zjarri, ashtu edhe uji i kulaçit mbushet në një masë të caktuar dhe s’bën pastaj të preket: as të shtohet, as të pakësohet e as të derdhet në tokë, të kundërtën, besohet se çifti i ri s’do të ketë jetë të mbarë e të lumtur. Madje edhe nëse mbetet pak ujë nga ai i kulaçit, atë nuk e derdhin dhe s’e futin në kurrfarë përdorimi tjetër, por e merr e ëma e djalit dhe e çon në kurë, siç thonë këndej për një dhomë a izbe, ku do të lahet e do t’i ndërrojë teshat dhëndri. Ky ujë është sjellë këtu me qëllim që pastaj të përziohet me ujin që do të lahet dhëndri, me ujin e dhëndërisë. Vetëm këtu kusia me këtë ujë lëshohet në tokë dhe mbulohet me një çevre të bardhë të dhëndrit që t’i shkojë bardhë dhëndëria dhe ruhet në dhomë (kurë) të kyçur me kujdesin më të madh që të mos hyjë dikush aty e të bëjë në të ndonjë magji për t’i bërë keq dhëndrit kur të lahet me të.

Pasi ta ketë gatuar, vajza e merr tempsinë me kulaçin dhe e fut ndër saç për ta pjekur. Sipas fjalëve të plakave, në të kaluarën e kanë pasë pjekur në hi kulaçin e dhëndrit e të nuses. Vajzat që s’kishin folur deri tash, prej këtij momenti nisin, duke e pyetur dhëndrin: “Kur do martona neja, me xhi do vajsh t’na marrësh?” Dhëndri ua kthen: “Me kal, me magjar, me çerre do vaj do v’u marr” dhe kështu nisin e flasin ata dhe pastaj hyjnë në valle dhe kulaçtoret luajnë. Në Derven është zakon që me këtë rast, pas përgjigjes së dhëndrit, kulaçtoret e ndezin një lëvere çerepi dhe me atë ashtu kallur shkojnë e hyjnë në valle e luajnë me vajzat e tjera, duke tërhequr vallen me lëvere të ndezur. Ndezja e lëveres së çerepit, me sa duket, bëhet në shenjë të asaj që mbaroi kështu jeta e beqarisë së djalit.

Pasi të piqet kulaçi, ëma e djalit e merr dhe e fsheh dikund në shtëpi a e fut në ndonjë arkë a sënduk dhe e mbyll atë me dry që të mos e prekë dikush, të mos u bëjnë dy të rinjve ndonjë magji me të si dhe të mos e thyejnë atë. Kulaçi duhet të ruhet i tërë, i plotë, deri atë moment që do të thehet ceremonionisht nga dhëndri e nusja, sepse kështu besohet se ruhet e plotë jeta bashkëshortore, martesa e dy të rinjve, e pandashme deri në vdekje. Në të kundërtën, po ndodhi që të thehet kulaçi para kohës së caktuar, besohet se do të thehet jeta bashkëshortore e dy të rinjve të martuar, do të ndahet e do të shkatërrohen, do të shkurorëzohen ata: o burri do ta lëshojë gruan, do ta përzërë atë, o gruaja do ta lërë burrin, do të ikë nga ai. Nga kjo arsye kulaçi ruhet me kujdesin më të madh që të mos thehet, por nëse thehet, që bën vaki fare rrallë, atëherë këtë kulaç e hedhin (flugjin) në ujë që të ligat e tij, të këqijat që do t’i sillte jetës martesore të çiftit të ri, t’i marrë e t’i lajë uji. Si të hidhet ky kulaç i dështuar, zihet kulaç i ri i jetës së re bashkëshortore të dy të rinjve që po martohen, kulaç i dytë, por jo më me ceremonitë, me pokushet e me adetet e zakonshme si te kulaçi i parë të përshkruara më sipër, duke bërë përjashtim vetëm monedha tjetër metalike e sheqeri që i futin prapë në brumin e këtij kulaçi për fat e për jetë të ëmbël.

Në Malësinë e Malit të Thatë këtij kulaçi i thonë “krushk-krushka”. Këtu është zakon që të zihet kulaç, “krushk-a”, jo vetëm te familja e dhëndrit, por edhe te ajo e nuses. Këta dy kuleç në këtë anë zihen jo si në Sharr e Derven një javë para se të fillojë dasma, por një natë para se të merret nusja, përkatësisht një natë para se të përcillet vajza nga ana e familjes së saj, d.m.th. natën e enjte pasdarke. Në brumin e kulaçit që zihet te dhëndri, ndër të tjera gjëra, që i thamë më sipër, i futin edhe nja dy fije floku të tij, si dhe përsipër shënojnë emrin e djalit dhe atë të vajzës që po martohen. Ky kulaç që zihet te dhëndri është kulaçi i nuses, të cilin, si shëndet nga ana e djalit, ia çon asaj agobaba të nesërmen, d.m.th. ditën e enjte, kur do të shkojnë me krushqit për ta marrë atë. Ai thehet te familja e vajzës kryesisht nga shoqet e saj dhe cilës i bie paraja, ajo do të ketë fat në jetë, kurse asaj që do t’i bien flokët, besohet se ajo do të martohet më shpejt. Por thonë se këto fije floku të dhëndrit i futin në kulaç pak edhe për shaka, që t’i gërditin pak ata që do ta thyejnë atë te familja e vajzës e kështu mos ta hanë. Edhe vajza atë ditë që shkon nuse e çon te burri atë kulaç, që është zënë nga ana e familjes së saj. Kulaçi, që ia kthen si shëndet nusja burrit, s’ka fije floku dhe ai do të thehet në mënyrë ceremoniale nga këta dy të rinj të nesërmen nga dita e martesës së tyre. Përgjithësisht kulaçi i jetës së dy të rinjve do të thehet ceremonisht nga dhëndri e nusja atë ditë që do të dalë nusja në krua për të mbushur ujë.

Ceremonia e zënies së kulaqit përcillet edhe me këngë përkatëse që vënë në dukje veprimet rreth zënies së tij, si:

Ilir aga mo të d’vaje mbare,
përzije kolaçin me hanxhare!
Hajde Ilir aga, hajde frajk e frajk,
përzije kolaçin taj me thajk!
More Ilir aga, more shtat bajrak,
haj zije kolaçin o me sahat!
Kolaçin do ta zam o me ni vet
ene do ta hajshin o nizet vet.
Merre pushkën Ilir aga dil e krajse jasht,
ne ta marrin vesht dunjaja se kimi zan kolaç.

Për kulaçin që zihet me maje, këndojnë:

Or volla derr a ke ndaje
se Ilir dilberit d’i zam maje etj

Madje për të bërë edhe pak shaka, shoqet e veta vajzën që zë kulaçin e këndojnë duke e sharë e përqeshur:

Mori soj pa lame, mori thoj pa preme,
kush ta ha kulaçin tan, mori tevegele etj.

DËRGIMI I TESHAVE (Me i çaue petkat)

Me fillimin e dasmës, përkatësisht nja pesë ditë a një javë para se të merret nusja, në shtëpinë e djalit ndihet, varet në mur, paja (daria) që do t’i çohet nuses dhe kjo pajë kështu e ekspozuar rri nja një ditë a dy, ku vijnë njerëzit për ta parë dhe për të sjellë dhuratat (bakshishet) e veta për djalin dhe për nusen. Ditën e premte, më parë të hënën, qysh në mëngjes herët i mbledhin këto tesh, i palojnë në arkë a në thasë dhe i çojnë me kalë te nusja, d.m.th. këto tesh a dërgohen nuses në shtëpinë e saj për t’u kthyer të dielën, më parë të enjten, prapë te burri. Në Veshallë dikur petkat e nuses i çonin një ditë më vonë nga katundet e tjera: ditën e martë. Dërgimi i teshave njihet me fjalët “me i çue petkat”. Ata që do t’i çojnë petkat thirren një ose dy ditë përpara, duhet të jenë të afërm me familjen e djalit dhe quhen “petkaxhi”. Në Derven petkaxhinjtë më parë quheshin “petkatar-ë-t”, kurse sot u thonë edhe “petkaxhi”. Më parë për petkaxhinj nuk ftohej farefisi i dasmorit, por nga dy-tre veta prej secilës lagje të katundit me qëllim që kështu të mos hidhëroheshin katundarët e tij e pastaj të mos i shkojnë në të grishur për ta marrë nusen. Për petkaxhinj mund të thirren edhe miqtë e largët. Numri i petkaxhinjve sot mund të arrijë më së shumti deri në nëntëmbëdhjetë veta e më së paku deri në shtatë veta. Në Gurguricë e Sallarevë mund të shkojnë petkaxhinj prej 13 deri në 23 veta burra. Përgjithësisht numri i petkaxhinjve varet nga dëshira dhe mundësia ekonomike e familjes së vajzës: sa thotë kjo, aq njerëz i çon familja e djalit. Shikohet gjithnjë që numri i petkaxhinjve të jetë tek, sepse besohet se me numrin tek u lindin djem atyre që martohen, kurse me numrin çift vajza. Petkaxhinj shkojnë vetëm burrat, kryesisht burrat e shtyrë në moshë, por s’mungojnë as të rinjtë, beqarët: më të rinjtë në këmbë, kurse më të vjetrit në kuaj. Nëse është larg, të gjithë shkojnë me kuaj. Një kalë e ngarkojnë me tesha: në një anë teshat e shtratit, kurse në anën tjetër një sënduk, duke i mbuluar përsipër me një qilim. Në Derven teshat e nuses i çojnë edhe me “çajz-i”, që është një karrocë me dy rrota, meqë terreni në këtë malësi të Tetovës është më rrafsh dhe mund të qarkullojë ky mjet rrugor.

Petkaxhinjtë e marrin me vete edhe një djalë të vogël prej 5 – 10 vjetësh me qëllim që nusja të bëjë djalë në fillim. Atë e hipin mbi kalin e ngarkuar me teshat e nuses, përkatësisht në karrocën e teshave, të arkave. Djali i vogël pastaj hyn te nusja dhe ajo i jep një bakshish. Petkaxhinjtë mblidhen që në mëngjes te shtëpia e djalit, pinë nga një kafe dhe, kur vijnë që të gjithë, nisen për te shtëpia e vajzës pak kohë para dreksë që për drekë të jenë atje. Nëse është larg, ata nisen që në mëngjes. Po ashtu edhe këtë ditë në shtëpinë e djalit vlon gëzimi e hareja: kënga e dajret s’pushojnë fare. Këndohen këngë që kanë të bëjnë kryesisht me dërgimin e teshave të nuses dhe vihen në dukje reagimet e saj në lidhje me këtë. Ja disa vargje:

Ber me merak, e majro, ngrau me ishtah,
do t’i çojna petkat herët n’sabah,
do t’i çojna petkat t’naj vajshish,
lule begarin si da prajshish.

Vajn ni kal e tu’u nal
me santinet pal e pal.
Do t’i çojna santinet e bardha,
lule do çuditen kit mahalla,
se far santine ka çaue Ilir aga;
do t’i çojm santinet e jeshilta,
kit mallin për toj e harxhita.
– Kit mallin për mu be dilber taj mos e harxhit,
do t’i çojm santinet me tentene e me shirit.

Do t’i çojm santinet e verdha,
nause mo t’t’i marre era,
mo t’t’i marre era të t’i verojë,
Ilir aga toj do t’i çojë.
Do t’i çojm santinet toj, mo naj përzij,
kur i kam fitaue lala jam kan shaum i ri;
do t’i çojm komashet toj, mo naj tollovajt,
kur i kam fitaue lala, jam kan tu’u rajt.

D’i çojm petkaxhit me tre taluga,
mo na e çoni nausen rruga pruga,
nausen rruga pruga nauk va çojna,
d’i çojna santinet ta ndrrojna.
D’i çojm petkaxhit Udhës Epër,
d’i mbushim pishtollat me hekër,
mahallën e nauses da gjegjëm.

Mori mahalla e kallanxhiyve,
a d’u bajni drek petkaxhiyve,
a d’u bajni ju be derra, a d’u bajna vet,
kur d’i najse Ilir aga 25 vet,
25 vet kur do najsin,
kit me pishtolla do krajsin,
a do bajni ju be derra, a do bajna ne:
vajn agobaba me harxhin e vet,
kafen e shigerin i ka në xhep.

Xhi ka nan’o dosa xhi kitohet,
mailli kollomojt nauk fiallohet,
sale bakërdar xhi marohet.
Xhi ka majxhovaça xhi hi e xhi del,
tautet, sheqerparja se nauk i del.
Majxhovaço mos u ban budalle,
bajshe ni temcoj ma t’madhe,
athere petkaxhijve do v’u dale.

Dil volla derr, dil përpara,
t’naj thauësh kalit mashalla;
dil volla derr rauje udhën,
vajn agobaba me talugën;
dil volla derr e rraj n’der,
do t’kërkoje agobaba kafe me shiqer,
kafe me shiqer n’filxhana me tel,
a d’i dalësh para, ore volla derr?
Hiki volla derri e përlav malet,
se vajn agobaba me nishanet;
duël volla derri përlav udhën,
se vajn agobaba me talugën.

Do ta çojm liramihirin sikur ije vet,
oj Shqipe lalelule ta bajsh me shëndet,
ta bajsh me shëndet, e majro, ta gjëzojsh,
kur do vajsh te Ilir aga lule ta ushtojsh!

Me rastin e arritjes së teshave të së bijës së vet, edhe familja e vajzës nga ana e saj thërret deri dhjetë burra të farefisit të vet fqinjë. Këta dalin në oborr dhe i presin petkaxhinjtë, duke ua dhënë dorën të gjithëve me radhë dhe duke u thënë: “Hoshgjellën!” Gratë e qesin fshehtas vajzën në dritare që t’i shikojë petkaxhinjtë. Ajo i shikon nëpërmjet një shpate nëntëkerrëshe dhe i numëron tri herë nga nëntë veta me qëllim që fëmijët t’i bëjë në nëntë muaj, në nëntë hënë, se po t’i bëjë në tetë muaj, tetë hënë, ata nuk jetojnë. Vajza i shikon petkaxhinjtë edhe nëpërmjet një shamie të bardhë me qëllim që jeta t’i shkojë bardhë të burri, t’i duken njerëzit e shtëpisë së tij të mirë, të bardhë. Për petkaxhinjtë familja e vajzës përgatit bukë. Si të ulen u derdhin cigare dhe pas pak u japin të pinë nga një kafe. Pastaj u qesin t’i lajnë duart, e shtrojnë tryezën dhe sipas rendit të përmendur më lart i vënë gjellët: çorba, sarma, jania, byrjan, petullat me sheqer e me kos në mes dhe sytliaçi. Pasi të kenë pushuar së ngrëni, të gjithë bëjnë amin, duke i kënduar një dua që zoti t’i japë të zotit të shtëpisë sa më shumë bereqet. Pas duas ata prapë marrin nga një lugë tëmbëloriz si zakonisht që zoti t’ua bëjë “kabull”, t’ua aprovojë lutjen për bereqet dhe me këtë rast vënë dhe kurorën fetare (niqahin) të djalit dhe të vajzës që do të martohen.

Me petkaxhinjtë shkon rregullisht edhe i ati i djalit vetëm ose me djalin më të madh, nëse ka, duke ecur krejt i fundit pas të tjerëve. Ai lë para në tepsinë e petullave ose në atë të kafeve në shenjë shpërblimi të atij që ka përgatitur bukën, siç thonë këndej “e daritën sofrën”, por këtë e bën edhe për bujari. Në të kundërtën, po të mos lihen të holla, merret si poshtërsi. Të hollat i merr familja e vajzës. Një ndër pjesëmarrësit më të autorizuar në drekën e petkaxhinjve është hoxha, i ftuar kryesisht nga ana e vajzës. Duhet të vëmë në pah se të gjitha gjellët që u vihen petkaxhinjve i provon (nacet) më parë vajza që do të martohet. Ajo prej secilës gjellë merr nga një lugë me qëllim që të kenë muhabet, të duhen ndër vete. Pra, nusja e fillon hajen e petkaxhinjve fshehtas, sepse ajo nuk u del atyre. Dikush nga petkaxhinjtë, në emër të shokëve të vet, kërkon leje që të shkojnë: “Çetahi, or miç (shok, vllazën etj.) mas kit ktine t’majrave xhi na sajdisët, he zoti u sajdist, u dhasht bereqet e u ardhim për t’majr, a na ipni izën me u çaue!?” Të anës së vajzës u përgjigjen: “Sikur ta kini ju punën, ne kimi boll qef me najt hala e me ba muhabet, po ju si d’dojni, munni me u çaue, izën kini”. Petkaxhinjtë çohen menjëherë dhe duke dalë jashtë u japin nga një maramë të gjithëve, por sot më tepër nga një palë çorapë fabrike. Djalit të vogël që ka ardhur me ta i japin një çevre. Është adet që petkaxhinjtë, sidomos djemtë e rinj, beqarët, të vjedhin, të fshehm, të marrin diçka nga familja e nuses me këtë rast: ndonjë lugë a filxhan të kafesë, ndonjë tabaka a taketuke cigareje, ndonjë pjatë etj. me besim se kështu, duke marrë gjësende të ndryshme nga shtëpia e nuses, do të marrin edhe vajza të tjera nga kjo familje, lagje a katund. Ana e vajzës e dinë këtë adet dhe me qëllim që ta pengojnë marrjen e gjësendeve nga ana e petkaxhinjve, duke besuar plotësisht se kështu pastaj do t’u japin edhe vajza të tjera atyre, të gjitha mjetet e përdorimit me këtë rast i numërojnë para se t’i servojnë, t’i japin në shërbim, dhe nëse ndonjë mungon, ata e kërkojnë dhe këta janë të detyruar t’ua japin pa ndonjë turp nga asnjëra palë. Anasjelltas, edhe petkaxhinjve me këtë rast u bën dëm ana e vajzës: ua presin jelet (girivet/grivet) a bishtat e kuajve ose ua mbushin me një lloj bime ngjitëse si ferra iriqi që e quajnë në këtë anë “rrollze” (me formë të rrumbullakët që kapet për qimet e jeleve e të bishtit të kuajve e vështirë hiqet). Ua presin gjithashtu edhe çengat (kollan samari a shale) dhe leqet e tërkuzës së kuajve, duke i lënë ato vetëm me nja tri fije me qëllim që kur t’i hipë kalit ato të këputen dhe të kthehet samari e të rrëzohet petkaxhiu. Këtë dëm që i bën ana e vajzës asaj të djalit në këtë anë e quajnë adet të egër (adeti egër / egjër). Thonë se për këtë dëm, adet të egër, s’ka bërë vaki të përlahen ana e djalit me atë të vajzës, por i marrin kuajt e gjësendent ashtu të dëmtuara pa folur asnjë fjalë dhe shkojnë në shtëpitë e tyre, si duket nga arsyeja se ende është superiore familja e vajzës ndaj asaj të djalit dhe çdo përlarje e zënie me të do të shkonte në dëm të familjes së djalit. Pra ana e djalit mban dhe duron çdo të mirë e të keqe që i bën ana e vajzës, pra edhe këtë masakrim kuajsh e tërkuzash të tyre të petkaxhinjve. Megjithatë, po përmendim se të gjitha familjet nuk e zbatojnë këtë adet të egër te petkaxhinjtë e bijës së vet.

Edhe teshat e djalit që sjellin petkaxhinjtë te vajza, si të arrijnë aty, menjëherë atë ditë i merr familja e saj dhe i nden në mur të dhomës bashkë me ato të bijës së vet, ku vijnë njerëzit dhe i shohin, kryesisht gratë, duke i sjellë njëkohësisht edhe bakshishet e zakonshme vajzës. Këto tesha rrinë të ekspozuara te vajza deri atë mbrëmje të asaj dite që do të vijë ajo te burri. Sidoqoftë, ana e vajzës petkaxhinjtë i përcjellin deri jashtë oborrit, duke u dëshiruar rrugë të mbarë, por vetëm burrat. Ata nuk kthehen më te shtëpia e djalit, por rrugës që të gjithë shpërndahen nëpër shtëpitë e veta.

KURORA (Niqahi – Me vu niqah)

Me dërgimin e teshave vihet edhe kurora, “niqahi”, ndërmjet djalit dhe vajzës që do të martohen. Kështu, për shembull, si të bëhet duaja e sofrës, çohet hoxha, që është aty me petkaxhinjtë, dhe e hap bisedën e vënies a të lidhjes së kurorës, të niqahut të dy të rinjve, natyrisht pa praninë e tyre. Hoxha merr në dorë një letër e një laps, “kalem” dhe thotë: “Sot, xhemat d’a viëm niqahin e gjalit ene t’caucês”. (Nëse do hoxha, ai mund t’i përmendë edhe emrat e etërve të tyre: “caucês t’NN ene d’gjalit NN). I ati i djalit dhe i vajzës, që janë të pranishëm në mesin e petkaxhinjve, s’kanë të drejtë të përzihen, të flasin, lidhur me vënien e kurorës së fëmijëve të vet. Në këtë punë të bijve të tyre, ata përfaqësohen nga njerëz të tjerë të afërm shokë a miq, që i quajnë në këtë anë me fjalën turke “veqil-i / veqila-t”. Edhe i ati i djalit, edhe ai i vajzës përfaqësohen me nga tre “veqila”, që flasin në emër të tyre. Hoxha pyet më parë përfaqësuesit (veqilat) e babait të vajzës, të anës së cucës: “A ini ju razi caucên tuj t’ja ipni gjalit filanit (e zë në gojë emrin e babait të djalit)?” Ata i përgjigjen që të tretë: “Po, imi”. Pastaj hoxha kthehet e i pyet përfaqësuesit (veqilat) e babait a të anës së djalit: “A e bajni ju kabull caucên e filanit (e zë prapë në gojë emrin e babait të vajzës)?” Ata i përgjigjen: “Po, e bajm kabull”. Meqenëse kurora lidhet me të holla e jo me dashurinë e dy të rinjve, hoxha i pyet përfaqësuesit e anës së vajzës: “Sa pare ju lipni për niqahin e cucês?” Ata i përgjigjen me një sasi të hollash, ta zëmë: “Ne (ja) kërkojm pesdhajt’ e ni milion d’vetër”. Hoxha i pyet ata të anës së djalit: “A pajtoni ju me çekac pare? Folni, xhi ipni ju?” Tash shtyhen ndërmjet vete për çmimin e kurorës përfaqësuesit e djalit me ata të vajzës, duke u munduar që çmimin e “niqahit” ta rrëzojnë sa më poshtë, ndaj dhe i përgjigjen hoxhës: “Ne (ja) apëm dhajt milion e niçin(d) mijë”. Hoxha i pyet prapë ata të vajzës: “Hë, a pajtoni ju?” Këta të vajzës e zbresin pak më poshtë çmimin. Hoxha nga tri herë duhet t’i pyetë të dy palët e përfaqësuesve se a pajtohen rreth çmimit të kurorës që i caktojnë ndërsjelltas njëra palë tjetrës.

Të vihet re këtu se si me rastin e vënies së kurorës ndërmjet dy të rinjve sasia e të hollave të caktuara për çmimin e kurorës duhet të jetë patjetër me numër tek: me përfundim një, njëqind, një mijë etj. Disa nga banorët e malëse këtë e shpjegojnë sipas asaj që është thënë edhe më lart (numri tek sjell fat në punë e në jetë), por disa të tjerë këtë e lidhin me kurorëzimin e profetit Muhamed, me të cilin rast është përdorur numri tek sipas asaj se Zoti (Allahu) është një, është tek.

Sipas disa katundeve e familjeve, në çmimin e kurorës, përveç një sasie të caktuar të hollash, futin edhe teshë shtrati për një dhomë (odën e shtraume), disa lira ari që mbahen si stoli në qafë, ta zëmë pesë sosh etj., si dhe vathët prej ari dhe hallhallet, bylyzikët e dorës, gjithashtu prej floriri. Përveç obligimit material, përkatësisht një shume të caktuar të hollash, që duhet t’ia japë si dëmshpërblim familjes së dëmtuar familja tjetër: nëse ia lëshon vajzën ose nëse vetë familja e saj e qet atë nga burri etj., familjet e miqësuara në praninë e hoxhës e të pleqve veqila marrin dhe obligime morale kundrejt bijve të tyre. Kështu, për shembull, prindërit e djalit detyrohen që të kujdesen për njeriun e huaj, për nusen, ta trajtojnë atë si çdo anëtar tjetër të shtëpisë së tyre, t’i ndihmojnë e ta shërojnë në rast të ndonjë sëmundjeje, ta ruajnë nëse bëhet e paaftë për punë etj. Prindërit e vajzës duhet të kërkojnë nga bija e vet që të veprojë po kështu ndaj burrit si dhe ndaj anëtarëve të tjerë të familjes së tij, në mënyrë të veçantë kundrejt vjehrrit dhe vjehrrës, për të cilët duhet të kujdeset kur të plaken. Ata gjithashtu i japin fjalën njëri-tjetrit që do të mundohen për ruajtjen e përjetshme të kurorës (niqahit) së fëmijëve të vet: prindërit e djalit se nuk do ta përzënë nusen e vet dhe prindërit e vajzës se nuk do ta nxjerrin atë nga burri, natyrisht që të dyja palët pa arsye të forta, sidomos në rast tradhtie që mund t’i bëjë gruaja burrit etj.

Pasi vihet kurora, përkatësisht pasi caktohet çmimi i saj dhe jepen zotimet nga të dyja palët e prindërve se bijtë e tyre do të kujdesen për njëri-tjetrin gjatë jetës dhe punës së tyre bashkëshortore hoxha shënon në letër emrat e përfaqësuesve (veqilave) dhe i këndon një dua “niqahit”, kurorës. Hoxhën për këtë punë që bën e paguan me të holla i ati i djalit.

Kjo është kurora fetare (niqahi i fes) dhe lidhja e saj nuk është e parëndësishme. Nëse ndodh që ndonjëri nga të martuarit të ndahet pa arsye të forta, siç është ajo pse s’e do bashkëshorten a bashkëshortin, atëherë detyrohet, sipas kësaj kurore, që palës së dëmtuar t’ia japë sasinë e të hollave a ndonjë stoli ari që janë caktuar me rastin e vënies së saj. Fjala vjen, nëse burri e lëshon gruan, e përzë, thirren përfaqësuesit e kurorës (veqilat e niqahit) dhe e detyrojnë burrin që asaj t’ia japë të hollat e caktuara me lidhjen e kurorës dhe stolitë e arit: lirat e qafës, vathët, bylyzikët etj., si dhe teshat e shtratit për një dhomë, gjithnjë sipas marrëveshjes që është bërë me rastin e vënies së kurorës. Nëse ndodh që gruaja ta lërë burrin, gjë që ndodh shumë rrallë në këto anë, atëherë ajo merr me vete vetëm teshat e trupit që ka veshur e asgjë tjetër, d.m.th. se asaj nuk i takojnë stolitë e arit dhe teshat e shtratit, siç do t’i takonin në të kundërtën, si u tha, po ta linte atë burri. Sasinë e të hollave të caktuara me kurorë gruaja nuk është e detyruar t’ia japë burrit me këtë rast si dëmshpërblim. Pra, siç mund të shihet, kjo kurorë fetare ndërmjet burrit e gruas është disi e njëanshme, duke e obliguar kryesisht burrin që t’i paguajë dëmshpërblim gruas nëse e lë e jo dhe gruan nëse ndodh e kundërta që kjo ta lërë atë. Aty-këtu, sipas familjeve e katundeve të kësaj anë dëgjohet edhe ajo se gruaja, nëse e lë burrin, duhet t’ia paguajë babai i saj atij të djalit të gjitha shpenzimet rreth dasmës dhe të hollat që ka marrë nga ai për bijën e vet si “nderë”. Mirëpo kthimi i këtyre të hollave nga ana e familjes së vajzës familjes së djalit vështirë realizohet, të paktën në tërësi, madje qoftë edhe me gjyq. Kjo bën që shpesherë të kthehet gruaja prapë te burri ose në të kundërtën të ndodhin edhe vrasjet në mes familjes së djalit dhe asaj të gruas si dhe të asaj familjeje që e merr atë femër për grua.

Po theksojmë edhe atë se i ati i kësaj vajze, gruaje, që e ka lënë burrin ose burri që e ka lënë atë, kur e marton për herë të dytë, të tretë etj. nuk merr më të holla për të si “nderë,” para “hupësa”, ashtu siç ka vepruar kur e ka martuar për herë të parë, me përjashtim të rasteve tejet të rralla, duke i marrë një sasi fare të vogël të hollash, me të cilat e përgatit pak a shumë për martesë të dytë, të tretë etj. Këto femra lënesha, qofshin të përzëna nga burri ose që e kanë lënë atë nuk martohen më me ceremoninë e zakonshme të dasmës së kësaj anë, me këngë e dajre, por shkojnë te burri natën e hënë mbasdarke, siç thonë këndej “napër terr”, që të mos shihen nga askush. Gratë lënesha dhe vejusha duke shkuar te burri me rastin e martesës së tyre të dytë, të tretë etj. nuk bën t’i shohin vajzat beqare, sepse, në të kundërtën, po i panë, besohet se edhe këtyre pastaj mund t’u ndodhë që t’u vdesin burrat ose të lëshohen nga ta a të ndahen prej tyre. Pikërisht për këtë arsye gratë e këtilla martohen natën nëpër terr që të mos shihen rastësisht nga beqaret e të pësojnë edhe ato këtë fat të keq.

Sidoqoftë, shkurorëzimet e të martuarve në MT janë fare të rralla pa marrë parasysh moshën. Në mbarë malësitë e Tetovës për çdo vit nuk ndodhin më tepër sesa një numër simbolik shkurorëzimesh. Për këtë, arsyet janë të shumta, por ndër to më e madhja është ajo e shtrenjtimit të madh të dasmës, të martesës në këto anë. Mashkulli, burri në MT, mezi mund të martohet një herë e lëre më dy herë e më shumë, prandaj bukur vështirë ia tregon gruas udhën e shtëpisë së prindërve të saj për të mos u kthyer më. Edhe gruaja vështirë vendos të niset një rruge të këtillë, kur e di se rrjedhimet janë të kobshme për familjen e saj. Varësisht nga kjo, bigamia nuk ekziston, është e panjohur në këto anë: në asnjë katund askush s’është i martuar me dy gra.

Përkitazi me kurorën fetare, vlen të përmendim edhe atë se shpeshherë ndodh që djali që e lëshon nusen a burri gruan të mos u përmbahet obligimeve të kësaj kurore, d.m.th. të mos i paguajë kurrfarë dëmshpërblimi gruas që e përzë. Kjo ndodh më tepër te ata bashkëshortë që kanë vetëm kurorën fetare, por te ata bashkëshortë, që kanë përkrah kurorës fetare (niqahit të fes) edhe kurorën shtetërore (niqahin e dërzhavës) gjyqi e ka detyruar dhe e detyron burrin që ta përmbushë obligimin e vet që ka marrë ndaj gruas me rastin e vënies së kurorës, ndonëse fetare, që asaj t’i japë si dëmshpërblim ato të holla e stoli ari të caktuara për këtë qëllim me vënien e kurorës. Sipas kësaj del se kurora fetare s’ka vlerë zyrtare dhe si e tillë mund të mos realizohet marrëveshja rreth obligimeve të saj lidhur me pagesën e çmimit si kompensim palës së dëmtuar pa kurorën shtetërore, madje, si në kohë të Turqisë te myftiu (miftaja/miftoja), ashtu edhe në kohë të Jugosllavisë mbretërore, të “Sërpit” (sudija) e deri në kohën e sotme. Sot kurora shtetërore midis porsa të martuarve vihet si zakonisht pas martese prej një muaji e deri një vit e më tepër, përkatësisht derisa u bëhen fëmijët dhe u duhet të kurorëzohen për çështje të regjistrimit të tyre. Ata që s’kurorëzohen shtetërisht e kanë mjaft të vështirë pastaj t’i dëshmojnë se fëmijët i kanë prej tyre dhe jo nga dikush tjetër, si dhe mund të ketë vështirësi për trashëgiminë e tyre. Por, pa marrë parasysh llojin e kurorës, dasma pa kurorë fetare nuk do të kishte, nuk do të pranohej dhe nuk do të konsiderohej si dasmë e vërtetë, e kompletuar. Ajo do të merrej si e mangët dhe pa domethënie.

KOHËSHTRIRJA E DASMËS

Dasma në MT zgjat më së paku tri ditë e më së shumti pesë ditë, varësisht nga familjet dhe katundet. Në pjesën më të madhe të katundeve të Sharrit dasma fillon të premten (më parë të martën) dhe përfundon të hënën (më parë të enjten). Në Derven dhe në Mal të Thatë dasma fillon të shtunën (më parë të mërkurën) dhe përfundon të martën (më parë të premten). Në katundet Gurguricë e Sallarevë, dasma zgjat katër ditë, duke filluar të shtunën dhe duke përfunduar të martën. Në të gjitha katundet, dita që merret nusja është dita më e rëndësishme e dasmës, e mbushur me rituale dhe ceremoni të shumta.

ARDHJA E LODËRTARËVE (LODRAT)

Në malësitë e Tetovës asnjë dasmë nuk bëhet pa lodra, pa daulle, pa tupanë e pa surle. Madje edhe kushedi sa i varfër që të jetë dikush, merr për dasmë lodra e surle. Lodërtarët a lodraxhinjtë janë dy veta me lodra dhe dy me surle. Ata janë jevgj (romë) të këtij profesioni. Lodrat dhe surlet merren sot gjithnjë nga Tetova, më parë Malësia e Sharrit i ka pasë marrë edhe nga Prizreni, nga Opoja e Torbeshia (Brodi e Dragashi), kurse ajo e Dervenit edhe nga Shkupi. Megjithatë, nga Prizreni dhe nga Shkupi të paktën sot fare rrallë merren lodrat.

Si zakonisht lodraxhinjtë dhe surlexhinjtë merren nga Tetova, për arsye se malësorët, siç shprehen ata vetë, janë mësuar disi të vallëzojnë e të kërcejnë sipas jehonës e melodisë së zërit të tupanit dhe të surles së Tetovës, dinë t’i luajnë vetëm vallet e këtyre lodraxhinjve. Për ata të Shkupit thonë se luajnë më imët, e për ata të Prizrenit thonë se shumë e dredhin vallen.

Lodraxhinjtë janë dy veta me lodra dhe dy me surle. Në Gurguricë e Sallarevë lodraxhinjtë i kanë marrë dhe i marrin edhe sot më shumë nga Gostivari e më pak nga Tetova. Atyre që i bien lodrës u thonë zakonisht “lodraxhi-j-a-/lodraxhit”, kurse atyre që i bien surles u thonë “curlexhi-j-a-/curlexhit”. Në Gurguricë e Sallarevë lodraxhinjtë i quajnë “gjyip-i” dhe “gjypt”.

Kur vijnë lodraxhinjtë për dasmë, u dalin përpara dhe i presin djemëria e katundit, duke dalë me ta në disa katunde edhe vetë dhëndri. Lodraxhinjtë, si t’i afrohen pak katundit, nisin e çalldisin, t’u bien lodrave dhe surleve, dhe, kur dalin diku karshi tij, ku ai duket më së miri, ata ulen e bëjnë një nebet. Kur bëhet nebeti vetëm surlet bien, kurse lodrat, daullet, pushojnë. Gjatë kohës së nebetit, shumëkush nga burrat dhe të rinjtë e pranishëm ngrihet e u vë të holla në ballë ose në birat e surles.

Pasi të kryhet nebeti, të rinjtë çohen dhe formojnë vallen dhe nisen duke luajtur rrugës drejt shtëpisë së dasmorit. Me të mbërritur këtu, i zoti i dasmës dhe të tjerët, u dëshirojnë mirëseardhje ustallarëve. Ata ulen pak, bëjnë një pushim të shkurtër, pinë nga një cigare dhe kafe. Ndërkohë i zoti i dasmës i dhuron ustallarët me sa të holla, kurse zonja e dasmës u qet atyre si bakshish nga një maramë. Me këtë rast disa katunde, si: Vica, Brodeci, Veshalla, Pallçishti i Epër etj. i dhurojnë ustallarët me nja tri a katër metër basmë, të cilën ua vënë mbi lodër, kurse katundet e tjera këtë basmë ua japin lodërtarëve me rastin e nisjes së krushqve për ta marrë nusen.

MARJA E BAJRAKUT (Me e marr bajrakin)

Si çdokund tjetër, edhe në MT në dasma merret dhe flamuri, i cili në këtë anë quhet bajrak-i/bajrak-ë-t dhe ngritja e tij për dasmë njihet me shprehjen “me e marr bajrakin” në Sharr dhe Derven, kurse “me i nkreb bajrakët” në Mal të Thatë. Në çdo katund të MT sot ka më së paku dy deri tre flamuj: një shtetëror, një republikan dhe tjetri i LKJ. Kohëve të fundit, me lejimin nga organet shtetërore, ka filluar të qetë krye aty-këtu edhe flamuri kombëtar shqiptar, të cilin sot e ka pothuajse çdo katund.

Në disa katunde flamujt ruhen në shkollë, në xhami ose në ndonjë shtëpi tjetër, por në pjesën më të madhe të katundëve flamujt janë pronë private e dikujt nga katundarët. Çdokush që bën dasmë shkon dhe i merr flamujt qoftë nga xhamia a shkolla, qoftë nga privatistët, natyrisht duke lënë gjysmën e peshqesheve si shpërblim.

Flamuri merret rregullisht me lodra: të rinjtë shkojnë dhe kthehen duke vallëzuar rrugës me flamur në dorë. Ata, njësoj sikurse atë natë që vijnë lodrat, shkojnë prapë në oborrin e shtëpisë së dasmorit, ku e ngulin bajrakun në mullarin e lëmës dhe hedhin valle rreth e rrotull tij. Dikush nga të afërmit e dasmorit del e lidh në krye të bajrakut një brez dhe një maramë ose një palë çorapë, të cilat peshqeshe i merr pastaj, kur të përfundojë dasma, ai që e mban bajrakun. Nëse janë dy bajrakë, qesin dy breza: një për njërin e një për tjetrin; nëse janë tre bajrakë, qesin tre breza e kështu me radhë.

TË GRISHURIT E MIQVE (Me gjrish / grish)

Dasma, siç dihet nuk bëhet vetëm, prandaj në malësitë e Tetovës ai që bën dasmë i fton sipas zakonit të gjithë miqtë e dashamirët e largët e të afërt, si dhe mbarë katundarët shtëpi për shtëpi që të marrin pjesë në këtë ceremonial familjar. Miqtë e largët të katundeve e të vendeve të tjera grishen në dasmë me anë të një burri të afërt me dasmorin e të caktuar prej tij qysh disa ditë para dasmës. Ndërkaq, bashkëkatundarët në disa katunde ftohen në dasmë pa lodra, kurse në disa të tjera ata ftohen në dasmë me lodra, por në të gjitha katundet të ftuarit që vijnë në dasmë i presin me lodra.

Secila shtëpi e grishur i jep grishtarit diçka në shenjë shpërblimi, kryesisht marama, peshqira, shami e para. Me këtë rast ky njeri mbledh aq shumë marama, peshqira e vezë saqë merr edhe një fëmijë për t’ia mbajtur ato.

PRITJA E TË FTUARVE (Me i përgjaua d’gjrishmit)

Pothuajse në të gjitha katundet e malësive të Tetovës të shtunën, më parë të mërkurën, kah mbrëmja, del dikush me ustallarët, kryesisht udhëheqësi i dasmës, dhe së bashku me dikë tjetër i presin miqtë e ftuar. Ata dalin e i presin jo vetëm të ftuarit brenda katundit, por edhe jashtë tij. Çdo njërin nga të ftuarit e presin me lodra duke ia qitur përpara në atë drejtim kah vjen ai dhe pastaj duke i bërë nder e çojnë po me lodra deri të shtëpia që është caktuar për miq.

Çdo shtëpi, në shenjë nderimi për ftesën që i kanë bërë, por edhe pak për ndihmë, kur shkon për ftesë (n’d’gjrishëm) i çon të holla dasmorit: dikush më pak e dikush më shumë, sipas mundësisë e afërsisë farefisore që kanë me të. Dikush çon edhe bagëti: ka, mëzat, viç, dash, dele, dhi ose një qengj, të cilët i zbukurojnë me ngjyra të ndryshme kah fytyra e kah brirët.

Në të grishur shkojnë kryesisht të rinjtë meshkuj. Ata s’duhet të jenë të paktën më të vjetër se 40 vjeç, përndryshe i përqeshin dhe i tallin. Kjo s’do të thotë se s’mund të shkojnë fëmijët. Shumë fëmijë, madje që nga mosha tri-katër vjeçare, i çojnë etërit e tyre në grishje. Ata janë të veshur e të mbathur bukur, kryesisht me kostume kombëtare të kësaj ane.

VESHMBATHJA E DASMËS (Petkat / vesha e darsmës)

Të gjithë malësorët dhe malësoret që vijnë në dasmë, qofshin të ftuar a të paftuar nga ana e dasmorit, vishen e mbathen me teshat më të reja e më të bukura që i kanë. Të veshurit me tesha të reja në malësi njihet me fjalët “ndrrajm (<ndërrim), â ndrraue (<ndërrue)”.

Meshkujt, fjala vjen, në krye vënë kësulë të bardhë të rrumbullakët, por edhe të rrafshtët prej leshi, kurse sipër mbi bel veshin mintan, këmishë, xhamadan (jelek) dhe lurkë, që në këtë anë e quajnë edhe koparane ose kapsajze nga turq. “kapsëz”, që do të thotë e hapur, e çelur, sepse kështu edhe është lurka përpara.

Mintani është shajak i leshtë me ngjyrë kafereng (alle e more), e ngjashme me ngjyrën e kafesë. Mintani përpara është i çelur, por në atë mënyrë që mund të kapet me pulla. Këmisha është e bardhë prej një lloj basmeje të quajtur në këtë anë “amerik” dhe e qepur në dorë. Xhamadani (xhemadan-i) është prej shajaku, pa mëngë e me ngjyrë të bardhë. Lurka, sikurse mintani e xhamadani, është e përbërë gjithashtu prej shajaku dhe ka ngjyrë të zezë.

Për mesi të trupit, mbi këmishë, e ngjeshin brezin (shokën), duke e sjellë disa herë rreth belit. Brezi është i leshtë dhe i vegjuar në shpatë pesëkrerëshe me harxhe ngjyrë alle e me tire prej pambuku me ngjyrë të bardhë e të kaltër. Në këmbë mbathin çorapë leshi të zi me gryka mesatare: as të gjata, as të shkurtra. Mbi çorapë mbathin opinga prej lëkure të lopës ose të kalit, por dhe prej llastëku.

Ndërkaq, teshat e femrave ndryshojnë sipas vajzave, nuseve dhe grave, si dhe sipas katundeve e malësive. Vajzat vënë në krye shami kryesisht të bardhë, veshin dimi të kaltra dhe sipri tyre skutacë të bardhë të leshtë në Sharr e ngjyrash të ndryshme në Derven. Nuset e sotme veshin një palë dimi basme të thjeshta me plang të bardhë, por me lule ngjyrash të ndryshme. Nusja vesh dy këmisha: njëra këmishë e pambuktë e bardhë, tjetra e mëndafshët. Mbi këmishë vesh një jelek, Ky është pa krahë. Nuset e mëparshme sidomos, por edhe të sotmet aty-këtu, mbajnë edhe gushak (brez), që është i përbërë prej mëndafshi ngjyrash të ndryshme. Në këmbë veshin çorapë të leshtë të thurur me harxhe ngjyrash të ndryshme.

NUSJA (Me u ba nause)

Qysh ditën e premte, më parë të hënën, vijnë teshat te vajza dhe fillojnë përgatitjet për ta bërë atë nuse. Qysh atë ditë vajza mbyllët në një dhomë dhe s’del fare jashtë, madje s’u del as prindërve; te ajo vijnë e rrinë vetëm shoqet e saj dhe telakja e parë, e cila e parapërgatit atë për nuse. Vajzën e përgatitin për nuse dy telake: njëra, e para, ia fillon punës, kurse tjetra, e dyta, e përfundon atë. Telakja e parë duhet të ketë patjetër lidhje gjaku me vajzën, ta ketë farefis atë, të jetë grua e martuar, me fëmijë, t’i ketë të dy prindërit gjallë, të jetë e besueshme dhe e re.

Të shtunën paradreke, aty-këtu që në mëngjes, sot e më parë të mërkurën, e bëjnë vajzën nuse. Ajo kundërshton dhe nuk dëshiron të bëhet nuse, nuk do t’i heqë teshat e vajzërisë dhe nis e qan e dënes me të madhe e me zë të lartë. Megjithatë, arrijnë t’ia heqin rrobat disi, pothuajse duke ia shkyer copa-copa, dhe më parë e futin në hamam, ku e lan telakja. Kur del nga banja asaj ia veshin pothuajse në mbarë katundet e malësive teshat e nuses së vëllait dhe nëse s’ka vëlla a s’e ka të martuar, atëherë ia veshin teshat e ndonjë nuseje tjetër të farefisit të saj, që janë tesha të ushtuara, të veshura pak nga dikush.

Pasi t’ia ketë zënë telakja “lejsën e fjokve” (bishtalecat e flokëve), e marrin nusen gjithnjë në tesha të vajzërisë dhe e ulin në një skaj të dhomës me fytyrë kah muri e me shpinë të kthyer kah dera për t’iu dukur kështu bishtalec i lëshuar shpinës. Edhe në këtë anë nuses i vënë në krye e kah fytyra një shami (korp) të bardhë, kurse më parë një gunë shajaku a një skutaje (përshtjellak) që këndej i thonë “bofçark-a”, por pa ia mbuluar shpinën, bishtalecin e flokëve.

Në mbarë malësitë, me rastin e ndërrimit të teshave (me të veshur teshat e nusërisë, të nuses së vëllait a të babait) teshat e saj të vajzërisë i merr në dorë menjëherë telakja a e ëma e saj, pa i lënë fare të prekin në tokë, dhe, pasi i mbështjellin me diçka, i ngrenë në tra, duke i varur diku që të qëndrojnë pezull, pa prekur në dysheme ose në tokë.

Njësoj si me teshat e vajzës, siç u përshkrua më lart, veprohet edhe me teshat e dhëndrit, të djalërisë së tij.

Në Mal të Thatë, tri telake e bëjnë vajzën nuse: njëra ia zë “lejsën”, bishtalecat e flokëve; tjetra e teletis (teledis) dhe e treta u ndihmon, u mban llambën a gazin (gackën) dhe telin e gjësendent e tjera për teletisje. Në të tria malësitë telaket i paguan babai i djalit, kur vijnë për ta marrë nusen.

Atë natë që vajza bëhet nuse, shoqet e saj ia veshin këmishën e dhëndrit gomarit dhe kështu të ndërruar me këmishë të re e shëtitin atë nëpër lagjen (mahallën) e nuses, duke shkuar derë më derë, shtëpi më shtëpi me këngë e dajre.

Me këtë rast është zakon që secila shtëpi e lagjes qet dhe u jep diçka vajzave kryesisht për të ngrënë, i darit ato, duke u dhënë para, ndonjë pulë, vezë, tëlyer, arra, gështenja etj. Këto trofe i marrin vetë vajzat: paratë i ndajnë, kurse me pulat dhe me gjërat ushqimore përgatitin mu atë natë një darkë (haje) solemne, ku ulen e hanë bashkë me shoqen e vet, me nusen. Kjo është darka përcjellëse, darka lamtumirëse, e nuses që i kanë shtruar asaj shoqet e veta.

Prej ditës së hënë vajza s’takohet më me asnjë burrë të shtëpisë e as të farefisit, pos vetëm me gratë, të cilat i merr në grykë kur vijnë për t’ia bërë me hajr nusërinë.

DHËNDRI (Me u ba dhandër)

Porsa nisen krushqit për ta marrë nusen, por edhe më herët, varësisht sipas katundeve, djali që martohet hyn në një dhomë që të bëhet dhëndër: të lahet, të ndërrohet dhe të rruhet e të qethet. Zakonisht ai bëhet dhëndër atë ditë që merret nusja, që është e diela ose e enjtja paradreke. Atë e bën dhëndër dikush kryesisht nga farefisi i vet, por edhe kushdoqoftë tjetër pa dallim farefisnie, që kjo punë i shkon pak a shumë për dore. Në Malësinë e Dervenit ai që e bën djalin dhëndër duhet të jetë patjetër farefis me të.

Ai që e përgatit, dhëndrin më parë e rruan dhe e qeth. Pastaj dhëndri hyn në një banjë (hamam) dhe lahet e shpërlahet. Ujin, me të cilin lahet dhëndri, e mbushin në krua dy vajza me prindër të gjallë me qëllim që të jetojë dhëndri dhe fëmijët e tij. Ujin ato e mbushin pa folur: nuk flasin, as ndërmjet vete, as nëse u flet dikush tjetër rrugës, prej momentit kur nisin ta mbushin atë e derisa ta vënë në zjarr për t’u ngrohur. Dikush thotë që të mos flasë nusja kur të vijë te burri, të mos përlahen bashkëshortët, të mos kenë fjalë të ndara, të mos bëjnë shamatë e zënie mes vete dhe me të tjerët.

Djali që bëhet dhëndër vishet me këtë rast me teshat më të reja, qoftë ato kombëtare të kësaj ane ose tesha fabrike, por gjithnjë me kësulë të bardhë nacionale shqiptare. Derisa bëhet dhëndër, djalin e këndojnë vajzat me këngë të ndryshme të dhëndërisë, si:

Shigeri kuç e i amël,
ene Ilir agën e bam dhandër.
Për Ilir agën m’i vajn shaum keç,
mori si do hije në burra pleç;
për Ilir agën m’i kahet,
o pi beqarie do dahet!

A ba dhandër Ilir aga si lulja moravës,
m’i gjozofsh tajrçi, kapsajze, ore zogji dadës!
U ba dhandër Ilir aga me ni taurr lule,
M’i gjozofsh, bre Ilir aga setre e pantulle!

Po kënon bilbili maj mashën:
çfar vakët dilber do bahesh dhandër?
– Do bahem ni dhandër hoj jalla-jalla,
ditën e diell herët në sabah.
Kur do bahesh dhandër, dil në lam të t’shoh,
si të t’gjaje dhandroja, mashalla të t’thom.

MARRJA E NUSES (Me e marr nausen)

Në malësitë e Tetovës krushqit që shkojnë për ta marrë nusen nuk i vonojnë shumë. Ata i ndalin për aq kohë sa mund të bëhet gati nusja. Me këtë rast është zakon në këto anë që nusja para se të hipë në kalë “piçet”, takohet me mbarë farefisin e saj. Ky është takimi i fundit i vajzës nuse me të afërmit e vet dhe ndarja e saj nga prindërit e farefisi. Kjo ndarje është momenti më i vështirë, më i hidhur e më i dhembshëm në shpirtin e në zemrën e kësaj të reje.

Pasi ta kenë bërë gati, veshur e teletisur, nusen e ulin në një skaj të dhomës dhe përsipër në krye i qesin një shami të bardhë me lule rretheve, sot më tepër i vënë një vel, duvak të bardhë të ngjashëm me atë të kurorëzimit. Kështu e rregulluar nusja i pret krushqit që të vijnë ta marrin.

Brenda kësaj kohe, derisa nusja takohet me të afërmit, këndej e përgatitin pajën (darinë) e saj për ta ngarkuar në kuaj. Paja e nuses është e grumbulluar në dy sëndukë (arka) të mbushura me teshat e trupit e cikërrima të tjera dhe në dy mutafa të qepur në formë thasësh të ngjashëm me hararët e leshit e të mbushur me teshat e shtratit. Paja ngarkohet në dy kuaj: në një kalë arkat, kurse në tjetrin thasët, duke i mbushur përsipër rraqet e të dy kuajve me nga një qilim a sexhade. Kuajt e teshave duhet t’i ngarkojnë djemtë e rinj, që janë me nënë e me baba gjallë.

Nusen e hipën në kalë i vëllai me gruan e vet ose me motrën e vet të martuar, pra vetëm me ndonjë femër të martuar të farefisit të ngushtë të saj. Sipas zakonit oriental nusja hipën në kalë duke e vënë përpara në zengji këmbën e djathtë dhe sipas fesë islame duke bërë bismilahe.

Prej kur hipën në kalë e deri te pragu i derës së oborrit (kurtit) të babait, nusja duhet të rrijë, të drejtohet thikë përpjetë në kalë me qëllim që punët dhe mbarë jeta t’i shkojnë mbarë familjes së babait. Zakonisht me këtë rast nuset dalin nga shtëpia e babait të drejtuara në kalë. Si ta kalojë pragun e derës së oborrit të babait nusja shtrembërohet, lakohet pak dhe kështu rri e kërrusur në kalë derisa atë ua dorëzojnë, ua bëjnë “teslim” anës së djalit.

Kur del nga pragu i derës, i ati i bie bijës së vet tri herë shpinës me dorë, duke i thënë: “Hajt udh’e mbar moj bij! Han m’u bashh!” Kur nusja martohet në ndonjë katund tjetër, asaj i japin një para hekuri, që gjatë rrugës ta lëshojë diku te vendi i katundit të saj, sidomos diku në sinur, në kufi të territorit të katundit të vet.

DORËZIMI I NUSES (TESLIMI)

Ana e nuses, kur do t’ua dorëzojë atë njerëzve të burrit, që shkojnë pas krushqve, u bëjnë shenjë me dorë atyre që të ndalen. Nusen ua bëjnë “teslim”, ua dorëzojnë me fjalët: “Xhaki jon, érzi juj” ose “Nomuzi juj, xhaki jon”, “Namuzi jot, xhaki jem”, d.m.th. se gjaku është ynë dhe, nëse e mbytni, na keni borxh një gjak, kurse prej sot e tutje ajo është nderi juaj, ju duhet të kujdeseni dhe ta ruani. Nëse nusja bën ndonjë punë të keqe e të pandershme, turpi i bie jo vetëm familjes së burrit, por edhe babait të saj, turpëron edhe familjen e vet.

Me rastin e dorëzimit, nuses ia mëshojnë nga tri herë me grushta kah shpina, secili nga ata që e mbajnë për krahësh, duke i thënë: “Hajde zoti n’hajr t’çitt, e gjëzofshi njani-tjetrin!” etj. Ndërkaq, dizgjinët e ferrit të kalit të nuses dhe kërpëshët e kuajve të teshave e të qeve të karrocës (koçajs) ana e nuses s’ua jep në dorë anës së djalit, por ua lëshojnë në tokë, madje herë – herë edhe ua shkelin me këmbë dhe ua bëjnë krejt baltë. Shpeshherë ana e nuses ua lidh nyja-nyja kërpëshët e kuajve a të qeve të anës së djalit.

ARDHJA E NUSES

Pasi mbillen krushqit, nusa me kuajt e arkave hyn në shtëpinë e burrit. Te dera e oborrit del dhe e pret nusen vjehrra. Ajo ndalet një moment para nuses dhe e shikon atë duke ndenjur me trup të drejtuar lart me qëllim që nuses dhe vjehrrës, këtyre të dyjave, t’u shkojnë punët e jeta drejt e mbarë. Vjehrra me këtë rast duhet t’i mbështjellë mirë kryet që të mos i duket asnjë qime floku, sepse, në të kundërtën, përlahen e hahen vjehrra me renë. Vjehrra pastaj e kap kalin e nuses për freri dhe e tërheq brenda në oborr.

Me rastin e ardhjes së nuses te burri, në të tria malësitë asaj i bëjnë një varg primesh e pokushesh që kanë për qëllim mbarëvajtjen e jetës së saj. Kështu, për shembull, në Derven dhe në ndonjë katund të Sharrit, te pragu i derës së oborrit (lëmës) e shtrijnë zgjedhën me temlikë dhe kur vjen aty, karroca (koçaja) a kali i nuses duhet të kalojë nëpër të. Kjo ka domethënien e nënshtrimit të saj nga ana e burrit dhe e njerëzve të tjerë të shtëpisë së tij.

Nuses ia prekin tri herë kryet me musaf (me Kuran) ose me “Ename”, me qëllim që ta ruajë nusen nga qoftëlargët. Mandaj i marrin tri kësula të bardha të djemve beqarë me prindër të gjallë, i palojnë një mbi një dhe me to ia prekin tri herë nuses kryet me qëllim që ajo të bëjë djem dhe ata të rriten e të jetojnë me prindër. Pos kësaj nusen e prekin në krye tri herë edhe me tri bukë të kulqit, që janë të pathyera e të mbështjella zakonisht me ndonjë musallë, me qëllim që ardhja e saj në shtëpinë e burrit të sjellë bereqet e begati dhe të jetë ajo me nafakë (rajsk).

ZBRITJA E NUSES NGA KALI A KOÇIA (Me e zdrip/shtrajp nausen)

Pas të gjitha këtyre pokusheve e adeteve që i bëhen nuses derisa ajo është hipur në kalë, vjen radha që ta zbresin atë nga kali a koçia. Sipas katundëve dikund nusen e zbret nga kali a koçia vetë dhëndri, kurse dikund tjetër atë e zbret i ati i dhëndrit. Në Malësinë e Dervenit dhe në atë të Malit të Thatë, si dhe në pjesën më të madhe të katundëve të Malësisë se Sharrit nusen e zbret nga kali vjehrri i saj, d.m.th. i ati i djalit. Nëse ky mungon, këtë punë duhet ta bëjë daja ose mixha i djalit. Në katundet Shipkovicë, Gajre, Sellcë, Novosellë e Sellcë të Keqe të Sharrit nusen e zbret nga kali vetëm dhëndri.

Në mbarë Malësinë e Sharrit sipas traditës së lashtë martesore, në të dyja rastet e zbritjes së nuses nga kali, qoftë nga vjehrri a nga burri i saj, atë ashtu me duvak veshur e futin për herë të parë në ahur, ku i mbajnë lopët, dhentë, dhitë, kuajt e gomarët. Me të shkelur nusja mbi tepsi, menjëherë njëra nga gratë merr gjymin me ujë dhe ia lanë asaj pak çizmet në të dyja këmbët ose vetëm atë të këmbës së djathtë me qëllim që bereqetin t’ia marrin babait të saj, d.m.th. te familja e saj të lahet e të fshihet bereqeti, kurse te familja e djalit të shtohet e të rritet.

Nusja ulet dhe rri pak mbi shinik, të kthyer bythëprapë për t’u ulur më mirë, sepse mbarë s’mund të ulet në të. Edhe ulja a qëndrimi mbi shinik bëhet për çështje bereqeti që ardhja e nuses ta shtojë atë në shtëpinë e djalit.

Si t’i hiqet nuses duvaku, dhëndri rri gati dhe sipas zakonit e kap atë tri herë për hundësh dhe e tërheq për to duke i ngritur kryet lart e duke i thënë asaj të tri herët: “Ngreje kryet, çollom kush jam un!” dhe nusja, sa herë që i thotë kështu dhëndri duke i ngritur kryet, duke e tërhequr për hundësh përpjetë, e shikon atë pa folur asnjë fjalë. Kjo ka për qëllim nënshtrimin e nuses nga burri.

PALIMI I NUSES (Me e palaue nausen)

Pasi t’ia kenë bërë nuses të gjitha pokushet e adetet e zakonshme me rastin e arritjes së saj te burri, përkatësisht pasi t’ia kenë hequr duvakun, atë e marrin dhe e palojnë dikund në ndonjë dhomë më të madhe të shtëpisë a në një hapësirë më të gjerë që do të nxinte një publik sa më të madh grash, që vijnë për ta parë atë këtë ditë pasdreke. Nusen e palojnë brenda në shtëpi: në dhomë, në ballkon (çardak) a në hajat, nëse është koha e keqe, e ftohtë e me shi, por, nëse është koha e mirë e me diell, nusen e qesin jashtë në oborr për ta paluar.

Pothuajse në të gjitha katundet e Malësisë së Sharrit me nusen e re palohen edhe nuse të tjera, të cilat mund të kenë një kohë që kanë ardhur te burri prej një jave e deri dhjetë vjet e më tepër. Ato janë kryesisht prej të njëjtit katund, pa marrë parasysh se a janë farefis me dasmorin ose jo dhe vijnë e palohen në dasmë pa i ftuar. Në të kaluarën, por edhe sot aty-këtu, në mes e kanë vënë nusen e re, ku ajo zë një pozicion duke ndenjur pak më përpara se të tjerat. Nuset e tjera i vijnë asaj për manash varësisht nga koha se kur janë martuar. Numri i nuseve të tjera që mund të palohen me nusen e re s’është i kufizuar: sa nuse ka e sa të duan, të gjitha mund të palohen. Numri i tyre mund të arrijë prej dy, tri, pesë e deri njëzet e më tepër sosh. Asnjëra nga nuset s’bën të flasë derisa rri paluar.

Në katundet e Dervenit dhe në Gurguricë e Sallarevë të Malit të Thatë, atë ditë që zbret nusja e re, vetëm ajo palohet: asnjë nuse tjetër s’e palojnë pranë nuses së re. Megjithatë, aty-këtu, sipas familjeve, mund të palohen me nusen e re edhe nja dy-tri nuse të tjera të farefisit të burrit sa për t’i bërë shoqëri asaj. Në Derven, të paktën sot, të nesërmen nga dita e ardhjes së nuses së re, palojnë pranë saj edhe nuse të tjera.

GJERDEKU (Me e msheł dhan(d)rin)

Në pjesën më të madhe të katundëve të Malësisë së Sharrit, pasi të përfundojnë sportet e dasmës, nusen e marrin duke e kënduar dhe e çojnë në dhomën e vet, ku do të mbylllet me burrin e saj. Aty nusen e mbajnë herë paluar e herë ulur në shkëmb e karrige derisa vjen koha për ta mbyllur me dhëndrin.

Shtratin e dhëndrit e të nuses në fillim e shtron pak sa për adet një djalë me prindër të gjallë. Pastaj marrin dhe e shtrojnë vajzat. Pasi të shtrohet, në shtratin e nuses e të dhëndrit më parë e mbështetin dhe e mbulojnë me jorgan për një moment një djalë të vogël që i ka gjallë nënën dhe babanë me qëllim që nusa të lindë djalë në fillim dhe ai të rritet me prindër. Kur ia heqin jorganin, djali kthehet kah nusja, derisa ajo rri paluar, dhe i thotë asaj tri herë: “Çeli nause sojt/sajt!”. Në Novosellë e në Sellcë të Keqe të Sharrit djali i thotë nuses tri herë: “Çili nause sajt se na shkuën dhajt!” (Çili nuse sytë se na shkuan dhitë). Kur djali i thotë nuses për të tretën herë t’i çelë sytë, ajo i çel sytë dhe e shikon për herë të parë këtë djalë me qëllim që të lindë djem dhe t’i jetojnë ata me prindër. Nusja këtij djali në shenjë shpërblimi i jep si dhuratë një këmishë. Në Gurguricë e Sallarevë ky djalë i vogël vetëm valavitet (valatet) nja tri herë në shtratin e dhëndrit.

Dhëndri, si hyn brenda, shkon e mbështetet në shtrat, kurse nusja rri në këmbë paluar për një anë të murit. Pas një copë here dhëndri ia lypën nuses kutinë e duhanit ose pakon e cigareve. Qëllimi është që nusja kur t’ia bjerë ato, dhëndri ta kapë për dore atë. Mirëpo nusja e di këtë dredhi dhe kutinë ose pakon e cigareve ia fug dhëndrit prej së largu. Dhëndri kërkon ujë. Nusja merr gotën dhe i qet ujë nga shtëmba; këtë ajo s’mund t’ia fugë prej së largu, por duhet t’ia çojë afër e t’ia japë në dorë. Me këtë rast, derisa nusja ia jep ujin, dhëndri e kap atë për dore dhe e ul afër vetes.

Dhëndri e pyet më parë nusen për shartet e myslimanllëkut (shartet e turçnajs/turçnojjs): 1. të agjërosh, 2. të falësh pesë herë namaz, 3. të shkosh të paktën një herë në jetë në haxhillëk, 4. të japësh zeqat, 5. të heqësh a të bësh shehadet. Pastaj dhëndri vazhdon e pyet nusen edhe për gjashtë shartet e imamit. Dhëndri e merr dorën e djathtë të nuses dhe e pyet atë për çdo gisht se i kujt është, duke filluar që nga i madhi: – I kuj është (këtë) Ajo përgjigjet: – I babës. – Këtë) – I nanës. – Këtë) – I vllajt. – Këtë) – I motrës. Dhe kur vjen te gishti i vogël i thotë: – Po këtë) Ajo, pasi hesht pak, i përgjigjet me zë të ulët e turpërues: – I joti.

DALJA E NUSES NË KRUA (Me dal nausja n’kraue)

Të hënën që në mëngjes herët, më parë të premten, vajzat hyjnë te dhoma e nuses, e marrin atë pasi ta kenë rregulluar nusërisht dhe duke u rënë dajreve e duke kënduar e qesin në krua për të mbushur ujë dhe për t’i larë sytë. Nëse kroi është afër, nusja del deri atje e mbush ujë, por nëse ai është larg, atëherë atë e qesin deri në oborr të shtëpisë.

Kur e qesin te oborri, vjehrra e çon një djalë të vogël 7-8 vjeç që të mbushë ujë te kroi në një gjym ose ibrik të bakërt të bardhë që nusja të çojë jetë të bardhë te burri. Djali ujin e mbush pa folur dhe askund nuk e lëshon gjymin të prekë në tokë me qëllim që të mos flasë nusja, të përlahet e të bëjë shamatë me burrin e vet dhe me anëtarë të tjerë të familjes e me fqinjët, si dhe për t’u mbrojtur nga qoftëlargët, magjitë e sëmundjet.

Në ndonjë katund me nusen del në krua edhe dhëndri. Në të kaluarën kryesisht nusja i qiste më parë t’i lajë sytë dhëndrit, e pastaj dhëndri merrte gjymin dhe i qiste nuses t’i lajë sytë. Sot më fort nusja i qet më parë t’i lajë sytë djalit të vogël e pastaj ky asaj.

Si në këtë rast, kur djali i qet nuses t’i lajë sytë, ashtu edhe në atë rast, kur nusa i qet djalit ujë për ta larë fytyrën, pjesëmarrja e djalit në këtë ceremoni të kroit ka për qëllim që nusa të lindë djem.

THYERJA E KULAÇIT (Me e thaje kolaçin)

Kulaçi s’është gjë tjetër veçse jeta e dy të rinjve, simboli i jetës dhe i punës së tyre bashkëshortore, i cili nis, zihet e lidhet një javë para martesës, qysh në fillimin e dasmës së tyre. Thyerja e ngrënia e tij nga ana e dy të rinjve pas martesës së tyre ka të bëjë me atë që vetë këta të rinj bashkëshortore të thyejnë, ta hanë, ta jetojnë jetën e tyre të përbashkët.

Dhëndri më parë e merr kulaçin dhe e vë mbi gju të djathtë. Atë e thyejnë më dysh. Cilës anë i bie copa më e madhe, ajo fiton. Fare rrallë ndodh që fitorja t’i takojë nuses, sepse një pjesë më të madhe të kulaçit e kapin me dorë meshkujt dhe e thyejnë kah dhëndri. Këtë e bëjnë me qëllim të caktuar që të fitojë dhëndri. Kështu besohet se ai do të jetë tërë jetën superior ndaj gruas.

Atij që i bie paraja, besohet se do të martohet më shpejt. Edhe për ata të pamartuar që e provojnë pak kulaçin e dhëndrit e të nuses besohet gjithashtu se do t’u dalë kësmeti më herët, do të martohen më shpejt.

ULJA E NUSES NË SOFËR (Me e hunxh nausen n’sofër)

Ditën e dytë të martesës së saj, d.m.th. ditën e hënë e më parë të premten në mbrëmje, për herë të parë e ulin nusen në sofër. Familja e djalit përgatit darkë këtë natë, ku i ftojnë edhe kushërinjtë, ndonjë vajzë të lagjes dhe njerëz të tjerë të farefisit të vet, kryesisht të ngushtë.

Sipas zakonit të kësaj ane nusja duhet t’i lidhë vetë nja tri kokrra (kokla) sarmë me qëllim që ajo të jetë e mbledhur dhe e lidhur me shëndet si sarma dhe ashtu të dijë që t’i mbledhë e t’i mbështjellë punët e shtëpisë. Por, jo vetëm nusja, edhe djali duhet t’i lidhë nja tri kokrra sarmë me këtë rast. Derisa nusja i lidh kokrrat e sarmës, magjatorja, gjellëbërësja a vetë dhëndri e pyet atë tri herë për secilën kokërr të sarmës: “Xhi lidhish taj?” Ajo i përgjigjet: “Lidhi ni gjal!” Kështu veprojnë duke besuar se do t’u lindë djalë.

DALJA E NUSES TË FSHIJË (Me dal nausja me fshaje)

Ditën e martë, më parë të shtunën, sipas zakonit tradicional, që në mëngjes herët nusen e qesin të fshijë lëmën, oborrin (kurtin) e familjes së burrit, të agobabës. Nusja, sa për adet, nis e fshin pak oborrin, meqenëse atë para asaj e kanë fshirë vajzat. Ndonëse vajzat e kanë pastruar krejt oborrin, atë prapë ia përlyejnë nuses, duke thyer pas shpinës së saj vorba e çanakë e duke qitur bajga, kastët, byk, letra e të tjera lëmishte. Në këtë mënyrë vajzat bëjnë shaka me nusen.

Me këtë rast të gjitha vajzat ia marrin nga një skutacë nuses dhe e veshin me qëllim që të martohen më shpejt.

XHUMALLËKU

Në disa katunde të Sharrit, që ndodhen më afër qytetit të Tetovës, si në Sellcë, në Llacë e në Gjermë është zakon që ana e vajzës, ditën e dytë të martesës së saj, t’ia çojë të burrit bijës së tyre bakshishet e veta, që me rastin e martesës ia kanë sjellë të afërmit e familjes së saj. Krahas pajës (darisë) tjetër edhe këto bakshishe ekspozohen te vajza, veçmas me një anë muri për t’i parë të pranishmit.

Këto bakshishe, përkatësisht “xhumallëkun” i a çojnë vajzës të burri kryesisht vëllezërit më të vegjël, më të rinj të saj. Me rastin e dërgimit të këtyre bakshisheve dhe ëmbëlsirave të vajzës, shoqet e saj për të bërë shaka futin në bohçe edhe ndonjë petk (teshë) të keq, të vjetër, të leckosur, për të dhe për burrin e saj. Vajzat poashtu u futin në bohçe shoqes së vet dhe burrit të saj edhe lojëra fëmijësh, duke i krahasuar ata me fëmijët e vegjël.

SHKUARJA E NUSES SË PARI HERË (Me e çaue nausen s’pari herë)

Pasi të kenë kaluar tri javë, por aty-këtu edhe dy javë, madje ndonjë familje edhe një javë, nga ardhja e nuses te burri, ajo duhet të shkojë së pari herë te prindërit. Nusen e marrin më së paku prej pesë e më së shumti deri pesëmbëdhjetë veta të farefisit të saj, numri i të cilëve duhet të jetë gjithmonë tek.

Në këto anë është zakon që nuses kur shkon së pari herë, ana e djalit t’i përgatisë bukë dhe kuleç. Bëjnë tri bukë me sheqer në formë krejt si gurabije dhe dy lloje kuleçsh po ashtu me sheqer: disa më të vegjël e disa më të mëdhenj. Kuleçtë e mëdhenj qysh një ditë përpara se të shkojnë nusja së pari herë u shpërndahen vajzave të rritura të lagjes së dhëndrit dhe të tjerave. Vajzat i marrin kuleçtë dhe i përgatitin në formë pakoje, i lidhin me një çevre, ku futin brenda sheqerka të ndryshme, çokollata, leblebi, rush të thatë dhe pemë të ndryshme.

Te prindërit e vet nusja duhet të rrijë një ose tri ditë, duke qenë ditët e qëndrimit tek e jo çift. Nëse nusja është nga i njëjti katund me djalin, ajo shkon së pari herë pas një jave dhe rri atje zakonisht një ditë.

TË GRISHURIT E GJYSHEVE (Me i gjrish / grish xhisht)

Brenda kohës prej një muaji më së paku e deri një motmot më së largu nga martesa e vajzës, thirren në darkë a në drekë reciprokisht njëra nga tjetra gratë e familjeve dhe të farefisit të ngushtë të nuses dhe të dhëndrit me në krye vjehrrat e tyre, që në këtë anë i quajnë “xhishe-t” (gjyshe). Për këtë ceremoni ftohen vetëm gratë, duke arritur numri i tyre shpeshherë deri 30 sosh.

Nëse ndonjë nga këto të ftuara nuk ka ardhur për “të grishurit e gjysheve”, atëherë thonë se ajo nuk do t’i hajë bukën dasmorit dhe kjo njihet si shenjë e keqe, ku mendohet se kjo familje nuk i ka pranuar miqësinë e tij.

  1. SYNETI (SINETI)

Të gjithë banorët e MT i përkasin besimit fetar muhamedan (islam), prandaj djemtë e tyre i bëjnë synet që nga mosha fare e re, dy-tre vjeçare e më së voni deri 15 vjet. Fëmijët i bëjnë synet vetëm me rastin e dasmave pa marrë parasysh se a janë ato dasma të farefisit të djemve që do të bëhen synet apo jo. Djemtë që i bëjnë synet i veshin bukur, kryesisht me tesha kombëtare. Fëmijës në kësulë i vënë plot para dhe prej majës së saj e deri te beli i lëshojnë tel nusesh të bardhë, të hollë e të gjatë.

Fëmijët i bëjnë synet atë ditë që merret nusja, d.m.th. ditën e diel, më parë të enjten. Menjëherë si ta zbresin nusen, i bëjnë synet fëmijët. Te shtëpia e synetëve, brenda e jashtë, mblidhen pothuajse të gjithë burrat e katundit, duke marrë me vete edhe ustallarët. Në dhomën e synetëve hyjnë berberi me çirakun e vet, hoxha, i ati i tyre me farefisin. Në këto momente mbretëron qetësi e madhe: ndalen lodrat, ndalen surlet, ndalen dajret e këngët dhe ndalet biseda. Të gjithë presin momentin kur të dëgjojnë fjalët se “U ba sinet i pari!” ose filani, për të eksploduar pastaj përnjëherësh duartrokitjet e të gjithë të pranishmëve, që shoqërohen menjëherë me të rënët e lodrave, të dajreve, me këngë e britma të forta.

Si të bëhet synet fëmija, dikush që ka qenë aty afër, kryesisht nga farefisi, ia kap menjëherë kësulën dhe ia çon nënës së tij për t’ia marrë sihariqin, duke i thënë: “Mizhde se t’u ba gjali sinet!” Ajo sipas zakonit e shpërblen me ndonjë dhuratë (bakshish): çorapë, maramë, peshqir, çevre etj. ose para. Çiraku i berberit ia sjell nënës së tyre në një tepsi edhe zhangën, laprën (cumen) e penisit si dëshmi se fëmija i është bërë synet. E ëma e tyre lartat e penisit i fug mbi shtëpi ose mbi tavan të dhomës, në tra, që të thalen me qëllim që kështu të thabet e të shërohet më shpejt edhe varra, dregëza, nga janë prerë ato.

Menjëherë në mbrëmjen e asaj dite që bëhen synet fëmijët, prindërit e tyre bëjnë mevlud për çështje myslimanllëku, ku ftojnë farefisin dhe njerëzit e lagjes së tyre. Rregullisht në mevlud merr pjesë edhe hoxha, i cili e këndon atë. Pas një dite, nga koha kur bëhet synet fëmija e deri një motmot, shkojnë dhe e vizitojnë atë mbarë farefisi i tij me sahanë: petulla, fli, ndrydhe (ndrajdhe), gurabija, ndonjë kilogram sheqer etj. Sot çojnë edhe tesa: këmishë, çorapë, çevre etj.

PËRFUNDIM

Dasma në malësitë e Tetovës, me gjithë pasurinë dhe larminë e saj rituale, përfaqëson një nga ngjarjet më të rëndësishme të jetës familjare dhe shoqërore. Ajo nuk është thjesht një ceremoni martesore, por një cikël i tërë që fillon me fejesën dhe përfundon shumë kohë pas dasmës, duke përfshirë të gjithë komunitetin dhe duke forcuar lidhjet farefisnore e miqësore. Ritet, zakonet dhe këngët që e shoqërojnë atë janë dëshmi e një trashëgimie të pasur kulturore, e cila, pavarësisht ndryshimeve të kohës, vazhdon të jetë e gjallë dhe kuptimplote për banorët e këtyre anëve.

Marrë nga libri: “LINDJA, MARTESA DHE MORTJA NË MALËSITË E TETOVËS” nga Fadil Sulejmani