Ballina Lajme “Asnjë grua nuk duhet të kalojë nëpër këtë poshtërim”, Eli Fara reagon...

“Asnjë grua nuk duhet të kalojë nëpër këtë poshtërim”, Eli Fara reagon pas publikimit të videove

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Këngëtarja Eli Fara ka reaguar pas publikimit në rrjetet sociale të videove intime të saj, duke folur për pasojat personale dhe familjare të cenimit të privatësisë.

Në një reagim publik, artistja thotë se po përballet me një situatë të dhimbshme, ndërsa thekson se turpi, sipas saj, nuk duhet t’i atribuohet personit që është cenuar, por atyre që kanë publikuar dhe shpërndarë materialet.

“Po përjetoj një dhimbje që nuk ia uroj asnjë gruaje: cenimin e privatësisë dhe përballjen me gjykime e fyerje që prekin edhe familjen time”, shkruan Fara.

Këngëtarja e ka shtrirë reagimin edhe te mënyra se si gratë përballen me gjykimin publik në raste të tilla. Ajo kritikon qasjen që, pas një cenimi të privatësisë, përgjegjësia dhe turpi zhvendosen te viktima.

“U cenojnë privatësinë dhe pastaj u kërkojnë të japin llogari. I lëndojnë dhe pastaj i gjykojnë për mënyrën si e përballojnë dhimbjen. Asnjë grua nuk duhet të kalojë nëpër këtë poshtërim”, shprehet ajo.

Fara sqaron se çështjen do t’ia lërë në dorë drejtësisë, ndërsa u kërkon njerëzve të mos vijojnë me shpërndarjen e materialeve, duke theksuar se kjo vetëm sa e rëndon më tej situatën për personin e prekur dhe familjen e tij.

“Përpara çdo gjykimi, mendoni për njeriun dhe familjen që po lëndoni”, shkruan këngëtarja.

Reagimi i plotë i Eli Farës:

“Kam kaluar një jetë në skenë, duke ndarë me publikun këngën dhe dashurinë për artin. Sot po përjetoj një dhimbje që nuk ia uroj asnjë gruaje: cenimin e privatësisë dhe përballjen me gjykime e fyerje që prekin edhe familjen time.

Në këtë shoqëri, grave u kërkohet shpesh të mbajnë mbi supe edhe turpin e veprimeve që kryhen kundër tyre. U cenojnë privatësinë dhe pastaj u kërkojnë të japin llogari. I lëndojnë dhe pastaj i gjykojnë për mënyrën si e përballojnë dhimbjen. Asnjë grua nuk duhet të kalojë nëpër këtë poshtërim.

Sot po e përjetoj vetë sa e rëndë është të shohësh jetën tënde private të kthyer në spektakël dhe të ndjesh se, për disa njerëz, çdo gjë që ke ndërtuar vlen më pak se një moment intim.

Jam e lënduar, por nuk kam arsye të turpërohem. Turpi u përket atyre që filmojnë, publikojnë dhe shpërndajnë momente private pa dijeninë dhe pëlqimin e një njeriu. Intimiteti i një gruaje nuk është leje për ta poshtëruar.

Të qenit artiste nuk ma heq të drejtën për privatësi dhe dinjitet. Këtë të drejtë e ka çdo grua, pavarësisht emrit, profesionit apo zgjedhjeve të saj.

Këtë çështje do t’ia lë në dorë drejtësisë. Nga publiku kërkoj njerëzillëk dhe ndalimin e shpërndarjes. Përpara çdo gjykimi, mendoni për njeriun dhe familjen që po lëndoni.

Falënderoj nga zemra familjen, miqtë, kolegët dhe të gjithë ata që më kanë mbështetur, publikisht apo privatisht. Dashuria dhe mirëkuptimi juaj më japin forcë.

Do të marr kohën që më duhet dhe do të vazhdoj përpara, me dinjitet dhe me kokën lart.

E juaja,
Eli Fara”

Screenshot
Screenshot
Screenshot