Ballina Aktualitet Lajme NATO, SHBA, BE, thirrje Maqedonisë të vazhdojë procesin

NATO, SHBA, BE, thirrje Maqedonisë të vazhdojë procesin

Zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s po i bëjnë thirrje Maqedonisë të vazhdojë me procedurat për ndryshimin e emrit, që do t’i hapte rrugën anëtarësimit të saj në këtë institucione.

Komisioneri i Zgjerimit të BE-së, Johannes Hahn tha në një koment në Twitter se ai shpreson që “të gjithë udhëheqësit politikë ta respektojnë këtë vendim dhe të vazhdojnë të ecin përpara me përgjegjësinë dhe unitetin më të madh pa marrë parasysh linjat partiake”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shkruante: “U bëj thirrje të gjithë udhëheqësve dhe partive politike të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të përgjegjshme për të shfrytëzuar këtë mundësi historike”, duke shtuar se dera e NATO-s është ende e hapur për Maqedoninë, por së pari duhet që të gjitha procedurat brenda vendit të kenë përfunduar.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu u shprehën në favor të ecjes përpara me procesin. “Ne u bëjmë thirrje udhëheqësve të ngrihen mbi politikën partiake dhe të shfrytëzojnë këtë mundësi historike për të siguruar një të ardhme më të ndritur për vendin si pjesëmarrës i plotë në institucionet perëndimore”, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert.

Sipas shifrave zyrtare të komisionit zgjedhor, më shumë se 90 përqind e atyre që votuan u shprehën për ndryshimin e emrit në “Maqedonia e Veriut”, edhe pse vetëm një e treta e elektoratit mori pjesë.

Komisioni zgjedhor i Maqedonisë kishte thënë dy ditë më parë se rezultatet e referendumit do të shpalleshin të pavlefshme nëse më pak se 50 përqind e popullsisë me të drejtë vote merrte pjesë në votime.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev, i cili kishte thënë se do të jepte dorëheqjen nëse një shumicë e madhe e votuesve të mundshëm nuk e miratonin referendumin, e quajti votimin një sukses të qartë, pavarësisht pjesëmarrjes së ulët.

Zoti Zaev tha se nuk do të japë dorëheqjen sepse një “shumicë e madhe” e atyre që morën pjesë të dielën u shprehën pro.

Ai u bëri thirrje ligjvënësve që të ratifikojnë ndryshimet e nevojshme në kushtetutë, të cilat do të finalizonin marrëveshjen.

Nacionalistët maqedonas, përfshirë presidentin Gjorge Ivanov, kishin kërkuar bojkotimin e referendumit.

Në një deklaratë të dielën, ministria e jashtme greke tha se votimi “kundërthënës” – miratim i madh, por pjesëmarrje e ulët – do të kërkonte që Maqedonia të lëvizë me kujdes për të “ruajtur potencialin pozitiv të marrëveshjes”.

Athina ka argumentuar vazhdimisht se emri “Maqedoni” i përket ekskluzivisht krahinës së saj veriore të Maqedonisë dhe se përdorimi i këtij emri nënkupton pretendimet e Shkupit ndaj provincës greke.

Kundërshtimet e Greqisë e kanë detyruar Maqedoninë të përdorë emrin “ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë” në Kombet e Bashkuara. Greqia e ka bllokuar vazhdimisht fqinjin e saj më të vogël nga anëtarësimi në NATO dhe BE për sa kohë të mbante emrin Maqedoni.

Presidenti maqedonas Ivanov tha se lëshimi ndaj kërkesës së Athinës do të ishte një “shkelje flagrante e sovranitetit”.

Ai refuzoi me këmbëngulje të mbështeste marrëveshjen e arritur mes kryeministrit Zaev dhe homologut të tij grek Alexis Tsipras për çështjen e emrit.

@tn.lajmelokale
@tetovanews