Një ngjarje e rëndë është raportuar më 17 gusht 2025 në Stacionin Policor në Ferizaj, ku një grua 32-vjeçare ka njoftuar autoritetet se është sulmuar fizikisht nga vjehrri i saj 62-vjeçar dhe vajza e tij 20-vjeçare, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas informatave zyrtare të Policisë së Kosovës, konflikti dyshohet të ketë ndodhur në shtëpinë e viktimës, pas një mosmarrëveshjeje rreth pronësisë së një veture. Si pasojë e sulmit, gruaja ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka marrë trajtim mjekësor.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë, të cilët gjatë kontrollit në shtëpi kanë zbuluar dhe sekuestruar një pushkë automatike me dy karikatorë, e cila dyshohet të jetë mbajtur në mënyrë të paautorizuar.
Dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacionin policor dhe janë intervistuar nga hetuesit. Me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj tyre është iniciuar procedurë penale për “Lëndim të lehtë trupor” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas përfundimit të procedurave fillestare, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti po hetohet më tej nga organet kompetente.















