Ballina Kronika Policia jep detajet: Si u shpëtua nga mbytja 30-vjeçarja me ndihmën e...

Policia jep detajet: Si u shpëtua nga mbytja 30-vjeçarja me ndihmën e qytetarëve

Policia e Vlorës ka publikuar një njoftim për shtyp ku tregon rrethanat e shpëtimit nga mbytja të një 30-vjeçareje në Karaburun.

“Gjatë patrullimit me mjet lundrues, shërbimet e Policisë Kufitare Vlorë kanë konstatuar thirrjet për ndihmë nga pushuesit. Në breg u gjet një shtetase e cila ishte nxjerrë nga deti nga qytetarët, pasi gjatë notimit kishte pirë ujë dhe rrezikonte të mbytej,” thuhet në njoftim.

“Punonjësit e Policisë Kufitare, së bashku me pushuesit, i dhanë ndihmën e parë në breg, më pas e transportuan me mjetin lundrues drejt portit të Vlorës, ku gjendja e saj shëndetësore po përkeqësohej. Aty u asistua përsëri nga punonjësit e Policisë Kufitare, duke bërë të mundur stabilizimin e gjendjes deri në dorëzimin tek ekipi i urgjencës mjekësore”, njofton policia.

Policia falënderon qytetarët për reagimin e shpejtë dhe thekson se, falë ndërhyrjes së tyre dhe Policisë Kufitare, shtetasja ndodhet jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve të Spitalit Rajonal Vlorë.

Gjithashtu strukturat policore apelojnë për kujdes maksimal dhe njofton se strukturat e saj vazhdojnë të jenë të angazhuara për sigurinë e pushuesve dhe turistëve.

Tetova News në YouTube: