Ballina Aktualitet Saraji, Kërçova dhe Tetova më të goditurat nga përmbytjet

Saraji, Kërçova dhe Tetova më të goditurat nga përmbytjet

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme serioze në disa pjesë të vendit, me shtëpi të përmbytura, dalje të lumenjve nga shtrati dhe rrëshqitje dheu. Një nga pikat më kritike është zona e Kërçovës, ku mbi 200 persona janë evakuuar për shkak të përmbytjeve.

Deputeti Gjorgjia Sajkovski nga partia në pushtet VMRO-DPMNE ka publikuar në profilin e tij fotografi nga përmbytjet në rajonin e Kërçovës, duke akuzuar udhëheqjen e mëparshme të qytetit për neglizhencë që, sipas tij, ka kontribuar në këto pasoja.

“Për shkak të neglizhencës shumëvjeçare, mungesës së punës dhe mungesës së masave parandaluese në kohë nga ana e udhëheqjes së mëparshme, Kërçova sot u përball me përmbytje serioze dhe katastrofike pas reshjeve të dendura të shiut”, shkroi ai në një postim në rrjetin social Facebook.

Kryetari i Komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanovski, njoftoi se në terren janë angazhuar ekipe dhe mekanizëm, të cilat po përpiqen të pastrojnë segmentet kritike, të largojnë mbeturinat, baltën dhe materialet që bllokojnë rrjedhën, si dhe të hapin kanalet dhe gypat e bllokuar. Ai theksoi se po bëhet edhe pompimi i ujit me mekanizëm shtesë dhe po sigurohet qasje drejt amvisërive të rrezikuara, aty ku kushtet e lejojnë.

Ekipet e komunave, shërbimet zjarrfikëse dhe institucionet për mbrojtje dhe shpëtim po ndërhyjnë pa ndërprerje në pikat kritike në rajonin e Shkupit, Kumanovës, Tetovës, Gostivarit dhe në rajonin Ohër–Kërçovë.

Sipas informatave emergjente të Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK) deri në orën 17:00, në komunën e Sarajit në Shkup janë ndërmarrë aktivitete të koordinuara pas përmbytjeve në fshatrat Bukoviq dhe Semenishtë.

Në terren po ndërhyjnë ekipe nga Komuna e Sarajit, Brigada e Mbrojtjes nga Zjarri e Qytetit të Shkupit, NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, me qëllim pastrimin dhe kullimin e zonave të prekura.

Në rajonin e Kumanovës, lumi Sllupçanka ka dalë nga shtrati në fshatin Opae, duke përfshirë një pjesë të vendbanimit, ndërsa më së shumti janë përmbytur sipërfaqe bujqësore.

Reshjet intensive në rajonin e Tetovës kanë shkaktuar rrëshqitje dheu dhe probleme me kanalet e kullimit. Qarkullimi është ndërprerë në aksin rrugor Tetovë–Xhepçishtë për shkak të një rrëshqitjeje dheu, ndërsa rruga drejt Jeduarcës është riaftësuar.

Po pastrohen kanale të bllokuara në Shemshevë dhe në drejtimin Trebosh–Jazhincë. Rruga drejt Kodrës së Diellit është e kalueshme, por me qarkullim të vështirësuar, ndërsa që nga mëngjesi është vendosur ndalim për lëvizjen e mjeteve të rënda transportuese dhe autobusëve. Nga QMK informojnë se për momentin nuk ka rrezik nga dalja e lumenjve më të mëdhenj nga shtrati.

Bukoviq, Saraj

Në rajonin e Gostivarit janë raportuar disa shtëpi, bodrume dhe objekte ekonomike të përmbytura në komunat Gostivar, Vrapçishtë dhe Mavrovë–Rostushë. Në fshatin Bellovishtë janë shpëtuar persona të bllokuar në një objekt të përmbytur.

Në Forinë është regjistruar dalje e lumit Vardar me rrezik për shtëpitë përreth, për çka është angazhuar mekanizëm për pastrimin e shtratit të lumit.

Nga QMK theksojnë se një pjesë e ndërhyrjeve po zhvillohen në kushte të vështirësuara për shkak të burimeve të kufizuara teknike./rel/TetovaNews