Ish-ministri i Mbrojtjes i Kosovës, tani deputet i LDK-së, Anton Quni, ka bërë të ditur se djali i tij, Dritoni, ka dhënë zyrtarisht betimin ushtarak në Forcat e Armatosura të Kroacisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Quni ka shprehur krenarinë e tij për këtë hap të të birit, duke vlerësuar rëndësinë e shërbimit ushtarak në formimin e tij personal e profesional.
“Sot është nga ato ditë kur zemra të gëzohet për çdo sukses të fëmijës! Djali ynë, Dritoni, sot dha betimin ushtarak në Forcat e Armatosura të Kroacisë. Besojmë fort se disiplina, etika, shkathtësitë ushtarake dhe puna në grup që do t’i fitojë këtu, do t’ia forcojnë edhe më shumë karakterin për t’i bërë ballë çdo rreziku e vështirësie në jetë,” – ka shkruar Quni.
Ai ka theksuar më tej se përkushtimi ndaj vlerave kombëtare mbetet i palëkundur, pavarësisht uniformës ushtarake që ai mban.
“Kudo dhe kurdo, qoftë edhe i veshur me uniformën e ushtrisë kroate, Dritoni do të mbetet përfaqësuesi më i denjë i traditës dhe i kulturës sonë shqiptare. Të qoftë shërbimi ushtarak i mbarë dhe me faqe të bardhë, biri ynë! Zoti të ruajtë!”, ka përfunduar Quni.




























